14.3 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Militarizimi i jetës

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Militarizimi i jetës

Dëgjoj dhe lexoj shumë persona të shquar, të cilët në shkrimet dhe bisedat e tyre, besojnë fuqishëm se çelësi i zhvillimit dhe një rilindjeje të vërtetë, qëndron tek një fjalë e vetme “Fuqia” dhe kjo fuqi përmblidhet në “arsenal luftarak”. Sipas tyre, është pikërisht arsenali luftarak, lejekalimi me të cilin na kanë mbajtur të nënshtruar gjer tani, fjalëkalim të cilin me ta gjetur dhe shtënë në dorë, do të triumfojmë menjëherë.
Kështu, armiku na ka thyer dhe na sundon pikërisht me këtë fuqi, lavditë tona historike janë pikërisht të kësaj kategorie dhe e ardhmja jonë është peng e militarizimit të jetës tonë.
Aq shumë është përhapur kjo ide, saqë fjalët “ushtri” “armë” “luftë” etj… përsëriten shpesh në bisedat tona. Fjala armatim është bërë pjesë e fjalorit të përditshëm. Edhe kur duam të tregojnë dobësinë tonë, e etiketojmë veten si një “ushtri” të shpartalluar.
Ne kemi harruar se fuqia e butë, është shumë herë më e rëndësishme dhe me ndikim afatgjatë, ndikim i cili nuk ka nevojë për rezistencë. Ne e kemi harruar dhe injoruar fuqinë e informacionit, e cila ka një peshë goxha të rëndë sot. Nuk ka mall dhe armatim më të rëndë dhe të dobishëm sot, sesa informacioni dhe dija. 50 % e produktit të vendeve të zhvilluara bazohet pikërisht tek informacioni.
Fuqia mediatike ushtron një ndikim akumulativ në mendjet dhe psikologjinë e popujve, i cili transformohet në sjellje, bindje dhe dashuri, e ky, është tanku, raketa dhe bomba më e rrezikshme.
Mund të thyesh ushtarakisht, por mund të triumfosh me vlerat, moralet dhe vendosmërinë tënde ndaj parimeve. Ashtu siç mund të fitosh ushtarakisht, por nuk di si ta vësh në efiçensë këtë fitore.
Kurani ua kujton njerëzve mirësinë e mbrojtjes nga armët shkatërruese, të prodhuara nga njerëzit. “Ne i mësuam atij (Dautit) punimin e parzmoreve prej hekuri për ju, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj, a jeni mirënjohës?” (Enbija, 80)
Zoti i mësoi profetit Daud a.s, prodhimin e parzmoreve dhe përkrenareve, të cilat shërbenin për tu mbrojtur në raste luftrash. “(dhe i thamë): “Puno parzmore të gjera!” (Sebe, 11)
“Nga ajo që ka krijuar, Ai ka bërë për ju hije; ka bërë për ju streha nëpër male; ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia; ka bërë për ju veshje prej metali për t’ju mbrojtur në luftë. Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju, me qëllim që ju t’i bindeni vullnetit të Tij.” (Nahl, 81)
Teksa përmend hekurin, Zoti thotë:”Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme (Hadid, 25) Gjer këtu, hekuri përdoret për padrejtësi dhe agresion. Sakaq, pjesa tjetër e ajetit, cek dobitë dhe të mirat e tij:” dhe dobi (të tjera) për njerëzit me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë.”
Një problem tjetër që vërehet, është se jetëshkrimin e Profetit a.s e kemi kufizuar vetëm në betejat e tij, sikur jeta e tij të ishte vetëm beteja dhe luftëra. Ne harrojmë se Profeti a.s qëndroi trembëdhjetë vite në Mekë, ku nuk i lejohej as atij dhe as shokëve të tij të vetëmbroheshin. Kjo bëhej me qëllim që të zhvisheshin nga çfarëdo lloj egoje personale. Ata duhej të përdornin të gjitha rrugët paqësore të mundshme.
E njëjta gjë vlen dhe për jetën në Medinë, e cila gëlonte nga aktivitetet e ndërtimit, tregtisë, vëllazërisë, arsimit, edukimit, ftesës, marrëveshjeve, marrëdhënieve njerëzore me fqinjët etj… Kjo çoi në shuarjen e idhujtarisë dhe hipokrizisë pa luftë.
Edhe konflikti i parë i armatosur me idhujtarinë, nuk ishin myslimanët ata që e kërkuan, gjë të cilën e cek Zoti në Kuran:” Ju dëshironit që grupi i paarmatosur të ishte i juaji” (Enfal, 7)
E çuditshme! Ky lloj pozicionimi me militarizimin e jetës, është shndërruar në mënyrë jetese dhe ndërveprimi me fëmijët dhe bashkëshortet tona, me të cilët nuk njohim retorikë tjetër përveç asaj të urdhrave dhe fermanëve, që nuk pranojnë diskutim. Në shkollat tona dominon logjika e shtrëngimit dhe kërcënimit, ndërkohë që janë harruar marrëdhëniet e ngrohta dhe miqësore mes studentit, ndërtesës e cila është shndërruar në shënjestër ku shprehet agresiviteti, mësuesit i cili ndjek turmën në nxjerrjen e dekreteve dhe drejtorit i cili e sheh veten si komandant kazerme. Familja nuk bashkohet si më parë, veçse ndonjëherë dhe kjo, nën urdhrat dhe komandat e prera, të shoqëruara me britma dhe ulërima të dy prindërve për të hequr dorë nga laptopi apo ndjekja e telenovelave në tv.
Nga ana e saj, politika na ka mbytur me hijen e saj të rëndë “prindërore”. Ajo duket se e sheh individin të paaftë ti përcaktojë interesat e tij personale, veçse nëpërmjet saj, si të ishte një kujdestare e rreptë. Sakaq, ajo di gjithçka të hapur e të fshehtë. Njeriu e sheh veten të pamundur të marrë frymë, veçse në një kuadër tepër të ngushtë. Ndërsa liria, e cila duhet të shihet si një vlerë shoqërore dhe fetare, shihet si diçka e dorës së dytë, pasi ia zënë frymën zaptimi dhe zotërimi i gjithçkaje.
Kur mendojmë rreth reformave të umetit përgjatë historisë, menjëherë na shkojnë ndërmend komandantët dhe fitoret ushtarake, sikur ta kishin çuar këto umetin drejt lavdisë dhe ndërtimit të civilizimit. Sakaq, pishtarët e shkencës, edukuesit, reformatorët etj… sikur nuk ekzistojnë në historinë dhe memorien tonë, teksa orvatemi të merremi me problemet dhe dështimet. Prandaj, shohim që të gjithë të rinjtë tanë janë të preokupuar për hallet e umetit dhe lëngimet e tij, duke ëndërruar të jetë ai Salahudini i ardhshëm. Askush nuk mendon dhe ëndërron të jetë imam Shafiu i ardhshëm,  imam Maliku, Ahmed ibnu Hanbel, Ibnu Tejmije, Ibnu Haxher, Neveviu, Ibnu Nefis, Ibnul Hejthem, apo gjeniali dhe shkencëtari i ardhshëm. A nuk po mendojmë në mënyrë selektive duke e konsideruar jetën si një betejë ushtarake, ku fituesi shtie në dorë gjithçka që dëshiron?
Kur flasim për ndikimet e huaja, përmendim vetëm krerët ushtarakë dhe luftërat rajonale, duke harruar se prodhuesit e makinave ushtrojnë ndikim më të madh në jetën individuale dhe kolektive, në arkitekturë, adhurim etj… Ne harrojmë prodhuesit e celularëve dhe ndikimin e tyre gjigand në jetën e njeriut. Ne harrojmë prodhuesit e printerit, televizorit, kompjuterit etj…
Kjo ka bërë që shumë prej nesh të heqin dorë nga misioni dhe roli i tyre reformues, pasi presin ndonjë surprizë ushtarake. Ky mentalitet, bëri që vendet arabe dhe islame të hyjnë në labirinte përmbysjesh ushtarake përgjatë dekadave të shkuara, të cilat i rrënuan dhe e shtuan më shumë mjerimin. Shumë të tjerë të cilët nuk u besonin aventurave momentale, u izoluan në pritje të shfaqjes së drejtësisë së munguar.
Lidhur me punën e paktë dhe të lehtë e cila është në harmoni me natyrën dhe aftësitë e mia, ndikimin e të cilës e shoh dhe prek, na thonë: Është një punë e vajtur dëm. Si more qenka e vajtur dëm?! Vërshimet e mëdha të lumenjve, a nuk formohen nga rrëketë, madje nga pikat e vogla të shiut? Zjarret e mëdhenj që djegin me mijëra hektarë, a nuk fillojnë me një fije shkrepëse? Se kuptoj përse mundohen të më bindin se është punë e vajtur dëm!
Kështu, jemi shndërruar në një shumicë të heshtur, të plogësht, aspak aktive dhe me ndikim. E gjitha kjo, me vullnetin, dëshirën dhe bindjen tonë. A thua të kthemi sërish në linjën e duhur?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit