5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Ministria e Bujqësisë: Këtë vit parashihet të mbillen 70 mijë hektarë me grurë

Më të lexuarat

Gjatë këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës është planifikuar që të mbillen rreth 80 mijë hektarë me drithëra. Vetëm me kulturën e grurit është paraparë që të mbillen rreth 70 mijë hektarë. Këto shifra përafërsisht, kanë përcjellur të mbjellat vjeshtore në Kosovë për disa vite rresht. Por, a do të mjaftojë kjo sipërfaqe e mbjellur për nevojat e konsumit kosovar këtë vit, dhe si do të ndihmohen bujqit, kultivues të grurit, pas shtrenjtimit të grurit në përgjithësi, naftës e plehrave artificiale?

Muaji tetor në sektorin e bujqësisë, rëndom njihet si muaji kur fillohet me mbjelljet vjeshtore. Me të hyrë në këtë muaj, tashmë në Kosovë veq kanë filluar përgatitjet e para për mbjelljet e kulturave vjeshtore për këtë vit.

Nga Ministria e Bujqësisë kanë njoftuar se këtë vit është paraparë që të mbillen rreth 80 mijë hektarë me kulturat vjeshtore si: gruri, elbi, thekra dhe bimët foragjere. Prej gjithë kësaj sipërfaqeje, vetëm me kulturën e grurit është paraparë që të mbillen rreth 70 mijë hektarë.

“Edhe këtë vit parashihen të mbillen rreth 70 000 ha me grurë, sipërfaqe përafërsisht e njëjta me vitet e kaluara”, kanë thënë nga MBPZHR-ja për Buletinin Ekonomik.

Por, a do t’i plotësojnë nevojat e vendit për grurë këto sipërfaqe të mbjella sivjet?

Gjatë fushatës së sivjetme të korrjeve shirjeve, fermerët në Kosovë patën paralajmëruar se sasia e grurit që u sigurua sivjet nga korrje-shirjet (sipërfaqe përafërisht e njëjtë me atë që planifikohet të mbillet sivjet), nuk do të jetë e mjaftueshme për nevojat e popullatës.

Kështu, sipas njohësve të ekonomisë bujqësore në Kosovë, nevojat e popullatës për grurë në Kosovë zakonisht plotësohen vetëm 50 për qind, kurse përqindja tjetër e konsumit kryesisht plotësohet nga importi.

Ndërsa, sivjet pak para fushatës së korrje-shirjeve të të mbjellave të vitit 2021, nga Ministria e Bujqësisë patën thënë se presin që kërkesat e qytetarëve këtë vit të plotësohen deri në 70 për qind, gjë që nga njohësit e fushës dhe fermërët, u pa si e pamundshme, për shkak edhe të cilësisë së dobët të grurit këtë vit.

Sipas përfaqësuesve të bujqve dhe mullistëve, faktorët që kanë ndikuar në cilësi më të dobët të grurit sivjet kanë qenë kushtet e pafavorshme klimatike dhe plehërimi jo i duhur, për shkak të rritjes së çmimit të plehut artificial.

Në anën tjetër, gjatë tri viteve të kaluara, sipërfaqet e mbjellura me grurë në Kosovë kanë qenë më të ulëta sesa planifikimi që është bërë për sivjet.

Kështu, vitin e kaluar (2021), në Kosovë kanë qenë të mbjellura gjithsej 66. 159 mijë hektarë me grurë, rendimenti i të cilave u sill nga 3 mijë e 500 deri në 4 mijë e 500 kilogramë, gjatë vitit 2020, kanë qenë të mbjellura gjithsej 62 hektarë tokë me grurë, me rendiment deri në 4 mijë kg, ndërsa më 2019 vetëm 50 mijë hektarë.

Në krahasim me vitet që i përmendëm më lartë, gjatë vitit 2017 dhe 2018, sipërfaqja e mbjellur me grurë në Kosovë ka qenë dukshëm më e lartë. Gjatë vitit 2017, në vend kanë qenë gjithsej 80 mijë hektarë të mbjellur me grurë, ndërsa më 2018 gjithsej 74 mijë.

Nga Ministria e Bujqësisë kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se Departamenti i Politikave Bujqësore dhe Tregtisë me kohë ka bërë përgatitjet e duhura për mbjelljet vjeshtore të sivjetshme, duke bërë paraprakisht licencimet e importuesve dhe tregtuesve të agroinputeve bujqësore si të farërave, plehrave dhe preparateve për trajtim të farës.

Si rrjedhojë, mësohet se Kosova përveç mungesës së plehrave dhe preparateve tjera bujqësore, nuk ka as farëra të mjaftueshme vendore për mbjelljen e kulturave vjeshtore.

Sipas MBPZHR-së, Kosova i plotëson kushtet me farëra vendore vetëm 15 për qind, kurse sasia tjetër gjithmonë sigurohet nga importi. Vendet kryesore nga ku Kosova importon më së shumti farë të grurit dhe të drithërave tjera vjeshtore janë: Serbia, Kroacia, Hungaria dhe vendet e tjera.

Ndërkohë, plehrat artificiale importohen kryesisht nga: Italia, Greqia, Austria, Serbia e Shqipëria. Ndërsa sa i përket sasisë së mjaftueshme të plehrave, nga ministria thonë se akoma është duke u furnizuar tregu vendor, dhe sipas përfaqësuesve të subjekteve importuese do të ketë sasi të mjaftueshme.

A do të subvencionohen sërish bujqit për këto kultura bujqësore nga ministria?

Sa i përket subvencionimit, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar se do ta vazhdojë njësoj si gjatë vitit të kaluar mbështetjen e saj për fermerët për mbjelljet vjeshtore, si kulturën e grurit, elbit dhe thekrës përmes Programit për Pagesa Direkte.

“Edhe këtë vit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështesë (subvencionojë) fermerët për mbjelljet vjeshtore (kulturën e Grurit, Elbit dhe Thekrës) përmes Programit për Pagesa Direkte”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Subvencionet sivjet kapën vlerën e 474 eurove për hektar, përfshirë këtu edhe shpenzimet për pleh dhe naftë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, përkatësisht Programit për pagesat direkte 2021, për një hektar sipërfaqe të kultivuar me grurë, fermerët e Kosovës janë subvencionuar me 150 euro.

Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti, pati marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet edhe nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. Subvencionimi u bë në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.

Ndryshe, afati optimali mbjelljeve vjeshtore është nga data 8 tetor deri në mesin e muajit nëntor, por mund të vazhdohet me mbjellje deri në fund të muajit nëntor, mirëpo me sasi të shtuar të farës për mbjellje./Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit