15.8 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Feja, kultura dhe identiteti në Ballkan

Më të lexuarat

Nga Peloponezi në Moldavi peisazhet mund të ndryshojnë, por qytetet dhe fshatrat paraqesin tipare të përbashkëta – gjithandej kisha bizantine me kupola, shpesh ndonjë xhami, shtëpi me çardhak dhe hanet, vendqëndrime për karvanët, që i gjejmë në Patras dhe në Bukuresht, në Shkodër dhe në Plovdiv, pa harruar këtu tezgat apo dyqanet e vegjël në rrugë, ku zanatçiu, ndërsa godet me çekiç tabakun prej bakri, apo farkon ndonjë copë hekuri, të qeras me kafe turke

Ku gjendemi, mos ndoshta në ndonjë mjedis të një familjeje gjigande?! Është një atmosferë mjedisi i popujve të ndryshëm, të cilët, pasi kanë jetuar një aventurë të gjatë të përbashkët, kanë arritur të formojnë, në brendësi të Europës, një hapësirë kulturore specifike – Ballkanin.

Për të kuptuar veçoritë ballkanike, duhen kthyer sytë nga historia. Në këtë pikëpamje, historia e osmanllinjve, nuk është vetëm një histori turke. Në bazat themelore të kësaj historie bashkohen të gjithë popujt e Ballkanit, pa marrë parasysh fenë apo racën.

Pikënisja duhet kërkuar në kohën kur gjysmëhëna zëvendësoi kryqin në Shën Sofi – bazilika e Kostandinopojës, pas rrethimit të prill-majit 1453 nga sulltan Mehmeti II. Kjo ka qenë etapa e fundit e rivalitetit të gjatë midis perandorisë së vjetër Bizantine dhe Perandorisë së turqve selxhukë, të ardhur nga Azia Qëndrore në shekullin e X. Perandoria Bizantine – dikur e shkëlqyeshme, e konsideruar Roma e dytë, kalonte ditët e fundit të pleqërisë, por edhe kjo perandori tashmë e kthyer në kufomë, nuk i dorëzoi armët pa kundërshtim. Armiqtë dhe kundërshtarët më me rëndësi dhe më të fuqishëm të turqve në të ardhmen do të ishin i gjithë Ballkani dhe Europa.

Ballkani nuk është islamizuar me dhunë

Islamizimi i popujve të Ballkanit e, në rradhë të parë, i popullit shqiptar, nuk është produkt i dhunës, siç është paraqitur deri tani nga historiografia

komuniste ballkanike. Dhuna, detyrimi, presioni për kthimin masiv ose individual në fenë e re, është një sajesë pa bazë. Konvertimi në fenë islame është realizuar në mënyrë graduale dhe paqësore në pjesën dërrmuese të këtij procesi shekullor. Në një hark kohor prej 3 – 4 shekujsh pasqyrohen arsyet objektive dhe subjektive të dobësimit të pandalshëm të kristianizmit në një varg krahinash të vendit tonë, si dhe shkaqet e përqafimit kolektiv dhe individual të besimit të ri, që ishte më i thjeshtë, më konkret, më bindës dhe më demokratik. Islami për herë të parë në histori i solli njerëzimit koncept të plotë mbi Krijuesin dhe mbi krijesën. Ai nuk e ndan jetën, por e kupton si të vlefshme e të bashkuar dhe e rregullon në tërësi. Ky rregullim nuk është vetëm në pikëpamje emocionale, manifestuese dhe në çështjet personale apo private; Islami nuk jep udhëzime vetëm për botën e amshuar, por është rrugë e punës dhe e aksionit, program jete në harmoni me ligjësitë e Zotit të madhëruar. Kështu, Islami gjeti një Ballkan primitiv, të prapambetur, të varfër dhe me kontradikta fisnore dhe fetare, me përplasje popujsh për gati dhjetë shekuj në hapësirat e Ballkanit që vinin dhunshëm nga veriu, lindja e perëndimi, e që lanë vetëm gjurmë dhe plagë që nuk mund të shëroheshin nga ata që i shkaktuan, aq më pak nga Perandoria e kalbur e Bizantit.

Në një kohë kur katolikët dhe protestantët masakroheshin njëri me tjetrin, kur katolikët e Spanjës ushtronin terror të fortë ndaj myslimanëve për të vetmin “faj” se ishin muslimanë, në një kohë kur çifutët ndiqeshin nga një shtet i krishterë në tjetrin, në Perandorinë Osmane ortodoksët, çifutët dhe katolikët lejoheshin të ushtronin fenë e tyre. Pluralizmi i qytetërimeve që është përjetuar në Ballkan dhe në Europën Lindore mbi pesë shekuj, është një fenomen që në mënyrë të drejtpërdrejtë ka të bëjë me vendperceptimin e qytetërimit Islam. Çështja më e thjeshtë ku dallon qytetërimi Islam nga Europa mesjetare është fakti se në dallim nga e dyta, brenda kufijve të të parit, kanë jetuar popuj të besimeve të ndryshme. Domosdoshmëria e bashkjetesës ia ka hapur rrugën lindjes së një atmosfere të tolerancës për të cilën Europa mesjetare nuk ka pasur njohuri. Pikërisht, si ata që e kanë pranuar Islamin, ashtu dhe grupet e tjera të besimeve të ndryshme e kanë ruajtur vazhdimësinë e vet.

Duhet evidentuar se grupet etnike, të cilët jetonin në provincat e krishtera, mundën të ruanin gjuhën e tyre, fenë dhe kuadrin politik e shoqëror lokal, se nga ana e drejtuesve osmanë nuk pati vullnet për asimilim të popujve të nënshtruar, nuk pati as osmanizim dhe as islamizim me detyrim. Në gadishullin Ballkanik, për pasojë edhe tek shqiptarët, Dr. Çira Truhelka ka konstatuar: “Është mendim i gabuar se islamizmi është përhapur me dhunë. Ekzistojnë argumente të shumta, të cilat e demantojnë këtë. Unë mund të përmend vetëm një, e ai është se shekulli i XIX-të nuk do të gjente asnjë të krishterë dhe asnjë kishë a manastir në Ballkan, sikur Islami të përhapej me dhunë shtetërore”. Në përforcim të kësaj ideje, por duke e shprehur me një mënyrë tjetër është edhe historiani Ali bin Maksud, i cili ka shkruar: “Sikur të kishin dashur osmanlinjtë t’u impononin gjuhën dhe fenë e tyre popujve të Ballkanit, të cilët i sunduan për 6 shekuj, sot nuk do të mbetej asnjë jomusliman ose person që të mos e fliste turqishten”. Ndryshe nuk mund të shpjegohet mbijetesa e gjuhëve greke, bullgare, serbe, shqipe ose e gjuhëve të tjera, si dhe e besimeve të krishtera dhe e parive vendase.

Nuk mund të shpjegohen, pra, këto elemente që u përdorën nga Fuqitë e Mëdha, duke filluar nga fundi i shekullit XVIII-të dhe sidomos në shekullin e XIX-të për të mbështetur parimin e njohjes së kombësive dhe për të mbrojtur minoritetet etnike dhe fetare. Një politikë e tillë kaq liberale e qeverisë osmane, e frymëzuar dhe e obliguar nga feja Islame, të cilën e zbatonte si politikë zyrtare, kishte për synim sigurimin e paqes në territoret kristiane.

Shqiptarët në kontrast të madh me numrin e tyre të vogël, fituan famë si luftëtarë nën flamurin e Perandorisë Osmane. Për këtë Sami Frashëri ka shkruar: “Kështu pasi shqiptarët hynë në administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë menjëherë e pranuan fenë e drejtë Islame. Pas pranimit të fesë Islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë, kurse 1/3 që mbetën, u ndanë gjysma në ortodoksë dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak dhe atij bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombas i tyre, u bënë të përbashkët me osmanllinjtë, kaluan në ndihmës në zgjerimin e territoreve osmane dhe islame. Edhe shteti osman, duke i çmuar lart shërbimet dhe miqësinë e shqiptarëve, ua besonte atyre pozitat më të larta shtetërore. Vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadrazamë (kryeministra) ishin 25”. Historia turke për 3-4 shekujt e fundit shënon jo më pak se 35 Vezirë të Mëdhenj dhe më shumë se 100 Mjeshtra të Mëdhenj të jeniçerëve, që janë me prejardhje shqiptare. Në jetën shoqërore osmane kanë derdhur djersën e gjakun e vet shumë intelektualë shqiptarë, të cilët, në përgjithësi, janë shquar në të gjitha fushat, veçanërisht në ushtri, administratë, kulturë islame – shumica e profesorëve që shërbenin në medresetë e Stambollit, kanë qenë shqiptarë, të ndershëm dhe me dijeni të thella; shqiptarët janë shquar gjithashtu, në drejtësi, arkitekturë etj.

Cili është shpirti i përhapjes së Islamit

Shqipëria dhe Islami janë dy nocione që detyrimisht qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte Islami, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptar”. Mjaft studiues të shquar që janë marrë me historinë fetare, politike-sociale të Shqipërisë kanë shfaqur mendim se shqiptarët, po të mos kishin përqafuar fenë Islame, mund të ishin asimiluar e shkrirë më shumë me kombësitë e tjera ballkanike, kufitare me Shqipërinë. Ata nuk e harronin prejardhjen e tyre dhe gjithmonë, në mënyrë të padiskutueshme, veten e kanë quajtur shqiptarë.

Shqiptarët nuk janë rezervuar asnjëherë të shfaqin botëkuptimet e tyre tradicionale, qofshin këto katolike, ortodokse, apo edhe Islame.

Pastaj nuk mund të mos evidentohet e të lihet mënjanë se, kur shqiptarët pranuan fenë islame, me zhdukjen e jetës bizantine, edhe në Ballkan filloi të fryjë një jetë e re. Errësira mesjetare përfundoi dhe po hapej një epokë humanitare, iluministe, shkencore, një kulturë pozitive.

Historia e popullit tonë, ofron një model pothuajse të vetëm përsa u përket veçorive të përbërjes fetare të tij në rrjedhën e shekujve. Një popull relativisht i vogël në numër, dallohet nga popujt e tjerë të Ballkanit jo vetëm për nga hershmëria e banimit në trojat e veta, por edhe nga diversiteti i besimeve brenda një identiteti të vetëm kombëtar. Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella në strukturën fetare të përbërjes së popullsisë.

Shumë studiues mundohen t’i kompleksojnë qëllimet e perandorisë osmane në çlirimin e vendeve të ndryshme të tri kontinenteve, duke i veshur krahas qëllimeve fetare edhe qëllime politike, ekonomike etj. Por theksoj se, qëllimi i vetëm i osmanllinjve ka qenë përhapja e Islamit dhe frytet e punës së tyre po i vjelim akoma edhe sot. Por që të kuptohet më mirë ky qëllim, duhet të studiohet me vëmendje shpirti i përhapjes së fesë Islame. Përsa i përket taksës së xhizjes, aq të diskutueshëm në mes shumë studiusve, ajo ishte e detyrueshme për jomuslimanët që jetonin nën mbrojtjen e shtetit musliman – vetëm për meshkujt e rritur me aftësi të plota fizike e mendore, me kusht që të kishin pasuri për ta paguar

atë. Nga kjo lloj takse ishin përjashtuar gratë, fëmijët, të moshuarit, të verbërit, të varfërit, të mjeruarit, murgjërit etj. Bazë detyrimi e taksës së

xhizjes ishte se shteti Islam garantonte mbrojtjen e jomuslimanëve nga çdo lloj agresioni, prandaj pagimi i kësaj bëhej si shpërblim i mbrojtjes që u sigurohej, por edhe për dobitë e tjera që përfitonin nga shteti Islam. Kjo taksë ishte njëlloj balancimi me atë që u merrej muslimanëve – si zekati, sadakaja e fitrit si dhe detyrime të tjera për shlyerjen e gabimeve, pra, prej jomyslimanit merrej aq sa prej muslimanit. Kur jomyslimanët shkonin ushtarë, prej tyre nuk merrej kjo lloj takse dhe në histori njihen shumë raste të tilla, sikurse njihen shumë raste të tjera kur xhizja u është kthyer atyre që u është marrë, meqë myslimanët nuk kanë pasë mundësi t’i mbronin, p.sh. në kohën e kalifatit të Omerit, perandori Herakli ngriti në këmbë një ushtri të madhe me qëllim që t’i mundte muslimanët. Komandanti i muslimanëve, Ebu Ubejdeja, duke vlerësuar forcat e shumta të armikut, dha udhëzime për tërheqje dhe urdhëroi vartësit e vet që xhizja t’u kthehej atyre që u ishte marrë.

Shqipëria është i vetmi vend në gadishullin ballkanik ku islamizimi ka përfshirë dy të tretat e popullsisë vendase. Shqiptarët qenë të vetmit në Ballkan, ndryshe nga elementët e tjerë të islamizuar në këtë gadishull, të cilët, në rrjedhën e shekullit të XIX-të, formuan një vetëdije të tyre kombëtare; ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë e vende të tjera të gadishullit, muslimanët serbë, bullgarë e grekë qëndruan të mënjanuar shumë nga bashkatdhetarët e tyre të krishterë. Vetëm tek shqiptarët vetëdija e prejardhjes dhe e gjuhës së përbashkët nuk u ndikuan nga përkatësia fetare, duke qenë se toleranca fetare midis shqiptarëve përfaqëson njërën nga vetitë karakteristike të jetës shoqërore dhe të botës shpirtërore të tyre.

Dorian Demetja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit