2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Në Kosovë, fillon subvencionimi për ata që kursejnë energjinë elektrike

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kanë nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike të konsumatorëve. Për muajin shtator, bëhet e ditur se kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se kanë proceduar në llogaritë e konsumatorëve pagesat e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.

Ai ka njoftuar se nga kjo masë kanë përfituar 167 mijë e 771 konsumatorë.

“Për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike”.

Sipas Murtait të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin.

Ai ka treguar edhe për kriteret që duhet plotësuar për përfitim.

“Secili konsumator aktiv, fatura mbi 5 euro, që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit. Maksimumi i subvencionit për një muaj, është vlera e faturës së muajit përkatës, apo tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët. Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kWh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kWh, i bie që keni kursyer 20% të energjisë elektrike”, ka shkruar Murati.

Sipas tij subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit.

“Pra 2×20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, apo 16 euro”.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi. Sipas ZRRE-së, Kosova vitin e kaluar ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore./monitor

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit