8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

LIDERSHIPI TRANSAKSIONAL DHE TRANSFORMUES – Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

Më të lexuarat

 

Ky lloj lidershipi është i ndërtuar mbi raportet materiale ndërmjet menaxherit dhe punëtorëve, respektivisht shpërblimeve për suksese dhe ndëshkimeve për dështim apo mos kryerje të detyrave.

Kjo ndodhë sipas faktorëve në vijim[1]:

  • Shpërblime të miratuara njëzëri, me të cilat përfshihen metodat e përkrahjes dhe mbështetjes pozitive dhe të ndërsjellë ndërmjet liderit dhe punëtorëve.
  • Administrimi me përjashtime, kur lideri ndreq gabimet nëpërmjet shpërblimeve dhe ndëshkimeve.

Sipas këtij modeli lidershipi, lideri është vetëm një vegël a instrument[2], roli i të cilit përkufizohet në ekzekutimin e rregulloreve të organizatës, as më shumë dhe as më pak. Nëse punëtorët punojnë mirë – shpërblehen, nëse punojnë keq – ndëshkohen. Pra, në të dy rastet, çfarë të punojnë, për vete punojnë[3].

Si shembull të këtij lloji lidershipi mund të marrim një politikan kandidat për një post të rëndësishëm shtetëror, i cili i premton elektoratit se nëse fiton besimin e tyre dhe zgjidhet në atë pozitë, do t’ua heqë taksat. Ose profesori i cili u premton studentëve nota të larta nëse angazhohen dhe tregojnë sukses, drejtori që motivon punëtorët për të arritura, etj[4].

Lidhur me këtë lloj lidershipi, ekzistojnë mësime dhe udhëzime të rëndësishme Kur’anore, të cilat duhet të merren parasysh nga lideri apo udhëheqësi, pavarësisht se për kë, për çfarë organizate bëhet fjalë.

Disa studiues kanë përmendur se një administrator apo lider i suksesshëm, sipas Kur’anit Fisnik duhet t’i ketë edhe tiparet tjera: të jetë bashkëpunues me vartësit/punëtorët/popullin, të ketë mendim të mirë për ta, të verifikojë lajmet dhe informacionet përkitazi me ta (ikja nga paragjykimi dhe gjykimi i nxituar), të jetë i drejtë në vlerësimin e tyre, të jetë i paanshëm, të krijojë një klimë vëllazërore, bashkëpunuese, të kultivojë respekt ndërmjet punëtorëve, pastaj këtu hyn dhe përhapja e frymës së tolerancës dhe fleksibilitetit, korrektësia në fjalë dhe vepra me punëtorët[5], etj.

Udhëzimet kur’anore dhe profetike për raportet me vartësit

  • Bashkëpunimi me vartësit/punëtorët për zgjidhjen e problemeve
  • Ikja nga paragjykimi i tyre dhe bazimi në informacione të pakonfirmuara për punëtorët
  • Drejtësia me punëtorët nëpërmjet vlerësimit objektiv dhe real
  • Përhapja e klimës vëllazërore
  • Toleranca dhe fleksibiliteti me vartësit apo punëtorët
  • Pajtimi i vartësve apo punëtorëve në rast të ngatërresave ndërmjet tyre
  • Sinqeriteti dhe korrektësia në fjalë dhe vepra

Siç mund të vërejmë, këto udhëzime apo mësime Kur’anore kanë lidhje të drejtpërdrejtë me temën e lidershipit të suksesshëm dhe ato nuk janë në kundërthënie me teoritë moderne të lidershipit. Përkundrazi, ato përputhen pothuajse plotësisht me to.

Sa shumë kemi nevojë për këto këshilla, udhëzime e rekomandime mbi lidershipin që ushtrojmë[6]! Sa shpesh duhet t’i sjellim ndërmend dhe t’i aplikojmë, e jo t’i tkurrim ajetet dhe hadithet në kuptime të ngushta ngaqë këto rekomandime dhe këshilla nënkuptohen nga feja!

Thelbi i teorive transformuese është që udhëheqësit të transformojnë pasuesit përmes natyrës së tyre frymëzuese dhe personaliteteve karizmatike. Pra, lideri është ai që transformon qëndrimet negative në qëndrime pozitive dhe që përfiton nga mundësitë që ka në dispozicion. Lideri këtu ka një rol aktiv, është instrument ndryshimi i një gjendje të caktuar, nga një gjendje te keqe në një gjendje të mirë dhe këtë e bën konform mundësive që ka. Sipas kësaj teorie transformuese, lideri është ai që nxit dhe stimulon pasuesit për të lëvizur para, në realizimin e sukseseve përtej pritshmërisë[7].

Roli i lidershipit transformues

  • Influenca dhe joshja
  • Inkurajimi artistik
  • Nxitja dhe frymëzimi
  • Ruajtja e ndjenjave

Siç mund të kuptohet nga titulli i këtij lloj lidershipi dhe përmbajtja e tij, lideri angazhohet me tërë kapacitetin intelektual e material për ta ndryshuar për të mire gjendjen e pasuesve dhe të organizatës, në të gjitha poret.

Nevoja jonë për liderë të tillë sot është më e madhe se kurdoherë më parë!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA (drhafezi.net)

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Shih: Northouse, Leadership: Theory and Practice, f. 162; Utejbi, El-enmat el-kijadije…., f. 65.

[2] Sipas disa studimeve, ky lloj lidershipi hyn në kuadër të lidershipit autokrat sepse vetëm lideri autokrat beson se shpërblimi material i motivon punëtorët…Shih: Hisham Talib, Delil et-tedrib el-kijadij, f. 56.

[3] Shih për më shumë: El-kijadetu el-idarijetu ve ref’u el-haleti el-ma’nevijeti fi el-hitabi el-kur’anij, Ibrahim Ali Salim Iblavo, Universiteti i Masratas, Libi, f. 10-16.

[4] Shih: Northouse, Leadership: Theory and Practice, f. 162.

[5] Shih për më shumë: El-kijadetu el-idarijetu ve ref’u el-haleti el-ma’nevijeti fi el-hitabi el-kur’anij, Ibrahim Ali Salim Iblavo, vep.cit., f. 10-16.

[6] Shih: El-Kebir, Ahmed bin Abdullah, El-kijadetu el-ahlakijjetu min mendhurin islamij – dirasetun nadharijetun tatbikijetun mukarenetun, (Rijad: Mektebetu Melik Fehd). Shih edhe: Talib, Hisham, Delil et-tedrib el-kijadij, vep.cit., f. 56-57.

[7] Shih: Peter Northouse: Leadership-Theory and Practice, vep. cit., f. 5; 161; Mahmud Muhammed Astal, El-kijadetu fi dav’i el-ajat el-kur’anijeh, vep.cit., f.100; Nehhal, Hamad Muhammed, El-kijadetu ve el-xhundijjetu fi es-Sunneti en-Nebevije, tezë masteri, (Gaza: Universiteti Islamik, 2007), f. 64-84.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit