8.8 C
Pristina
Sunday, November 3, 2024

4. Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

1.

Një nga çështjet që duhet të zgjidhim është përcaktimi i kuptimit të gjendjes së muslimanëve, kur shoqëria në të cilën ata bëjnë pjesë nuk dëshmon asnjë prirje apo aspiratë për t’u mbështetur në Fjalën e Zotit për organizimin e institucioneve dhe përftimin e mendësive dhe zakoneve. Sepse sigurisht që kjo është një gjendje që muslimanët nuk kanë sesi ta legjitimojnë dhe që ata sigurisht do të donin ta ndryshonin.
Por çfarë dhe si mund ta bëjnë këtë kur siç thamë shoqëria është krejtësisht e padisponuar për këtë dhe kur pesha dhe statusi i muslimanëve në shoqëri janë jodomethënëse dhe të pamjaftueshme?

Mirëpo pyetja e mësipërme, në thelb e natyrshme dhe e pashmangshme, praktikisht nuk shtrohet më si pyetje, duke u zëvendësuar (në fakt duke u asgjësuar) nga pyetja tjetër: a mund ta kthejnë muslimanët shoqërinë drejt Krijuesit të Gjithësisë, kur vetë janë në këtë gjendje të dhënë dobësie? Për të vazhduar: a nuk duhet të forcohen apo të fuqizohen njëherë dhe vetëm pastaj të ndërmarrin përpjekjen për ta ngushtuar sa të munden më shumë, distancën pikëlluese mes shoqërisë dhe Zotit? Duke vazhduar (të preokupuar) ende me pyetjen: se a nuk është utopi dhe kuturisje vetëkonsumuese të përfshihen në përmbushjen e diçkaje që dukshëm është jashtë rrezes së fuqisë që disponojnë? Ose (të paqartë) e bëjnë retorike edhe këtë pyetje: a nuk është më e mençur të përqendrohemi tek fakti që njerëzit tanë nuk mohojnë, në vend që të përqendrohemi tek fakti që nuk e pranojnë Fjalën e Allahut si Ligj? Apo edhe këtë pyetje (të vetëkënaqur): a nuk është duke u rritur, vit pas viti, numri i besimtarëve (me supozimin se po e kapërcejnë gjendjen e dobësisë e po bëhen të fortë)?

Ligjeratën e plotë mbi këtë temë, mund ta gjeni këtu:

 

Në të vërtetë jo vetëm kjo pyetje e fundit, por të gjitha pyetjet e mësipërme (që i kanë zënë vendin pyetejes se si dhe çfarë duhet bërë që Evërteta e Zotit të jetë e rëndësishme në tërësi për shoqërinë), reflektojnë njësoj një lloj vetëkënaqësie, edhe pse gjenerohen dhe legjitimohen të gjitha nga premisa e dobësisë së mirëqenë. Mirëpo, në fakt kjo premisë është e gabuar, është një moskonceptim i mundësive tona dhe një keqkonceptim i gjendjes së grupeve të hakut në shoqëri (në cilëndo shoqëri që të gjenden ato)? Kjo gjendje pamjaftueshmërie në të cilën gjenden muslimanët shqiptarë nuk është përjashtim por rregull: cilëtdo që kanë barrën e bartjes së Të vërtetës në shoqëri, janë në origjinë të karakterizuar nga moszotërimi i fuqisë që do t’ua bënte të mundshme këtë. Por moszotërimi i fuqisë së duhur për t’u përmbushur dhe për të ndikuar, mund të procedohet në dy module të ndryshme: si dobësi dhe si brishtësi (pra jo medoemos dhe jo pashmangshmërisht si dobësi).

Dhe dallimi mes dobësisë dhe brishtësisë është shumë i rëndësishëm, sepse pikërisht nga mungesa e këtij dallimi, ne e marrim dobësinë tonë si të mirëqenë ndërkohë që s’është e tillë dhe prej saj nxjerrim detyrimisht më pas përfundimet e gabuara që përmendëm më lart. Kështu dobësia është pafuqia për të mbrojtur veten (e rrjedhimisht edhe kërkënd tjetër); kurse brishtësia është pafuqia për të shmangur rreziqet dëmtuese apo kërcënimet potenciale. E thënë ndryshe, dobësia është pafuqi e strukturuar – tërësore, kurse brishtësia është pafuqi zonale,më saktë është të kesh një pikë të dobtë (apo disa pika të dobëta) të ekspozuar në mënyrë të tillë sa s’mund të fshihet dot. Po ashtu duhet ditur se dobësia e tillë siç e përcaktuam nuk ka realitet material, por është gjithmonë një gjendje mendore, sepse askush s’mund të jetë i dobët në mënyrë përfundimtare pa dorëzimin e vet (që i bie: pa pëlqimin e vet) (për ta kuptuar: që një qenie njerëzore të jetë, edhe pa e pëlqyer vetë, e dobtë në mënyrë përfundimtare duhet t’i presin duar e këmbë, t’i presin gjuhën, t’i nxjerrin sytë. Në të kundërt edhe vetëm me gjuhën, apo edhe vetëm me sytë ajo mund të shprehë mosdprëzimin e vet e për pasojë, mosdobsinë e e vet, Dhe nëse e gjymtojnë deri në pikën që të jetë përfundimisht e dobtë, gjymtimi e ka shndërruar, ia ka humbur natyrën njerëzore duke e shndërruar në një gjë jonjerëzore).

2.

Kuptohet pra, që në fakt dobësia, ato herë që konstatohet dhe procedohet si e tillë, është pëlqim i të dobtit vetë, dhe ne po themi këtu se ky pëlqim mund të jetë e mjaftueshme të shkaktohet edhe nga mosnjohja e dallimeve mes dobësisë dhe brishtësisë dhe konfondimi përkatës mes tyre. Tjetërlloj i thënë, i njëjti ligj: i dobtë apo të dobët janë vetëm ata që kanë zgjedhur të jenë të tillë, duke shpërdoruar mundësinë e madhe alternative që jep Zoti i Madhëruar, për ta sublimuar pafuqinë si brishtësi.

Le ta sqarojmë: kushdo apo cilëtdo që bartin të vërtetën në një shoqëri ku kjo e vërtetë ka humbur, nuk kanë mundësi zgjedhjeje, sepse nuk mund të zgjedhin të mos e përçojnë Të vërtetën. Dhe është pikërisht kjo pamundësi për të zgjedhur që i bën ata të cenueshëm apriori, pra është kjo pamundësi për të zgjedhur pika e tij (apo e tyre) e dobët, që shkakton pafuqinë e tij që t’i paraprijë rrezikut duke e shmangur atë, pra përfundimisht që e bën atë (apo ata) të jetë që në zanafillë i karakterizuar nga brishtësia. (Po përse thamë se nuk ka mundësi zgjedhjeje, sespe ata në fakt e kanë një: të mos e përcjellin Të vërtetën, por thjesht ta konservojnë atë – pra ta ruajnë të mos humbasë me kalimin e kohëve dhe brezave. Dhe pasojë e kësaj zgjedhjeje është ta pranojnë e t’ia pëlqejnë vetes të qenët të dobët në mënyrë strukturore – kapilare.)

Mirëpo kur thamë që nuk kanë mundësi zgjedhjeje, patëm parasysh me këtë, zgjedhje të arsyeshme (racionale), sespe zgjedhja e shpërndërrrimit të brishtësisë në dobësi, është e paarsyeshme (iracionale), ngaqë implikon që Evërteta të jetë a papeshë dhe e pandikimtë. Dhe brenda detyrimit për arsyeshmëri, je i paracaktuar të kesh minimumi një pikë të dobët (pra detyrimin për ta përcjellë të vërtetën me çdo kusht) të cilën s’mund ta fshehësh dot për asnjë rast. Prej kësaj rrjedhon në mënyrë të pashmangshme ajo që ne e kemi quajtur këtu Parimi i Brishtësisë: përderisa bartësi i Të vërtetës si rregull është i pamjaftueshëm në statusin dhe mundësitë e veta dhe përderisa çfarë ka pikë të dobtë (a të dobëta) është e pambulueshme dot atëherë meqë brishtësie tij është për pasojë e pashmangshme, ai nuk mund (nuk ka kuptim) të kërkojë të mbulojë pikën e dobët, përkundrazi duhet ta ekspozojë atë ai vetë i pari, me vetëdijen se kjo pikë e dobtë është atribut i mirësisë që ai gjen tek vetja dhe fati i vet.

Nëse s’e bën këtë akt të natyrshëm arsyeshmërie dhe dinjiteti, atëherë njëherazi pëson dy dame: nuk i del për zot të vërtetës dhe vulos veten e vet si të dobtë (pra nëse bart të vërtetën në një mjedis dominues jomiqësor ndaj kësaj të vërtete, ke dy mundësi: ose nuk e përcjell të vërtetën dhe je i dobtë pakthim, ose e përcjell atë dhe shpëton nga dobësia duke ecur në shtegun e sigurte të brishtësisë, ku të qenët i kërcënuar a i cenueshëm është njëjtë me frymëmarrjen.

Ne besojmë se Parimi i Brishtësisë ka qenë busull e Rrugës së Profetëve, se të gjithë profetët (e Muhamedi a.s. më plotë nga të gjithë) kanë pranuar si të natyrshme pamundësinë për të shmangur rreziqet, duke patur qartësinë se pafuqia, nuk fshihet por ekspozohet si e vetmja mundësi për të shmangur dobësinë.

Parimi i Brishtësisë mund të quhet ndryshe edhe Parimi i Ekspozimit, pasi siç e pohuam dhe ripohuam vazhdimisht derimëtani,ai bëhet i mundshëm duke demonstruar vazhdimisht Të vërtetën (për të cilën je në polemikë me shoqërinë) në tërësi apo elementë të saj të veçantë saherë që e sjell rasti. Luksi i mosekspozimit të burimeve dhe i përpjekjes për të qenë i pacenueshëm – i pabrishtë, janë synime ironike, sepse nëse bëhen për të ndrequr në fakt përkeqësojnë, duke e shkëputur Të vërtetën nga realiteti (apo duke e nxjerë jashtë tij) dhe duke të të bërë të cenueshëm jo në një pikë të dobtë tënden, por në tërësi, në tërë atë që je.

3.

Kështu siç dëshmon Allahu në Kuran, për Ibrahimin a.s., në Suren Enbija: “Ai tha; Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i tokës,është ai që i krijoi ato, kurse unë jam dëshmues për këtë!
Pasha Allahun, sapo ju të largoheni unë kam për t’u bërë atë që duhet statujave tuaja!
Dhe i bëri ato copë -copë, përveç një më të madhes që e kishin ata me shpresë se atij do t’i drejtohen.
Ata thanë: Kush e bëri këtë me zotat tanë? Ai qenka kriminel!
Thanë: Kemi dëgjuar për një djalosh që i përqeshte ato, të cilit i thonin Ibrahim.
Ata thanë:Silleni atë këtu, në sy të njerëzve që ta shohin.
I thanë: A e bëre ti këtë me zotat tanë, o Ibrahim?
Ai tha: Jo, por atë e bëri i madhi i tyre, ju pyetini ata nëse janë që flasin!
Ata u ndalën, u menduan me veten, e dikush tha: Vërtet, ju jeni mua ata të gabuarit!
Mirëpo pastaj e shoshitën këtë gjë në kokat e tyre dhe thanë: Po ti e ke ditur që këta nuk flasin!

Ai tha: A po adhuroni pra në vend të Allahut ata që nuk sjellin kurrfarë dobie as dëmi?
Medet për ju dhe për ato që po adhuroni, pos Allahut, po a nuk po kuptoni?
Atëherë ata thanë: Digjeni atë,dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u ndihmoni!” Enbija, 56-68.

Ka dy gjëra, në pamje të parë të çuditshme në këtë ngjarje. Kështu duket e çuditshme që Ibrahimi ua tregon paraprakisht idhujtarëve se ai do të veprojë kundër idhujve dhe pastaj i thyen idhujt kur ata nuk ishin të pranishëm. Po ashtu, duket e çuditshme që ai e mbron veten duke kërkuar si provë dëshminë e pamundshme të kryeidhullit.Që të dyja këto fakte e humbasin efektin e të qenit të çuditshme,nëse mbajmë parasysh pikërisht Parimin e Brishtësisë, si themel të Metodës Profetike: Ibrahimi nuk deshi as të maskohej, e as të justifikohej, në ballafaqimin e tij me idhujtarët dhe me idhujt. Ai që në fillim deklaron burimet e veta (“ Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe tokës, është ai që i krijoi ato, kurse unë jam dëshmitar për këtë”) dhe fill pasi ekspozon pikën e tij të dobët,pra të qenët i pafuqishëm përballë shumicës idhujtare, i mëshon kësaj pike të dobët më shumë kur deklaron armiqësinë e tij ndaj idhujve. Dhe pasi le pa thyer vetëm njërin kërkon dëdhminë e tij në një akt kundërproduktiv: duke i orientuar ata se ai i pari nuk besonte se mund të shfajësohej nga kryeidhulli, ai mbitheksoi cenueshmërinë e vet (gjithmonë përmes Parimit të Brishtësisë), si e vetmja rrugë për të mos përfunduar i pllakosur prej dobësisë( e gjithë kjo është provë e madhe sesi Ibrahimi a.s. refuzoi të zgjidhte, a të pëlqente dobësinë si gjendje të dhënë e të pashmangshme).

Po aq i jashtëzakonshëm është qëndrimi i Muhamedit a.s. në mëngjesin e parë pas Natës së Israsë dhe Miraxhit, siç vjen në transmetimet e Sirës së Muhamedit a.s. prej Ibn Ishakut, Ibn Sadit dhe Taberiut. Tek të treja këto thuhet se atë mëngjes, Muhamedi a.s. ishte i brengosur sepse nuk dinte sesi të transmetonte atë mrekulli që i kishte ndodhur gjatë natës, pa patur asnjë dëshmitar përveç vetes.

Dhe në kët gjendje meraku, personi i parë me të cilin ndesh rrugëve të Mekës, ishte kreu i mushrikëve, Ebu Xhehli,të cilit i bie në sy brengosja e Muhamedit a.s. dhe e pyet se ç’ka.Muhamedi a.s. i tregon për udhëtimin e natës, dhe Ebu Xhehli, i gëzuar nga mundësia që ta vendoste Muhamedin a.s. në dritën e një personi të pabesueshëm, e provokon dhe e nxit, duke i u ofruar ta ndihmojë që t’i mbledhë njerëzit në shesh që të shpallë këtë ngjarje. Muhamedi a.s. pranon, mekasit mblidhen, Muhamedi a.s. e tregon historinë e Israsë duke ngjallur mosbesim jo vetëm tek mushrikët, por edh tek një pjesë e besimtarëve (madje pati prej këtyre të fundit që braktisën fenë ngaqë s’e besuan atë që Muhamedi a.s. tha). Ata thirrën një person që e njihte Jeruzalemin dhe Bejtul Makdisin dhe pyetjeve të të cilit Muhamedi a.s. nuk arrit t’u përgjigjej (pra nuk arriti të përshkruante tregun, varrezat dhe vetë Bejtul Makdisin, vetëkuptueshëm pasi kishte qenë natë dhe s’mund t’i shihte – mbante mend vetëm shtyllën ku lidhi Burakun).

Kur njerëzit pas kësaj në masë filluan haptazi ta venë në dyshim dëshminë e Tij, ndërhyn Allahu me një mrekulli dhe mbi çatinë e një shtëpie mekase ia shfaq si vizion pamjen e Bejtul Makdisit, duke i mundësuar Muhamedit a.s. përshkrimin me hollësi të ç’kërkohej prej pyetjes së tyre. Ky kthim i papritur i situatës, i shokoi mushrikët, dhe Taberiu thotë,se ky ishte momenti i parë ku ata e kuptuan se thirrja e Muhamedit a.s. ishte diçka shumë serioze dhe e paneglizhueshme.

Të vihet re se kjo Ngjarje Profetike mund të shpjegohet vetëm përmes Parimit të Brishtësisë: Muhamedi a.s. edhe pse e dinte se kjo ishte një pikë qartësisht e dobët, pra pa asnjë dëshmitar të tregonte para atyre që nuk i kishin besuar deri në atë moment asgjë, historinë e një udhëtimi me Kryeengjëllin dhe një kafshë xheneti. Por ai nuk synoi ta fshihte atë edhe pse ishte i pafuqishëm përballë mushrikëve. Përkundrazi e shpalli ate duke rrezikuar të ishte i cenueshëm – i atakueshëm menjëherë dhe pa asnjë parapritë apo kalkulim, sepse ai dinte atë që dinin dhe profetët e tjerë (siç e treguam më lart edhe për Ibrahimin a.s.),që nëse pafuqia e dhënë të shtyn të fshehësh pikat e dobëta dhe burimet e të vërtetës, Atëherë ke pranuar të pllakosësh veten në një gjendje përfundimtare dobësie; në të kundërt nëse e shfaq pikën e dobët me premisën se pikërisht prej saj fillohet për të shkuar tek e vërteta, atëherë pafuqia sublimohet në pafuqi, e cila në ato kushte s’është tjetër përveçse bekim, (sepse të qenët i brishtë është gjendja e natyrshme e thirrësit tek E Vërteta e Zotit).

Prof. Rudian Zekthi

 

Seria e të gjitha parimeve:

1. Parimi i realitetit – Rudian Zekthi

2. Parimi i improvizimit – Rudian Zekthi

3. Parimi i autoktonisë – Rudian Zekthi

Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

Rudian Zekthi – Parimi i intensitetit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit