2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

2. Parimi i improvizimit – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

 

I. 

Janë dy dispozitivë metodologjikë, parimi i prioriteteve dhe parimi i gradualitetit, që shfaqen si kushte, respektimi i secilit  konsiderohet kusht për mbarëvajtjen e davetit. Në fakt konsiderimi i tyre si themel i punës për këdo që është i angazhuar drejtpërdrejt në davet, duket se është i pashmangshëm për aq sa është i natyrshëm: është afërmendsh që çdo punë për të patur sukses duhet të jetë e mirërenduar (sipas prioriteteve) dhe e mirëdrejtuar ( pa u ngutur dhe pa e tepruar). Mirëpo për paradoks, pikërisht ngaqë përllogaritja e prioriteteve dhe kujdesi ndaj teprimeve janë të natyrshëm dhe prej kësaj të pashmangshëm, pra pikërisht për këtë, mbitheksimi i tyre është i panatyrshëm dhe i tepërt, deri në pikën sa në vend që të jenë lehtësues, bëhen vështirësues dhe pengues për davetin. Sepse nuk ekziston një dituri e posaçme, as një formulë, qoftë për përllogaritjen e prioriteteve, qoftë për matjen e ritmit. Të qenët e tyre të natyrshme mjafton për që ato të respektohen dhe zbatohen rast pas rasti.

Për parimin e prioriteteve dhe se çfarë ishte  problematike tek ai (pra dualizmi i tij me parimin e realitetit deri në pikën që e anulonte këtë të fundit), tashmë kemi folur tjetërkund. Në pak rreshta në vazhdim do të merremi me çfarë mendojmë se është problematike tek parimi i gradualitetit.

Sikurse thamë gradualiteti si parim nënkupton se procesi i kryerjes së një pune duhet të njihet mirë para se puna të kryhet, në mënyrë që etapat të ndjekin njëra tjetrën dhe të mos biem në gabimin të përpiqemi të bëjmë diçka pa u pjekur kushtet për realizimin e saj. (Thënë ndryshe: ndërsa parimi i prioriteteve nënkuptonte të mos bëhej një gjë në vend të një gjëje tjetër, parimi i gradualitetit nënkupton të mos bëhet një gjë para një gjëje tjetër.) Kjo është  sigurisht e vërtetë, por është një truizëm: nuk ka nevojë të thuhet dhe as të përqendrohemi tek ajo, sepse duke e shndërruar në çështje, e shkëputim kujdesin për një punë nga marrëdhënia e natyrshme  me punën në fjalë dhe e shndërrojmë kujdesin në një lloj impianti që përftohet tjetërkund dhe montohet i gatshëm tek gjërat që bëjmë, sikur duke supozuar se në origjinë të punëve është moskujdesi. E vërteta është që çdo punë kërkon ritmin e vet dhe nuk duhet bërë e nxituar, por emërtimi për këtë karakterisitikë nuk është gradualiteti por përpikmëria: çdo punë që të përmbushet duhet të bëhet në përputhje me kushtet që e mundësojnë atë, respektimi i të cilëve duhet të bëhet me përpikmëri. Gradualiteti mundet ose jo, të jetë pjesë e kësaj përpikmërie, (pra siç ka punë ku përpikmëria arrihet përmes gradualitetit, po ashtu ka punë ku përpikmëria mbërrihet përmes imediatizmit – menjëhershmërisë).

Sigurisht që ekziston mundësia që punët në përgjithësi (dhe daveti në veçanti) të bëhen nxitimthi dhe rrëmujthi, por shmangia e defekteve të tilla dhe dameve të tilla nuk bëhen duke e shndërruar gradualitetin dhe kujdesin në obsesion, por duke qartësuar se papjekuria e punëve vjen nga papjekuria dhe pazotësia e të zotëve të këtyre punëne: atyre u mungon kapaciteti dhe jo kujdesi. Dhe jo vetëm nuk mund ta shërosh një sëmundje përmes një diagnoze të gabuar, por përkundrazi e përkeqëson atë dhe praktikisht duke mos e njohur e shndërron në një sëmundje kronike dhe të pashërueshme. Siç në këtë rast, moskompetenca në davet (kemi parasysh me këtë, një paaftësi strukturore të të bërit) kërkohet të zgjidhet duke mbifokusuar parimin e gradualitetit, gjë që në rastin më të mirë mund të minimizojë damet, pa ndreq shkakun e damit. Sepse si rregull, në çështje të davetit, mungesa e kapacitetit për t’i shërbyer Hakut të Zotit, ka të bëjë me mosnjohjen (shpesh të paqëllimshme por ndonjëherë edhe të qëllimtë) e ideologjisë dhe mendësisë që motivojnë dhe legjitimojnë veprimet e pjesëtarëve të asaj shoqërie dhe jo me ndonjë mungesë në vetvete të kujdesit.

II.

Kështu, për t’u ruajtur nga damet e pazotësisë dhe papjekurisë, e kemi shndërruar në nyjë metodologjike gradualitetin, pa e kuptuar se kemi provokuar të tjera dame, në fakt edhe më të rëndë se ato që kemi dashur të shmangim. Sepse respektimi i parimit të gradualitetit, është shprehje e natyrshme e merakut për të shmangur damet e pariparueshme dhe damet e panevojshme; por mbirespektimi i parimit të realitetit, pa e kuptuar ushqehet nga një merak tjetër: nga meraku i shmangies të çfarëdolloj dami. Gjë që nuk ka kuptim sepse damtimet janë pjesë e çdo pune dhe në thelb është utopi të synosh t’i shmangësh për fare, vetëm në mos puna konceptohet si një provë teknike paraprake në laborator, para se të përmbushet drejtpërdrejt në ndërveprim akut me realitetin (për rrezikun e së cilës tashmë kemi folur). 

Apo vetëm në mos puna që në origjinë konceptohet e lehtë dhe portative, e tillë që cilido qoftë dami, të mos jetë i rëndë brenda parëndësishmërisë strukturore të tërë punës. Thënë ndryshe: parimi i gradualitetit, nënkupton një përllogaritje precize të forcës në dispozicion, të radhës së etapave dhe shmangies së ekseseve, që do të thotë se parimi i gradualitetit në thelb shndërrohet në aparat për të shkatërruar çfarëdolloj tentative për të improvizuar. Nami i mirë i gradualitetit është ana tjetër e medaljes së namit të keq të improvizimit. Që do të thotë se nëse nami i keq i improvizimit është i pamerituar, pashmangshmërisht edhe nami i mire i gradualitetit nuk është i tëri i merituar.

Siç në fakt ka shumë mundësi të jetë. Sikurse thamë edhe kur folëm për parimin e realitetit, ndërveprimi në kohë reale me realitetin na bën të kuptojmë se një pjesë e realitetit është gajb: në kuptimin që në mendjen tonë realiteti nuk është prerë-ndarë nga ajo që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, apo në të ardhmen e radhës. Një marrëdhënie e plotë me realitetin nënkupton pashmangshmërisht edhe mënyrën sesi ne përfytyrojmë se ai do jetë, për të cilën kemi një ide, ku më të saktë dhe ku më të gabuar, por që për çdo rast duhet të korrigjohet në përputhje me atë çfarë kur vjen kjo pjesë e realitetit, si rregull gjithsesi ndryshe nga ç’kemi përfytyruar. Çka do të thotë se improvizimi (reagimi imediat, marrja e vendimeve në kohë reale për atë që vjen si e paparashikueshme) nuk është përjashtim por rregull, nuk është anomali por normë.

A sjell improvizimi dame? Sigurisht po. A mund t’i eleminojmë damet duke refuzuar improvizimin? Edhe po, edhe jo; në kuptimin që e drejta për të improvizuar fitohet, nuk e gëzon dot apriori dhe falas: cili është i dobët, i ngathët, i trembur, ai nuk ka të drejtë të improvizojë, që do të thotë nuk ia ka borxh askush të merret me përballimin e dameve që mund të vijnë nga improvizmiet e tij. Në të kundërt, për njerëzit me cilësi të shkëlqyera të karakterit dhe personalitetit, improvizimi është një detyrim, sepse përmes tij arrihet kulminacioni në përpjekjen për të ndryshuar realitetin dhe në përgjithësi gjendjen e gjërave.

Për sa është kështu, duket se parimi i gradualitetit  për ata që e mbitheksojnë, është një faktor i rëndësishëm për t’i penguar ata të bëhen njerëz të rëndësishëm. Ose së paku pa e kuptuar as vetë, i bën ata të duken të dobët e të ngathët. Nga ku rezulton se rruga për të shmangur këto dame (këto dame reale dhe jo të imagjinuara), është që gjatë davetit të mbahet një distancë e shkurtuar kontakti me parinë apo elitën e shoqërisë. Mbajtja e kësaj distance që si rregull nënkupton ballafaqim dhe tension (sepse shpesh elitat janë të korruptuara), i mundëson davetçiut të dëshmojë në kohë reale improvizimet e njerëzve të rëndësishëm, të familjarizohet me to dhe t’i përgjigjet improvizimit me improvizim. Aq sa do të jetë në gjendje të balancojë improvizimet e elitës me improvizimet e tij mbështetur tek e vërteta e Zotit, aq do tregojë se është i rëndësishëm ai vetë, dhe sidomos kjo e vërtetë.

III.

Si argument për të legjitimuar parimin e gradualitetit (dhe të etapave) përmendet një Praktikë Hyjnore: sesi shpallja e alkoolit haram erdhi në mënyrë graduale, përmes katër momenteve të dokumentuara tek Fjala e Allahut:

Momenti i Parë Surja Nahl 67:” Edhe nga frutat e hurmës dhe rrushit nxirrni prej tyre pije dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte për njerëzit që kanë menduar” Në këtë sure përmendet vetëm ajo çfarë sadopak, është e dobishme tel alkooli, pa u përmendur dami.

Momenti i Dytë, Surja Bekare 219: ”Të pyesin ty për verën dhe Bixhozin. Thuaj: që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to për njerëz, por dami i tyre është më i madh se dobia e tyre. (……..)” Në këtë sure përmendet edhe dami i tyre, madje tregohet se dami i paraprin dobisë.

Momenti  i Tretë, Surja Nisa 43 : “O ju që besuat mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flisni (…..)”. Në këtë sure vjen ndalimi prej një detyrimi, ibadeti, për shkak të dehjes, pra dami i dehjes është saktësuar si rrugë që të largon nga adhurimi.

Momenti i Katërt, Surja Maide 90-91:” O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra largohuni atyre  që të jeni të shpëtuar.Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se përmes verës dhe alkoolit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi.Pra, a po i jepni fund?” Këtu kemi shpalljen përfundimtare të alkoolit (bashkë me bixhozin dhe fallin) si gjynahe të urryera.

Ky rast na tregon se me siguri gradualiteti është një mekanizëm që duhet zotëruar sa herë që ka dobi prej tij apo sa herë që pa të puna ose bëhet keq, ose s’bëhet fare. S’ka kurrfarë dyshimi në këtë për aq sa vjen drejtpërdrejt prej Allahut Të Madhëruar. Dhe prej këtij gradualiteti të posaçëm me katër shkallë, mund të nxjerrim me siguri që në çështjet e kulturës dhe shprehive që nuk janë kufër në vetvete dhe që nuk e ndalojnë a refuzojnë marrëdhënien e krijesave me Krijuesin, por thjesht e interferojnë-zhurmojnë atë, duhet gradualitet. Pra mund të tolerohet kohëzgjatja përderisa nuk janë mohim i Zotit dhe mund të negociohet gjykimi për to përderisa nuk janë drejtpërdrejt bindje të gabuara, por praktika të gabuara.

Ka një shembull në Kuran që mund të shërbejë si argument që në çështjet e bazave të besimit (që është zemra e davetit) gradualiteti jo thjesht nuk rekomandohet por është thjesht i pamundshëm, i pamendueshëm. E kemi fjalën për një moment nga Shpallja e Kuranit (bëhet fjalë për Suren Nexhm) ku shejtani ndërhyn gjatë shpalljes duke bërë të dëgjohet nga të pranishmit sikur Kurani, njeh dobi në adhurimin e idhujve, gjë që i bën edhe idhujtarët të bien në sexhde gjatë këndimit të kësaj Sureje. Ne e dimë që ky ajet nuk është në Kuran dhe nuk ka qenë kurrë, por ashtu siç patën iluzionin mushrikët dhe e pëlqyen dhe miratuan pa mëdyshje, shpjegohet se ato pikasën gradualitetin (tolerimin dhe negociimin) në çështjen e Hakut të Zotit. Menjëhershmëria me të cilën Muhamedi a.s. e përgënjeshtroi mundësinë e zbritjes së një ajeti të tillë, është provë se gradualiteti në çështjen e shirkut është i urryer.

Gjithsesi ne e sollëm të plotë mënyrën sesi Allahu e shpall alkoolin haram, edhe si mirëkuptim ndaj kujtdo që beson me të vërtetë tek ky parim, edhe si mbështetje për ta riformuluar bindjen tonë: edhe ne besojmë tek ky parim por nuk besojmë universalitetin e tij. Ne nuk themi se gradualiteti nuk vlen, por që ai nuk është element universal i metodës së davetit dhe në momentin që shndërrohet në të tillë, sjell si dam  kolateral, braktisjen  e parimit të madh të improvizimit, prej më të mirëve prej nesh.

Rudian Zekthi

 

Seria e të gjitha parimeve:

1. Parimi i realitetit – Rudian Zekthi

Parimi i improvizimit – Rudian Zekthi

Parimi i autoktonisë – Rudian Zekthi

Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

Rudian Zekthi – Parimi i intensitetit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit