22.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Të vyeshmit nuk i duhet shumë për të triumfuar

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Bota ka pasur gjithherë njerëz të mëdhenj. Ata kanë bartur epitete të ndryshme, si perandorë, mbretër apo sulltanë.

Por njerëzit më madhështorë ishin dhe do të jenë gjithmonë ata që kanë për qëllim t’u bëjnë dobi njerëzve. Ata që veten e vendosën në shërbim të plotë të qytetarit, të përkushtuar të ofrojnë paqe, rehati dhe lumturi sa të vazhdojë jeta e kësaj bote, e padyshim se ata do të gjejnë paqe edhe në botën e përtejme. Historia mbanë mend që në këtë botë ka pasur njerëzit më të mirë të cilët përhapin vlera mes njerëzve, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga të këqijat. Natyrisht secili brenda mundësive dhe kapaciteteve të veta, aq sa i dëgjon dhe i respekton masa.

Nuk ka dyshim se në krye të këtyre njerëzve gjithsesi ishin Pejgamberët e Zotit. Ata përgjatë gjithë veprimtarisë së tyre u thoshin popullit të vet:

“Unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm Atij i jam drejtuar!” (Hud, 88)

Ata nuk donin tjetër pos ta përmirësojnë gjendjen e zymtë që e krijonin njerëzit e ligë e keqdashës, ata donin ta largonin të keqen të cilën e kishin instaluar njerëzit që bollëkun e donin vetëm për vete e jo edhe për të tjerët. Ndaj Pejgamberët e Zotit, si përmirësues dhe reformatorë në shoqëri, nuk kërkonin shpërblim e as kompensim për veprimtarinë e tyre, ata e zhvillonin atë aktivitet vetëm për hir të Zotit, siç përshkroi Zoti fuqiplotë njërin prej tyre duke thënë:

“Unë prej jush nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim, shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve.” (Shuara, 109)

Mirëpo këta njerëz jo gjithherë u mirëpritën, jo gjithherë arritën të realizojnë synimin e tyre, sepse shpesh u penguan nga keqdashësit. Madje Pejgamberët jo rrallë herë edhe u persekutuan, u përndoqën madje disa prej tyre edhe u vranë. Çka do të thotë se rruga e ndryshimeve pozitive është më e rëndë sesa ajo e ndryshimeve negative, me fjalë tjera e keqja përhapet shpejt kurse e mira ngadalë, siç shprehet populli. Por kjo assesi nuk ka ndikuar që ata burra të mëdhenj të zmbrapsen nga misioni i tyre.

Burra të këtillë, edhe pse jo për nga grada, ka edhe në këtë zaman dhe do të ketë sa të jetë bota me njerëz. E ndër ata burra të mëdhenj të cilët tërë jetën e tyre ia kushtuan përmirësimit të gjendjes së shoqërisë në këtë zaman është edhe Recep Tayyip Erdogan, tashmë president i Republikës së Turqisë apo siç e quajnë ndryshe turqit Sulltani i shekullit XXI.

Person ky i cili ishte shkaktari kryesor, me ndihmën e Zotit, që Turqia të dalë nga një errësirë shekullore e shkeljeve të të drejtave të njeriut, vëllavrasjeve, abuzimit me pasurinë e shtetit e të shoqërisë, drejt një Turqie moderne mostër për së miri në shumë aspekte.

Ai nuk është Pejgamber, është njeri i thjeshtë, por i sinqertë, i drejtë dhe punëtor, modest e i thjeshtë, i afërm me të gjithë. Ai u mundua të jetë një lider shembull duke përfituar zemrat e njerëzve, duke u ofruar atyre çdo ndihmë të mundshme, duke ua plotësuar çdo kërkesë të mundshme. Ai arriti t’i përfitojë zemrat e miliona njerëzve jo vetëm në Turqi, por gjithandej nëpër botë, e ndër ta edhe të një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve.

Me punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm, ai arriti të jetë një ndër njerëzit më me ndikim në botë, mu ashtu siç ishin disa sulltanë në kohën e Perandorisë Osmane. Ai vërtet është një model i shkëlqyeshëm i një prijësi dhe lideri bashkëkohor, andaj nga zemra ia urojmë atij burri të madh atë post të madh, duke lutur Zotin e Plotfuqishëm që njerëz të këtillë të ketë më shumë gjithandej botës. Ashtu që dredhitë, dallaveret, mizoritë dhe maskarallëqet të jenë sa më pak apo të zhduken fare. Shumë shpresojmë se atij burri do ia sheh hairin mbar njerëzimi, e pse jo edhe ne.

Dashtë Zoti që edhe neve të na nderojë Zoti me njerëz të këtillë, Zoti i ruajttë dhe u ndihmoftë të gjithë atyre që punojnë dhe mundohen për të mirën e vendit dhe popullit, Amin! Deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit