1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Cili është vendimi i sheriatit për horoskopin?

Më të lexuarat

Pyetja: Cili është vendimi i sheriatit për horoskopin?

Përgjigjja:
Praktikimi i astrologjisë jo vetëm që është i ndaluar (haram), por edhe vizitimi i astrologëve dhe dëgjimi i predikimeve të tyre, blerja e librave të astrologjisë apo leximi i horoskopit të shkruar nga dikush, janë të ndaluara. Pasi që astrologjia merret me parashikimin e së ardhmes, ata që e praktikojnë atë llogariten për falltarë (fatrrëfyes). Si pasojë e kësaj, ai që kërkon horoskopin e tij dhe beson në të, bie nën vendimin e përmbajtur në thënien e të Dërguarit (sal-lall-llahu alejhi we sel-lem): “Namazi (ditor) i atij që i afrohet falltarit dhe e pyet atë në lidhje me diçka nuk do të jetë i pranuar për dyzet ditë dhe net” [Sahih ul-Muslim, vëll. 4, fq. 1211, no. 5440].

Dënimi në këtë hadith është thjesht vetëm për afrimin për ta pyetur ndonjë astrolog, madje edhe nëse është në dyshim për vërtetësinë e thënieve të tij. Nëse dikush është në dyshim për vërtetësinë ose rrenën e informatave astrologjike, ai dyshon në atë se a e dinë të tjerët të fshehtën dhe të vërtetën përveç Allahut. Kjo është një formë e shirkut, ngase Allahu qartë thotë në Kuran:

“Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush përveç Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi Mahfudh).” [6:59]

“Thuaj: ‘Askush përveç Allahut, as në qiejt, as në tokë, nuk e di të fshehtën, as nuk e di kur do të ringjallen!’” [27:65]

Sidoqoftë, nëse dikush beson në parashikimet e horoskopeve të tyre, pa marrë parasysh nëse janë të folura apo të shkruara në librat e astrologjisë, ai bie drejtpërdrejt në kufër (mosbesim), siç ka cekur edhe i Dërguari (sal-lall-llahu alejhi we sel-lem): “Kushdo që i afrohet donjë profecie apo falltari dhe beson në atë që thotë ai, ka mohuar atë që i është shpallur Muhammedit.” [Sunan Ebu Davud, vëll. 3, fq. 1095, no. 3895].

Si edhe hadithet e mëparshme, hadithi thjesht i referohet (drejtohet) falltarit, por ai në të njëjtin rast është njëlloj i vlefshëm për astrologun, ngase të dy pohojnë se e dinë të ardhmen. Pohimi i astrologut është në kundërshtim me Teuhidin, sikurse ai i falltarit të thjeshtë. Ai pohon se personalitetet e njerëzve janë të determinuara nga yjet dhe se ardhmëria dhe ndodhitë e jetës së tyre janë të shkruara në yje. Falltari i thjeshtë pohon se mbeturina që lë kafeja në fund të filxhanit, apo çaji, ose vijat e palmës thonë të njëjtën gjë. Në të dyja rastet, individët pohojnë aftësinë e tyre për të lexuar këto formësime fizike në objekte të ndryshme dhe të njohin atë që është e fshehur (të fshehurën).

Besimi në astrologji dhe përdorimi i horoskopeve është në kundërshtim të qartë me Islamin. Është me të vërtetë shpirt i zbrazët ai që nuk e ka shijuar imanin e vërtetë (besimin) dhe që i kërkon këto rrugë. Në esencë, këto rrugë përfaqësojnë një përpjekje të kotë për t’i ikur kaderit (fatit). Injorantët mendojnë se nëse e dinë çka i pret të nesërmen, do të mund të përgatiten prej sot. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se mund t’i ikin të keqes dhe ta sigurojnë të mirën. Por, të Dërguarit të Allahut i është thënë nga Ai të thotë:

“Thuaj: ‘Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, përveç çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet dhe nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër, vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.’” [7:188]

Muslimanët e vërtetë, për këtë shkak, janë të obliguar të qëndrojnë larg prej këtyre gjërave. Kështu, unazat, qaforet e të tjerat, që kanë shenjat e zodiakut në to, nuk duhet të mbahen, edhe nëse ndokush nuk beson në to. Ato janë pjesë e një sistemi të trilluar që propagandon kufrin (mosbesimin) dhe prej të cilave duhet plotësisht të shmangemi. Asnjë musliman besimtar nuk duhet të mundohet ta gjejë shenjën e tij dhe nuk është e lejuar që ai apo ajo të lexojnë tekstet e horoskopit nëpër gazetat, apo t’i dëgjojnë prej dikujt apo diku. Dhe cilido musliman që lejon që parashikimet astrologjike të vendosin veprimet e tij, duhet të kërkojë falje dhe të pendohet te Allahu, si dhe ta ripërtërijë Islamin e tij.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit