22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Rrëfim emocionues i prindërve të pesënjakëve të parë në Turqi

Më të lexuarat

Muhammet Emin, Omer Faruk, Yunus Kerem, Davut Ege dhe Zeynep Muteber janë pesënjakët që lindën në vitin 2012 dhe rriten në shtëpinë e zdrukthëtarit në qarkun Akdagmadeni

 

OMER ERTUGRUL

YOZGAT (AA) – Çifti bashkëshortor Ibrahim dhe Ozlem Bulut rrisin pesënjakët e parë në Turqi, ndërsa për shtatë vite shtëpia u është mbushur me hare, por edhe me obligime të mëdha ndaj fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Muhammet Emin, Omer Faruk, Yunus Kerem, Davut Ege dhe Zeynep Muteber janë pesënjakët që lindën në vitin 2012 dhe rriten në shtëpinë e zdrukthëtarit në qarkun Akdagmadeni, të provincës Yozgat.

Prindërit Ibrahim dhe Ozlem kanë një fëmijë më të madh, kurse pas tij Ozlem mbante katërnjakë të cilët nuk patën fatin të vijnë të gjallë në jetë.

Disa vite më pas mjekët njoftuan çiftin Bulut se Ozlem përsëri mban katërnjakë, ndërkaq gjatë lindjes së suksesshme përjetuan edhe një surprizë të këndshme kur kuptuan se u bënë me pesënjakë.

Vogëlushët këtë vit u regjistruan në shkollë, kurse gjatë vizitës ekipi i AA-së konstatoi se një ditë e zakonshme e nënës së tyre ngjason me një maratonë për përmbushjen e të gjitha nevojave të tyre.

Pesënjakët e parë në Turqi ndajnë dhomën, klasën por edhe rrobat dhe këpucët e njëjta, me çka tërheqin vëmendjen edhe më shumë.

Nëna tejet e angazhuar, 36-vjeçarja Ozlem tregon se mbi të gjitha është një grua shumë e lumtur se ka fëmijë të shëndetshëm të cilët përpiqet t’i rrisë dhe t’i edukojë që të jenë të dobishëm dhe të suksesshëm në shoqëri.

Pesënjakët lindën pas shtatzënisë 27 javëshe dhe peshonin nga 850 dhe 1.500 gram. Dy muaj e gjysmë pas lindjes i kaluan në inkubator.

Ozlem thotë se ato ishin ditë të rënda, por më pas jeta e saj fitoi kuptim dhe që atëherë është e lumtur dhe se çdo çast dhe çdo atom të energjisë së saj ia përkushton djemve dhe Zejepës së vogël.

“Isha e tronditur kur mësova se përsëri mbaj katërnjakë. Kisha frikë se kohë më parë përjetova një abort spontan të katërnjakëve. Mjekët më sugjeruan dhënien fund të shtatzënisë, por refuzuam dhe në fund Zoti na shpërbleu, jo me katërnjakë, por me pesënjakë”, tregon Bulut.

Duke theksuar se është një sfidë dhe mjaft vështirë njëkohësisht të plotësosh kërkesat dhe të kujdesesh për 5 vogëlushët, Bulut tha se kanë një lehtësim pasi janë mësuar vet të vishen, përgatisin mëngjesin dhe rregullojnë gjërat e tyre.

“I dërgojmë në shkollë, i marrim, mësojmë me ta, ndërsa marrim frymë vetëm kur shkojnë në shtrat. Që të pestët kalojnë shumë mirë, por xhelozojnë vëllain e madh”, u shpreh Bulut.

Prindërit pas lindjes foshnjave u vendosën doreza me emrat e shkruara në to, për t’i dalluar, kurse sot problemi i vetëm është t’ua dallosh rrobat në gardërobë, për të cilën, nëna Ozlem ka gjetur një zgjidhje duke ua shënuar emrin në pjesën e brendshme të çdo gjëje.

Po ashtu dhe babai, Ibrahimi thotë se ditët e shtatzënisë dhe të inkubatorit ishin më të vështirat, dhe se gjithçka pas saj ishte si ëndrra më e mirë.

Duke theksuar se është i vetëdijshëm për obligimet që ka bashkëshortja e tij me fëmijët, Bulut tha se vazhdon t’i ndihmojë në shtëpi, por parasëgjithash punon për të siguruar të ardhurat për familjen.

“Nevojitet përkushtim i madh për t’u kujdesur për 5 foshnje. Paramendo, kur njëri zgjohet dhe qan, zgjon dhe të tjerët. Tani shkojnë në shkollë dhe çdo gjë është më lehtë”, tregon Bulut.

Prindërit e pesënjakëve u blejnë rroba dhe këpucë të njëjta, ndërsa Bulut thekson se kujdesi për pesënjakët është dhe një sfidë financiare, por ia dalin me punë të përkushtuar dhe organizim të mirë në familje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit