13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Mektepi i Tahir Llukës – shkolla e parë shqipe në Kosovë

Më të lexuarat

Në zanafillën e arsimit të shqiptarëve të Kosovës në gjuhën amtare, rol të caktuar kishin mektepet (shkolla fillore islame)

Edhe pse këto nuk ishin shkolla të mirëfillta kombëtare shqiptare, ngase kryesisht merreshin njohuri për mësimbesimin fetar islam, që vetvetiu kuptohet se në to mësimet i ndiqnin shqiptarët e besimit islam, mektepet kanë rëndësinë e vet në kultivimin e dashurisë ndaj gjuhës shqipe dhe për ruajtjen e saj dhe, në mungesë të shkollave të tjera, ato u shndërruan në shkolla popullore.

I tillë ishte edhe mektepi i Tahir Efendi Llukës, në Llukën e Epërme, që ishte hapur në vitin 1900. Tahir Efendi Lluka kishte lindur në fshatin Lluka e Epërme, sipas pohimeve me gojë midis viteve 1840-1845. Për t’i ikur shkuarjes “nizam”, në Shkup kreu një kurs fetar dhe pas suksesit që tregoi, pushteti e dërgoi në Stamboll për shkollim të mëtutjeshëm fetar. Tahir Lluka, i cili jetoi dhe veproi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte intelektual i shquar i kohës, i pajisur me dije fetare të larta, njohës i mirë i gjuhëve orientale dhe i letërsive të atyre gjuhëve.

Këtë e dëshmoi edhe me veprimtarinë e tij krijuese në gjuhën shqipe dhe me përkthimet nga arabishtja e osmanishtja.

Se vërtet ishte intelektual i madh, dëshmon edhe e dhëna se ai një kohë ishte ligjërues në Fatih (shkollë e lartë islame) të Stambollit, në kohën kur rektor i Universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsini.

Kontaktet e tij me rilindësit e shquar shqiptarë që vepronin në Stamboll, bënë që pas vitit 1874, kur Hoxhë Tahsini u largua nga Universiteti i Stambollit, edhe Tahir Lluka të humbte punën në Fatih. Sipas disa të dhënave, pas vitit 1881 Tahir Lluka kthehet në vendlindje.

Edhe në vendlindje Tahir Lluka do ta vazhdonte aktivitetin në jetën kulturore e arsimore. Kjo ishte periudha kur ai shkroi disa vepra shqip me alfabet arab. Tahir Lluka këto vepra i shkroi duke endier nevojën e madhe për shkolla shqipe, meqë populli kishte mbetur pa arsimim.

Tahir Lluka në vitin 1900, në vendlindjen e tij, në Llukën e Epërme, nahija e Gjakovës, ndërtoi mektepin dhe, siç thuhet në popull, për të punuar si mësimdhënës, krahas vetes, kishte angazhuar një hoxhë nga Carrabregu, i cili merrte pagë mujore. Në këtë shkollë fillore mësohej shqip, kuptohet me grafi arabe. Por me rëndësi është se mësohej shqip dhe mbase ajo mund të jetë shkolla e parë shqipe në Kosovë. Për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e punës së shkollës, Tahir Lluka kishte hapur një dyqan në një dhomë të mektepit. Të dhëna të shkruara për mektepin në Llukën e epërme, kemi pikërisht nga vetë Tahir Lluka, i cili në libërthin e tij “Risale-i Ahlak” (Broshurë mbi moralin) na njofton për angazhimin e tij që fëmijët të mund të mësonin shqip:

Kur dot knojn kta voxhli nëpër Shqipni

merrni vesh ju gjith Shqipni jav marova temel t’ri

ky mas pari permu knue n’katund tem me shum oda,

krejt çaxhir me çereç djem e çika

per me knue ket temel t’ri

me guha t’veta per turçni (për muslimani – A.H.)”.

Veprat e Tahir Llukës, që dihen dhe gjenden në Arkivin Shtetëror të Kosovës (fondi i Jusuf Latës, nr. 191/2), janë:

“Akaidu-l islam” (Shkenca e besimit islam),

“Risale-i ahlak” (Broshurë mbi moralin) dhe

“Risale-i hifzije” (Urata e besimtarëve).

Gjithashtu, mendohet se ai është autor i Mevludit shqip, i cili më 1907 në Stamboll është botuar në emër të Tahir Popovës, ndonëse rreth autorësisë së mevludit mendimet e studiuesve janë të ndara. Natyrisht, këtë dilemë do ta hiqte vetëm një analizë gjuhësore e veprës së mevludit në përqasje me gjuhën e veprave të tjera të Tahir Llukës dhe të së folmes së Deçanit, në një anë, dhe të së folmes së Tahir Popovës, pra të folmes së Llapit, nga ana tjetër.

Gjithsesi që do të veçojmë veprën “Risale-i ahlak” (Broshurë mbi moralin).

Kjo është vepër me tematikë filozofiko-pedagogjike, në të cilën ka ngërthyer shumë mendime të shëndosha, ku flet për përmbajtjen e edukatës morale-shpirtërore, me kulturën e sjelljes etike. Kështu, në këtë vepër autori na shfaqet intelektual i madh i kohës, të cilit i vjen keq pse kombi kishte mbetur në xhahili (injorancë) dhe shpëtimin e tij e shihte në arsimimin e gjithmbarshëm të shqiptarëve. Kur flet për mektepin e tij,

ai thotë: Ket temel t’ri emarova Permeknue djem e çika

Pra, për sa i përket arsimimit, Lluka nuk bën dallim, sepse ai parasheh që të mësojnë edhe djemtë edhe vajzat. Hartimi i këtyre teksteve nga ana e Llukës, nuk synonte vetëm mësimin e lexim-shkrimit, siç mund të supozohet në dukje të parë, por autori i tyre synonte njëkohësisht, siç do të synojnë edhe rilindësit e kësaj periudhe, zgjimin e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe përparim të shpejtë për t’u futur në radhën e popujve të qytetëruar.

Hapja e mektepit dhe përpjekjet e tij për punë të suksesshme, kujtojmë se dëshmojnë për ndërgjegjen e këtij intelektuali shqiptar, për nevojën dhe domosdoshmërinë e shkollës në gjuhën amtare. Këtë e shpreh me fjalët:

Gjithsa kavm (komb A. H) me guh t’vet

jon tuj knue, hem tuj shkrue

për dynja dit per dit kta tuj fitue, tuj madhnue,

veç kavmi ynë pa fitue tuj voglue…!

Me këto Lluka dëshmon vetëdijen për diturinë dhe qytetërimin, si mjete që do të zhdavarisnin errësirën, ku ishte katandisur popull. Në vazhdim në veprën e tij “Broshurë mbi moralin” Tahir ef. Lluka, me mjaft mjeshtëri, përshkruan gjendjen arsimore të shtresave të gjera të Shqipërisë, të cilën e paraqet mjaft të mjerueshme, një gjë që e brengoste shumë edhe

atë:

Kjo Shqipni ka met krejt në pa dit xho n’xhahili

Erdhi vakti me dal n’mejdan kjo Shqipni

N’selamet për me dal kjo Shqipni fukara

keka çillue

Un po due me shka kam marue ket te’lif

(vepër) çi osht i ri

Din devletit hizmet mej bo m’ket turli me

hurufi arabi

Hem ni temel me lidh per Shqipni

Mos me kon fukaraja n’ket Shqipni pa

dit xho krejt n’xhahili

Pse t’gjith katundet n’per Shqipni fukaraja

kurfar gjuhe hiç nuk din

Dy tre vet çi jon n’medrese ja mektepli

N’koft me dit kta per devlet per turçni

Tjert jesin mashkull femen pa dit xho

krejt n’xhahili.

Këtu qëndron aftësia dhe gjeturia e Tahir Llukës, i cili diti ta shfrytëzonte këtë gjendje të mjerueshme të injorancës, siç thoshte ai fetare, ngase ata nuk dinin gjuhë tjetër përveç asaj amtare, dhe duke kërkuar që njohuritë fetare t’i nxinin në gjuhën amtare, u angazhua për arsim kombëtar shqiptar, për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, për mbjelljen e dashurisë ndaj gjuhës amtare si dhe për emancipimin e popullit në përgjithësi, që, siç dihet, arrihet me arsimim në gjuhën amtare, pra me dije. Autori përdori termin”Turçni” të cilin turqit e kishin futur si sinonim për termin “Islam- islamizëm”.

Këtij alimi të dalluar shqiptar, si edhe shumë rilindësve të tjerë, iu desh të përpilonte vepra didaktike shkollore, por që të ishin të mbështetura në fushën e dijes fetare islame. Ndërsa qëllimin e shkruarjes së veprave të veta, Tahir Lluka na e shpjegon vetë:

Edhe çera shum kitabe gjith per fe çi jon

Per thmi i marova, me husus kto per Shqipni

Gjith mu knu per Shqipni.

Ky dijetar, që ishte në shërbim të fesë (një kohë kishte shërbyer imam në Stamboll dhe në vendlindje), dijen e çmonte shumë, ngase si shumë rilindës tanë iluministë, përparimin e popullit e lidhte me arsimimin e tij në gjuhën amtare, pra këtë e shihte në – ilm, dhe thoshte:

I pa ilm i padije xhahil kush ka me kon

I keç ky per gjithkond ka me kon

Pej mosdijes fort me ik per gjithkond

duhet me kon

Me lyp ilmin dijen ti ku ka me kon.

Sado që veprimtaria e Tahir Llukës zhvillohej në mektep dhe me grafi arabe, nga vetë fakti që zhvillohej në gjuhën shqipe, nuk u shkonte për shtati qeveritarëve turq. Prandaj kjo veprimtari arsimore në gjuhën shqipe e Tahir efendi Llukës, iu bë hale në sy organeve të pushtetit turk. Shkoi në Stamboll, ndoshta për ndonjë sqarim, por nuk arriti ta shlyente akuzën se po i mësonte fëmijët “Kaurrisht” dhe as të kthehej më në vendlindje.

Mendohet se kishte vdekur më 1908, pa u ditur rrethanat e vdekjes.

Për fund do të themi se veprimtaria kulturore-pedagogjike e Tahir Llukës

duhet vështruar në kontekst me kohën kur punoi dhe veproi. Dhe nga vetë fakti se dihet që asokohe nuk kishte shkolla të tjera publike shqipe, duhet vlerësuar mejtepi i Tahir Llukës. Ndonëse na mungojnë informatat rreth punës së mektepit, – prej nga vinin nxënësit, si organizohej procesi mësimor etj., në saje të përmbajtjes së veprave të tij që kemi në dorë, të cilat siç thotë vetë autori, i kanë shërbyer si tekste mësimore, – mund të flitet në kontekst me kohën për përmbajtjen e mësimeve, për metodën e mësimit, për mënyrën e organizimit të mësimit, për rrjedhat e procesit mësimor, e njëherësh, shpresojmë se ky shkrim yni do të mund të shërbente si nxitje për të interesuarit që të hulumtonin për këto çështje në vendlindjen e Tahir Llukës e më gjerë. E ne, duke u mbështetur në përmbajtjen e veprave të Tahir Llukës, mund të themi se si pedagog ai ishte përqendruar, në radhë të parë, për edukimin e fëmijëve mbi parime të shëndosha islame, i vetëdijshëmm se ashtu po përgatiste të ardhmen e kombit të vet. Në veprimtarinë e tij pedagogjike, Tahir Lluka është angazhuar drejtpërdrejt që fëmijët e popullit të vet t’i nxirrte nga injoranca, t’i mësonte të shkruanin e të lexonin shqip, dhe kështu t’i emanciponte dhe t’i aftësonte për një të ardhme më të lumtur, që ai e besonte. Këtë e bëri në mektepin e tij që hapi në vendlindjen e tij në Llukën e Epërme, e cila, sikur e theksuam, mund ta konsiderojmë edhe shkollë të parë shqipe në Kosovë.

Dr. Abdullah Hamiti

Dituria Islame 222

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit