4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Çlirimi nga e zakonshmja – Dr. Selman Aude

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Çlirimi nga e zakonshmja / Selman Aude

Guri, nuk e mëson dot ngjitjen, edhe sikur ta hedhësh sipër një mijë herë, ashtu siç flakët e zjarri nuk e mëson dot zbritjen, sado të orvatesh ta kthesh poshtë.

Prandaj dhe Aristoteli, e sheh zakonin si një natyrë të dytë, e cila është e fituar.
Zakoni ta lehtëson të bësh punë të ndryshme, madje dhe në mënyrë perfekte. Ai që shkruan mbi tastierën e kompjuterin, edhe flet, edhe mendon, qesh, pi etj… sepse veprimi i shkrimit nuk kërkon vëmendje.
Një i ri mund të jetë duke ndjekur televizorin, ndërkohë që poston diçka në tuitter dhe flet me një mik.

Guxo të familjarizohesh me qëndrimet e reja dhe fitimin e zakoneve të tanishme krahas atyre të shkuara. Basketbollisti mund të mësojë të luajë edhe volejboll, gjë e cila do i falë më shumë shkathtësi fizike.

Metodologjia që ndjekin studiuesit, u kursen shumë mund dhe kohë në zhvillimin e aftësive dhe progresin në kërkimet e tyre shkencore, e për rrjedhojë dhe në rezultatet e tyre.

Njeriu, në sferën psikologjike dhe sociale, mund të mësohet të ushtrojë sjellje pozitive, si vetëpërmbajtja, frenimi i inatit, solidariteti, dëshira për të bërë mirë dhe bujaria.

Disa mendojnë se të gjitha vlerat, janë zakone morale. Prandaj dhe në një hadith profetik thuhet se:”E mira është zakon, ndërkohë që e keqja është çështje inati.” (Ibnu Maxhe)

Zakoni është një mekanizëm për ruajtjen e trashëgimisë dhe vlerave sociale, ai ruan të shkuarën dhe përgatit kushtet për të ardhmen, mbron njerëzit nga ndryshimet surprizuese, i garanton njeriut aftësinë për të mësuar shpejt dhe për tu mësuar me kontrollin e ideve dhe ndjekjen e ritmit të zhvillimeve.

Kështu, veprat e mëparshme bëhen në mënyrë automatike dhe spontane, pa pasur nevojë për mund dhe vëmendje, ndërkohë që arsyeja çlirohet për t’i kushtuar vëmendje diçkaje më të madhe.

Zakoni të pajis me saktësi, t’i shton arritjet, të jep shpejtësi, forcon reflekset e vozitjes së makinës, biçikletës, notit, shkrimit, të folurit, proceseve mendore etj…

Por, nga ana tjetër zakoni e mbyt kreativitetin dhe stimulon rutinën në nivel mendor dhe atë të sjelljes.

Natyra njerëzore anon nga gjithçka që bëhet kollaj, duke iu shmangur vështirësive dhe pengesave, pasi nuk e pëlqen lodhjen, rrezikun dhe mundin.

Diçka e tillë bëhet pengesë në rrugën e kreativitetit, progresit dhe trajtimit të ideve të reja. Prandaj dhe dikush pati thënë:”Prej dijes së ulemave ka dobi në gjysmën e parë të jetës së tyre, sakaq në gjysmën e dytë, e dëmtojnë dijen.”

Ndoshta, ai ka pasur për qëllim faktin se zakoni e mbyt shpirtin kritik, bëhet pengesë para informacionit të ri dhe e bën dijetarin rob të rezultateve për të  cilat është lodhur. Ai nuk shfaq asnjë dëshirë për të përftuar më shumë, apo për të hequr dorë nga ato rezultate për të cilët kushedi sa net pa gjumë ka kaluar.

Koperniku u dogj sepse solli një ide që binte ndesh me zakonin që toka është qendra e universit. Galileo u dënua dhe u kërcënua me vdekje, nëse nuk heq dorë nga ideja e rrotullimit të tokës.

Të vërtetën që deklaroi doktori Hanry, mbi qarkullimin e gjakut të njeriut, mjekët e kanë refuzuar dhe kundërshtuar ashpër për dyzet vite, jo për gjë tjetër, por thjesht për faktin se ishin mësuar me një zakon tjetër. Sigurisht që zbulimet dhe shpikjet e këtyre që lartpërmendëm, erdhën si rezultat i heqjes dorë nga rruga e zakonshme dhe tradicionale në të menduar.

Kurrë Ajnshtajni nuk do e kishte zbuluar teorinë e relativitetit, as Kolombi Amerikën, as Vasko De Gama nuk do e kishte zbuluar Kepin e Shpresës së Mirë… nëse do të kishin menduar vetëm në kufijtë e të  zakonshmes dhe tradicionales.

Zakonet e lashta dhe idetë e vjetra qëndrojnë kundër çdo progresi social dhe konflikti mes brezave, nuk është veçse një manifestim i ndikimit të zakonit.

Zakoni i vret dhe eliminon disa tipare njerëzore si dhembshuria dhe mëshira, gjë të cilën e shohim të shpalosur qartë tek kriminelët profesionistë, të cilët vrasin me gjakftohtësi. Këtë e shohim edhe tek mjekët që merren me autopsinë e kufomave dhe shikimin i gjakut dhe dhimbjeve të pacientit, pa u shkaktuar kjo asnjë emocion. Këtë e shohim edhe tek xhelati, i cili shfaqet si njeri i pashpirt dhe pa ndjenja teksa dëgjon rënkimet dhe vuajtjet e të burgosurve.

Vëzhgimi i herë pas hershëm i dhimbjeve, e ngurtëson zemrën. Familjarizimi me skenat e vrasjeve dhe shkatërrimit në emisionet e lajmeve, e redukton nivelin e reagimit të teleshikuesit. Është pikërisht kjo ajo që vëmë re në aktet e rrezikshme të dhunës në Irak, Siri, Egjipt, Burma dhe shumë vende të tjera.

Familjarizimi ua humbet bukurinë dhe vlerën gjërave në jetë. Kur ti familjarizohesh me gjërat që të rrethojnë, nuk e vë re bukurinë e tyre. Sa aroma, pamje dhe zëra të bukur, nuk i shijojmë si më parë, për shkak se jemi familjarizuar me to?

Familjarizimi e redukton dhimbjen që shkakton vartësia, duke e shndërruar atë në një zakon dhe ves normal.

Prandaj dhe thuhet se: I keqi nuk është i tillë për shkak të fuqisë së pamposhtur të së keqes, por për faktin se është familjarizuar me të keqen.

Thuhet se kush rinohet me diçka, thinjet bashkë me të. Zakoni e vret zemrën.

Njeriu lidhet me mekanizma dinamikë dhe psikologjikë, të cilat e bëjnë të paaftë ta çlirojë veten dhe dhuntitë e tij. Prandaj dhe sociologët e theksojnë këtë aspekt negativ të zakonit, ku Rusoi thotë:”Zakoni më i mirë, është që të mos kesh asnjë zakon.” Kanti thoshte:”Sa më shumë të shtohen zakonet dhe veset e njeriut, aq më shumë i reduktohet liria dhe pavarësia.” Kurse Orgest thoshte:”Zakoni është ngurtësi.”

Një tjetër thoshte:”Ata që dominohen nga zakonet dhe veset, janë vegla me fytyra njerëzish.”

Zakoni duket si një enë e cila ruan si gjërat e mira ashtu dhe ato të prishurat. Prandaj dhe mbetet e vështirë ndryshimi i zakonit të vjetër, edhe pse është vërtetuar me fakte se është i dëmshëm.

Megjithatë, zakoni mbetet një domosdoshmëri e jetës. Sikur të mos ishte zakoni, nervat e njeriut do të ishin të tendosura gjatë gjithë kohës dhe jeta e tij do të shndërrohej në një zinxhir krizash të vogla dhe të pandërprera.

Zakoni dhe vesi mund të shndërrohen në një çark, nga i cili njeriu nuk di si të dalë, si në rastin e vartësisë nga duhani, droga, shikimi i materialeve pornografike, konsumi i alkoolit etj… Ashtu siç mund të shndërrohet në një shkallë që të ngre gjithmonë lart, siç është leximi, dialogu, ndërtimi i marrëdhënieve, kryerja e ritualeve fetare, buzëqeshja, vetëkontrolli etj… Vetë ndryshimi i zakonit mund të shndërrohet në një zakon dhe ves.

Njeriu ka aftësi për të nxënë si vogël apo i rritur qoftë. Edhe kur plaket dhe thinjet, ai mbetet i aftë për ti shmangur disa nga pasojat negative të pleqërisë, si refuzimi i çdo gjëje të re kur nuk e ka ushtruar dhe nuk është familjarizuar me të.

Zakoni, ashtu siç është mjete jetese, është edhe mjet vdekjeje, gjithmonë në bazë të përdorimit, ndërgjegjësimit dhe aftësisë tonë për tu familjarizuar.

Zakonet pozitive janë të shumta, por zakonet negative janë më të shumta. Kjo, sepse fitimi i një zakoni dhe vesi pozitiv, kërkon më shumë vëmendje dhe mund, ndërkohë që përftimi i një zakoni negativ ndodh në mënyrë spontane dhe krejt kollaj.

Rreziku i madh qëndron tek despotizmi i zakonit, gjë të cilën Ibnul Kajim e ka emërtuar si “Tagut-djall”.

Në fakt, kur një zakon ulet këmbëkryq në mënyrë despotike, ai shkakton vakje, i shuan të gjitha iniciativat individuale, njeriu shndërrohet në skllav të tij, e lë pas dore arsyen dhe interesin. Nga ana tjetër, kamxhiku i politikës totalitare ka krijuar në shoqëritë arabe zakone të cilat e detyrojnë qytetarin të mendojë vetëm brenda kuadrit të programuar nga qeveritë, saqë kultura dhe feja janë vënë në funksion të interesave të saj.

Edhe vetë të kuptuarit dhe perceptimi i teksteve fetare, ndikohet nga zakonet dhe traditat. Prandaj, herët thuhej:”Zakoni e thyen ritualin.”

Është shumë e lehtë që njeriu ta kuptojë një tekst fetar, i cili përkon me normat dhe zakonet e veta, ashtu siç është shumë e mundshme që ta interpretojë një tekst tjetër, vetëm sepse nuk i duket familjar me zakonet e tij. Në të dy rastet, ai e ka të lehtë ta shohë veten në të drejtë.

Prandaj, ne mund dhe duhet ta bëjmë dallimin mes zakoneve që i kemi nën kontroll dhe atyre që na kanë totalisht në kontroll, mes zakoneve neutrale dhe me ndikim të kufizuar dhe mes atyre që kanë shkaktuar të çara në personalitetin, jetën dhe mentalitetin tonë.

Ne duhet të bëjmë dallimin mes zakoneve që i nënshtrohet pushtetit të sheriatit, mendjes dhe interesit dhe mes zakoneve që e nënshtrojnë dhe e vënë sheriatin në funksion të zakonit, me apo pa ndërgjegje.

Ne duhet të bëjmë dallimin mes zakoneve që i nënshtrohen vëzhgimit dhe kontrollit, që veprohen me vullnet dhe dëshirë dhe mes zakoneve që ushtrojnë ndikimin e tyre tek ne në mënyrë të pavetëdijshme.

Ne duhet të bëjmë dallimin mes zakoneve që kanë cilësinë e përjetësisë, për shkak se lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me sheriatin dhe natyrën e pastër si lidhjet e gjakut, respekti i prindërve, mbulesa, mirësjellja… dhe mes zakoneve të tjera që janë të kufizuara në kohë, vend dhe rrethana lokale.

Dallim duhet bërë edhe mes zakoneve të tjerëve të cilat mund të kontrollohen, lexohen dhe imitohen dhe mes zakoneve tona të ngatërruara me veten tonë, të cilat na orientojnë pa e ndjerë dhe pa u lejuar të tjerëve që të na vëzhgojnë, lexojnë dhe ti imitojnë.
Kështu, shohim që zakonet tona janë armë të cilat mund ti përdorim për tu përballur me vështirësitë dhe rrethanat e tjera, ashtu siç mund ti drejtojmë drejt vetes dhe atyre që na rrethojnë dhe të tërheqim këmbëzën pa e ndjerë.

Zakoni është pozitiv ose negativ, sipas raportit të krijuar me veten dhe me shoqërinë. Nëse e kontrollojmë dhe e bëjmë zap, ai shndërrohet në një mekanizëm që e kemi në dorë dhe e përdorim sipas nevojës dhe ashtu si duam. Por kur tiranizohet, zakoni shndërrohet në një pengesë të domosdoshme para individit dhe shoqërisë.

Të rendësh pas të zakonshmes, është diçka rehatuese, ndërkohë që të konfliktuohesh me të, shkakton problematika dhe çrregullime si tek vetja ashtu dhe tek ata që të rrethojnë, të cilët nuk përtojnë të ta vënë në dukje se nuk duan kokëçarje, se u duhet ta ruajnë statusin social që kanë duke e mbrojtur zakonin, sido të jetë.

Që këtu, misioni i reformatorëve bëhet shumë i vështirë dhe i kushtueshëm. Shumë prej tyre demoralizohen dhe i dorëzohen aktualitetit në etapa të ndryshme gjatë rrugës. Heroizmi më i madh, është që të vazhdosh reformën, i vendosur dhe i paepur, edhe pse në horizont nuk duket asnjë rezultat konkret dhe i prekshëm… në fakt, rezultatet janë në proces formimi, edhe pse nuk shihen.

Ka dhe njerëz të cilët luftojnë kundër zakoneve që pengojnë reformën që kërkon të bëjë ai, ndërkohë që u dorëzohet zakoneve që pengojnë reformat e dëshiruara nga të tjerët.
Një zakon i vetëm mund të bëhet shkak pengese në rrugën e zhvillimit, për shkak të keqkuptimit dhe keqpërdorimit të tij. Ashtu siç mund të bëhet një faktor zhvillimi, progresi dhe rilindjeje, në raste të tjera.

Përkatësia ndaj fisit, mund të shndërrohet në pasivitet dhe një megafon për të shkuarën e ndritur, ashtu siç mund të shndërrohet në një faktor rivaliteti drejt lartësive.
Arsimi dhe familjarizimi jo vetëm që i konfigurojnë zakonet, por ndonjëherë, ndihmojnë edhe në ndalimin e zakoneve të padëshiruara, ashtu siç mund të rikthejnë zakone të vjetra të cilat tashmë janë të kërkuara dhe të domosdoshme.

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit