21.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Politeizmi dhe tolerance fetare – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Hoxhë. Dr. Justinian Topulli

Si monoteistë, ne e dimë mirë se kjo botë është krijuar për të qenë vend sprove për njeriun, i cili është lënë i lirë të zgjedhë mes së vërtetës dhe të pavërtetës, mes së drejtës dhe të gabuarës, mes virtytit dhe vesit, mes së mirës dhe të ligës. Po ashtu, e dimë se zemrat dhe udhëzimin e njerëzve e ka në dorë vetëm Krijuesi i tyre dhe se ne kemi obligimin vetëm t’iu përçojmë atyre mesazhin e së vërtetës së Tij, duke iu bërë të qartë të vërtetën nga e pavërteta, monoteizmin nga idhujtaria, moralen nga amoralja.

Është pjesë obliguese e besimit tonë që të mos heshtim dhe të kundërshtojmë idhujtarinë, të pavërtetën dhe amoralen, edhe nëse kjo nuk u pëlqen njerëzve. Por sigurisht, pas gjithë kësaj, ne nuk e kemi për detyrë dhe përgjegjësi t’i bëjmë njerëzit me pahir besimtarë, pasi gjithsecili është përgjegjës për veten e tij para Zotit. Detyra jonë në këtë jetë është të jemi misionarë të së vërtetës, të së drejtës, të së mirës dhe të moralshmes, pavarësisht kostos që duhet të përballojmë.

Ne, gjithashtu e dimë, se ky mision është misioni i të gjithë profetëve të Zotit dhe se të gjithë atyre iu është dashur të përballen me kundërshtimin e njerëzve, të cilët në thelb nuk refuzonin monoteizmin si besim të vërtetë, por i kundërviheshin përpjekjes së tij për të zhvlerësuar idhujtarinë e tyre, traditat dhe zakonet e trashëguara në këtë drejtim, të cilat prekeshin rëndë nga përpjekja e monoteizmit për t’i përjashtuar idhujt e tyre dhe gjithçka lidhej me to, nga afërsia me Zotin dhe të vërtetën. Ata refuzonin prishjen e ‘status quo-së’, përmbysjen e rendit të vlerave dhe përçarjen që krijohej në shoqëri nga predikimi i monoteizmit përjashtues. Ata refuzonin që të ishte besimi monoteist, ai që përcaktonte se çfarë është e vërtetë dhe e pavërtetë për shoqërinë njerëzore, çfarë është drejtësi dhe padrejtësi për njerëzit dhe cila duhet të jetë referenca unike e vlerave dhe virtyteve, në bazë të së cilës njerëzit duhet të ndërtojnë jetën e tyre.

Në antikitet, në botën e dikurshme politeiste, ku njerëzit besonin dhe adhuronin një mori pa fund zotash dhe perëndish apo hyjnish, çdokush ishte i lirë në idhujtarinë e tij, madje edhe një monoteist mund të besonte dhe adhuronte Krijuesin e vetëm që ai besonte, por pa u përballur dhe kundërshtuar besimet e tjera. Në fund të fundit, gjithsecili kishte besimin dhe fenë e tij dhe mund të adhuronte çfarë të donte dhe si të donte. Pjesë e kësaj tradite tolerante, ku në thelb askush nuk interesohej për të vërtetën finale dhe sublime, ishte edhe “shtëpia e të gjithë perëndive”, ose ndryshe ajo që njihej si panteon, ku gjendeshin të gjithë hyjnitë që adhuroheshin dhe besoheshin në popull.

Të krishterët e parë u persekutuan, duke u burgosur, vrarë dhe djegur të gjallë madje, nga romakët idhujtarë, jo sepse thjesht ata besonin dhe i faleshin një Zoti të vetëm, siç bënin në fakt edhe judenjtë, por se ata refuzonin të pranonin politeizmin dhe e kundërshtonin atë me këmbëngulje dhe në dallim me judenjtë, ata ishin misionarë të këtij besimi te mbarë njerëzit, duke shkaktuar kështu konvertime masive në mesin e popullsisë, e cila për rrjedhojë, braktiste idhujt dhe perënditë e vjetra që kishin trashëguar, dhe besonin një Zot të vetëm, duke refuzuar dhe zhvlerësuar këtë trashëgimi pagane dhe përmbysur rendin dhe ‘status quo-në’ e dikurshme.

Shumë ndoshta nuk e dinë, se përse mjaft prej statujave të gurta të trashëguara nga antikiteti greko-romak kanë të thyera kokat, apo të prishura fytyrat, ndërkohë, historia dëshmon se kjo qe vepër e të krishterëve të parë, të cilët nisur nga fakti se këto statuja ishin pjesë e simbolikës dhe kulturës së idhujtarisë dhe ndalimit që Zoti kishte shpallur në Torah (Teurat) për këtë gjë, i shtynte këta të krishterë në këtë akt kaq refuzues.

E njëjta gjë ndodhi edhe me muslimanët dhe të Dërguarin e Allahut. Kishte pasur edhe më parë monoteistë arabë (hanifë) që nuk adhuronin idhujt, por asnjë përballje dhe kundërshti nuk kishte ndodhur mes këtyre arabëve monoteistë dhe pjesës tjetër idhujtare, madje as me judenjtë monoteistë që jetonin mes tyre të patrazuar.

E pra, politeizmi sigurisht që është tolerant, dhe është tolerant me çdo gjë, është tolerant me çdolloj idhulli, hyji dhe perëndie, me të vërtetën dhe të pavërtetën, me virtytin dhe vesin, sepse në thelb, idhujtari nuk është i interesuar për të vërtetën universale, sublime dhe finale, as për shpëtimin e shpirtit në botën tjetër dhe as për llogarinë para Krijuesit, por i intereson vetëm mbarëvajtja e jetës së kësaj bote, të cilën e beson si të vetmen që ekziston dhe më të rëndësishmen, kështu që a ja vlen vallë të prishësh -sipas këtij besimi- rehatinë, rendin e vlerave shoqërore të trashëguara, për diçka që ata nuk besojnë se ekziston?!

Gjithsecili është i lirë ta jetojë jetën e tij si të dojë, pa e brejtur ndërgjegjja për vlera dhe virtyte transcendente! Dhe ku ka më mirë sesa të jetojmë të gjithë në paqe dhe tolerancë, larg “kultit” të së vërtetës sublime, zanafillore apo përfundimtare të kësaj bote!

Bota e sotme postmoderne është një pasqyrim i saktë i mendësisë së idhujtarisë së antikitetit, ndaj dhe ajo është tolerante me të gjithë, edhe me monoteistët, për aq kohë sa këta nuk përpiqen të përmbysin rendin aktual, duke i ofruar botës rendin dhe vlerat përfundimtare të besimit në një Zot, që nuk pranon kurrsesi politeizmin, idhujtarinë, të pavërtetën, amoralitetin, padrejtësinë, si dhe tekat epshore njerëzore, si vlera referenciale për shoqërinë dhe individin.

A ka monoteistë, që qoftë edhe ‘de fakto’, e kanë pranuar këtë ‘status quo’ në shoqëri, paçka se nëpër xhami mund të ligjërojnë për adhurimin e një Zoti? Sigurisht, dhe këta janë ashtu si hanifët e dikurshëm arabë, apo judenjtë, që shohin vetëm veten e tyre dhe nuk interesohen për vlerat dhe idhujt e pjesës tjetër të shoqërisë, pasi i japin përparësi rehatisë së kësaj bote, ose besojnë në mënyrë utopike se ‘urtë e butë’ e pa u ndjerë, si në asnjë rast profetik në histori, gjërat do të ndryshojnë vetë për mirë, pa bërë ndonjë betejë morale publike të dukshme!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit