4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Cila është vlera dhe domethënia e thënies “La hawle we la kuwwete il-la bil-lah”?!

Më të lexuarat

Vlera dhe domethënia e hawkales

(Thënia La hawle we la kuwwete il-la bil-lah- لاَحَوْلَ وَلاَ قُوَّةَ إِلاَّ بِاللَّهِ)

Prej fjalëve madhështore me të cilat e përmendim Allahun, është edhe fjala La hawle we la kuw-wete il-la bil-lah (nuk ka ndryshim dhe forcë veçse me Allahun). Në disa hadithe, kjo fjalë ka ardhur e bashkëngjitur me katër fjalët e tjera, të cilat janë përmendur më lart. Kjo është një fjalë madhështore, e cila ka pozitë të lartë në fenë e Allahut. Myslimanët duhet t’i kushtojnë rendësi duke e shtuar sa më shumë në jetën e tyre, ngase ajo ka vlerë të madhe dhe shpërblimet e saj janë të shumta.

 

Disa nga dobitë e hawkales

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka folur për vlerën e katër fjalëve, ka përmendur si shtesë edhe këtë fjalë. Prej këtyre haditheve është: “Nuk ka në fytyrën e tokës njeri që thotë La ilahe ilAllah, Allahu ekber, subhanAllah, elhamdulilah dhe la hawle we la kuw-wete il-la bil-lah, veçse do t’i fshihen mëkatet edhe nëse janë më shumë se shkuma e detit.” Imam Ahmedi e Tirmidhiu.

  • Ajo është ndër veprat me shpërblim të përhershëm

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shtoni sa më shumë ato që janë vepra të mira dhe që janë të përhershme!” E kanë pyetur se cilat janë ato dhe ka thënë: “Tekbiri, tahlilu, tesbihu, el hamdu dhe la hawle we la kuwwete il-la bil-lah.” Selefi e ka llogaritur këtë fjalë prej veprave të mira, që janë të përhershme, me shpërblim të vazhdueshëm tek Allahu. Allahu thotë: Por veprat e mira që mbeten përherë…” Kefh 46, dhe “Veprat e mira që mbesin…” Merjem 76. Uthmani radijAllahu anhu, prijësi i besimtarëve, është pyetur se cilat janë veprat e mira që mbesin përherë, ka thënë: “Janë La ilahe ilAllah, subhanAllah, elhamdulilah, Allahu ekber dhe La hawle we la kuwwete il-la bil-lah.” Imam Ahmedi në Musned. Ngjashëm ka thënë Umeri radijAllahu anhu dhe ibn Musejibi rahimehullah. Veprat e mira që mbesin përherë, dijetarët kanë thënë se janë të gjitha veprat e mira, e prej tyre janë edhe këto pesë fjalë. Kështu ka ardhur nga tefsiri i ibn Abbasit radijAllahu anhu.

  • Ajo është thesar[1] i xhenetit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Thuaj ‘La hawle we la kuwwete il-la bil-lah’ sa më shumë, sepse ajo është thesar prej thesareve të xhenetit!” Buhariu dhe Muslimi. Ibn Haxheri rahimehullah thotë: “Në një hadith tjetër është transmetuar: “A do të të tregoj një fjalë që është prej thesareve të xhenetit që janë nën Arshin e Allahut?[2] Thuaj La hawle we la kuwwete il-la bil-lah. Sa herë që e thua atë, Allahu thotë: “Robi im m’u dorëzua dhe m’u nënshtrua.”

  • Ajo mbjell pemët e xhenetit

Transmetohet se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është ngritur në qiell në natën e Miraxhit dhe e ka takuar Ibrahimin alejhi ue selem, ai i ka thënë: “Urdhëroje ummetin tënd që sa më shumë të shtojë mbjelljen e pemëve në xhenet, ngase dheu i tij është shumë i mirë dhe toka është e gjerë.” I Dërguari salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur: “Çfarë e shton mbjelljen e pemëve në xhenet?” Ai i thotë: “Thënia e fjalës “La hawle ue la kuw-wete il-la bil-lah! Imam Ahmedi, Ibn Hibani etj.

  • Ajo është “derë” prej dyerve të xhenetit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A do të të tregoj për një derë prej dyerve të xhenetit[3]Fjala La hawle we la kuwwete il-a bil-lah.” Imam Ahmedi e Tirmidhiu.

Ibn el Iraku rahimehullah, një prej dijetarëve të hadithit, ka thënë në një poezi të tij: “O dashamiri im, shtoje sa më shumë fjalën La hawle we la kuwwete il-la bil-lah sepse ajo është shërim për sëmundjet (e zemrës dhe shpirtit), është thesar prej thesareve të xhenetit. Sa fitim i madh është për njeriun nëse ai hyn në xhenetin e Allahut! Kur njeriu e thotë atë, Allahu nga kënaqësia që ka ndaj tij thotë “Robi im m’u dorëzua dhe m’u nënshtrua!”

 

Domethënia e hawkales

Fjala La hawle we la kuwwete il-la bil-lah është fjalë e dorëzimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut, është distancim prej çdo force dhe mundësie për ndryshim përveçse me Allahun. Kështu njeriu ia dorëzon dhe ia beson veten dhe çështjen e tij Allahut. Kur ai e thotë atë, bindet se nuk posedon asgjë prej çështjeve të tij, pra se ato nuk janë në dorën e tij, por janë në Dorën e Allahut. Kështu ai nuk ka mundësi ta ndryshojë ose largojë një të keqe që e ka goditur dhe nuk ka forcë dhe fuqi të sjellë një dobi veçse me lejen dhe dëshirën e Allahut. Andaj, njeriu nuk mund të ndryshojë vetveten prej mëkateve në bindje e adhurime ndaj Allahut, prej sëmundjes në shëndet, prej dobësisë në forcim, prej pakësimit në plotësim e shtim, veçse me Allahun, dhe nuk ka forcë të realizojë ndonjë synim dhe qëllim të tij, veçse me Allahun.

Kjo fjalë madhështore kërkon që ne të jemi të sinqertë në kërkimin e ndihmës prej Allahut, duke e bërë atë të kulluar, të pastër, vetëm prej Allahut, ashtu siç fjala La ilahe ilAllah kërkon prej nesh që adhurimin ta bëjmë të pastër vetëm për Allahun. Nuk ka mundësi njeriu të jetë i sinqertë në kërkimin e ndihmës veçse atëherë kur e beson me sinqeritet se nuk ka ndryshim e forcë veçse me Allahun, vetëm kështu realizohet fjala La hawle we la kuwwete il-la bil-lah.

 

Një gabim në përdorimin e hawkales

Shumë njerëz gabojnë në përdorimin e kësaj fjale duke e përdorë jo në vendin e duhur, apo jo në mënyrën dhe për qëllimin për të cilin Allahu na ka urdhëruar ta përdorim. Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Kjo fjalë është fjalë e kërkimit të ndihmës, nuk është fjalë e ngushëllimit. Andaj shumë prej njerëzve këtë fjalë e thonë kur goditen nga fatkeqësitë, si ngushëllim për veten, e jo si fjalë përmes së cilës kërkojnë ndihmë nga Allahu. Po ashtu e thonë prej dëshpërimit ndaj fatkeqësisë së goditur, e jo prej durimit ndaj saj.”

Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Kuptimi i fjalës La hawle we la kuwwete il-la bil-lah është: njerëzit nuk kanë mundësi të ndryshojnë veten, nuk munden të shtojnë adhurimet ndaj Allahut dhe punët e mira veçse më Të, nuk kanë forcë t’i braktisin mëkatet veçse me Të (kur do Ai).” Zuhejr ibn Muhamed rahimehullah për shpjegimin e saj thotë: “Ta dish se nuk ke mundësi të marrësh diçka që do dhe që e dëshiron veçse me Dëshirën dhe Vullnetin e Allahut dhe nuk ka mundësi të largosh ato gjëra që i urren veçse me ndihmën e Allahut.” Gjithashtu, Ibn Tejmije thotë: “Kjo fjalë medoemos sjell dhe ndihmën prej Allahut (nëse e thua me bindje të plotë, sipas kuptimit që përmendem). Kur myezini thotë “Eja në namaz!”, është e ligjësuar të themi “La hawle we la kuwwete il-la bil-lah”. Pra, nëse Allahu i jep personit forcë dhe sukses, atëherë ai i përgjigjet kësaj thirrje. Sa e sa njerëz janë të sëmurë, të shtrirë, e nuk kanë mundësi të dalin në xhami për t’iu përgjigjur kësaj thirrje! Edhe kur muezini thotë: “Eja në shpëtim”, është e ligjësuar të thuhet kjo fjalë.”

 

Në fund themi se vetëm Allahun e adhurojmë, vetëm për Të bëjmë sexhde (falemi), drejt Tij shkojmë e shpejtojmë, prej Tij shpresojmë Mëshirën, i frikësohemi dënimit të Tij dhe besojmë bindshëm se nuk ka ndryshim dhe forcë veçse përmes Tij. E lusim Allahun të mos na bëjë të mbështetemi në vetët tona as sa lëvizja e syve! Allahu është Zoti i Botëve, nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Tij. Tek Ai kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Kur njeriu e përmend Allahun, duhet ta bëjë këtë me dije, me kuptim dhe duke arritur të njohë domethënien e asaj që e thotë. Përmendja e Allahut duke e ditur kuptimin e domethënien e asaj që e thotë, se çfarë aludon ajo dhe se për çfarë qëllimi thuhet, atëherë në këtë mënyrë ai arrin rezultatet dhe dobitë e dhikrit, në të kundërtën ai dhikër nuk ka shumë efekt dhe dobitë prej tij janë të pakta.

[1] Thesar është një pasuri e grumbulluar në një vend pa pasur nevojë për punë dhe përpjekje për ta grumbulluar, ajo është e gatshme para teje. Kjo fjalë quhet thesar i xhenetit sepse përmban dhe përfshin mbështetjen në Allahun dhe faktin se njeriu është nevojtar për Allahun- thotë ibn Tejmije rahimehullah.

[2] Arshi i Allahut është kulmi i xhenetit.

[3] Nëse e shton atë, atëherë ajo është një derë prej dyerve të xhenetit përmes të cilave hyn aty.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit”
https://udhezimi.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit