17.7 C
Pristina
Thursday, May 30, 2024

Vazhdon të përhapet kriza mes vendeve arabe

Më të lexuarat

Pas Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahrejnit dhe Jemenit i kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin edhe Maldivet.

Televizioni “Al Arabiya” me seli në Arabinë Saudite lajmin lidhur me vendimin e vendit te Azisë Jugore, Maldiveve, e dha si zhvillim të minutës së fundit.

Këto vende gjithashtu kanë mbyllur me Katarin edhe kufijtë detarë dhe ajrorë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite për këtë vendim, të cilin e ka marrë “për arsye të sigurisë kombëtare” njofton se një vendim të tillë është detyruar ta marrë “pas shkeljeve serioze haptazi dhe fshehurazi të Dohas; për shkak të mbështetjes që Katari u jep organizatave terroriste duke i strehuar ato në vend, duke bërë në media propagandën e organizatave terroriste, duke mbështetur aktivitetet terroriste iraniane në provincën Katif, duke strehuar në vend ekstremistët dhe duke mbështetur militantët Huthi në Jemen”.

Qytetarëve të Arabisë Saudite u është ndaluar të udhëtojnë në Katar, po ashtu edhe shtetasve të Katarit që kanë leje të përhershme qëndrimi u është ndaluar të shkojnë në Arabinë Saudite dhe të përdorin aeroportet e këtij vendi për fluturimet transit”, vazhdon komunikata.

Për arsye sigurie qytetarët e Katarit në Arabinë Saudite duhet të largohen nga vendi brenda 14 ditëve, thuhet në deklaratë, ndërsa sqarohet se ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të prekë katarasit që do të shkojnë për haxhillëk (pelegrinazh).

Qeveria e Arabisë Saudite nisi procesin e anulimit të licencës së kanalit televiziv “Al Jazeera” me seli në Katar dhe për mbylljen e zyrave të këtij televizioni në vend.

Gjithashtu autoritetet saudite kanë urdhëruar edhe për gazetarët sauditë që punojnë në institucionet mediatike në Katar, duke kërkuar prej tyre të kthehen në Arabinë Saudite.

Kurse në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve të këtij vendi ENA, thuhet se janë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin; diplomatët e Katarit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) duhet të largohen brenda 48 orëve, po ashtu edhe qytetarët e Katarit duhet të largohen nga vendi brenda 14 ditëve. Kurse qytetarëve të Emirateve të Bashkuara Arabe u është ndaluar udhëtimi për në Katar.

Ministria e Jashtme egjiptiane njoftoi gjithashtu se Kajroja i kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin për shkak të “qëndrimeve armiqësore” të Dohas.

Në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit thuhet se “Katari po përhap idenë e al-Kaedës dhe DAESH-it, mbështet organizatat terroriste në Gadishullin e Sinait si dhe përzihet në punët e brendshme të Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe”.

Edhe Ministria e Jashtme e Bahrejnit njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin për shkaqe sigurie. Komunikata në lidhje me këtë zhvillim është publikuar në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bahrejnit, sipas të cilës Bahrejni ka thirrur në qendër misionet diplomatike në Doha dhe diplomatëve të Katarit u ka njohur 48 orë kohë për t’u larguar nga Bahrejni.

Ndërkohë njoftohet se ka marrë fund roli i Katarit në Koalicionin Ndërkombëtar që është krijuar nën udhëheqjen e Arabisë Saudite kundër Huthive në Jemen. Në deklaratën e Komandës së Koalicionit, botuar në agjencinë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite SPA, thuhet se Koalicioni Ndërkombëtar vendosi të përjashtojë Katarin nga koalicioni për shkak të “forcimit të terrorizmit dhe marrëdhënieve që ka me militantët e grushtit të shtetit në Jemen”.

Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike të 4 vendeve me Katarin, një hap të ngjashëm hodhi në këtë drejtim pak më vonë edhe Jemeni.

Jemeni njoftoi se e mbështet vendimin për përjashtimin e Katarit nga Koalicioni Ndërkombëtar.

Deklaratën e parë nga Katari lidhur me çështjen e bëri Ministri i Punëve të Jashtme, Sheik Muhamed bin Abdurrahman Al Thani, i cili tha se ndjejnë një keqardhje të madhe për vendimin e marrë në mënyrë të padrejtë kundër vendit të tij.

Kurse në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit u tha se përmes një vendimi të tillë kërkohet që Katari të futet nën tutelë.

“Prej një kohe Katari po përballet me një fushatë shpifëse, e cila synon të dëmtojë shtetin dhe është plotësisht e sajuar. Katari është një prej vendeve aktive të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe i respekton vendimet që merren dhe marrëveshjen që bëhen në këtë Këshilli; respekton sovranitetin e vendeve të tjera; nuk përzihet në punët e brendshme të vendeve të tjera; është një vend që lufton me terrorizmin dhe ekstremizmin, pasi këtë e pranuar si detyrë të vetën”, vazhdon komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit.

Kurse Sekretari amerikan i Shtetit, Reks Tillërsën (Rex Tillerson) u bëri thirrje palëve për dialog përmes deklaratës: “mbështesim palët për të biseduar mbi divergjencat. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit nuk duhet të shpërndahet”, shtoi ai.

Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov në lidhje me tensionin bëri këtë koment:

“Kjo është një çështje që u takon tyre. Ne nuk përzihemi në marrëdhëniet dypalëshe që kanë vendet”, tha Lavrov në konferencën e përbashkët në Moskë pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bjellorusisë, Vladimir Makey.

Kurse Irani bërë këtë koment: “ndërprerja e marrëdhënieve me Katarin nuk e zgjidh krizën e Lindjes së Mesme”.

Agjencia Zyrtare e Lajmeve të Katarit (QNA) natën e 23 majit kishte publikuar “deklarata kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe në mbështetje të Iranit”, deklarata që i atribuohen Emirit të Katarit Sheik Tamim bin Hamad Al Thani. Deklaratat në fjalë brenda një kohe të shkurtër ishin pasqyruan gjerësisht në media.

Disa orë më vonë, drejtori i komunikacionit i qeverisë së Katarit, Sheik bin Ahmed Al Thani njoftoi se uebsajti i agjencisë QNA ishte përballur me një sulm kibernetik. Po ashtu edhe Ministria e Jashtme e Katarit përmes një deklarate kishte njoftuar se faqja e QNA-së ishte sulmuar dhe se lajmet që qarkullojnë në media nuk pasqyrojnë të vërtetën, ndërsa kishte kërkuar nga organet mediatike që t’u referoheshin shpjegimeve të saj.

Pavarësisht deklaratave të Katarit, lajmet në lidhje me deklaratën që i referohet al-Thanit vazhduan të përdoreshin në shtypin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe të Arabisë Saudite. Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit Sheik Muhamed bin Abdurrahman Al Thani në një konferencë shtypi që mbajti më 25 maj foli për ekzistencën e një fushate mediatike që kishte në shënjestër vendin e tij. “Hetimi lidhur me çështjen vazhdon, por është e qartë se kemi të bëjmë me një fushatë që bëhet kundër Katari dhe ne do ti bëjmë ballë kësaj”, tha shefi i diplomacisë katarase.

Bahrejni, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) marrëdhëniet diplomatike me Katarin i kishin ndërprerë edhe në vitin 2014, duke e akuzuar Dohan për ndërhyrje në punët e tyre të brendshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit