9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

A jam unë i vetëm pengesë për fitoren e tërë muslimanëve?!

Më të lexuarat

I ulur në vetmi, i brengosur me lajmet që vijnë nga muslimanët dhe fatkeqësitë që po iu ndodhin atyre, dëgjova një zë nga brenda meje që më thoshte: Ti je njëri nga fajtorët. Ti je arsyeja pse ne nuk e arrijmë fitoren. Ti je faktori kryesor për atë me të cilën po përballen muslimanët sot.

Unë iu përgjigja: Unë? Si ka mundësi? Unë jam vetëm një rob i dobët i Allahut, një rob që nuk ka forcë në duart e tij. Nëse unë e provoj t’i urdhëroj njerëzit, ata kurrë nuk do të me dëgjojnë, madje edhe nëse e provoj t’i këshilloj, ata nuk do ta marrin parasysh këshillën time.

Me shpejtësi ky zë ma ktheu duke më ndërprerë: Janë mëkatet e tua, që e kanë rraskapitur melekun, që është në anën tënde të majtë. Ai është mërzitur duke shkruar mëkatet në librin tënd. Dita dhe nata jote është në betejën e mosbindjes ndaj Allahut. Është largimi yt nga veprat e mira dhe veprimi i mëkateve.

Unë: Çfarë kam bërë që më fajëson për gjithë këtë mua e të më thuash, se unë jam pengesë për fitoren e muslimanëve?

Brendia ime: Rob i Allahut, për emër të Allahut, nëse filloj t’i numëroj çfarë ke bërë do të më marrë shumë kohë. Por me lejo të të pyes: A e fal namazin e sabahut me xhemat?

Unë: Po, ndonjëherë, por më shpesh mungoj.

Brendia ime: E sheh! Këtu është problemi, ti kundërshton vetveten. Si pretendon se mund të shkosh në xhihad, kur ti dështon në xhihadin me nefsin tënd, kur dihet se xhihadi me veten tënde nuk të kushton me jetë apo me para? Të kushton vetëm disa minuta për të falur dy rekat namaz, që janë detyruar nga Allahu. Si mund të thërrasësh për xhihad, kur ti nuk e praktikon faljen e pesë kohëve të namazit? Kur ti nuk mund të falësh namazet sunete? Kur nuk lexon së paku disa ajete nga Kurani për çdo ditë? Kur ke harruar për dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes? Kur nuk mund ta ndalosh veten nga shikimi i asaj që Allahu e ka ndaluar? Kur nuk je i sjellshëm me prindërit e tu? Kur nuk mban lidhje të mira me të afërmit tuaj?

Si mund të thërrasësh për zbatimin e sheriatit në vendin tënd, kur ti nuk e zbaton atë në veten dhe familjen tënde? Ti nuk e ke frikë Allahun në sjelljet me familjen tënde, ti nuk i ndihmon ata në pasimin e besimit të vërtetë, ti nuk brengosesh për furnizimin e tyre me paratë që vijnë nga fitim hallall. Dhe duke vepruar kështu bëhesh nga ata njerëz për të cilët Allahu ka thënë: “Dhe ju e doni bollëkun (pasurinë e shumtë) me një dashuri të tepruar. Pra, ju keni gënjyer, mashtruar dhe thyer premtimin, tani meritoni dënim nga Allahu.”

Unë: (e ndërpreva) Dhe çfarë ka të bëjë kjo me fitoren? A mundet që një musliman të pengojë fitoren e tërë umetit?

Brendia ime: Posi!!! Natyrisht, kështu si ti janë qindra milionë – me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu, subhanehu ue teala, po ata janë me qindra milionë që kanë mendime të njëjta si ti. Ata nuk brengosen për t’iu bindur Allahut. Ata nuk i frikësohen Allahut dhe e kërkojnë fitoren me arsyen, se ka muslimanë të tjerë që janë besimtarë më të mirë. Por e vërteta e dhimbshme është se ata të gjithë janë po aq të këqij – përveç atyre mbi të cilët Allahu ka lëshuar mëshirë. A nuk e di, o rob i Allahut, se kur shokët e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selam, kërkuan fitoren dhe nuk e arritën atë, ata e kuptuan se ndërmjet ushtrisë së tyre ishte dikush që kishte bërë një punë të keqe.

E si do të jetë puna me umetin, që është zhytur në të gjitha llojet e mëkateve, të vogla e të mëdha. A nuk e sheh çfarë po i ndodh umetit nga lindja e deri në perëndim?

I prekur thellësisht, me lot në sy, për atë që asnjëherë nuk e kisha marrë me mend që unë, njeriu që e do Allahun dhe Profetin e Tij, që e do Islamin dhe të gjithë muslimanët mund të jem një nga arsyet e dështimit të muslimanëve. Që unë mund të jem pjesëmarrës në lumin e gjakut të muslimanëve të pafajshëm në shumë vende islame.

Gjithnjë ka qenë e lehtë për mua të fajësoj një udhëheqës, princ, ministër ose dikë përgjegjës në shtet, por asnjëherë nuk kam menduar fillimisht për gabimet e mia dhe asnjëherë nuk kam menduar çfarë ka thënë Allahu: “…Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…” (Kurani 13: 11)

Ashtu që unë i thashë vetes: Falënderimi i takon Allahut që më dha këtë shpirt vetëqortues. Pastaj e pyeta: Çfarë më këshillon të bëj?

Brendia ime: Fillo me veten tënde. Kryej rregullisht faljen e pesë kohëve të namazeve të detyrueshme, paguaj zekatin, agjëro Ramazanin, kryej haxhillëkun, urdhëro për të mirë dhe ndalo nga e keqja, bëhu i sjellshëm me prindërit, përpiqu të jesh afër Allahut duke falur namaze sunete. Shfrytëzo çdo mundësi për të qenë afër Allahut, duke mos i anashkaluar veprat si të parëndësishme. Kujtoje se një buzëqeshje në fytyrën tënde është sadaka. Mos kërko nga njerëzit të bëjnë asgjë, të cilën ti vetë nuk e praktikon. Mos fillo të thërrasësh për zbatimin e sheriatit përveç nëse je shembull për të mirë në zbatimin e sheriatit në shtëpinë, në punën tënde dhe kudo. Mos kërko nga udhëheqësit, që të shpallin xhihad, kur ti ke dështuar në xhihadin me veten tënde. Mos iu shmang përgjegjësisë duke fajësuar të tjerët. Ndrysho në fillim veten, pastaj të tjerët do të të pasojnë. Bëhu shembull i mirë kudo që të shkosh. Nëse e shpenzon kohën duke fajësuar të tjerët të lutem ndalu – faleminderit shumë- Allahu të shpërbleftë- por është bërë aq shumë kritikë tashmë. Gjithmonë fillo duke ndryshuar vetveten. Pas kësaj lute Allahun sinqerisht për të dhënë fitoren dhe për të ndihmuar të gjithë myslimanët, që janë pasues të sunetit. Në këtë mënyrë ti do të jesh ndërmjet atyre që Allahu i ka përmendur në Kuran: “O besimtarë, nëse ju ndihmoni fenë e Allahut, Ai ju ndihmon juve dhe ua forcon këmbët.” (Kurani Fisnik 47: 7).

E drejtoj fytyrën time nga Allahu, duke e lutur për falje dhe duke i fshirë lotët them: O Allah: Jam penduar. Unë jam kthyer tek Ti, lejo të hapet për mua një faqe e re, një jetë e re, të cilën do ta filloj me dy rekate namaz në mes të natës, duke t’u lutur që të më bekosh gjithmonë me namazin e natës.

ABDULKERIM AL-KATIB

Përktheu nga anglishtja: Bujar GJIKOKAJ/albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit