8.1 C
Pristina
Friday, December 6, 2024

Çfarë shpërblimesh dhe nderimesh i takojnë hafizit të Kuranit në këtë botë dhe në ahiret?

Më të lexuarat

Përgjigja: Memorizimi (hifzi i Kuranit) është një adhurim që synon vetëm kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin në ahiret. Pa këtë qëllim të pastër, nuk ka shpërblim, dhe madje njeriu mund të dënohet për devijimin e këtij adhurimi nga qëllimi i tij i duhur. Hafizi i Kuranit nuk duhet ta bëjë këtë për përfitime të kësaj bote, sepse Kurani nuk është mall për tregti, por një adhurim ndaj Zotit të gjithësisë.

Përparësitë e hafizit të Kuranit në këtë botë:

  • Përparësia si imam në namaz:
    Ebu Mesud el-Ensarij (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Imami i njerëzve duhet të jetë ai që është më i miri në leximin e Librit të Allahut. Nëse janë të njëjtë në lexim, atëherë ai që është më i ditur për sunetin. Nëse janë të barabartë në sunet, atëherë ai që ka bërë hixhretin më herët. Nëse janë të barabartë në hixhret, atëherë ai që është më i vjetër në Islam”. (Muslimi).
  • Përparësia në udhëheqjen e muhaxhirëve:
    Abdullah bin Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ka treguar se kur muhaxhirët e parë arritën në Kuba para se të vinte Profeti ﷺ, Salimi, skllavi i Ebu Hudheifes, që ishte më i miri ndër ta në Kur’an, i drejtonte në namaz. (Buhariu).
  • Përparësia në varrim në drejtim të kiblës:
    Kur është e nevojshme të varroset në varr masovik me të tjerë, hafizi i Kuranit ka përparësi të vendoset i pari në drejtim të kibles.

Në lidhje me këtë transmetohet nga Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) thuhet se Profeti ﷺ, kur grumbullonte dy prej të rënëve shehid në betejën e Uhudit në një varr të përbashkët, pyeste: “Cili prej tyre ka më shumë Kuran të mësuar?” Kur i tregohej për njërin prej tyre, ai e vendoste të parin në varr më afër kibles dhe thoshte: “Unë do të dëshmoj për këta në Ditën e Gjykimit.” Ai urdhëroi që të varroseshin me rrobat e tyre të luftës, pa i larë dhe pa falur namaz për ta. (Buhariu).

Përparësia e hafizit të Kuranit në udhëheqje:
Nga Amer bin Vathila, tregohet se Nafi bin el-Harith takoi Umerin (Allahu qoftë i kënaqur me të) në Asfan. Umeri e kishte caktuar atë si përgjegjës për Meken dhe e pyeti: “Kë ke caktuar për banorët e luginës?” Ai u përgjigj: “Ibn Abza!” Umeri pyeti: “Kush është Ibn Abza?” Nafi tha: “Një skllav nga skllevërit tanë!” Umeri i tha: “Ke caktuar një skllav si përgjegjës?” Nafi u përgjigj: “Ai është lexues i Librit të Allahut dhe i ditur në ligjet e trashëgimisë.” Umeri tha: “Vërtet, Pejgamberi juaj ﷺ ka thënë: ‘Me këtë libër Allahu ngrit disa njerëz dhe i ul të tjerë.’” (Muslimi).

Përparësitë e hafizit të Kuranit në ahiret:

  • Pozita në bazë të ajetit të fundit të memorizuar:
    Nga Abdullah bin Amr (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do t’i thuhet hafizit të Kuranit: Lexo dhe ngritu, dhe recito siç recitoje në dunja, sepse pozita jote është te ajeti i fundit që lexon.” (Tirmidhiu)1 
  • Shoqëria me engjëjt:
    Ai që është hafiz i Kuranit do të jetë shoqërues i engjëjve në vendbanimet e tyre të nderuara.

Nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Shembulli i atij që lexon Kuranin dhe e ka të mësuar përmendësh është si ai që është me engjëjt e nderuar dhe të devotshëm. Ndërsa ai që lexon Kuranin dhe vazhdimisht e përsërit, por i vështirësohet mbajtja përmendësh, ka dy shpërblime.” (Buhariu dhe Muslimi).

Shpërblimet e hafizit të Kuranit në Ditën e Gjykimit:

  • Të veshur me kurorën dhe rrobën e nderit:
    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Kur të vijë Kurani në Ditën e Gjykimit, do të thotë: ‘O Zot, stolise atë me rrobën e nderit.’ Atëherë do t’i vendoset kurora e nderit. Pastaj do të thotë: ‘O Zot, shtoja nderin!’ Atëherë do t’i vendoset rroba e nderit. Pastaj thotë: ‘O Zot bëhu i kënaqur me të’ Dhe Allahu bëhet i kënaqur me të, dhe do t’i thuhet: ‘Lexo dhe ngjitu. Për çdo ajet që lexon, të shtohet një mirësi.’” ( Tirmidhiu)2 
  • Ndërmjetësimi i Kuranit për të zotin e tij:
    Ebu Umame el-Bahilij, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: ‘Lexoni Kuranin, sepse ai do të vijë në Ditën e Gjykimit si ndërmjetësues për mbajtësit e tij. Lexoni dy suret ndriçuese, suren el-Bekare dhe suren Ali Imran, sepse ato do të vijnë në Ditën e Gjykimit si dy re ose si dy hije, ose si dy grupe zogjsh që fluturojnë në rend të drejtë duke ndërmjetësuar për mbajtësit e tyre. Lexoni suren el-Bekare, sepse marrja e saj është bekim, lënia e saj është humbje, dhe magjistarët nuk mund ta përballojnë atë.’” (Muslimi)

Pozita dhe ndërmjetësimi i hafizit të Kuranit për familjen dhe të afërmit e tij:

  • Shpërblimi për prindërit e tij në ahiret:

Sa i përket të afërmve dhe pasardhësve të ruajtësit të Kuranit, ka dëshmi se prindërit e tij do të vishen me dy rroba që vlera e tyre nuk mund të matet me asgjë të kësaj bote. Kjo ndodh për shkak të kujdesit dhe mësimit që ata i kanë dhënë fëmijës së tyre për Kuranin. Edhe nëse ata vetë ishin injorantë në këtë çështje, Allahu i nderon për shkak të fëmijës së tyre. Ndërsa ata që pengojnë fëmijët e tyre nga mësimi i Kuranit dhe i ndalojnë prej tij, ata janë të privuar nga ky nder.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të vijë Kurani në Ditën e Gjykimit, ai do të vijë si një njeri i zbehtë dhe do t’i thotë shokut të tij: ‘A më njeh? Unë isha ai që të mbaja zgjuar natën dhe të lija të etur gjatë ditës. Sot unë jam pas përfitimit tënd, pas çdo tregtari që ka përfituar nga tregtia e tij.’ Më pas do t’i jepet mbretëria në dorën e djathtë dhe përjetësia në të majtën, dhe mbi kokën e tij do të vendoset kurora e nderit. Prindërit e tij do të vishen me dy rroba që nuk mund t’i përballojë vlera e kësaj bote, dhe ata do të pyesin: ‘O Zot, nga na erdhi kjo?’ Do t’u thuhet: ‘Kjo është ngaqë fëmija juaj mësoi Kuranin.’” (Transmeton Taberani)

  • Drita e Kur’anit për prindërit:
    Nga Burejde, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush lexon Kuranin, e mëson dhe vepron sipas tij, prindërit e tij do të vishen në Ditën e Gjykimit me një kurorë prej drite, shkëlqimi i së cilës do të jetë si ai i Diellit. Ata do të vishen me dy rroba që nuk mund të vlerësohen nga kjo botë dhe do të pyesin: ‘Si u veshëm me këto rroba?’ Do t’u thuhet: ‘Ngaqë fëmija juaj mësoi Kuranin.’” (Transmeton Hakimi).

Përktheu: Sejfullah Sejfuli – rizgjimi.com

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit