-0.6 C
Pristina
Tuesday, January 31, 2023

Konsulta (ose mosvrazhdësia) – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Konsulta (ose mosvrazhdësia) – Rudian Zekthi

1.

“Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, prandaj ti fali ata dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu  i do ata që mbështeten.” Ali Imran 159.

Të vihet re sesi ky ajet, nis me pohimin e një fakti rreth sjelljes së Muhamedit a.s., pra sjellja e butë e Tij ndaj besimtarëve. Në të vërtetë ky konstatim ishte kollaj i mbërritshëm edhe prej njerëzve – bashkëkohësve të Profetit a.s. dhe po ashtu edhe sqarimi se kjo butësi  ishte frut i dhuntisë së Allahut që e ka pajisur që në origjinë Muhamedin a.s. me mëshirë, ishte kollaj i deduktueshëm prej bashkëkohësve të tij. Mirëpo këto pohime stolisëse për karakterin e Muhamedit a.s., vijojnë me një seri pohimesh të cilat ose nuk do të mund të deduktoheshin prej njerëzve, ose edhe nëse po, do të ishin në mos të pasigurta, gjithsesi opsionale, pra të pëlqyeshme dhe të rekomandueshme, por kurrsesi të detyrueshme dhe të pashmangshme. Përkundrazi, të ardhura prej Krijuesit të Gjithësisë, këto pohime nuk janë thjesht të pëlqyeshme, por udhëzime të detyrueshme për t’u ndjekur e zbatuar.

Pra po pohojmë se ky ajet ka natyrë programatike, pra përcaktues i bazave të sjelljes mes udhëheqësit (a liderit) dhe bashkëpunëtorëve dhe ndjekësve të tij.  Dhe nuk jemi duke thënë se këto pohime janë të detyrueshme, pra kanë statusin e ligjit, si Fjalë e Allahut (pasi Fjala e Allahut nuk është e tëra zbuluese dhe formuluese ligjesh), por sepse fryma dhe kuptimi i përgjithshëm që ato bartin dhe plotësia shteruese me të cilën e përshkruajnë këtë të vërtetë, e bëjnë të pabesueshëm opsionin se kemi të bëjmë me rekomandime opsionale që zbatohen ose jo në bazë të rrethanave, të dhënave, gjykimeve apo synimeve.

Folëm për një seri pohimesh, sepse në fakt bëhet fjalë të paktën për katër të tilla që vijnë njëri pas tjetrit: (1)…e sikur të ishe i vrazhdë  e zemërfortë ata do të shkapërderdheshin prej teje (2) prandaj ti fali dhe kërko ndjesë për ta (3) e konsultohu me ta në të gjitha çështjet (4) e kur të vendosësh mbështetu në Allahun…

Video ligjeratën mund ta gjeni këtu:

Pohimi i parë aktivizon këto limite  të sigurisë:

-vrazhdësia është efekt i jashtëm i zemërfortësisë, ose ndryshe zemrës pa empati –  pra që nuk arrin të vnedoset dot në pozitën e tjetrit për të përfytyruar justifikim për mangësitë e tij;

-vrazhdësia nuk shkakton detyrimisht përçarje, shkërmoqje dhe  largim (madje zullumqarët arrijnë t’i grupojnë njerëzit pikërisht përmes vrazhdësisë dhe dhunës);

– në të kundërt për një person i cili synon t’i bashkojë njerëzit rreth të vërtetës në përgjithësi dhe posaçërisht rreth Hakut të Zotit, vrazhdësia është e mjaftueshme që ta shkatërrojë punën e tij;

Kurse pohimi i dytë aktivizon këto limite të sigurisë:

–  në të vërtetë nëse një person që manifeston vrazhdësi apo zemërfortësi në përpjekje për t’i bashkuar njerëzit rreth të vërtetës, dëshmohet se  gjithsesi është i sinqertë, i drejtë dhe besnik, këto cilësi të mëdha pozitive do të ishin të mjaftueshme që njerëzit të gjenin arsye për ta ndjekur dhe mbështetur, nëse ata vetë do të ishin të plotë në sinqeritetin e tyre;

– atëherë, në mungesë të kësaj plotësie në disponimin e tyre, duhet që personi që inspiron ata, të jetë ai sa më larg prej zemërfortësisë dhe vrazhdësisë (në mungesë të plotësisë së tyre, duhet ai vetë të jetë i plotë në dhunti);

– dhe çfarë ndodh kur ai është i plotë në dhuntitë e tij?: pashmangshmërisht – vetiu, duke e ndjerë në kohë reale mangësinë dhe dobësinë e ndjekësve, ai i mirëkupton ata, i fal ata, ua mbulon të metat dhe madje lutet tek Allahu që edhe Allahu t’ua shlyejë këto të meta ( ne jemi duke përdorur termin e ri mosvrazhdësi, por kështu siç po na shfaqet këtu, takohemi me konceptin e fisnikërisë,si një term tjetër, qëkur i njohur dhe qëkur i përdorur për të emërtuar mosvrazhdësinë)

Ndërsa pohimi tretë aktivizon këto limite të sigurisë:

– konsultimi i të parit me ndjekësit dhe bashkëpunëtorët e tij është prova e vërtetë e mosvrazhdësisë. Thjesht fjalët e buta dhe sjelljet ditore mirëkuptuese, janë niveli i parë – minimal i empatisë dhe fisnikërisë, por nëse personi mjaftohet me kaq fisnikëria apo mosvrazhdësia nuk është e plotë (në fakt nuk është as e vërtetë, ose së paku vuan të qenët sipërfaqësore);

– duhet që ai duke i njohur paraprakisht të metat e tyre, pikërisht prandaj të këshillohet me ta për çdo çështje dhe për çdo gjykim dhe për çdo vendim që duhet marrë (sepse nëse ata do të ishin pa këto mangësi atëherë s’do të ishte e domosdoshme që lideri të përmbushte kushtin e mosvrazhdësisë);

– praktikimi i konsultimit i jep mundësinë ndjekësve të përfytyrojnë pozitën në të cilën ndodhet lideri dhe të nxiten të kapin intensitetin adekuat për punë më të mëdha sesa arrijnë të përfytyrojnë normalisht me veten e tyre. Kjo u mundësom atyre të kapërcejnë veten, në aspektin e asaj që tjetërkund e kemi quajtur Davet Zhvillues (siç thotë Taberiu në tefsirin e vet të këtij ajeti: “mendimi më i saktë në lidhje me këtë çështje mund të them se është: Zoti i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij, Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin me Të,të konsultohet me shokët e tij lidhur me taktikat e luftës dhe komplotet e armikut, në mënyrë që edhe atij që i mungon drita e besimit që mundëson kapërcimin e fitneve, t’i mundësohet besimi dhe kjo dritë. Kështu i jep mundësi umetit të tij të ketë kapacitet për të perceptuar çështjet me të cilat përballet në jetën e tij. Duke ndjekur Shembullin e Tij, do të gjejnë zgjidhje për situatat e ndryshme gjatë jetës së tyre, përmes konsultës me njëri-tjetrin, gjë të vilën e kishin parë më parë tek Profeti i tyre. Sa i përket Profetit a.s., Zoti ia bënte të njohur të vërtetën për gjërat që e mundonin apo gjërat me të cilat përballej, përmes shpalljes dhe ose frymëzimit. Ndërsa Umeti i Tij nëse do të këshillohet duke ndjekur kështu shembullin e Muhamedit, me vëllazëri dhe sinqeritet për të rrokur të vërteteën duke synuar veç atë, pa u prirur nga dëshirat dhe pa u shmangur nga e vërteta, atëherë Zoti do t’i orientojë drejt saj dhe do t’u japë sukses.”);

-nëse për Profetin s’do të kishte qenë detyrim konsulta atëherë ai do të duhej të ishte gjithë kohës në shoqërinë e Xhibrilit a.s. apo gjithë kohën i frymëzuar, pa u vendosur asnjëherë në vështirësi dhe mundim, siç nuk i takon në fakt profetëve;

Dhe pohimi i katërt dhe i fundit, aktivizon këto limite të sigurisë:

– konsulta është maksimumi i parapërgatitjes dhe garancisë, pra kulminacioni i periudhës që i paraprin veprimeve dhe akteve ( pra kryerja e konsultës është gjëja që duhet bërë për të qenë i pastër para Krijuesit për plotësimin e sebepeve para ndërmarrjes së akteve);

– madje kryerja e konsultës duket se është kusht për të synuar mbështetjen e Allahut: “.. e kur të vendosësh mbështetu në Allahun, Allahu i do ata që mbështeten tek ai” mund të ketë kuptimin e përkujtimit (pra edhe pse  konsultimi ndodhi,  të mos harrohet që kjo nuk mjafton, nëse nuk mbështetesh posaçërisht tek Allahu), por mund të ketë edhe kuptimin e premtimit (meqë vendimi u mor duke u konsultuar, atëherë Allahu premton mbështetje, sespe e do këtë mbështetje të paraprirë nga konsulta). Madje mundet që konsulta të jetë e pakonkluduar, pra lideri të mos bindet për drejtësinë e sugjerimeve dhe të vendosë ndryshe, por mjafton fakti që ai e synoi me sinqeritet dhe e konsumoi konsultën si procedurë, që të ketë shpresë se mbështetja tek Allahu është e garantuar;

2.

Nga sa më lart shpresojmë të ketë qenë bindëse që konsulta nuk është luks por domosdoshmëri dhe detyrë fetare, siç thotë edhe Sadi në tefsirin e tij për këtë ajet. Dhe për aq sa ajo është detyrim fetar për këdo që merr përsipër të zgjidhë problemet e shoqërisë muslimane, është pikëlluese që ky është sekreti (para syve të të gjithëve) për të cilin praktikisht nuk flet askush: pra askush nuk tërheq vërejtjen për moskryerjen flagrante të këtij detyrimi, moskryerje që duket se është bërë normë mes nesh.

Mjafton për ta kuptuar flagrancën e neglizhimit të konsultimit prej nesh, fakti që Muhamedi a.s. e ka patur konsultimin normë, paçka se ishte më i miri i njerëzve dhe më i madhi i profetëve. Ja sa qartë paraqitet kjo e vërtetë e sjelljes së Profetit Muhamed a.s. në tefsirin e Ibn Kethirit, për këtë fragment të ajetit 159, të Sures Ali Imran:

“Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut s.a.v.s i konsultonte shokët e vet për gjërat që ndodhnin, duke ua zbutur zemrat në mënyrë që ato të jenë më kreativë në veprim. Kështu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s u konsultua me ata në luftën e Bedrit për t’i dalë para karvanit. Ata, me këtë rast, i thanë: O i Dërguar i Allahut, sikur të kërkoje prej nesh t’ia mësyjmë detit, ne do t’ia mësyjmë detit bashkë me ty. Nëse nishesh me ne ëçr në Berku-l-gamad, do të nisemi bashkë me ty e  nuk të themi ty sikurse populli i Musait i a.s : shko ti me Zotin tënd e luftoni, ndërsa ne qëndrojmë këtu…..

I konsultoi edhe në Uhud, për atë nëse të mbetet brenda Medines apo të dalë e të ballafaqohet jashtë qytetit. Pjesa dërrmuese i propozuan që të silte jashtë qytetit, gjë që edhe e pranoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Në luftën e Hendekut i konsultoi që të nënshkruanin marrëveshje me ushtrinë kundërshtare në këmbim për një të tretën e frutave të Medinës të atij viti.Mirëpo këtë propozim e refuzuan Sa’d ibn Muadh dhe Sa’d ibn Ubade,ashtu që I dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e bëri këtë marrëveshje.

Në Hudejbije Profeti s.a.v.s. i konsultoi shokët e vet nëse t’i  sulmonin idhujtarët, por Ebu bekri i tha: ne nuk kemi ardhur të luftojmë kundër askujt, kemi ardhur ta kryejmë umren. I Dërguri i Allahut s.a.v.s. e pranoi sugjerimin e tij.

Në ndodhinë e shpifjes ndaj Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, që njihet me emrin  “ hadithu-l-ifk”, i Dërguari Allahut s.a.v.s. u tha muslimanëve: ” O muslimanë,më sugjeroni çka të bëj me ata të cilët kanë shpifur ndaj gruas sime (……….)”.

3.

Ne nuk jemi në gjendje të konstatojmë se sa dhe si ky obligim për konsultë është zbatuar në mbarë botën islame, madje edhe se sa dhe si është përmbushur mes nesh,muslimanëve shqiptarë, autori i këtyre rreshtave nuk pretendon njohje të mjaftueshme të gjendjes, por dhe madje brenda modestisë së atij që ka bërë fare pak dhe e njeh kontributin e madh të thirrësave në terren, merr përsipër vërejtjet e mëposhtme me shpresën që të ketë dobi prej tyre.

Nisemi nga një konstatim fakti: daveti i konceptuar parasëgjithash si davet horizontal në mënyrë të pashmangshme ka bërë të mundshme  që në Shqipëri daveti të jetë struktura në mënyrë kufitare, pra përmes ndarjes së territorit në sektorë të njëpasnjëshëm, në secilin prej të cilëve zhvillon thirrjen një grup thirrësash, si rregull me një drejtues të pranuar prej tyre e të njohur si përfaqësues dhe lider i tyre edhe nga jashtë, ose (më rrallë) me një drejtim kolegjial. Secili prej grupeve themelohet mbi ekskluzivitetin, pra me një lloj sovraniteti të qartë mbi territorin e vet, sovranitet që në rrafshin e davetit horizontal është i natyrshëm dhe i frutshëm (meraku, intensiteti, këmbëngulja me të cilin kryhet ky davet janë përftues të këtyre fruteve). Vetëm se ky ekskluzivitet a sovranitet, përveç mirësive të veta, mesa duket shkakton edhe një dëm: ndërprerjen e angazhimit të të njëjtëve thirrësa që të preokupohen njësoj intensivisht me davetin publik apo vertikal, i cili davet duke mos patur asnjëri prej tyre tagrin ta përfaqësojë ekskluzivisht, do të duhej të ishte produkt i konsultës mes gjithë këtyre thirrësave – lidera, secili  lider në territorin e vet. Në mungesë të kësaj konsulte ky davet mbetet i pakryer ose i kryer spontaneisht – pa metodë.

Ndoshta e pohuam këtë përfundim, para se ta argumentojmë (gjë që do e bëjmë në vijim) vërtetësinë e tij duke u mbështetur tek çfarë thamë deri këtu për konsultën ( sepse kjo situatë mund të shpjegohet si pasojë e konfondimit të kushteve të konsultës): organizimi i davetit territorial vërtet mbështetet mbi konsultën mes liderit dhe bashkëpuntorëve të tij (dhe më rrallë mes të barabartëve) dhe madje duke e ditur që konsulta ka këtë peshë brenda metodologjisë profetike, ajo bëhet pa u neglizhuar. Dhe butësia dhe mirësjellja dhe respekti reciprok mes thirrësave në territore të ndryshme të së njëjtës hapësirë, është me siguri shenjë e mosvrazhdësisë dhe fisnikërisë, në përputhje me çfarë Allahu përgëzon sjelljen e Muhamedit a.s..Por ky është vetëm niveli parë i mosvrazhdësisë, ngjashëm me siç thamë më lart për fjalën e butë dhe mirësjelljen e përditshme mes njerëzve. Madje po ashtu thamë se niveli i dytë i mosvrazhdësisë ka të bëjë me konsultën: me vendosjes si detyrim ndaj vetes të konsultohesh me ata që janë natyrshëm bashkëpuntorët e tu, pavarësisht se ata ndoshta nu kanë kapacitetin tënd, kanë mangësi të qarta she ndoshta janë edhe të pinteresuar për t’u konsultuar: të gjitha këto janë një arsye më shumë madje që konsulta të synohet dhe procedohet medoemos.

Pra garanci se thirrësat në territor janë në përputhje me sjelljen e lëvduar të Profetit a.s., nuk është konsultimi i tyre në davetin territorial, por konsultimi i tyre në davetin vertikal, mosbërja e të cilit kërcënon me vrazhdësi (se është vrashdësi e padukshme nuk do të thotë se lejohet ta kultivojmë).

Dhe si luftohet kjo vrazhdësi në kushtet kur mesa duket edhe jemi të pavetëdijshëm për të? Ka vetëm një zgjidhje: konsulta për davetin vertikal (sepse vërtet ka shumë sektorë apo territore po ka vetëm një hapësirë; sepse vërtet ndërsa për davetin territorial është mirësi decentralizimi, përkundrazi, për davetin vertikal, centralizimi apo dakordësia dhe koordinimi për linjat kryesore të qëndrimeve dhe sjelljeve është obligim, dhe përgjegjësia për të është kulminacion). Dhe si bëhet kjo konsultë (ndërkohë që duket sikur ka ndonjë sekret të panjohur që e pengon)? Shumë e thjeshtë: njëri apo disa apo të gjithë thirrësat -lidera në davetin horizontal të shkojnë, të kërkojnë të ngjashmit jo për vizita kortezie, por për të ekspozuar metodën e tyre të davetit dhe për të kërkuar këshillë se çfarë s’vete dhe çfarë mund të ndreqet tek ajo (dhe kjo kërkesë duhet bërë me vëllazëri dhe sinqeritet, përndryshe është e pavlerë). Duke mos e marrë të mirëqenë vërtetësinë e metodës së tyre në perpsektivën e së tërës – hapësirës dhe jo pjesës -territorit, secili prej tyre  e merr të mirëqenë se sado gabime dhe të meta t’i njohë tjetrit,konsulta mund të nxjerrë dobi pavarësisht gjithë këtyre të metave (e kështu secili shkatërron në mënyrë përfundimtare edhe thërrimet e fundit të vrazhdësisë twek vetja).

Lufta ndaj kësaj vrazhdësie nuk është luks, por detyrim për këdo që synon të jetë sa më pranë Shembullit dhe metodës së Profetit Muhamed s.a.v.s. Dhe konsulta pikërisht me ata, për të cilët ti përndryshe do t’i luteshe Zotit t’i falte për dobësitë që  ti e di se ata i kanë, është rruga e vetme për të plotësuar parimin e mosvrazhdësisë.

Sepsec sihariqi është në fund (tek Fjala e Zotit vjen si konkluzion): pas kryerjes së konsultës, kush e bën këtë (dhe gjithsesi konsulta nuk konkludon, pra eventualisht prapë mund të qëllojë që s’ka dakordësi) ka plotësuar kushtet që të vazhdojë duke iu mbështetur Allahut, me garanci të mëdha se vetëm në këtë mënyrë kjo është mbështetja që Allahu ka premtuar ta dojë.

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit