3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Cila është domethënia e këtij ajeti dhe a ka dallim mes Imanit dhe Islamit?

Më të lexuarat

Pyetje: Allahu thotë në Kur’an:
“Beduinët thonë: ‘Besojmë’. Thuaj: ‘Nuk keni besuar, por thoni: Jemi dorëzuar [në Islam]’, se besimi [Imani] ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja.” [el-Huxhurat, 14]. Cila është domethënia e këtij ajeti dhe a ka dallim mes Imanit dhe Islamit?

Përgjigje: Feja ka tre nivele:

  • I pari është Islami, më lart se kjo është Imani, dhe më lart është Ihsani, siç qëndron në hadithin e Xhibrilit, alejhi selam, kur e pyeti Pejgamberin, salallahu alejhi ue selam, rreth këtyre niveleve dhe Pejgamberi iu përgjigj për secilën nga këto. Dhe, në fund, Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, u tha shoqëruesve të vet: “Ky qe Xhibrili. Erdhi t’ju mësojë fenë tuaj” [Sahih el-Buhari nr. 50 dhe Sahih Muslim nr. 8].

Ai filloi duke përmendur nivelin më të ulët, pastaj atë që është më lart, pastaj tjetrin që është më lart. Kështu, kur beduinët erdhën te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, gjatë fazës së hershme të hyrjes së tyre në Islam, ata pohuan për vete një nivel, të cilin nuk e kishin mbërritur ende. Ata erdhën si muslimanë, por pohuan të kishin nivelin e Imanit, që ishte një nivel ende i paarritshëm për ta. Kështu, Allahu, më i Larti, i kundërshtoi me thënien e vet: “Beduinët thonë: ‘Besojmë’. Thuaj: ‘Nuk keni besuar, por thoni: Jemi dorëzuar [në Islam], se besimi [Imani] ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja.” [el-Huxhurat, 14].

Pra, në fazat e hershme të çështjes së tyre, Imani nuk kishte zënë vend në zemrat e tyre, dhe, edhe nëse kanë pasur Iman, ka qenë i pakët. Mund të shihet nga thënia e Tij “besimi [Imani] ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja” se Imani do të hynte [në zemrat e tyre] në të ardhmen dhe se ata nuk ishin mosbesimtarë apo hipokritë, por ishin muslimanë dhe kishin diçka nga Imani, që ishte aq i pakët, saqë nuk e meritonin të quheshin muʹminuun. Mirëpo, Imani do të zinte vend në zemrat e tyre në të ardhmen.

Kur Islami dhe Imani përmenden së bashku, domethënia e tyre dallon dhe secili ka domethënie të veçantë, siç qëndron në hadithin e Xhibrilit, alejhi selam. Ai e pyeti Pejgamberin rreth Islamit dhe ai u përgjigj: “Islam është që të dëshmosh se askush nuk e meriton adhurimin, përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij; ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin, dhe ta bësh Haxhin te Shtëpia, nëse ke mundësi për këtë.”
Dhe ai e pyeti atë [salallahu alejhi ue selam] rreth Imanit, kështu që ai u përgjigj:
“El-Iman është që të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit, dhe të besosh në paracaktimin hyjnor, të mirën dhe të keqen e tij.”

Pra, bazuar në këtë, Islami është bindje së jashtmi, kurse Imani është bindje së brendshmi, dhe kjo, kur përmenden së bashku.

Për sa i përket rastit kur Islami apo Imani përmenden ndaras, atëherë secili mbart domethënien e tjetrit. Kur përmendet vetëm Islami, Imani hyn në të, dhe, kur përmendet vetëm Imani, atëherë Islami hyn në të. Për shkak të kësaj, dijetarët thonë: “Kur të përmenden së bashku, ata dallojnë në domethënien e tyre, kurse, kur të përmenden ndaras, e kanë domethënien e njëjtë.”

Pra, Imani, sipas pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, është fjalë e gjuhës, vepër e gjymtyrëve dhe vërtetim me zemër.

Ky përcaktim përfshin Islamin, i cili, po ashtu, është fjalë gjuhe, vepër gjymtyrësh dhevërtetim me zemër.

 

/Shejh Salih bin Feuzan/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit