22 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Ekstremistët dhe padija e tyre…

Më të lexuarat

Justinian Topulli

 

Ka që thonë se, pse nuk merreni me kufrin, tagutët, idhujtarinë dhe idhujtarët?

Subhan Allah! Çështja nuk është se nuk po merremi me to, sepse thirrja islame në fakt nuk mund të jetë veçse predikimi për të nxjerr njerëzit nga mohimi i Zotit dhe idhujtaria në besimin dhe njësimin e Tij, por çështja është se pse ne nuk i mëshojmë më shumë asaj dhe vetëm asaj që këta njerëz e quajnë Taguti, Shirku dhe Kufri më i madh, këtu është problemi…

Ka që thonë se, pse merreni me muxhahdinët, që po sakrifikojnë jetën për hir të Allahut, ndërkohë që ju rrini dhe bëni sehir e merreni me përgojime?

Ne nuk merremi me muxhahidinët, çdo muxhahid i sinqertë që lufton për hir të Allahut dhe respekton dispozitat islame, Allahu e ruajttë dhe e ndihmoftë kudo që të jetë. Ne merremi me gabimin dhe kritikojmë gabimtarët, sepse askush nuk është i pagabueshëm, sado i sinqertë të jetë dhe çfarëdo sakrifice që ai bën për fenë.

Ne po merremi me ekstremistët, me hauarixhët dhe tekfiristat, që po ia nxinë faqen kësaj feje, që po nxjerrin njerëzit nga feja kot më kot, me dyshime, me iluzione, me hamendje, me padijen e tyre, me prova të paqena dhe me arsyetime boshe, që të vjen të ulërish kur i dëgjon.

Ka që thonë: pse nuk merreni me murxhiat?

Jemi marrë edhe me ta, por hauarixhët, ekstremistët dhe tekfiristët, janë shumë herë më të dëmshëm sesa murxhiat, për vetë faktin e thjeshtë se, vetë Profeti (alejhi salatu ue selam) na ka paralajmëruar me fjalët e tij, për rrezikun e tyre, duke folur ashpër për ta dhe duke dhënë madje edhe mësim për t’i luftuar ata. Për vetë faktin e thjeshtë se, dëmi që po bëjnë këto kohë ky grupim i devijuar, idetë e tij dhe praktikat e tij ekstreme, me vrasje dhe ekzekutime të turpshme, janë një rrezik për fenë dhe muslimanët, shumë herë më tepër sesa rreziku i murxhiave. Po merremi me ta, sepse historikisht ekstremi pjell ekstremin tjetër, dhe po historikisht murxhiat ishin ekstrem që dolën si pasojë e hauarixhëve. Kështu që dijeni, se kudo që dalin hauarixhët e tekfiristat, pas tyre do të vijnë patjetër murxhiat. Merremi me tekfiristët, sepse mësuesi dhe Profeti ynë (alejhi salatu ue selam) na ka paralajmëruar që të mos bëhemi shkak për largimin e njerëzve nga feja, dhe nëse ka muslimanë që me veprat e tyre bëhen shkak për largimin e njerëzve nga feja islame, këta janë ndër të parët dhe me më shumë efekt se çdokush tjetër, edhe pse kujtojnë se janë duke bërë mirë. Zaten brirët e injorancës janë edhe vetëpëlqimi e vetëmashtrimi.

Më poshtë po sjell të plotë një debat të zhvilluar në mes Ibn Abasit (radijallahu anhu) dhe hauarixhëve, për të parë sesi pasardhësit e ideve dhe praktikave të tyre sot, ecin në të njëjtën padije. Ata që s’e kanë lexuar apo dëgjuar ndonjëherë, ia vlen ta lexojnë dhe të nxjerrin mësime prej tij.

Ibn Abasi tregon:

Kur dolën harurijët (hauarixhët), ata u mblodhën dhe vendosën të gjithë së bashku, që të dilnin kundra Ali ibn Ebi Talibit dhe shokëve të Profetit (alejhi salatu ue selam) që ishin me të. Dikush erdhi dhe i tha atij:

– O Prijësi i besimtarëve! Ata njerëz do të dalin kundra teje.- dhe ai i tha: -Lëri deri sa të dalin, sepse unë nuk i luftoj derisa ata të më luftojnë mua. Dhe ata do ta bëjnë këtë gjë.-
Një ditë i thashë Aliut: O Prijësi i besimtarëve! Vonoje pak namazin dhe mos më sprovo, derisa të shkoj tek ata njerëz dhe të flas me ta.

– Më tha: Kam frikë se ata mund të të dëmtojnë ty.

– I thashë: Jo, në dashtë Allahu i Lartësuar.

Dhe unë isha njeri me edukatë të mirë dhe nuk fyeja njeri. Kështu që, vesha rrobën më të mirë jemenase që kisha dhe më pas shkova tek ata, ndërkohë ata po bënin pushimin e paradrekes. Pasi u futa në mes tyre pashë se nuk kishte njerëz që të sfiliteshin më shumë se ata në adhurim. Duart e tyre u ngjanin kyçeve të devesë (të rrudhura), fytyrat e tyre ishin me shenja nga gjurmët e sexhdes, mbanin këmisha të lara dhe fytyrat i kishin të lodhura nga pagjumësia. Hyra mes tyre.

– Mirë se ke ardhur o i biri i Abasit! Ç’të ka sjellë këtu? Ç’është kjo që ke veshur?

– Ç’keni që më kritikoni? E kam parë të Dërguarin e Allahut të vishte më të mirën e këtyre rrobave. Allahu ka thënë: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë e Allahut dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”

– Më thanë: Ç’të ka sjellë këtu?

– Kam ardhur t’ju flas në vend të shokëve të Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe nga dhëndri i të Dërguarit të Allahut. Në mes tyre zbriti shpallja dhe ata e njohin më mirë kuptimin e saj. Në mes jush nuk ka asnjë prej tyre.

Dikush prej tyre tha: Mos debatoni me kurejshët, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “ata janë popull grindavec”. Dy apo tre burra thanë: sikur tu flisje atyre.
U thashë: Më thoni për çfarë e dënoni djalin e xhaxhait të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), dhëndrin e tij dhe i pari që besoi tek ai, ndërkohë që shokët e të Dërguarit të Allahut janë bashkë me të?
Më thanë: E dënojmë për tri gjëra.

– Cilat janë ato?

– E para: Ai ka vënë njerëzit të gjykojnë në fenë e Allahut, dhe Allahu ka thënë: “Gjykimi i përket vetëm Allahut”, kështu që ç’punë kanë njerëzit të gjykojnë pasi ka folur Allahu i Madhëruar?!

– U thashë: Tjetër çfarë keni?

– Ai luftoi dhe nuk zuri asnjë njeri rob dhe as nuk mori plaçkë lufte! Nëse me ata që luftoi ishin qafira, atëherë pasuria e tyre lejohej, e nëse ishin besimtarë atëherë nuk i lejohej atij të cenonte jetën e tyre.

– U thashë: Tjetër gjë keni?

– Ai e fshiu veten nga të qenit prijësi i besimtarëve. Nëse nuk është prijësi i besimtarëve atëherë ai është prijësi i qafirave.

– U thashë: A keni të tjera veç këtyre?

– Thanë: Na mjaftojnë këto.

– U thashë: Nëse unë ju lexoj juve diçka nga Libri i qartë i Allahut dhe nga suneti i Profetit të Tij, atë çka ju nuk e mohoni, a do të ktheheni?

– Thanë: Po.

– U thashë: Për sa i përket fjalës tuaj: Vuri të gjykojnë njerëzit në fenë e Allahut. Atëherë po ju them se, Allahu ka thënë: “O ju që keni besuar mos e vrisni gjahun ndërkohë që jeni në ihram” deri sa thotë: “gjykojnë për të dy njerëz të drejtë mes jush”. Allahu thotë për gruan dhe burrin e saj: “Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një gjykatës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas”. Tani ju bëj thirrje në emër të Zotit: A gjykimi i njerëzve për të ruajtur gjakun dhe jetën e tyre dhe për të pajtuar mes tyre është më e drejtë apo gjykimi për një lepur, vlera e të cilit është çerek dërhemi apo ajo për çështjen e gruas? Duhet ta dini se nëse Allahu do të donte do të kishte dhënë gjykimin e Tij dhe nuk do t’ia kishte lënë këtë ta bënin njerëzit.

– Ata thanë: Po për Zotin! Ruajtja e gjakut dhe pajtimi mes njerëzve është më e drejtë.

– U thashë: A mbaruam me këtë?

– Thanë: Po për Zotin.

– U thashë: Ndërsa për sa i përket fjalës tuaj se, ai luftoi dhe nuk zuri robër dhe as mori plaçkë lufte, mund t’ju them se, kush prej jush do të donte të kapte rob nënën tuaj, Aishen?! Nëse do ta lejonit këtë, ashtu siç e lejoni për të tjerat, atëherë keni bërë kufër. Nëse pretendoni se ajo nuk është nëna e besimtarëve, përsëri keni bërë kufër dhe keni dalë nga Islami, sepse Allahu thotë: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre.” Kështu që ju jeni në mes dy lajthitjeve! Zgjidhni cilën të doni! A mbaruam punë edhe me këtë? – Ata filluan të shihnin njeri-tjetrin (me habi).

– Thanë: Po për Zotin.

– U thashë: Për sa i përket fjalës tuaj se ai e fshiu nga vetja titullin “prijësi i besimtarëve”, unë do t’ju sjell çka ju bind. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) i ftoi kurejshët në ditën e Hudejbijes që të shkruanin mes tyre një marrëveshje. Përfaqësues nga kujreshët ishte Suhejl ibn Amr.

– Profeti tha: shkruaj o Ali: Kjo është ajo që ka vendosur Muhamedi i Dërguari i Allahut…

– Suhejli tha: Pasha Allahun sikur të të njihnim ty se je i Dërguari i Allahut, nuk do të kishim penguar nga Qabja dhe as nuk do të kishim luftuar kundra teje. Shkruaj kjo është ajo që ka vendosur Muhamedi i biri i Abdullahit.

– Atëherë ai tha: “Pasha Allahun unë jam me të vërtetë i Dërguari i Allahut edhe nëse ju më përgënjeshtroni. Shkruaj o Ali: Muhamedi i biri Abdullahit.”

– Kështu pra i Dërguari i Allahut është më i mirë se Aliu dhe fakti që ai e fshihu emrin e tij, nuk e zhbëri atë nga të qenit Profet. A mbaruam edhe me këtë?

– Ata thanë: Po për Zotin.

Kështu që prej tyre u kthyen dymijë veta, ndërkohë mbetën edhe katër mijë të tjerë, që luftuan në humbje.
(El-musanef Abdurrezak nr. 18678, El-bejheki 8/179, El-Mustedrek 2/150…etj.)

Që debati i mësipërm të kuptohet më mirë, më duhet të shpjegoj pak kontekstin në të cilin ai ka ndodhur.

Pas vdekjes së kalifit të tretë, Uthmanit (radijallahu anhu), duke u vrarë padrejtësisht, në mes muslimanëve u krijua një trazirë dhe situata u pështjellua shumë. U krijua një fitne nga e cila vetëm dija dhe ndjekja e dijetarëve të sahabeve mund të të shpëtonte. Mes muslimanëve pati edhe beteja lufte, mes Aliut si kalif, që ishte i detyruar nga situata ta shtynte gjykimin e çështjes së Uthmanit dhe një pjese që kërkonin me ngulm të vendosej sa më parë drejtësia në vend për këtë vrasje. Lufta e Aliut, paqja e tij, përpjekja për qetësim të situatës dhe qëndrimet që ai mbajti, shkaktoi moskuptim dhe keqkuptim nga pjesa më e paditur dhe e zellshme fetare në mesin e ushtrisë së tij. Kështu që këta njerëz me gjykimin e tyre të ngushtë arritën deri atje sa e konsideruan Aliun dhe palën tjerët si qafira dhe vendosën t’i luftonin të gjithë. Pikërisht në një situatë të tillë, para se të ndodhte kjo përplasje, zhvillohet debati i Ibn Abasit me këta njerëz, që më pas u emërtuan hauarixh. Debat ky, që siç e patë, nxjerr lakuriq injorancën e tyre dhe kryeneçësinë e një pjese, për të pranuar të vërtetën dhe për të vazhduar në humbje. Kështu që historia përsëritet! Lum ai që mëson prej saj!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit