11.5 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

“Ktheje të keqen me atë që është më e mira!”

Më të lexuarat

“Ktheje të keqen me atë që është më e mira!”(Surja Muminjn ,96) – Nëse armiqtë e tu të rëndojnë e sillen keq kundër teje me fjalë ose me vepra, ti mos ua kthe po me të keq. Edhe pse dënimi me barazi i keqbërësit është i lejuar dhe drejtësi, morali i lartë kërkon që ligësisë së tyre t’i kundërpërgjigjesh me mirësi. Kjo është një lloj bamirësie ndaj keqbërësit. Ndër të mirat që sjell kjo sjellje është edhe reduktimi e zbutja e ligësisë së tjetrit mbi ty. Ai do të zbutet që në atë moment, madje edhe më shumë më pas.

Kjo mirësjellje e afron keqbërësin më afër të mirës dhe drejtësisë dhe e bën më të gatshëm për të pranuar prej teje. Kjo do të bëjë, gjithashtu, që ai të ndiejë më shumë keqardhje dhe pendesë për sjelljen e padrejtë të tij. Nëse bamirësi pajiset me durim e mirësjellje, me falje e moral të mirë, ka për ta mposhtur shejtanin e mallkuar dhe ka për të marrë shpërblim të madh nga Zoti i tij, siç thotë i Lartësuari: “Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë; por kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.” [Shura 40].

Gjithashtu: “E mira nuk mund të jetë e barabartë me të keqen. Largoje atë (të keqen) me çfarë është më e mirë, sepse atëherë, edhe ai, me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç atyre që janë durimtarë; dhe askush, përveç atyre që kanë fat të madh. E, nëse ndonjëherë ty të bëhet ndonjë ngacmim prej Shejtanit, kërko mbrojtje prej Allahut, sepse Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri.” [Fusilet 34-36]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit