0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kur është shumë ftohtë, a mund të marr tejemum në vend të guslit?

Më të lexuarat

Pyetje: Selamu alejkum, nese ka mundesi hoxhe i nderuar qe te me tregoni nje pergjigje. Kur zgjohem ne mengjes ndonjehere me ndodh qe te zgjohem xhunub, ndodh qe uje te mos kem ne banjo (uje te nxehte ne kohe dimri) mirepo nga ana tjeter dua qe te shkoj ne xhami ta fali sabahun. Tash nuk di si te veproj. A ta leshoj bojlerin dhe ta fali sabahun pasi qe te linde dielli per shkak se eshte ftoht te lahem me uje te ftoht, apo te marr tejemum dhe te nisem per ne xhami me fale sabahun?

Përgjigje:
Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Thotë Allahu (azzvexhel): “Nëse jeni të papastër (xhunub), atëherë pastrohuni (lahuni-merrni gusël)”. (Maideh – 6) Andaj muslimani nëse bëhet i papastër dhe don ta falë namazin, patjetër duhet të pastrohet. Por nëse nuk ka ujë, apo nuk ka mundësi ta përdorë ujin për shkak të ndonjë sëmundjeje apo për shkak të paraqitjes së sëmundjes nga uji i ftohtë dhe nuk mund të ngrohë ujin që e posedon, atëherë ka mundësi të marrë tejemum. Thotë Allahu (azzevexhel): “E nëse jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga vendi i nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhe të pastër. Fërkoni me të fytyrën dhe duart tuaja.” (Maideh – 6)

Gjithashtu Amër ibn Asi (radijallahu) thotë: U bëra i papastër në një natë të ftohtë në luftën Dhatu Selasil dhe mendova se nëse pastrohem (me ujë) do të shkatërrohem. Kështuqë mora tejemum dhe e fala namazin e sabahut me shokët e mi. E pastaj i treguan për këtë Pejgamberit (salallahualejhiveselem), e ai më tha: “O Amër, a je falur me shokët tu duke qenë i papastër (xhunub)? E i tregova për atë që më ka penguar nga gusli dhe thash: E kam dëgjuar fjalën e Allahut ku thotë: “Dhe mos e mbytni veten tuaj, vërtetë Allahu është i mëshirshëm për ju”. (Nisa-29) Atëherë qeshi Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) dhe nuk tha asgjë”. (Transmeton Ebu Davudi, dhe Shejh Albani hadithin e cilëson si të vërtetë)

Thotë Imam Ibn Haxheri: Nga ky hadith nënkuptohet se lejohet njeriu të merr tejemum nëse ka frikë se përdorimi i ujit e dërgon atë në shkatërrim (sëmundje apo përkeqësim të shëndetit), qoftë për shkak të ftohtit apo për shkak të ndonjë gjëje tjetër. Dhe (nënkuptohet) se lejohet të paraprijë si imam ai që është me tejmum, ndaj atyre që janë me abdes (sepse Amër Ibn Asi ishte imam i tyre, edhepse ai kishte marrë tejemum, ndërsa ata abdes). (Fet’hul Bari 1/454)

Kështuqë, nëse ju nuk keni mundësi t’i përballoni ujit të ftohtë dhe nëse e përdorni atë ka mundësi të arrijë deri në sëmundje dhe dëmtim të shëndetit, apo të shtojë sëmundjen tuaj, dhe nuk keni mundësi të ngrohni ujin para se të kalojë koha e sabahut, atëherë lejohet të merrni tejemum dhe të falni namazin e sabahut. Ndërsa vonimi i namazit deri të lindë dielli për të pritur ngrohjen e ujit nuk lejohet. Dhe lënia e namazit deri pas lindjes së diellit, për këtë shkak nuk llogaritet arsye në sheriatin Islam. (Edhepse shkaqet për ujë të ngrohtë dhe pastrim duhet të merren më herët, që mos të rrezikohet falja e namazit)

Thotë Shejh Salih ibn Feuzan:  -Nëse hyn koha e namazit dhe njeriu ka vetëm ujë të ftohtë dhe uji është i ftohtë aq sa ka mundësi ai ta përballojë atë, edhepse me pak vështirësi, ai duhet të merr abdes dhe të falet, sepse ai e posedon ujin dhe nuk posedon pengesë për shfrytëzimin e tij.
-E nëse uji është aq i ftohtë saqë nuk ka mundësi ta përballojë atë dhe ka frikë për shëndetin e tij, por ka mundësi që ta ngrohë atë, ai obligohet që ta ngrohë ujin dhe të merr abdes dhe të falet.
-E nëse uji është i ftohtë dhe i papërballushëm për ta shfrytëzuar atë dhe nuk ka mundësi që ta ngrohë atë, atëherë merr tejemum dhe e falë namazin.. (Fetava 1/230)

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit