11.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Kurani për të Verbër – Turqia merr primatin për botimin e Kur’anit me alfabetin Braille

Më të lexuarat

Në Stamboll për katër vite vepron organizata ndërkombëtare ku bëjnë pjesë 17 shtete me qëllim të botimit të Kur’anit me alfabetin Braille dhe organizimit të trajnimeve për personat e verbër dhe me shikim të dobët

 

Kryetari i Unionit Ndërkombëtar për Kuranin në alfabetin Braille, Selahattin Aydin, tha se organizata funksionon që nga viti 2014 dhe ka mbledhur 17 shtete anëtare në projektin e botimit të Kur’anit në alfabetin Braille dhe trajnimin e personave të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar për përdorimin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke kujtuar se në vitin 1829 Louis Braille krijoi një sistem alfabeti për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar, Aydin tha se ky alfabet është përshtatur gjithashtu edhe për botimin e Kur’anit.

“Shumë shtete në botë e botojnë Kur’anin me alfabetin Braille. Kjo është një punë e mundimshme dhe e shtrenjtë që bëhet në vende si Egjipti, Malajzia, Jordania dhe Turqia. Mund të themi se sot botohet në Jordani, por botimi ndërpritet nëse ndalon makina që është atje”, tha Aydin.

Duke treguar se për botim përdoren pllakat e zinkut, Aydin tha se kjo metodë është më e mira dhe nuk lë hapësirë për gabime.

“Muslimanët nuk kanë asnjë problem kur bëhet fjalë për trajnimin fetar. Aktiviteti misionar është shumë aktiv në rajonet ku ka pak muslimanë. Aktivitetet misionare për të verbërit filluan në vitin 1906 në Matay, dhe udhëheqësi i saj ishte prifti gjerman Ernst Christoffel. Edhe pse nuk ishte i verbër, ai erdhi në këto rajone për të mësuar të verbërit rreth besimit. Ky është një qëllim specifik. Ai hapi diçka si të ngjashme me shkollat dhe shtëpi ku mblidhte personat e verbër dhe me shikim të dobët të cilët ishin njerëz me nevoja të veçanta”, tha Aydin për të shtuar se:

“Misionarët më së shpeshti përdorin argumentin se ‘Jezusi do të na hapë sytë’. Unë gjithashtu kam marr pjesë në tubime të tilla. Prifti u largua nga Isfahani pas përkeqësimit të marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe këtij rajoni. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u detyrua të largohej nga Isfahani, por u kthye më vonë dhe aty është varrosur”.

Aydin tha se Unioni Ndërkombëtar për Kur’anin me alfabetin Braille u formua me tubimin e shoqatave lokale dhe aktualisht ka anëtare nga 17 shtete.

Britania e Madhe, Malajzia, India, Pakistani, Jordania, Palestina, Jemeni, Nigeria, Somalia dhe Togo janë vetëm disa nga anëtarët e Unionit me seli në Stamboll, ndërsa Aydin tha se të gjithë anëtarët kanë një bashkëpunim të shkëlqyer këto katër vite.

“Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin në procesin e botimit të Kur’anit. Qëllimi ynë është që të krijojmë një bazë akademike për udhëzimet e Kur’anit për të verbërit dhe ata me shikim të dëmtuar. Deri tani, kemi organizuar tre konferenca. Kjo çështje është gjithashtu e rëndësishme dhe në nivelin akademik. Në shumë pjesë të botës kemi dërguar Kur’anin. Kontigjentin e fundit e dërguam në Malavi”, tha Aydin.

Aydin më tej tha se njerëzit e verbër dhe me shikim të dobët gjithashtu kanë nevojë për trajnim për përdorimin e Kur’anit me alfabetin Braille, duke shtuar se një person i verbër mund të mësojë leximin e Kur’anit brenda 7 deri në 15 ditë.

“Kombet e Bashkuara organizuan një konferencë mbi alfabetin Braille. Të gjitha vendet kanë krijuar shenjat e tyre. Në vitet 1960, filloi botimi i Kur’anit në alfabetin Braille. Ne shohim se kjo temë në Turqi ishte në axhendë në gjysmën e dytë të viteve 1980. Zoti e mëshiroftë Turgut Ozalin për këtë. Pastaj filloi organizimi i konservatorëve të verbër. Shoqata e Gjysmëhënës së Bardhë u themelua në vitet e ’90-ta. Kur’ani i parë në alfabetin Braille në Turqi u botua në fillim të viteve 1990 ndërsa në vitin 1989, në Antalya u mbajt kursi i parë i Kur’anit për të verbërit. Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë në pesë vitet e fundit po punon intensivisht në këtë plan”, tha Aydin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit