11.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Bota sipas spektaklit – varreza masive e moralit – Kim Mehmeti

Më të lexuarat

Bota sipas spektaklit – varreza masive e moralit
Kim Mehmeti

E dhimbshme t’i paramendosh, jo më të shohësh vargun e të rinjve shqiptarë që e braktisin vendlindjen. Rrëqethëse dhe ngjan me një ëndërr të keqe kur lexon se në vitin 2022 katër nga dhjetë klandestinët që futeshin në Britaninë e Madhe janë shqiptarë!
Por duhej pranuar se ata që e braktisnin vendlindjen, u dëbuan edhe prej atyre që përkrahën ‘aleancën e qelbësirave’, edhe ata që ua lejuan burrështetasve të ndjehen si pronarë të vetëm të shtetit, që ia mundësuan Kryeministrit të Shqipërisë se jo vetëm vendi, por edhe populli nuk vlen gjë pa të. Të besojë se pasi të realizohen projektet serbe, siç është ai për ‘Ballkanin e Hapur’, nuk do ketë asnjë rëndësi përkatësia etnike, se Shqipëria nuk do ketë më nevojë për shqiptarë.

Po pra, ne shqiptarët jashtë kufirit e paguam shtrenjtë mbrojtjen e ëndrrës për mëmëdheun e krenarisë sonë – Shqipërinë, ndërkaq shqiptarët e mëmëdheut paguan çmim të lartë për shkak të ëndrrës sonë. Thënë edhe më qartë: botës së atëhershme dypolare i duhej një Shqipëri që nuk do të ishte e dukshme për gjithë shqiptarët, si dhe një shqiptari që do të ëndërronim gabimisht. Pra shqiptarisë i ishte vënë kurthi më mizor: që të vërtetën për vetveten ta ndërtonte ashtu siç ia projektonin të tjerët e jo ajo vetë. Mbase këtë më së miri e ndjenim ne shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët kujdesej atdhe Kosova, përderisa ne e vuanim mungesën e mëmës Shqipëri. Me çka krijoheshin kushte të volitshme që edhe Enverit, a edhe të gjithë ‘enverëve’ të tjerë, çështja shqiptare t’u shërbente për ta mbajtur për fyti shqiptarinë. Për shembull, sa herë që vëllazëria jugosllave donte do të na ndëshkonte neve shqiptarëve të këtushëm, mjafton të na shpallte ëndërrues të rrezikshëm për bashkimin kombëtar, ndërkaq sa herë që Enveri donte t’ua shtrëngonte prangat shqiptarëve të atjeshëm, mjaftonte të thirrej në brengën e tij për Kosovën dhe në fatkeqësinë e shqiptarëve kosovarë. Andaj, një Shqipëri kështjellë e komunizmit dhe një Shqipëri ku ishte burgosur ideali për shqiptarinë, kishte të bënte edhe me Kosovën, edhe me shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Dhe rrënimi i komunizmit u mundësoi shqiptarëve të përballeshin me vetveten, ta njihnin fytyrën e tyre të vërtetë dhe të njihnin njëri-tjetrin. Andaj edhe periudha paskomuniste do të ketë domethënien e njohjes së shqiptarëve me vetveten dhe me njëri-tjetrin. Më në fund, periudha postkomuniste i ngjan asaj kur një familjeje e ndarë me dekada rifillon komunikimin dhe çdo pjesëtar i saj rrëfen për atë që ka përjetuar si pasojë e ndarjes. Gjatë këtij komunikimi, ‘vëllazëria’ e sapopërballur me vetveten, përnjëherë e kupton se e shkuara e munguar e përbashkët, ua pamundëson bisedën e qetë për të sotmen dhe për të ardhmen e tyre.

Megjithatë, shqiptaria fitoi shumë nga rënia e komunizmit. Sikur asgjë tjetër, atëherë mjaftonte edhe ‘integrimi’ i shqiptarëve brenda shqiptarisë. Pra ia nisëm nga e para të mësojmë të menduarit shqip, të dalim nga heroizmi i çiftelisë me dy tela e të ndërtojmë ‘heroin’ e ri që do të vlerësohet sa do të mundë të vërtetën tonë t’ua rrëfej të tjerëve.
Nga rënia e komunizmit fitoi shumë edhe Shqipëria e cila e kuptoi se kurrë më nuk duhet lejuar të ndodhë e pabesueshmja: që individët ta përcaktojnë fatin e popullit. Të kuptojë edhe se populli është ai që i lind, i mëkon dhe i rrit prijësit e vet e jo udhëheqësit popullin.

Pastaj liderët i lind edhe koha, dhe rrethanat. Siç janë ata që erdhën në krye të Shqipërisë pas socialiste si një zgjidhje në kohën kur vendi duhej të ndërtonte kapitalizmin pa pasur kapitalistë dhe rend të ri demokratik me nxënësit dhe të besuarit e Enverit. Apo, thënë ndryshe, ishin ndërtues të së sotmes, por me mendësi nga e djeshmja komuniste. Pra, bëhej fjalë për një klasë politike që ndërtonte një sistem shtetëror të cilin nuk e njihte, për të cilin nuk kishte as njohuri elementare, për dallim nga ne këtej kufirit të cilët e njihnin më shumë botën kapitaliste.

Por për fatin e Shqipërisë, me klasën politike të rritur në djepin e Enverit e që duhej të ndërtojë një rend të ri shoqëror, nuk ndodhi ajo që do t’i karakterizojë disa burrështetas postkomunistë: të ngriheshin në rrafshin e drejtuesve të shtetit që besonin se nuk është populli ai që e përcakton fatin e tyre, por ata janë përcaktues të fatit kolektiv. Pra, kjo klasë politike e kishte kuptuar se nëse e barazon vetveten me partinë, pashmangshëm do të arrihet në pikën kur partinë do ta barazosh me popullin e shtetin. Duke e kuptuar këtë, burrështetasit paskomunistë të Shqipërisë ia dolën ta nxirrnin nga balta e njëmendësisë së Enverit, por pa mundur ta bëjnë një vend demokratik ku institucionet maten nëpërmjet asaj sa i shërbejnë qytetarëve e jo partisë në pushtet. Kështu që ata bënë të mundshmen, apo atë që edhe duhej pritur nga ‘demokratët’ që nuk ishin ‘prodhim’ i një shoqërie demokratike. Roli i tyre gjatë periudhës postkomuniste duhet parë edhe nga këndvështrimi i burrështetasve që nuk kishin trashëguar shtet të mirëfilltë dhe të cilët, pas vetes kishin një popull që e dinte ç’është partia, por nuk dinte se ç’ishte shteti. E të jesh drejtues i një shteti dhe populli të tillë nuk është aspak e lehtë. Andaj besoj se në historinë politike shqiptare, burrështetasit e pas socializmit, pra ata të dekadës së fundit të shekullit XX, do të mbeten si ata që popullit dhe vendit të vet ia dhanë mundësinë që pa shumë tronditje të shkëputej nga e shkuara e dhembshme enveriste, duke mësuar ndërkohë edhe vetë si drejtohet vendi i qytetarëve të lirë dhe si sundohet vetvetja. Me çka Shqipërinë e çuan udhës që të dilte nga prangat e shtetit njëpartiak, edhe pse shoqëria shqiptare vazhdoi të mbetet peng i emblemës së partisë në pushtet dhe patriotizmi ndaj shtetit matej nëpërmjet shërbimit dhe besnikërisë ndaj partisë. Me çka Shqipëria nuk arriti të konsolidohet si shtet i mirëfilltë demokratik e as të ndërtojë institucione shtetërore që do t’i shërbejnë qytetarit e jo partisë në pushtet.

Shumë janë faktorët e gërshetuar në nyjën e cila e ngulfat Shqipërinë dhe që nuk e lë atë të konsolidohet si shtet. Para së gjithash është e kaluara komuniste, e cila e rrënoi njeriun dhe e solli shqiptarin në situatën që t’ua ketë zili gjithë të tjerëve e ta mallkojë vetveten. Varfëria me të cilën u përball Shqipëria komuniste ishte e përmasave rrëqethëse, njësoj siç ishin situatat biblike edhe ato të ikjes së shqiptarëve nga ajo varfëri që të çnjerëzon e të shkombëtarizon. Është thuajse e pamundur që nga një popull dhe nga një shtet i varfëruar në përmasa tragjike të presësh që brenda dy–tri dekadash ta rimarrë veten dhe të arrijë stabilitet të brendshëm politik. Në ato shtete madje nuk mund të flitet për koncepte politike, por për veprimtari të ‘sekteve politike’, të cilat e zaptojnë shtetin. Është e pamundur të ndërtosh shtet kapitalist e demokratik aty ky mbisundon varfëria. Është thuajse e pamundur të arrish stabilitet politik aty ku perëndi e vetme është paraja, ku askush nuk prodhon e të gjithë harxhojnë. Shtete të tilla shumë shpejt bëhen ‘çerdhe’ ku çelin vezët e krimit dhe të hajdutërisë. Aty dëshmohet vetëm një gjë: se edhe populli më i varfër mund t’i pasurojë klasat e veta hajdute politike. Dhe në shtete të tilla vyshket shpresa dhe rritet pesimizmi.

E siç thonë, pesimisti është optimist i mirinformuar. Apo mjaftueshëm i informuar sa ta kuptojë se jeton në kohë jo të përshtatshme për popujt e vegjël dhe veçanërisht për popujt e varfër. Se jeton në kohë kur vendet si “Shqipëritë” tona nuk prodhojnë thuajse asgjë dhe se në ato shtete, të vetmet ‘biznese’ fitimprurëse janë politika dhe ‘eksporti’ i rinisë. Se në ato shoqëri nuk ke me çka t’i ushqesh shpresat rinore, se aty mungon shtylla bartëse e entuziazmit dhe guximit të rinisë së shkolluar, asaj rinie që gjithnjë e më shumë është duke i braktisur trojet shqiptare.

Është e vërtetë se njeriu e do bredhjen nëpër botë, se edhe popuj tjerë shtegtojnë, por ata kanë shtete amë që u qëndrojnë prapa të shtegtuarve të vet e nuk lejojnë t’u ndodhë ajo që i ndodh mërgatës sonë – të ndjehet si e paatdhe, të tjetërsohet dhe të çshqiptarizohet.

Duke u ndjerë si e paatdhe, mërgata jonë ndërron kombësi e fe më lehtë sesa një italian le të themi apo sesa një turk do të ndërronte mënyrën e të ushqyerit dhe kuzhinën e vet tradicionale.

Duke u zbrazur, duke u bërë të pabanueshme për ata që i besojnë vetvetes, shoqëritë shqiptare në masë të madhe bëhen të përshtatshme vetëm për ‘butakët’ pa bosht kurrizor, ato bëhen të egra për çdonjërin që posedon portret të qartë individual. Dhe bëhen shoqëri në të cilat realiteti i mjerë mbulohet me spektaklet ku dominojnë të pasmet dhe gjinjtë e vajzave të bukura. Bëhen pra varreza masive të moralit dhe e përjashtojnë ndershmërinë dhe vlerat familjare, bëhen shoqëri në të cilat nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë.

Gjatë tri dekadave të para të demokratizimit të ‘Shqipërive’ tona, ato mund të lëvdohen thuajse vetëm me dy arritje: e bindën rininë se rrugët jetësore dhe ato drejt famës më lehtë hapen kur je i zhveshur lakuriq, sesa i ‘veshur’ me dije. Pastaj shkuan edhe më tej dhe amoralin, pafytyrësinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë, i ngritën në ‘vlera’ parësore të shumëpartizmit. Ku ta dish, mbase edhe nuk mund të arrinin diçka më shumë ata që vlerë mbi të gjitha vlerat i shpallën të pasmet e ‘kardashianeve’, ata që shkuan drejt botës së civilizuar pa kuptuar se nuk kanë kë të çojnë atje, se e tërë rinia shqiptare ishte shpërndarë nëpër botë, ata që për ngjarje kulturore i marrin dasmat e ‘VIP-ave’ dhe që ditë festive kanë ditët kur mbahen mitingjet partiake, ku duartrokiten politikanët injorantë e hajdutë, atyre që para syve i gënjejnë e i plaçkitnin.

Gjatë tri dekadave të përcaktuara si tranzicion, por që në të vërtetë u shndërrua në sistem, prindërit shqiptarë, gjithnjë e më shpesh, vendosin emra joshqiptarë për pasardhësit e tyre me qëllim që kur të rriten e të braktisin ‘Shqipëritë’ tona e të degdisen nëpër botë, askush të mos e kuptonte nëpërmjet emrit se janë shqiptarë. Siç dukej, që në lindje i bënin gati për ta braktisur atdheun dhe për të mos qenë shqiptarë. Dhe kjo ndodhte në fillim të shekullit XXI, në kohë kur të gjithë popujt tjerë donin ta bënin më të dukshme atë që i dallonte nga të tjerët, por kur shumë shqiptarë donin të bëhen si të tjerët, të tjetërsohemi. Në rrethana të këtilla, ishte e pamundur të ushqeje optimizëm, të mos ndjeheshe i pashpresë, mos të trishtonte e vërteta se e tërë kjo nuk i shqetësonte aspak drejtuesit e “Shqipërive” tona?

Përkundrazi, zbrazja e ‘Shqipërive’ tona i ndihmoi disa burrështetas shqiptarë që të ndërtonin ‘diktatura demokratike’. Mbase tingëllon i pakuptimtë një emërtim i tillë, por duhet ditur se koha e internetit nuk mundëson lindjen e diktatorëve të tipit të dikurshëm, por të një tjetër lloji. Diktatorët e shumëpartizmit nuk e shndërrojnë popullin dhe shtetin në pronë të veten duke kontrolluar të vërtetat publike, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat nëpërmjet të cilave zhbëhet pragu që ndanë realen nga irealja. Pastaj ‘diktatorët’ demokratikë nuk mbyllin kufij dhe nuk i vrasin në kufi ata që e braktisin vendin, përkundrazi: të gjithë kundërshtarët e vet i nxisin dhe i detyrojnë ta braktisin shtetin duke mos u lejuar të punësohen e të mbijetojnë në mëmëdheun e tyre. Kështu – njësoj si Enveri që dikur ndërtonte shtet vetëm për të bindurit e vet – edhe në dekadën e tretë të demokratizimit të saj, Kryeministri i vendit ndërtoi Shqipëri të banueshme vetëm për ata që i përkuleshin atij. Me çka nuk shihej thuajse kurrfarë dallimi mes diktatorit të dikurshëm që të vriste kur kaloje kufirin dhe këtij në krye të ‘hajdutokratëve’, që të ‘vriste’ pse nuk e kaloje kufirin, pse e kritikoje dhe e kundërshtoje ndërtimin e shtetit vetëm për bashkëmendimtarët e tij. Pra nuk vërehej thuajse asnjë dallim mes Enverit që ndërtonte përmendore ku të donte e çka të donte dhe këtyre ‘enverëve’ demokratikë që Shqipërinë e kanë shndërruar në një lëndinë pa pronarë, ku ata ngrenë nga një kullë ku të duan dhe kur të duan.

Duke e ditur se në kohën e internetit nuk mund të fshihet e vërteta, diktatorët demokratikë i vunë nën kontroll gënjeshtrat dhe spektaklet, nëpërmjet të cilave pamundësonin të kuptosh se çka e ndan të vërtetën nga gënjeshtrat, se me çka dallon bardi nga i pafytyri, i ndershmi nga i pandershmi. Pra u barazuam të gjithë, ashtu siç u barazua edhe e vërteta me gënjeshtrën. Gjë që ‘diktatorëve demokratikë’ u mundëson të sundojnë të papenguar me votuesin i cili thuajse nuk e kupton se burrështetasit janë të zgjedhurit e tij e jo ai i zgjedhuri i tyre. Ku ta dish, mbase edhe nuk mund të jetë ndryshe në shoqëri varfanjakësh, aty ku votuesi mbijeton me disa qindra euro e ku veshja e politikanit kushton sa prona e një fshati të tërë? Ku mund të ndodhë kjo përveç se në shtete diktatoriale, përveç se aty ku një votues ‘kushton’ 20 euro e një dele 200 euro, pra përveç se në shtete partiake ku asgjë nuk është shteti e çdo gjë pushteti?

Andaj Shqipëria e dekadës së tretë të shekullit XXI duhej shpëtuar nga diktatura ‘demokratike’ e cila mbështetej mbi varfërinë e popullit, mbi spektaklet me të cilat mbulohej e vërteta e mjerueshme, mbi kontrollimin e gënjeshtrave që publikoheshin nëpër mediat që i kontrollonte partia në pushtet, apo më saktë thënë ajo që asokohe u quajt ‘Rilindja’. Po pra, diktatorët e dikurshëm i përdornin mediat dhe gazetarët për të përhapur të vërteta të kontrolluara, ndërkaq diktatorët ‘demokratë’ i përdorin për të shpërndarë gënjeshtrat që e hutojnë popullin. Kështu nuk arrin të dallohet as spastrimi që i bëjnë vendit duke e dëbuar pjesën e popullatës që nuk u bindet atyre. Dikur diktatorët e mbulonin veten dhe e zbukuronin realitetin duke i ofruar popullit të vërteta të kontrolluara.

Diktatorët e kohës së internetit, kur nuk është e mundur të mbulosh e të fshehësh asgjë, pra hajdutokratët dhe diktatokratët tanë e mbulonin hajninë dhe sundimin e vet absolut duke e ‘bombarduar’ popullin me gënjeshtra të kontrolluara dhe me spektakle që e çonin qytetarin të jetonte në një botë të rrejshme. Populli jetonte në kohë dhe në një botë kur qëllimisht ishte shlyer kufiri mes gënjeshtrës dhe së vërtetës, kur qytetarëve u imponohen tema të trilluar dhe të rrejshme – si për shembull, mosmarrëveshjet ndërfetare dhe rreziqet nga perandoritë e vdekura – vetëm për të mbuluar problemin më madhor që kishte shqiptaria e asokohshme: keqsundimin, amoralin, grabitjen që i bëhet popullit dhe zbrazjen e trojeve shqiptare.

Dhe siç ishin katandisur punët, mund të ndodhte që Shqipëria edhe të mos kishte kënd të çonte drejt caqeve që synonte, si për shembull në BE, sepse thuajse e tërë rinia e saj ishte degdisur nëpër shtetet e Evropës pa kufij. Gjë që u shkonte për shtat ‘diktatorëve’ demokratikë të cilët ndërtonin shtete vetëm për përkrahësit e tyre, e që dëshmohej shumë lehtë vetëm nëse i shikoje gjërat nëpërmjet këndvështrimit se si silleshin partitë politike lidhur me ecjen e Shqipërisë drejt BE–së: ato nuk e donin anëtarësimin e vendit nëse nuk ishin pushtetmbajtëse dhe drejtuese të këtij procesi. Andaj ndodhte që partia në pushtet ta ‘dojë’ anëtarësimin e vendit në BE, e ato në opozitë të bënin çmos që ta pengojnë një gjë të tillë, deri në ardhjen e tyre në qeveri, duke shpalosur fytyrën e vërtetë të drejtuesve të tyre: më shumë sesa fati i shtetit, u intereson karriera e tyre vetjake politike, si dhe ai i partive që drejtonin.

Sidoqoftë, Shqipëria ishte, mbeti dhe do të mbetet mëmëdheu që i identifikon dhe i përfaqëson të gjithë shqiptarët. Si ta kesh nënën pjatalarëse në ndonjë restorant apo profesoreshë të ndonjë universiteti, ajo mbetet nëna jote me të cilën mburresh dhe ti je pjellë e saj. Sa më përket mua, kurrë nuk jam ngarkuar as me përgjegjësi kolektive, as me vlera grupore, por me atë sa mund unë të kontribuoj që portreti grupor i popullit tim të jetë sa më i bukur e sa më dinjitoz. Kuptohet nuk është njësoj nëse në letërnjoftimin tënd etnik është shënuar si mëmëdhe një Shqipëri e etabluar si shtet dhe ku kultivohen e mbrohen vlerat e shqiptarisë, apo një Shqipëri si ajo ku pasqyrohej thuajse çdo gjë vetëshkatërruese që ka çdo popull por jo edhe çdo shtet: të mos mund të gjesh burrështetas i cili nëse jo ai vetë, atëherë ndonjë familjar i tij është kriminel i dorës së parë. Pastaj, nuk është njësoj nëse mëmëdheu yt identifikohet nëpërmjet vlerave që të bëjnë të ndjehesh krenar, apo nëpërmjet vrasësve me pagesë që i gjen më lehtë se sa një shkrimtarë të rinj. Por siç u tha, nëna është nënë dhe nga ajo mund të distancohet vetëm fëmija i përdalë dhe që nuk e ka kuptuar se po të mos ishte ajo, ai nuk do kishte emër e le më shumëçka tjetër që e bën të mburret edhe me këtë shqiptari të këtillë siç është.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit