20.8 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Koment – Evropa, me hapa gjigante drejt katastrofës

Më të lexuarat

Sot, për fat të keq, shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë duke përgatitur katastrofën e tyre për shkak të qëndrimit, që po mbajnë në lidhje me terrorizmin…

Rendi botëror mori trajtën njëpolare menjëherë pas shpërbërjes së Bllokut Lindor. E dizajnuar sipas përfundimeve të Konferencës së Jaltës (Krime – 1945), bota po jeton në ditët  e sotme një ngërç dhe kapsllëk mjaft serioz.

Me shpalljen e pavarësisë nga Sllovenia më datë 2 korrik 1990, në ish-Jugosllavi shpërtheu lufta civile dhe kështu nisi fundi i Rendit të Jaltës.

Ky fund rezultoi shumë i përgjakshëm. Në Bosnjë-Hercegovinë u bë gjenocidi më i madh në histori kundër myslimanëve. Kjo shfarosje e pjesshme e popullatës myslimane boshnjake u krye para syve të Evropës, madje disa nga masakrat e kësaj fushate barbare u realizuan pothuajse nën mbikëqyrjen e ushtrive evropiane.

Në korrik të vitit 2014, drejtësia e Holandës gjykoi se ushtria e vendit të saj ishte përgjegjëse për masakrimin e rreth 10.000 boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë nga trupat serbe.

Evropa, e cila pretendon të jetë qendra e demokracisë dhe e shenjtërisë së jetës njerëzore, mbylli asokohe kufijtë e saj për mbi 500.000 boshnjakë, që kërkonin të strehoheshin atje për t’i shpëtuar masakrave të serbëve. Kurse Austria, Gjermania dhe Italia nisën patrullimet kufitare 24-orëshe duke formuar brez sigurie të pandërprerë, për herë të parë që pas Luftës II Botërore. Kështu, civilët boshnjakë nuk gjetën asnjë vend për t’u strehuar dhe u bënë pre e masakrave çnjerëzore të serbëve.

Shpresat u ringjallën disi me ndërhyrjen e NATO-s në luftën civile të ish-Jugosllavisë. Megjithatë pushtimi i parë i Irakut në vitin 1991 dhe më pas i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me pretendimin se këto vende posedonin armë bërthamore apo armë të shkatërrimit në masë, e shtynë të gjithë botën në një vorbull terrorizmi.

Raporti shkak-efekt i akteve terroriste të sotme nuk debatohet tashmë vetëm në botën islame dhe lindore, por me seriozitet maksimal edhe në atë perëndimore. Cilido qoftë raporti shkak-efekt, asnjë grup apo aktivitet terrorist nuk mund të shihet dhe as të paraqitet/shfaqet si i pafajshëm, aq më pak të justifikohet.

Veprimtaritë terroriste janë një bela dhe kokëçarje e madhe për të gjithë globin prej gati një shekulli.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vite të tëra që ngulmon t’u shpjegojë aleatëve perëndimorë se terrorizmi s’ka dhe s’njeh asnjë lloj kufiri duke tërhequr vëmendjen se një ditë kjo bela do t’u trokasë në derë të gjithë atyre, që bashkëpunojnë me terroristët.

Turqia ka sakrifikuar dhjetëra-mijëra qytetarë të saj në luftën kundër organizatës separatiste terroriste PKK dhe fraksionit të saj sirian PYD/YPG. Duhet patjetër të ketë një përgjigje për atë se gati të gjitha armët, raketat dhe predhat, të cilat konfiskohen në operacionet e forcave turke të sigurisë kundër PKK-së dhe zgjatimeve të saj, janë prodhim perëndimor.

Republika e Turqisë lufton tek pullë kundër terrorizmit prej rreth gjysmë shekulli dhe në këtë përpjekje të armatosur është lënë vetëm disa herë nga jo pak aleatë të saj perëndimorë. Bile, bile shumë vende evropiane, të cilat janë edhe partnerë tregtarë e politikë, edhe aleatë të Turqisë në NATO, sot po bëjnë nikoqiren e terroristëve.

Gjatë verës së 2016-s, një klikë oficerësh terroristë gylenistë brenda ushtrisë turke tentuan një grusht shteti duke masakruar qindra persona dhe plagosur mijëra të tjerë. Këta oficerë terroristë me duar të përgjakura, që vranë pa mëshirë kaq shumë civilë, gati sa nuk u pritën me tapet të kuq nga shumë vende evropiane, me në krye Gjermaninë.

Shteti turk ka kërkuar me dhjetëra herë ekstradimin e afro 4.500 terroristëve dhe të dyshuarve për terrorizëm, që strehohen në Gjermani. Kurse ekzekutivi dhe shteti gjerman ka luajtur rolin e të shurdhit në çdo rast.

Terroristja Fahriye Erdal, që dihet botërisht se është autore e vrasjes së një biznesmeni të fuqishëm në Turqi, ka 20 vite që pritet si të ishte e ftuar nderi në Belgjikë dhe, si për ironi, ky vend s’është fort i njohur për mikpritje. Duhet patjetër të ketë një përgjigje për atë se të gjithë terroristët, që vrasin ushtarë, policë, fëmijë, gra dhe të moshuar në Turqi, nuk arrijnë të gjejnë strehim në vendet lindore, por në ato evropiane.

Por shikoni çfarë kontradikte! Bota perëndimore në përgjithësi dhe Evropa në veçanti akuzojnë gjithnjë Lindjen për financim dhe strehim të terrorizmit. Jam shumë kureshtar të di sesi aleatët tanë perëndimorë do mund t’ua shpjegojnë fëmijëve të tyre këtë kontradiktë?

Vetëm pak ditë më parë, terrorizmi shfaqi fytyrën e tij të vrazhdë dhe të egër në Britaninë e Madhe, një aleate e Turqisë. Përpara Londrës dhe Mançesterit, ajo fytyrë e egër e terrorizmit u pa edhe në disa qytete të Suedisë, Gjermanisë, Belgjikës, Francës, etj.; shtete këto që e bëjnë Evropën të quhet Evropë, duke masakruar qindra civilë të pafajshëm.

Deri dje, bombat shpërthenin dhe civilët e pafajshëm humbnin jetë në qytetet dhe kryeqytetet e Lindjes. Por sot kryeqytet e Perëndimit janë po aq të ekspozuar dhe të pambrojtur ndaj sulmeve terroriste sa dhe ato të Lindjes.

Tashmë terrorizmi po shkon përtej të qenit një vepër penale, e cila del nga një qendër e vetme apo nga një rajon i caktuar dhe përhapet nëpër botë. Kjo sepse ditëve të fundit po lexojmë gjithnjë e më tepër lajme në lidhje me sulme terroriste individuale, krahas atyre lokale dhe rajonale. Për mendimin tim, kjo sëmundje duket se do të përhapet çdo ditë e më shumë anembanë botës.

Sepse “të fortët” e globit, në vend që të mundësojnë mirëfunksionimin e mekanizmit të drejtësisë, vënë në plan të parë fobitë dhe interesat e tyre kombëtare e politike. Dhe këto përpjekje orientojnë drejt dhunës individë dhe grupe të caktuara njerëzish. Dikur bëheshin përpjekje që aktivitetet e përgjakshme terroriste, të cilat bëheshin për të larguar regjimin sovjetik, të justifikoheshin dhe ligjësoheshin duke i maskuar me emrin “dhunë revolucionare”. Ndërsa sot veprimtaritë terroriste as që ndiejnë nevojë për t’u maskuar me një emër tjetër.

Në një periudhë si kjo e sotmja, kur terrorizmi po mban peng gjithë botën dhe jetën e njeriut, vendet anëtare të Bashkimit Evropian – mjerisht – strehojnë një numër të madh organizatash terroriste. Elementët terroristë, që kanë masakruar ose kanë urdhëruar vrasjen e mijëra civilëve turq, irakianë, iranianë apo sirianë, arrijnë të gjejnë pa vështirësi strehim në këto shtete.

Madje aleatët tanë evropianë sillen kaq të shkujdesur në lidhje me terrorizmin, sa që hapin deri në fund portat e tyre për oficerët dhe gjeneralët turq, që kryen tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016, duke vrarë qindra dhe plagosur mijëra civilë. Vendet evropiane pajisin me pasaporta diplomatike dhe nuk i dorëzojnë drejtësisë terroristët e veshur me toga gjyqtari e prokurori, që u kanë shkatërruar jetën dhe hera-herës ua kanë marrë atë shumë njerëzve përmes konspiracionit dhe komploteve të kurdisura prej tyre në Turqi. Ndërkohë që është një realitet sociologjik dhe dihet botërisht se çdo rezistencë çon domosdoshmërish në trazira sociale.

Organizimi i akteve terroriste individuale nga njerëz, që jetojnë në mirëqenie, apo pjesëmarrja e tyre në radhët e organizatës terroriste DAESH, janë të pashpjegueshme vetëm me “margjinalizim”. Mosplotësimi i nevojave të njerëzve për drejtësi hap gjithashtu rrugët e dhunës. Dhe sot, për fat të keq, shumë vende anëtare të BE-së janë duke përgatitur katastrofën e tyre për shkak të qëndrimit që po mbajnë.

 

Autor: Erdal Simsek

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit