3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kam një hall dhe meqë nuk di me kë të flas, po u drejtohem juve duke shpresuar të kem një këshillë nga ju…?!

Më të lexuarat

Pyetje:

Selam alejkum!

Kam një hall dhe meqë nuk di me kë të flas, po u drejtohem juve duke shpresuar të kem një këshillë nga ju.

Ka disa vite që ndjehem gjatë tërë kohës e mërzitur. Qaj tërë kohën dhe nuk jam asnjëherë e lumtur.
Jam martuar gati qe një vit. Por as me burrin nuk ndihem e lumtur. Në fillim ai më donte dhe sillej shumë mirë me mua. Tani e ndjej që është ftohur plotësisht nga unë. As nuk bisedon më me mua. Është gjithmonë i ftohur. Nuk po e shoh kurrë të lumtur si më parë. Grindemi tërë kohën. Kurse unë qaj gjatë tërë kohës.
Kjo gjendje më mundon shumë e nuk di më çka të bëj. Disa herë më ka thënë se dëshiron të ndahet nga unë por kam përshtypjen se ka mëshirë ndaj meje e për këtë arsye edhe rri me mua.
Unë tani jam edhe shtatzënë e po mendoj që kjo e ka mërzitur akoma më shumë sepse kam përshtypjen se ndihet i ngulfatur nga unë.
Me gjithë këto probleme unë assesi nuk po mund të përmirësohem. Kjo mërzi ma shkatërroi jetën dhe tani po e shoh që edhe burri do më lej.

Nuk kam as vullnet të lutem tek Allahu, aq shumë ndihem e trishtuar. Ndjej një dhimbje kaq të madhe në gjoks saqë po të mundesha do e kisha nxjerr zemrën nga vendi që të mos kem më.

Nuk di më çfarë të bëj. Asnjë kuptim nuk ka më kjo jetë për mua. Po të mos e kishte ndaluar Allahu vetëvrasjen do e kisha vrarë veten.
Nuk e di si mund të vazhdohet jeta në këtë mënyrë. Unë as nuk mund të jem e devotshme meqë nuk kam forcë. Burrin tim s’po mund ta bëj të lumtur, çfarë sevapi do kem tek Allahu unë?
Nuk di çfarë të bëj më. Këshilla juaj është e mirëseardhur.

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër myslimane! Sistemi i imunitetit në organizëm është gjëja më kryesore për shëndetin e njeriut. Kur imuniteti është i fortë, organizmi i përballon shumë gripave, sëmundjeve etj. Nëse imuniteti është i dobët, atëherë çdo sëmundje, qoftë edhe e thjeshtë, mund ta shkatërrojë shëndetin e njeriut. 
Kështu vlerësohen edhe gjërat shpirtërore. Dashuria e do shpirtin e fuqishëm me besim të plotë në atë që e dashuron. Mirëpo gjëja që më së shumti e forcon sistemin e imunitetit të shëndetit shpirtëror është imani, besimi i thellë në Allah. Ndarja nga burri nuk do të thotë se medoemos është dalje nga problemet shpirtërore, vuajtjet dhe preokupimet tuaja. Përkundrazi, divorci mund t’ua shtojë edhe më tepër ato preokupime dhe mund të bindeni se faji nuk qenka martesa apo jeta bashkëshortore, por faji qenka te dobësimi i sistemit të imunitetit shpirtëror, i cili vetëm me besim të thellë në Allahun dhe me kapjen seriozisht për fenë e Allahut mund të forcohet dhe më pas mund t’i përballoni çdo sprove dhe jeta e zymtë martesore do të shndërrohej në jetë të rehatshme dhe tek ai burrë do ta gjenit qetësinë shpirtërore.

Në rastin tuaj, më alarmuese qenka se keni humbur vullnetin dhe durimin të bëni dua e lutje sesa humbja e dashurisë së ndërsjellë bashkëshortore. Si rrjedhojë e këtij depresioni, ju mendoni edhe për ta përfunduar jetën me vetëvrasje. Por, Elhamdulilah që imani i juaj vetëm është dobësuar dhe është zbehur e nuk ka humbur tërësisht, pasi e keni të qartë se njeriu është i pavdekshëm dhe se vdekja nuk është gjë tjetër vetëm se transferim nga kjo jetë në tjetrën, andaj edhe vetëvrasja është gjë e ndaluar dhe aspak nuk ta rregullon jetën. Andaj kërkohet që të punoni drejt forcimit të besimit tuaj në Allahun duke i përmbushur detyrat fetare, e në rend të parë namazin. Posa ta mundni shejtanin në gjërat e mëdha si çështja e besimit, do ta kuptoni se burri nuk paska ndonjë të metë dhe se jeta bashkëshortore është e mundshme të vazhdohet pa asnjë problem.

Mos e humb shpresën në Allahun, sepse Ai të pranon në çdo kohë dhe sprovat tejkaloji duke kërkuar ndihmën tek Allahu! Allahu na porosit duke thënë:
“O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)

Ndjenja e humbur në Allahun është shumë e keqe dhe nuk është edukative me Allahun. Duaja mund të pengohet nga disa shkaqe, nga të cilat është edhe lodhja në lutje dhe humbja e shpresës.

Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë se dikush e kishte pyetur të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se cilat janë mëkatet më të mëdha dhe ai ishte përgjigjur: “T’i përshkruash ortak Allahut, ta humbësh shpresën nga mëshira e Allahutdhe të jetosh i sigurt nga dënimi i Allahut.”  Në një hadith kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon. Nëse ai mban mendim të mirë për Mua, e ka për vete, e nëse ka mendim të keq, e ka kundër vetes.” (Sahih, transmeton Ahmedi nga Ebu Hurejre) Në një hadith tjetër kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon, dhe Unë jam pranë Tij kur ai më lutet.”  (transmeton Muslimi nga Ebu Hurejre)

Allahu i Madhërishëm tregon në Kur’an ngjarjen e Jakubit, kur i humbën djemtë e tij, ku ende mbante shpresë në Allahun se do t’i gjente dhe vërtet doli ashtu: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf, 87)

Allahu po ashtu thotë:

“Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” (Ali Imran, 154)

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Robit vazhdimisht i pranohen lutjet përderisa nuk nxiton, nëse nuk lutet për ndonjë mëkat, ose për ndërprerje të lidhjeve farefisnore.” Dikush i tha: “E si është nxitimi, o i dërguar i Allahut?
Tha: “Nxitim është të thotë robi: “jam lutur e jam lutur, por kot nuk kam vërejtur se m’u ka pranuar lutja” dhe lodhet pastaj dhe e braktisë lutjen.”  (transmeton Muslimi nga Ebu Hurejre) 

Motër, mos paragjykoni se bashkëshorti i juaj do që t’ju shkurorëzojë, por i dhimbseni! Mos u lësho në këso mendime, por puno që ta nxitësh dashurinë e burrit tënd dhe të jesh sa më e ndërgjegjshme në përfilljen e detyrave tuaja!

Ndoshta caktimi i Allahut që të mbeteni shtatzënë është në të mirën tuaj, që të lidheni edhe ju e edhe burri i juaj për fëmijën e të mos nxitoni në shkurorëzim.

Allahu e di më së miri!

                                                         .                         Hoxhë    Muhamed Dërmaku

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit