-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ndihma për të varfërit nga kamata – Sqarime rreth kamatës për të varfërit

Më të lexuarat

Pyetja:

A kemi të drejtë që paratë e interesit (kamatën) t’ua japim të varfërve?


Përgjigjja:

Fillimisht themi se Islami e ka ndaluar rreptësisht kamatën duke e radhitur atë në grupin e mëkateve më të mëdha shkatërruese. Ebu Hurejra r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese!“ Thanë: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato mëkate?“ Tha: “T’i bësh Zotit shok (shirku), magjia (sihri), mbytja e njeriut pa hak, (një veprim) që e ka ndaluar Allahu me përjashtim nëse këtë e kërkon drejtësia (e fesë), ngrënia pa të drejtë (keqpërdorimi i) e pasurisë së jetimit, ngrënia e kamatës, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja ndaj grave të ndershme besimtare.“ [1]

Prandaj vendosja e të hollave në bankë me afatizim me qëllim të përfitimit nga interesi i kamatës është e ndaluar, mirëpo nëse ekziston frika për sigurinë e të hollave nga vjedhja apo shkatërrimi, në këtë rast lejohet vendosja e të hollave në bankë, por me xhirollogari rrjedhëse (pa afatizim), me qëllim të ruajtjes së të hollave. Këtë e themi duke u bazuar në rregullën e fikhut: “Nevoja e domosdoshme e lejon të ndaluarën.”

Mirëpo ka raste kur banka pa dëshirën tonë përcakton kamatën, siç është rasti i sigurimeve pensionale e raste të ngjashme me këto, apo ne i kemi futur paratë në bankë për t’i ruajtur duke menduar se nuk ka kamatë dhe më pas kuptojmë se në to ka kamatë. Në këso rastesh shtesa e kamatës që jep banka nuk lejohet të përdoret për qëllime dhe interesa personale, por ato të holla duhet të harxhohen në projekte që konsiderohen me interes të përgjithshëm, si ndërtimi i rrugëve, ujësjellësi, kanalizimi, ndihma e të varfërve, organizata humanitare etj..

Pra shtesa e kamatës shpërndahet jo si lëmoshë prej së cilës shpresohet shpërblimi prej Zotit të Lartësuar, por si pastrim prej pasurisë së ndaluar apo largim a heqje të asaj pasurie haram, sepse me haram sevap e shpërblim nuk ka. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu është i mirë dhe nuk pranon tjetër vetëm se të mirën.” [2]

Vlen të ceket se vendosja e të hollave në bankë me kamatë me qëllim që të ndihmohen të varfrit nga shuma e interesit të kamatës është e ndaluar, edhe pse qëllimi është i mirë dhe human, mirëpo mënyra e realizmit të këtij qëllimi është e papastër, prandaj ndalohet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 2766; Muslimi, nr. (89) 145.

[2] Muslimi, nr. (1015) 65.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit