10.8 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Dashuria e Zotit për njeriun

Më të lexuarat

Nga: Amr Halid

Dashuria e Zotit për njeriun

Në shumë libra dhe predikime fetare, flitet për dashurinë që njeriu duhet të ndjejë karshi Zotit, për sakrificat e shumë njerëzve të mirë, zemrat e të cilëve gëlonin nga dashuria për Zotin. Gjithashtu, në Kuran gjejmë shumë pasazhe që flasin për dashurinë e njeriut karshi Zotit dhe Krijuesit të tij. 
Por, në këtë temë, ne do të flasim për të kundërtën, për dashurinë e Zotit për njeriun dhe krijesën e Tij.
Si? Zoti na do neve? – mund të pyesë dikush. Shumë të tjerë mund të habiten me këtë temë, pasi marrëdhëniet me Zotin, i kanë konceptuar të tilla, që vetëm ne duhet ta duam, se Zoti është aq madhështor saqë nuk i kushton vëmendje kësaj krijese të dobët  e cila mban emrin njeri.
Në rreshtat më poshtë, ne do ta shohim se kjo nuk është e vërtetë, se Zoti e do shumë njeriun, gjë për të cilën flasin shumë ajete Kurani dhe shumë hadithe të transmetuara nga profeti Muhamed a.s.
Kjo temë është shpirtërore, pasi kur e ndjen që Zoti të do, zemra të qetësohet dhe shpirti të lehtësohet. Profeti Muhamed a.s na sjell një hadith shumë të bukur, i cili na e bën më të prekshme temën për të cilën po flas dhe flet për atë që ndodh kur Zoti e do robin e Tij.
Thotë profeti Muhamed a.s:”Kur Zoti e do një njeri, thërret Xhibrilin dhe i thotë:”O Xhibril, unë e dua filanin, prandaj duaje dhe ti!” dhe e do edhe Xhibrili, i cili nga ana e tij, thërret:”O banorë të qiellit! Zoti e do filanin, prandaj duajeni dhe ju!” dhe e duan edhe banorët e qiellit. Mandej, dashuria për këtë njeri, instalohet dhe tek zemrat e banorëve të tokës.”
A e shihni sa konkrete është dashuria e Zotit për njeriun? A e shihni se Zoti e deklaron këtë dashuri para krijesave më të fisme? Sigurisht që do të ishte e mjaftueshme që Zoti ta donte njeriun, por jo, Ai nuk mjaftohet me kaq, Ai ia deklaron këtë fakt Xhibrilit a.s dhe melekëve të tjerë. Ngaqë Zoti e do, tashmë e do dhe Xhibrili a.s bashkë me melekët e tjerë, e për rrjedhojë, fillojnë dhe e duan dhe banorët e tokës.
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith kudsij, se Zoti i lartësuar thotë:”Kush armiqësohet me një evlija (njeri që e dua) i kam shpallur luftë”. Të jesh evlija i Zotit, nuk do të thotë të jesh nga ata njerëz që u ndërtohen tyrbe, por të jesh evlija dhe njeri i dashur nga Zoti, do të thotë:” Pa dyshim, miqtë e Allahut (evlijatë) nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.  (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” (Junus, 62-63)
Këta janë evlijatë e vërtetë të Zotit. Kushdo që lëndon një besimtar dhe evlija të Zotit, i është shpallur luftë direkt nga ana e Zotit. Në një hadith tjetër, Zoti thotë:”Robi Im nuk afrohet tek unë me ndonjë vepër më të dashur sesa obligimet (farzet) me të cilat e kam ngarkuar. Robi im do të vazhdojë të afrohet me mua, derisa ta dua, e nëse e dua, do të jem syri me të cilin shikon, veshi me të cilin dëgjon, dora e tij me të cilën prek, këmba me të cilën ec. Nëse do të më kërkojë diçka, do ia jap dhe nëse do të kërkojë mbrojtjen Time, do  ta ketë.”
Kaq shumë e dashke njeriun e mirë o Zot? Gjithë këto privilegje rrjedhin nga dashuria që ke për njeriun?
Jam i bindur se kushdo që i lexon këto fjalë, do të donte të radhitej tek evliatë dhe njerëzit e dashur të Zotit, për të qenë pjesë e këtyre privilegjeve hyjnore. Dijetarët thonë:”Nuk është e çuditshme që robi të kërkojë të miqësohet me padronin, por është e çuditshme kur Padroni kërkon të miqësohet me robin e Tij.”
Nuk është e çuditshme që punëtori të kërkojë simpatinë e shefit të tij, por është e habitshme kur shefi i ofron vartësit miqësinë, faljen dhe dashurinë.
Ky është një koncept shumë interesant dhe i mrekullueshëm, tek i cili rrallë herë ndalemi dhe meditojmë rreth tij. Shpesh herë habitemi kur dëgjojmë dhe lexojmë hadithe profetike si:
“Zoti i lartësuar zbret në qiellin e tokës çdo natë, në 1/3 e fundit të natës dhe thotë:”Kush më lutet që ti përgjigjem, kush më kërkon ti jap dhe kush kërkon falje që ta fal?”
Ai ofron rahmetin, faljen dhe dashurinë e Tij për njerëzit çdo natë, në pjesën e fundit të natës. Por çfarë do të thotë kjo dhe çfarë vlere përcjell? Kjo do të thotë që sado që njerëzit janë të zhytur në gjumin e tyre, Zoti i lartësuar vazhdon të ofrojë mundësinë e pendimit, faljes dhe rahmetit të Tij.
Hadithet që flasin për dashurinë e Zotit për njeriun janë të shumta. Shumë mirë, Zoti mund të na kërkonte ta duam dhe të mos fliste fare për dashurinë e Tij për ne. E çfarë dobie kemi që ta dimë se Zoti na do? Përse gjithë këto hadithe të shumta që flasin për këtë?
Kjo, sepse duke e ditur sa shumë na do, ne përjetojmë të njëjtën ndjesi dashuria karshi Zotit, i cili na do fort. Kjo sasi e madhe ajetesh dhe hadithesh për dashurinë e Zotit për njeriun, është për të na treguar sa shumë na do, prandaj dhe ti o njeri duhet ta duash dhe dashurinë t’ia kthesh me adhurim, bindje dhe përulje.
Shumë të rinj mendojnë se duhet ti binden Zotit dhe ta adhurojnë atë, nga frika prej Tij, nga frika e vdekjes, frika e dënimit të varrit, frika e zjarrit etj… duke harruar se veprat e mira dhe adhurimi bëhen me qëllim që të fitojmë kënaqësinë dhe dashurinë e Zotit, se marrëdhëniet me Zotin nuk janë të ngritura mbi frikën prej Tij, por dashurinë.
Në Kuran, sa herë që Zoti flet për dashurinë e Tij për ne dhe dashurinë tonë për Zotin, e përfundon me fjalët:” se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan.” (Maide, 54)
Shohim që Zoti përmend dashurinë që Ai ka për njerëzit, pastaj përmend dashurinë e njerëzve për të. Raportet tona me Zotin nuk ka përse të jenë të bazuara në frikën prej Tij, apo se jemi të detyruar ta adhurojmë. Në fakt, raportet tona me Zotin duhet të jenë raporte dashurie, ne e duam Zotin prandaj dhe e shijojmë adhurimin, ne e duam sepse Ai na do. Veç kësaj, ndjesia jonë për prezencën e Zotit dhe dashuria e Tij për ne, na i lehtëson shumë vështirësi dhe vuajtje të kësaj bote, ajo na e largon frikën mbi atë që na fsheh e ardhmja. Të na dojë Zoti, do të thotë të na i falë gjynahet dhe të metat. Ai që e do dikë, tregohet tolerant dhe zemërgjerë me atë që do, gjë e cila përmendet në shumë ajete dhe hadithe. “Zoti ia ka bërë obligim vetes mëshirën.” (En’am, 54)
Kush e do një tjetër, uron që ta shohë sa më shpesh. Sakaq, një nga dëshirat tona më të mëdha në xhenet, do të jetë pikërisht shikimi i Zotit tonë. Thotë Profeti a.s:”Robit nuk do i jepet kënaqësi më e madhe në xhenet, sesa shikimi i Zotit.” Gjatë jetës, ne shohim shumë pamje të bukura, të cilat na lënë pa fjalë. Nëse bukuritë e kësaj jete qenkan kaq joshëse dhe të bukura, ç’mund të themi për bukurinë dhe hijeshinë e Krijuesit e gjithçkaje të bukur dhe të hijshme? Dashuria e Zotit për ne na shtyn që ti përmbahemi porosive të Tij me dëshirë si dhe të distancohemi nga ndalesat. Në fund të fundit, këto ndalesa dhe urdhra janë për interesin tonë në këtë botë dhe në tjetrën.
 
Ne duam që marrëdhëniet tona me Zotin të mos jenë marrëdhënie rutinë. Sot, shumë të rinj që i binden Zotit dhe janë të përkushtuar në fe, i kryejnë ritualet e përditshme në mënyrë rutinë. Ne nuk duam që lidhjet tona me Zotin të jenë të ftohta. Zoti dëshiron që raportet tona me të të jenë raporte ku gëlon dashuria, përhumbja, emocioni i bukur dhe ndjesia se Ai është pranë nesh gjithmonë.
Por, një pyetje me vend shtrohet me këtë rast:”Si është e mundur që Zoti na do, e nga ana tjetër, na sprovon me vështirësi dhe probleme në jetë?”
Thotë profeti Muhamed a.s:”Njerëzit që sprovohen më rëndë, janë profetët, pastaj nga më të mirët e poshtë.” Por si ta interpretojmë faktin që na bien fatkeqësi, edhe pse na do Zoti dhe e duam Atë?
Në fakt, sprovat që Zoti ua dërgon robërve të Tij, janë tregues i dashurisë që ka për ta. Nëpërmjet këtyre sprovave, Zoti dëshiron të na pastrojë që në këtë botë nga gjynahet dhe të na mbajë larg zjarrit dhe dënimit të ahiretit. Njeriu mund të jetë i ngarkuar me gjynahe dhe Zoti e sprovon që t’ia lehtësojë barrën, që ta udhëzojë në rrugën e drejtë pasi të reflektojë. Njeriu mund të jetë edhe besimtar dhe i bindur ndaj Zotit, por jo në sasinë e duhur. Kështu, nëpërmjet sprovave Zoti dëshiron që ti japë gradë më të mëdha në këtë botë dhe në tjetrën. Thotë profeti Muhamed a.s:”Çfarëdo që e godet myslimanin, një mërzi, shqetësim, lodhje, proekuptim, edhe gjembi kur i ngulet, të gjitha shërbejnë për fshirjen e gjynaheve të tij.”
A e shihni se jo çdo fatkeqësi interpretohet si dënim nga ana e Zotit?
Një nga artistet e skenës në Egjipt, e cila më pas hoqi dorë nga aktrimi dhe iu përkushtua Zotit, tregon:”E ndjeja se Zoti më sheh në çdo gjë që bëj dhe them, Ai më sheh kur vishem, me çfarë ushqehem, si fle, marrëdhëniet e mia me fëmijët dhe me mikeshat etj… Kjo më falte një ndjenjë qetësie dhe lumturie. Shpesh herë e lusja dhe i përgjërohesha, e falëlnderoja për të mirat që më kishte dhënë, për faktin që më largoi nga shumë gjëra. Jeta ime ndryshoi për më mirë falë mirësisë së Zotit, ku më e thjeshta, është se më parë përjetoja stres dhe lodhje mendore të madhe për gjëra të shumta nga kjo jeta. Stresohesha nëse do të kishte sukses interpretimi im në skenë, stresohesha për suksesin që shihja tek të tjerët, apo se dikush tjetër kishte rrogë dhe të ardhura më shumë se unë. Edhe tani kam lodhjet dhe streset e jetës së përditshme, por tani përjetoj momente qetësie shpirtërore falë lidhjeve me Zotin, të cilat nuk i kam përjetuar kurrë më parë. Çdo burrë apo grua myslimane, i përjeton këto momente ku besimi i tij/saj përjeton një ngritje. Sa herë që bëjmë ndonjë gabim, ne i kthehemi Zotit me pendim, pasi e dimë se Ai na do, e dimë se Ai është Krijuesi ynë dhe nuk do na braktisë. E si të mos e duam ndërkohë që Ai, falë mëshirës së Tij na dhuron xhenetin e amshuar? Madje, ai na nxit për të kërkuar xhenetin më të lartë, atë Firdeus. Po, unë e uroj dhe e dëshiroj Firdeusin. Kur isha në skenë, kisha shumë ambicie, ndërkohë që tani ato kanë ndryshuar shumë, nuk kufizohen vetëm në këtë botë, por kapërcejnë edhe në botën tjetër. Ato nuk më shqiten për asnjë moment nga mendja, teksa ec, ushqehem, flas me fëmijët dhe me njerëzit e tjerë. Marrëdhëniet e mia me Zotin kanë ndryshuar shumë, e ndjej se ai më sheh dhe më ndjek kudo, ndonjëherë më vjen zor prej Tij. Më parë, kur isha në skenë dhe bëja jetën time, kisha frikë nga gjithçka dhe nuk dija çfarë duhet të bëj që të më largohej kjo frikë dhe ky ankth, nga do të më vinte suksesi. Më vonë, e kuptova çfarë duhet të bëj, kështu fillova ti përgjërohem Zotit, të lutem dhe të falem me përgjërim, gjë e cila më bëri të ndjej ndryshimin dhe të përjetoj qetësi dhe kënaqësi të paprovuar më parë. Më parë kisha probleme me gjumin, ndërkohë që tani fle e qetë dhe ngopem me gjumë. Jam shumë e lumtur me besimin dhe fenë time, jam e lumtur me fëmijët që e mbushin shtëpinë me gëzim dhe hare, fëmijë të cilët që tani e njohin Zotin dhe besojnë se Ai i do, gjë e cila i ndihmon të ndjekin rrugën e Tij.
Gjithmonë, kur lutem them:”O Zot më shpëto, mi mbulo të metat sa të jem mbi tokë dhe kur të varrosem nën të, si dhe Ditën kur të dal para Teje. Këtë lutje e bëj jo vetëm për veten, por edhe për fëmijët, vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe myslimanët në përgjithësi.
Shpesh herë shejtani gjen vrima dhe depërton brenda meje, duke u orvatur të mbjellë dyshime. Ai më thotë që ti kthehem sërish jetës së skenës, pa e hequr shaminë, aq më tepër tani që kursimet që kishim vënë mënjanë na kanë mbaruar. Jeta jonë sot është materializuar në gjithçka. Vlera jote si njeri varet nga sa para ke në bankë, sado intelektual dhe i kulturuar të jesh, sado besim të fortë tek Zoti të kesh. Sa herë që përballem me ndonjë vendim të vështirë në jetë, menjëherë marr abdes dhe fal dy rekate istihare, ku i kërkoj Zotit të më udhëzojë drejt vendimit më të drejtë. Sa herë që fal namazin e sabahut, apo namaz nate, lutem që dita e re të jetë ditë përkushtimi ndaj Zotit, të jetë ditë e mbushur me vepra të mira dhe kontribut pozitiv. Për çudi, çdo ditë që lutem kështu, realisht që nuk kalon pa ndonjë vepër të mirë.”
 
Perktheu: Elmaz Fida
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit