3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Mëkatet e mëdha dhe llojet e tyre?

Më të lexuarat

Allahu i Madhëruar ka thënë: Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha e të cilat janë të ndaluara, Ne u shlyejmë mëkatet e vogla dhe u fusim në një vend të ndershëm.’’ |Nisa: 31|

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mëkatet më të mëdha janë; shirku, vrasja, mosrespektimi i prindërve dhe dëshmia e rreme.’’ Buhariu dhe Muslimi.

Mëkati i madh është ai mëkat për të cilin parashikohet ndëshkim penal në këtë jetë, ose kërcënim me dënim në jetën tjetër, ose hidhërim apo mallkim nga Allahu dhe i dërguari i Tij.

Numri i mëkateve të mëdha: Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mundësia që ato të jenë shtatëqind është më e madhe sesa të jenë vetëm shtatë, mirëpo nuk ka mëkat të madh që nuk e fshin pendimi dhe nuk ka mëkat të vogël që mbetet i vogël kur këmbëngulet në të. Mëkatet e mëdha gjithashtu dallojnë nga njëra-tjetra në gradën e tyre.”

Llojet e tyre:

1- Mëkatet e mëdha në akide (ideologji, besim): Politeizmi që përfshin adhurimin ndaj dikujt përveç Allahut apo adresimin e lutjes ndaj dikujt veç Tij, ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘’Lutja është vetë adhurimi.’’ Transmeton Tirmidhiu.

Prej këtij lloji konsiderohet gjithashtu kërkimi i dijes fetare thjesht për të fituar të mira materiale, fshehja e dijes, tradhëtia (pabesia), pohimi i asaj çka thotë fallxhori, magjistari apo horoskopi, kurbani dhe zotimi për dikë tjetër veç Allahut, mësimi i magjisë dhe ushtrimi i saj. Betimi për dikë tjetër veç Allahut, si; betimi për nderin, fëmijën, Profetin, Qaben etj. Mallkimi i muslimanit ose cilësimi i tij si i dalë nga feja pa patur argument, moscilësimi i mosbesimtarëve si të pafe, të gënjesh ndaj Allahut dhe Profetit të Tij (si mund të jetë transmetimi i haditheve të shpikura duke e ditur se janë të tilla), të qënurit i sigurt nga dënimi i Allahut, vajtimi dhe rrahja e vetes me shuplaka për të vdekurin, përgënjeshtrimi i kaderit, varja e hajmalive etj.

2- Mëkatet e mëdha në raport me jetën dhe logjikën janë: Vrasja e dikujt pa të drejtë, djegia e njeriut ose e kafshëve me zjarr, dhunimi i të dobëtit, bashkëshortes, nxënësit, shërbyesit apo kafshës, përgojimet dhe thashethemet, pijet dehëse me të gjitha llojet e tyre, pirja e helmit, ngrënia e mishit të derrit dhe ngordhësirës pa qenë i detyruar, pirja e pijeve të dëmshme (siç janë hashashi dhe duhani si pasojë e dëmit që sjellin), vetëvrasja qoftë dhe gradualisht si duhanpirja, polemikat e padrejta, padrejtësia ndaj njerëzve dhe dhunimi i tyre, refuzimi i të vërtetës dhe zemërimi prej saj, përqeshja e të tjerëve, sharja e muslimanit, fyerja e dikujt prej sahabëve, arroganca dhe mburrja, përgjimi i të tjerëve, denoncimi tek organet qeverisëse me qëllim lëndimin e një të pafajshmi, dominimi i gënjeshtrave në bashkëbisedim me të tjerët, skulpturat dhe pikturat e frymorëve pa qenë të domosdoshme, si p.sh. për kartën e identitetit, patentën apo pasaportën.

3- Mëkatet e mëdha në raport me pronën: Ngrënia e pasurisë së jetimit, kumari, vjedhja, kusaria, plaçkitja, mitmarrja, hilet në matje dhe peshim, betimi i rrejshëm për marrjen e pronës, hilet në shitblerje, shkelja e premtimit, dëshmia e rreme, mashtrimi, shpërdorimi i pasurisë, testamenti i dëmshëm (për shembull të lerë amanet larjen e një borxhi të paqënë në mënyrë që të pengojë trashëgimtarët nga pasuria që i takon), fshehja e dëshmisë, të qënurit i pakënaqur me caktimin e Allahut, veshja e arit për meshkujt, lëshimi i rrobës apo pantallonave nën kyçin e këmbës si shkak i mendjemadhësisë (për meshkujt).

4- Mëkatet e mëdha në raport me adhurimet: Lënia e namazit apo vonimi nga koha e tij pa arsye të ligjshme, mosdhënia e zekatit, mosmbajtja e agjërimit në Ramazan pa arsye të ligjshme, moskryerja e haxhit duke i patur mundësitë, dezertimi nga lufta në rrugën e Allahut, mospjesmarrja në luftë me jetën ose me pasurinë tënde, ose me gjuhë kur njëra nga këto bëhet obligim, lënia e namazit të xhumasë ose namazit me xhemat pa arsye ligjore, lënia e urdhërimit për mirë dhe e ndalimit nga e keqja nga ana e atij që mundet, pakujdesia nga pikat e urinës (mospastrimi pas urinimit qoftë kjo me letra, gurë apo ujë) dhe moszbatimi i dijes.

5- Mëkatet e mëdha në raport me familjen dhe farefisin: Imoraliteti, homoseksualizmi, akuzimi i besimtareve të ndershme për shkelje të kurorës, shthurja e femrës në veshje, zbulimi i flokëve nga ana e femrës, përngjasimi i femrës me meshkujt dhe e kundërta (siç është rruajtja e mjekrës), mosrespektimi i prindërve, braktisja e fisit pa arsye të ligjshme, refuzimi i  bashkëshortes ndaj kërkesës së bashkëshortit për marrëdhënie intime pa patur arsye të ligjshme (siç mund të jenë menstruacionet dhe lehonia), martesa me qëllimin e vetëm që t’i lejohet burrit të mëparshëm gruaja të cilën e ka ndarë (tre herë), mohimi i bashkëshortes ndaj mirësive të bashkëshortit, udhëtimi i gruas pa një të afërm të saj, pretendimi i njeriut se është i biri i dikujt tjetër duke mohuar babain e tij të vërtetë ndërkohë që është i vetëdijshëm për një gjë të tillë, të qënurit dakort me imoralitetin e familjes, lëndimi i fqinjëve, shkulja e qimeve të fytyrës (për sa kohë që nuk janë anormale) ose vetullave nga ana e femrës apo mashkullit.

 

Shkëputur nga libri: “Orientimi i muslimanëve drejt triumfit dhe rimëkëmbjes’’
Autori: Muhamed Xhemil Zejno
Përshtati: Rexhep Milaqi
https://udhaebesimtareve.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit