8.2 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Dhuna në familje – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Ky fenomen nga shumica e popullsisë vazhdon të trajtohet si një problem privat dhe që i përket vetëm familjes dhe jo shoqërisë. Vështirësia e studimit të fenomenit rritet edhe me shumë po të kemi parasysh se fenomeni ndodh prapa dyerve të mbyllura, ndërsa si i tillë ai është i vështirë për t’u vëzhguar dhe studiuar nga afër.

Nga të dhënat e publikuara nga institucionet gjegjëse të hulumtimit të dhunës në familje del se vetëm rreth pesë përqind e grave

të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre(1), e kjo patjetër që është për t’u shqetësuar.

Edhe sot e kësaj dite në shoqërinë tonë i vetmi burim informacioni mbetet vetë viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ajo/ ai bën pjesë.

Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes, ndërsa, edhe si qenie të krijuara nga Zoti Fuqiplotë, ne obligohemi që fillimisht ta ruajmë veten dhe familjen.

Dhuna në familje më së shpeshti ndodh ndaj gjinisë femërore. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks dhe që përfshin më shumë sesa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas.

Dhuna në familje është një problem që prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë pa dallim race, etnie, niveli ekonomik, zone gjeografike, besimi fetar, moshë etj., prandaj një distancim dhe gjykim racional para çdo akti do të sillte një ulje të treguesit të numrit të rasteve të dhunës në familje.

Si argument i drejtësisë është se çdo individ duhet të gëzojë të drejtën themelore për të jetuar i/e lirë dhe i/e paprekur nga dhuna, thotë profesori Zejnullah Gruda në njërën nga veprat e tij për mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Dhuna familjare si problem social

Ndërsa, si argumente të cilësisë së jetës mund ta përmendim shembullin e grave që arrijnë t’i mbijetojnë dhunës së ushtruar nga bashkëshortët, e që në pjesën më të madhe të rasteve vuajnë nga problemet shëndetësore, psikologjike dhe fizike. Në këto kushte dhuna në familje nuk mund të injorohet si problem social, por edhe shëndetësor.

Argumenti i reagimit zinxhir janë efektet fizike dhe psikologjike të dhunës, e që përfshijnë çdo fushë të jetës. Ajo mund të çojë në izolim social, sjellje josociale, vështirësi ekonomike dhe transmetim të modelit të dhunshëm te fëmijët, e që sjell një fatkeqësi të madhe jo vetëm në jetën e një personi.

Dhuna ndaj gjinisë femërore dhe kultivimi i saj

Familja tradicionale zakonisht nga sociologët përkufizohet si një grup individësh të lidhur nga gjaku ose nëpërmjet martesës, që jetojnë bashkë, bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët.

Familja gjithashtu është një grupim privat individësh, marrëdhëniet dhe sjelljet e të cilëve janë të padukshme për të tjerët, dhe marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të një familje janë më intime, më emocionale dhe më të ndjeshme.(2)

Në kohën tonë familja e ka humbur qetësinë e cila e karakterizon atë. Ajo është e kërcënuar jo vetëm nga faktorë tradicionalë, si: vdekja, sëmundjet, katastrofat e ndryshme, varfëria etj., por edhe nga ata jotradicionalë, si: sjelljet devijante, konfliktet e llojllojshme, dhuna, alkoolizmi, përdorimi i drogës, braktisja, sëmundjet e trasmetueshme etj. Megjithatë, studimet e kryera tregojnë se dhuna në familje, sidomos ajo ndaj grave dhe vajzave, në shoqërinë tonë është rritur shumë gjatë periudhës së tranzicionit.

Ekzistojnë disa forma të dhunës, ndër të cilat më poshtë janë renditur ato më të përhapurat në vend, gjithmonë bazuar edhe në përvojën e qendrave të shërbimit në ndihmë të grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë.

Forma të dhunës fizike janë edhe përpjekjet për të kontrolluar e monitoruar lëvizjet e gruas, vajzës, përkatësisht femrës.

Gratë që dyshohet se nuk janë të rregullta dhe korrekte në marrëdhëniet bashkëshortore shpesh bëhen viktima të formave ekstreme të dhunës fizike.

Ato jo vetëm që rrihen, lidhen me litar, por ndodh të torturohen edhe në forma ekstreme: t’u shuhet cigare në trup, të tërhiqen zvarrë, t’u thyhen eshtrat ose të lihen tërë natën jashtë derës së shtëpisë, të vetme dhe të dhunuara.

Dhuna fizike në përgjithësi ushtrohet duke filluar nga format më të lehta, pastaj arrin deri tek ato më ekstremet. Ndërsa dhunuesit janë tepër testues dhe të kujdesshëm në rritjen e nivelit të dhunës.

Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i grave, viktima të dhunës në familje, e kanë përjetuar atë që në familjen e origjinës. Viktimat tregojnë se edhe nënat e tyre janë abuzuar njësoj nga bashkëshortët, dhe

kurrë nuk e kanë kundërshtuar atë. Çfarë është edhe më e dhimbshme, ndonëse këto nëna janë lutur për një jetë më të mirë të vajzave të tyre, prapëseprapë atyre ua kanë dhënë mesazhin se burrat duhet duruar.(3) Kjo sjellje fatkeqësisht edhe ka ndihmuar në kultivimin e dhunës në shoqërinë tonë.

Llojet e dhunës në familje

Si lloje të dhunës në familje konsiderohen: Abuzimi emocional – shkatërrimi i ndjenjës së vetëvlerësimit de/ose të vetëbesimit të një individi. Kjo mund të përfshijë kritikën e vazhdueshme, poshtërimin, përçmimin e aftësive të një personi, sharjet, degradimin dhe dëmtimin e marrëdhënieve të dikujt me fëmijët e tij ose të saj. Abuzimi psikologjik – përfshin shkaktimin e frikës nëpërmjet trembjes, kërcënimin për dëmtim fizik të vetes, partnerit, fëmijëve ose të familjes së partnerit apo të miqve, kërcënimin për braktisje, vrasje të kafshëve shtëpiake dhe shkatërrim të pronës, kërcënim për marrje të kujdestarisë së fëmijëve, izolim të dhunshëm nga familja, miqtë, shkolla ose puna, si dhe mohim të mundësisë për para ose mbështetje ekonomike.

Dhuna fizike – përfshin shtyrje, kapjen, asfiksimin, pickimin, shpimin, shkuljen e flokëve, përdredhjen e krahut, gjuajtjen, djegien, therjen, goditjet, gërvishtjet, mbylljen në shtëpi, goditje me objekte të forta, kërcënimin me thikë ose me armë, refuzimin për ta ndihmuar gruan kur është shtatzënë ose e sëmurë, tentativat për Vrasje deri në formën më të rëndë, si dhe vrasjen.

Dhuna seksuale – përfshin imponimin, detyrimin ose përpjekjen për të detyruar kontakt ose sjellje seksuale pa pëlqimin e personit. Abuzimi seksual kryhet nga partnerët, nga anëtarët e familjes, si dhe nga persona te panjohur.(4)

Abuzim fizik është përdorimi i forcës fizike kundër dikujt në një mënyrë që e lëndon ose e rrezikon atë person.(5)

Ndikimet e dhunës fizike në format e saj të ndryshme ndaj grave të dhunuara shpesh mund të jenë të rënda dhe që mund të çojnë në probleme afatshkurtra ose afatgjata të shëndetit fizik, paaftësi, madje dhe vdekje të shkaktuar nga vrasja ose Vetëvrasja. Lëndimet dhe shenjat e dhunës fizike janë të vër- teta te gratë e dhunuara, dhe ato shpesh përpiqen t’i mbulojnë dhe t’i fshehin lëndimet dhe shenjat, ngase u vjen turp dhe kanë siklet për shkak të stereotipave në shoqërinë tonë.

Alkooli dhe dhuna në familje

Ndalimi i konsumimit të alkoolit nga ana e Zotit Fuqiplotë ka shumë benifite për shoqërinë, e ndër të mirat është edhe zvogëlimi i rasteve të dhunës në familje. Një nga arsyet e dhunës në familje është që alkooli është një nga shkaktarët më madhorë të dhunës në familje. Pija bën që një bashkëshort -partner të humbasë kontrollin e tij. Mund të thuhet gjithashtu se konsumimi i alkoolit mund të ketë një ndikim në ashpërsinë e dhunës, por edhe në dëmtimet që kanë gratë e dhunuara dhe që vuajnë nga ato dëmtime të marra si rezultat i dhunës në familje.

Është fatkeqësi e madhe se shpeshherë dhuna në familje vjen pikërisht nga anëtarët e familjes. Dhuna në familje ndaj grave jo gjithmonë ndodh nga bashkëshortët aktualë, pra shpeshherë ndodh edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, si për shembull prindërit, vëllezërit, motrat, apo edhe të afërmit e tjerë. Çuditërisht, në shoqërinë tonë nuk mungojnë raste (madje janë të shpeshtë) kur një grua është e dhunuar fizikisht edhe nga vjehrra apo vjehrri.

Ndikimi i dhunës në familje te fëmijët

Fëmijët shpesh janë viktimat e harruara të dhunës në familje. sepse ata shpesh janë dëshmitarë të dhunës ose janë të vetëdijshëm kur ajo ndodh në shtëpi, si dhe ata i dëgjojnë britmat dhe debatet. I shohin dëmtimet si dhe e shohin dëmin ndaj pronës. Kjo për ta pa dyshim se është një dhunë psikologjike. Për më tepër, fëmijët që rriten në një mjedis ku prodhohet dhunë në familje, kanë më shumë gjasa që të për- jetojnë dhunë, apo edhe të bëhen shkaktarë të dhunës.

Edhe nëse fëmijët nuk janë viktimat e drejtpërdrejta të dhunës në familje, ata shpesh vuajnë të njëjtat probleme psikologjike dhe të mënyrës së sjelljes, ashtu si fëmijët që dhunohen fizikisht. Ndërsa, në kontekst të ruajtjes së familjes, edukimit të shëndoshë të fëmijëve në një familje të shëndoshë, dhuna është shkaktari numër një që shkatërron familjen dhe edukimin e fëmijëve.

Kërkimi i ndihmës nga gratë e dhunuara

Gratë e dhunuara shpeshherë hezitojnë të flasin për dhunën në familje. Në fakt pjesa më e madhe e grave të dhunuara nuk kërkojnë ndihmë për dhunën që ushtrohet në martesën ose lidhjen e tyre, por pranojnë të heshtin dhe ta shkatërrojnë jetën e tyre. Është e rëndësishme të kuptohet se kur gratë kërkojnë ndihmë për dhunën në familje, në martesën ose në lidhjen e tyre, pjesa më e madhe e grave për ndihmë i drejtohet familjes së tyre.

Ndërsa, si arsye të moskërkimit të ndihmës numërohen këto: nuk do të kishte asnjë përmirësim; nuk dinë se ku mund të kërkojnë ndihmë; i trembemi faktit se mund të njollosim emrin e familjes; kemi frikë se mund të dhunohemi edhe më shumë, mund të fajësohemi për vetëviktimizim, madje edhe nga familja e origjinës, kemi frikë nga divorci ose përfundimi i lidhjes, kemi frikë nga humbja e fëmijëve etj.(7)

_________________

(1) Marrë nga internet: www.stopvaw.org, 10.09.2015, ora:22:05.

(2) Po aty, 10.09.2015, ora: 23:18.

(3) Dr. Robin N. Haarr, Dhuna në familje në Shqipëri: Vrojtim kombëtar me bazë popullatën, INSTAT-it, nëntor 2013,. f. 34, 36, 37.

(4) Po aty, f. 37.

(5) Ismet Salihu, E drejta penale, pjesa e përgjithshme,Universiteti Prishtinës, Fakulteti Juridik, 2003.

(6) Dr. Robin N. Haarr, Dhuna në familje në Shqipëri: Vrojtim kombëtar me bazë popullatën, INSTAT-it, nëntor 2013, f. 55.

(7) Po aty.

Kushtrim Jaha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit