6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Marrëdhëniet ndërkombëtare në Islam

Më të lexuarat

Sheriati Islam është drita e kësaj feje të ndritshme, udhëzimi që buron nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit tonë a.s., ithtarët e të cilit janë përpjekur gjithmonë për të nxjerrë dispozita nga këto burime, duke u shërbyer me dritën e shpalljes dhe udhëzimin hyjnor për zgjidhjen e problemeve që ua imponon jeta.

Marrëdhëniet ndërkombëtare në Islam duhet të ndërtohen mbi të njëjtat parime mbi të cilat ndërtohen raportet ndër shoqërore dhe ato individuale, siç janë: mëshira, dashuria, drejtësia, përmbushja e premtimeve dhe fisnikëria, parime që ashtu siç rregullojnë marrëdhëniet individuale, duhet t’i rregullojnë edhe ato ndër shoqërore dhe ndër- shtetërore.

“Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, ndërsa ai u krijua nga dheu, prandaj nuk ka përparësi arabi ndaj jo arabit përpos se në devotshmëri.” Muhamedi alehi selam

Dijetarët islamë marrëdhënieve ndërkombëtare në Islam iu kanë qasur nga tri këndvështrime:

– Marrëdhëniet ndërkombëtare në Islam (parimet e përgjithshme);
– Marrëdhëniet ndërkombëtare në kohë paqeje; dhe
– Marrëdhëniet ndërkombëtare në kohë lufte.

Punimi ynë do t’i kushtoj theks të veçantë marrëdhënieve ndërkombëtare në Islam (parimeve të përgjithshme), ku në pika të shkurta do të elaborohen parimet në të cilat bazohet Islami për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Marrëdhëniet ndërkombëtare në Islam

Si çdo gjë që ka parimet e veta edhe marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi parime, të cilat nëse përmbushen arrihet paqja dhe stabiliteti në botë. Këto parime janë të bazuara në Kuran dhe Sunet dhe besimtarët janë të obliguar t’u përmbahen këtyre parimeve si:

Dinjiteti njerëzor

Kurani e konsideron njeriun më- këmbës të Zotit në tokë. Allahu në Kuran thotë: “(Kujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” (El Bekare, 30)
Kurani dhe hadihet e Muhamedit a.s., e trajtojnë krijesën njeri pa bërë dallime racore apo kombëtare, ngase të gjithë këta janë të denjë për t’u nderuar. Muhamedi a.s., thotë: “Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, ndërsa ai u krijua nga dheu, prandaj nuk ka përparësi arabi ndaj jo arabit përpos se në devotshmëri.” Ngjyra e lëkurës nuk është shkak legjitim për ta diskriminuar dikë.

Uniteti i gjinisë njerëzore

Islami konsideron që njerëzimi përbën një tërësi shoqërore, ngase të gjithë ata i përkasin të njëjtës gjini. Allahu në Kuran thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra.” (Nisa, 1)

Islami gjithmonë e luftoi nacionalizmin ekstrem në të gjitha format e tij, si dhe pretendimet territoriale dhe politikat ekspansioniste, duke u përpjekur të vendos rend, ku do të sundoj drejtësia dhe ku do të mbretëroj harmonia në mesin e njerëzve pavarësisht vendndodhjes së tyre. Muhamedi a.s., thotë: “Nuk është nga ne ai që thirret në fanatizëm, ashtu siç nuk është nga ne ai që lufton për fanatizëm.”
Pra, Islami është i pafajshëm kundrejt çdo fanatizmi të ushqyer nga tendencat e individëve apo grupeve që thirren në Islam. Allahu thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete.” (El Huxhurat, 13)

Bashkëpunimi mbarënjerëzor

Sipas pikëpamjeve islame, bashkë- punimi ndërmjet bashkësive njerëzo- re paraqet rregull të përgjithshëm, ashtu siç e vërteton Kurani ku thotë: “Ndihmojuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e kurrsesi në mëkate e armiqësi…” (El Maide, 2) Muhamedi a.s., thotë: “Allahu është në mbrojtjen e njeriut përderisa ai është në mbrojtjen e vëllait të tij.”

Toleranca

Islami apelon për tolerancë, e cila nuk shpie në poshtërim dhe përulje. Kjo nënkupton që Islami tenton të ndërtojë marrëdhënie ku mbizotëron toleranca mes individëve dhe bash- kësive njerëzore, mirëpo duke mos iu nënshtruar të keqes dhe duke mos u lejuar qëllimkëqijve t’i keqpërdorin këto thirrje. Allahu në Kuran thotë:
“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fusilet, 34)
Muhamedi a.s., për shkak të tolerancës bëri marrëveshje me mushrikët e njohur si “Marrëveshja e Hudejbijës”.

Liria e besimit

Identiteti njerëzor qoftë individual apo kolektiv, grupor apo shtetëror, nuk mund të ekzistojë përpos në saje të lirisë. Islami respekton plotësisht të drejtën e lirisë së besimit dhe ndalon përdorimin e dhunës për të detyruar dikë të përqafojë Islamin. Kurani fisnik në mënyrë të prerë ndalon që dikush të detyrohet të konvertohet në Islam. Allahu xh.sh., thotë: “Nuk ka dhunë në fe,…” (El Bekare, 256) Liria e besimit nuk nënkupton vetëm ndalesën për të imponuar bindjet fetare, por njëkohësisht kërkon që këto bindje të formohen si pasojë e meditimit përmes mendjes së kulluar, larg ndikimit të dëshirave apo imitimit të verbër.

“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fusilet, 34)

Normat morale

Shikuar nga perspektiva islame,marrëdhëniet mes individëve apo bashkësive duhet të ndërtohen në bazë të parimeve morale, të cilat duhet respektuar si në kohë paqeje po ashtu edhe në kohë lufte. Kurani me theks të veçantë urdhëron res- pektimin e normave morale kur bëhet fjalë për xhihadin. Edhe pse Kurani lejon reciprocitetin gjatë armiqësive, përsëri më tepër çmon ata që janë të përmbajtur. Allahu në Kuran thotë: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën). Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Provokimi (fitneja) është më i rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabesë) deri që ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve. E nëse heqin dorë (nga provokimi), Allahu është Ai që fal dhe që mëshiron. Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet feja vetëm për Allahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë. Muaji i shenjtë (i sivjetmit) është për muajin e shenjtë (të vjetit), e shenjtërit (shkelja e tyre) janë masë ndëshkuese.
Pra, kush ju sulmon juve, kthejani sulmin atij edhe ju po në atë masë dhe kini frikë nga Allahu e ta dini se Allahu është me të devotshmit.” (El Bekare, 190 – 194)

Muhamedi a.s., urdhëron e thotë: “Ndalohet rreptësishtë masakrimi i kufomave”, ai po ashtu thotë: “Nisuni në emër të Allahut dhe luftoni armiqtë e Allahut, por mos e teproni (duke shkelur rregullat e luftës), mos tradhtoni, mos dezertoni, mos prisni kufomat dhe mos vrisni fëmijët. Askush të mos vrasë robin që është peng në dorën e vëllait mysliman.”

Drejtësia

Sipas parimeve, mësimeve islame, marrëdhëniet ndër njerëzore ndërtohen edhe mbi parimin e drejtësisë, i cili kërkon që të gjithë njerëzit të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ajo që i dallon ata nga njëri – tjetri janë veprat e tyre dhe secili vlerësohet apo ndëshkohet në bazë të veprave të bëra, qofshin ato të mira apo të këqija.

Allahu në Kuran thotë: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini drojë Allahun se Allahu di hollësisht për atë që veproni.”. (El Maide, 8)
Muhamedi a.s., thotë: “Trajtojini njerëzit në atë mënyrë ashtu siç dëshironi që të tjerët t’ju trajtojnë juve.”

Reciprociteti

Parimi i reciprocitetit është pjesë përbërëse e drejtësisë dhe pjesë e pandashme e saj. Sipas këtij parimi, lejohet trajtimi i të tjerëve qofshin ata individ apo popuj, myslimanë apo jomyslimanë, në mënyrë të njëjtë ashtu siç ata trajtojnë të tjerët. Muhamedi a.s., duke e përkrahur këtë princip thotë:
“Trajtojini njerëzit në atë mënyrë ashtu siç dëshironi që të tjerët t’ju trajtojnë juve.”
Sipas këtij ligji të drejtësisë, lejohet që myslimani të trajtojë armikun në mënyrë të njëjtë ashtu siç ai trajton myslimanët, mirëpo duke mos e tejkaluar këtë masë dhe duke pasur për qëllim vetëm zmbrapsjen e armikut nga agresioni. T’i kundërvihesh armikut atëherë kur ai ushtron agresion, paraqet akt të drejtë. Parimi i reciprocitetit nuk bie ndesh me parimin e drejtësisë, etikës apo tolerancës.

Përmbushja e premtimit të dhënë (respektimi i marrëveshjes) Islami apelon për paqe, por urren nënshtrimin. Kurani përmend se myslimanët janë të obliguar të anojnë kah paqja nëse këtë e dëshirojnë armiqtë e tyre. Allahu në Kuran thotë:
“Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në Allahun.”
(El Enfal, 61)

Tekste të shumta kuranore na bëjnë me dije se qëllimi kryesor i besimtarit, kur ai vendos të bëjë marrëveshje duhet të jetë respektimi dhe implementimi i tyre në mënyrë të plotë dhe vullnetare.
Në këtë mënyrë mund të arrihet jetësimi i konceptit islam që synon unitetin njerëzor përkundër dallimeve në qëndrime. Pejgamberi a.s., gjithmonë i ka respektuar dhe iu është përmbajtur marrëveshjeve që ka lidhur me jobesimtarët. Në këtë frymë kanë qenë edhe besimtarët, e që nuk njihet në histori që myslimanët kanë thyer marrëveshjet. Pejgamberi a.s., ka thënë:
“Unë jam më i thirrur (më i obliguar) të respektoj marrëveshjet.”

Miqësia dhe ndalimimnga aktet e dhunshme.

Meqenëse njerëzimi paraqet një bashkësi të vetme që e karakterizojnë lidhjet vëllazërore mes anëtarëve të saj, atëherë këto lidhje vëllazërore mes anëtarëve të saj duhen kultivuar dhe përforcuar. Islami nuk ndalon të sillemi mirë ndaj gjithë atyre që nuk janë armiqësuar ndaj myslimanëve. Ky konstatim është cekur në shumë ajete kuranore, të cilat obligojnë myslimanët për sjellje të mirë dhe korrekte jo vetëm në raportet mes tyre, por edhe në raportet me të tjerët. Allahu në Kuran thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. Allahu ua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (El Mumtehine, 8-9)

Transmetohet se gjatë periudhës së marrëveshjes për armëpushim e njohur si “Marrëveshja e Hudejbijes”, e arritur mes Pejgamberit a.s., dhe banorëve të Mekës, këta të fundit i kaploi një krizë e madhe ekonomike sa që vuanin nga uria e skajshme. Muhamedi a.s., tregoi humanizmin e tij duke u solidarizuar me vuajtjet e armiqve të tij, ashtu që autorizoj Hatib bin ebi Beltah t’i dorëzoj kreut të fisit kurejsh Ebu Sufjanit ndihmë në të holla me vlerë prej 500 dinarë të asaj kohe, për të blerë grurë dhe për t’u shpërndarë të varfërve nga mesi i tyre.

Meqë i kushtohet rëndësi avancimit të marrëdhënieve miqësore në vazhdimësi, kjo mëson hapjen e shumë dyerve të paqes së mirëfilltë dhe zvogëlon armiqësitë. Myslimanët luftojnë armikut vetëm në fushëbetejë ndërkohë që me civilët vazhdojnë lidhjet miqësore pa qenë të ndikuar nga situata e luftës.

Përkrahja e të shtypurve

Është karakteristikë e drejtësisë dhe miqësisë islame që t’iu ofrohet ndihmë të shtypurve. Islami si fe qiellore nuk lejon që të heshtet në ato raste kur të fuqishmit u bëjnë padrejtësi të dobëtëve duke i persekutuar ata. Allahu në Kuran thotë: “E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues.” (El Kassas, 5)

Ndalimi nga shkatërrimi

Islami duke pasur për qëllim mëshirën ndaj njerëzimit dhe realizmin e misionit të tij si mëkëmbës i Zotit në tokë ndaloi nga çdo veprimtari që shkakton shkatërrim dhe rrëmujë në të.
Meqenëse Islami është fe, legjislacion për çdo vend dhe çdo kohë, Allahu dërgoi Muhamedin a.s., që të jetë mëshirë për të gjitha botët, Ai në Kuran tha: “E ne nuk të dërguam ty, veçse mëshirë për mbarë botët.”

Padyshim që legjislacioni i kësaj feje në normat dhe rregullat për marrëdhëniet ndërkombëtare parim të vetin ka sjelljen me mëshirë dhe edukatë me njerëzit e tjerë që e rrethojnë.

_________________________________

Autor: Nexhmi Hoxha

DITURIA ISLAME

LITERATURA:
1. Kurani i madhërishëm, mbështetur në përkthimin e
Hasan Nahit (2013), Tiranë
2. Muhamed Ebu Zehra, Marrëdhëniet ndërkombëtare në
Islam (2013), Shkup
3. Gj Muhamed, I Kalin, M Kamali, Lufta dhe paqja në
Islam, përdorimet dhe abuzimet me xhihadin (2015),
Prishtinë
4. Zekrija el Berri, Të drejtat e njeriut në Islam (2004),
Prishtinë
5. Muhamed Zuhejli, Hukuku el – insan fil – Islam (2004),
Damask
6. Vehbetu Zuhelji, El – islam dinu esh – shura ve
dimokratije (1991), Libi
7. Abdulaziz Karetu, El – islam ve el – unsurije (1995),
Xhide
8. Ibën Kethiri, Tefsirul el – Kuran el – adhim
9. Ebu A’la el Mevdudi, Hukumetu el – islamije, Kairo.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit