11.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Tirania moderne e intimitetit publik – Redi Shehu

Më të lexuarat

Tirania moderne e intimitetit publik
Redi Shehu

Sot, si kurrë më parë, duket se nuk ka rrugë tjetër për të shkuar tek intimja përveçse përmes publikes. Aq shumë është transformuar privatja, intimja e qenies njerëzore, sa turpi si ndjejë e fajit ndaj parimeve absolute, duket se tashmë është asgjësuar. Sot, me sa duket njerëzve u vjen turp nëse jeta e tyre private nuk është e ekspozuar diku dhe duhet të ndjehen krenarë që thellësitë më të mëdha të privatësisë janë bërë sot fytyra e dukshme e shoqërisë sonë e cila i shpalli luftë meditimit, asgjësoi fajin dhe shkatërroi ndjenjën e turpit. Ky udhëtim i njeriut të sotëm brenda një gjeografie të çuditshme, nga cepi më ekstrem i intimes drejt majave më të dukshme të publikes, u bë falë mjetit më të shpejtë dhe më të sofistikuar të mundshëm, atij të industrisë mediatike. Kjo e fundit i garantoi çdo gjëje personale dhe të përveçme, mundësinë e pushtimit pa mëshirë dhe pa filtër të diskursit publik, e cila i bën të gjithë ta gjejnë veten brenda një presioni kulturor që kthehet në kulturë hegjemoniste, uniforme e që përjashton çdo formë tjetër të shfaqjes publike.

Shpesh, shumë kategori njerëzish mendojnë se të bëhesh skllav i këtij presioni kulturor është një zgjidhje e cila lehtëson përditshmërinë tënde dhe të bën të admirueshëm në raport me të tjerët. Por kjo, në fakt, nuk është e vërtetë. Ata vetëm sa kanë filluar procesin e dhimbshëm të transformimit psikologjik nga një individualitet me vlerë, në një njësi pa iniciativë, që ngadalë fillon procesin e vrasjes së unikes brenda vetes. Kjo, sipas një agjende prodhuese modelesh te reja për një dukje kolektive, për një publike që i përgjigjet asaj që të tjerët duan të jemi dhe jo ashtu siç jemi në të vërtetë. Me qëllimin e të ashtuquajturit “emancipim”, i cili suksesin më të madh në këto dekada, ka krijimin e një armate skllevërish konsumatorë, të gatshëm të çkodojnë çdo gjë private në favor të një normaliteti të ri, të një normaliteti tashmë vetëm publik.
“Pubtimiteti”, tirania moderne e intimitetit

Pengesa për të hyrë në privatësinë e tjetrit përbën edhe rregullin e artë të lirisë, shëndetshmërinë e vetë kësaj lirie. Në momentin kur ndërhyhet dhe çirret perdja e privatësisë së tjetrit si individ, atëherë fillojnë edhe implikimet e para me deformimin e hapësirës publike dhe lirisë si shprehje e kësaj hapësire, me kufirin apo vijën ndarëse të atij konsensusi të madh kufizimesh që quhet sferë publike. Është pikërisht ky konsensus, i cili me shpejtësi po shpërbëhet drejt humbjes së sensualitetit dhe sentimentalizmit. Sot njeriu modern duket se është divorcuar njëherë e mirë nga transcendentja, shkëputja e tij nga natyra e ka artificializuar atë drejt mekanikës së mendimit dhe veprimit, një njeri-objekt qëllimi i të cilit është vetëm të argëtojë dhe të argëtohet.

Duke qenë kështu, atëherë edhe intimja e tij është vënë totalisht në funksion të publikes. Për më tepër, akoma më keq, ajo (intimja) përcaktohet tashmë nga publikja e tij. Kështu, gjendja e dualitetit, që një njeri natyrshëm ka, mes sferës private dhe asaj publike, shkrihet në një gjendje të njësuar ku dominon publikja e cila i jep ngjyrë dhe të vetmin kuptim ekzistencës. Tashmë, nuk ka intimitete të individualizuara, por ka një publike të madhe intime të cilën Samuel Mateus e quante “shoqëria intime moderne”. Jo vetëm, kaq por kjo shoqëri ka tashmë një dhe vetëm një model të saj të intimitetit, “intimitetin publik”, të cilin e dikton me forcë me të gjitha mekanizmat politikë dhe mediatikë drejt instalimit me sukses të tiranisë moderne të intimitetit. Një tirani e cila në thelb ka vetëpëlqimin dhe narcizmin, intimitetin narcizist si arsye dominuese e jetës publike.
Prishja e kufijve të publikes dhe privates përshkruhet qartësisht nga Habermas në librin e tij “Transformimi strukturor i sferës publike”, i cili thoshte se mjegullimi i kufijve mes sferës publike dhe private po realizohet duke sjellë në publik çështje të brendshme familjare apo intime dhe nga krahu tjetër, çështjet publike po bëhen gjithmonë me tepër esencë e privates. Ndërsa “intimiteti publik”, me gjithë arrogancën e tij, jo vetëm që e shfaq akoma më qartë këtë mjegullim të sferave private dhe publike që Habermas përmend, por i bën ato edhe më konfuze edhe më të ndërvarura ndaj njëra-tjetrës, deri në atë pikë sa të ndara ato nuk do të kishin më kuptim. Sot, sfera publike është njësuar me sferën mediatike. Kjo e fundit ka marrë rolin e së parës dhe jo vetëm e mbyt, por edhe e zotëron të gjithë hapësirën publike duke u transformuar në një soj privatizuesi të saj në emër të një grupi të vogël i cili kërkon t’u imponohet të tjerëve përmes tiranisë moderne të intimitetit.

Sot publikja po u imponohet njerëzve në atë shkallë – përmes mekanizmave të rrjeteve dhe qindra formave të tjera të ndërlidhjes – sa i detyron ata të tregojnë edhe ndjenjat me të fshehta, edhe mendimet më të thella, edhe sjelljet më private. Kjo e zhbën kuptimin mbi vetë intimen dhe sekretin si thelb i saj, jo vetëm kaq, por edhe forcërisht u imponohet individëve me një kuptim të ri të intimes larg konceptit tradicional dhe shekullor. Njeriu, tashmë duhet të shpërfaqet me të gjithë aureolën private të tij, pa sekrete, pa intimitete, me lakuriqësi, pa ndjesi të fshehta. Në fund të fundit, ai duhet të kthehet në një send, ai duhet të gëzojë veti të ekspozueshme, bash tamam si sendet të cilat nuk kanë asgjë për të fshehur. Ai duhet të divorcohet nga qenia e tij si një njësi shpirtërore dhe emocionale drejt shndërrimit në një konsumues të hapësirës që Mateus e quante “Pubtimitet”, ku publikja dhe intimja shkrihen në një njësi, pa kufij, pa ndjenja dhe pa turp.

Ky njeri-objekt e ka të pamundur të ketë një intimitet të tijin tashmë, që në momentin që ka ndalur së ekzistuari si qenie me intimitet dhe ka humbur ndjeshmërinë e privatësisë.

Duke u transformuar në një intimitet publik, pra në “pubtimitet”, ai e ka bërë të pashmangshëm mediatizimin e tij, ngase intimiteti është i tillë vetëm kur ai bashkëjeton me sekreten e tij, ndërsa kthehet në të kundërt vetëm kur fiton veti ekspozuese dhe mediatike. Në më të shumtën e rasteve, shfaqjet argëtuese televizive si dhe reality-show-t kanë në thelb pikërisht këtë proces, manifestimin publik të përvojave, ndjenjave, anktheve, dashurive, urrejtjeve, si dhe qindra mirkroproceseve ndijore të intimes së individit, por tashmë të kthyera në çështje diskutimi për të gjithë shoqërinë.
Modelimi i konceptit për intimen dhe intimitetin si pasojë e shembjes së kufijve të së ndaluarës, ka modeluar në të njëjtën kohë edhe sjelljen tonë kolektive. Tashmë, ajo çka ishte konsideruar intime në një kontekst kohor të shkuar, sot konsiderohet si publike me akses të bollshëm. Sot, ndodhesh në të gjitha ambientet publike dhe kudo përballesh me imponimin e intimes së tjetrit ndaj teje, të publikimit të dhunshëm të aseteve individuale trupore në një garë hiresh e vithesh e cila ka marrë qytetarinë në formë prepotente pikërisht nga paaftësia për të reaguar ndaj shtrembërimit intensiv të konceptit tonë për të moralshmen.

Tjetërsimi moral nga intimiteti publik
I gjithë festivali i narcizmit që merr udhë që nga Instagram-i e mbaron në trotuar, ushtrohet me një pasion e përkujdesje deri në fiksim për të përfunduar me një pyetje pa përgjigje si pasojë e një procesi të çuditshëm të intimitetit me të ndaluarën e tjetrit. Vërtet kjo situatë, ku ti je i pranishëm në çdo fragment të jetës publike me privatësinë e shpërfaqur të të tjerëve në formën e ekspozimit të zonave epshndjellëse, e bën të ndaluarën si teori që të zhvlerësohet në praktikë në formën më rutinore të mundshme. Kjo hallakatje e caqeve që ndajnë zonat e privatësisë së ndërsjellë, kjo shprishje e kufijve të së ndaluarës e afron perceptimin e individit drejt një bote pa limite e cila është aq shumë afër me atë të kafshëve, saqë ndryshimi shpesh qëndron vetëm në mënyrën e artikulimit. Por, kur ky deformim kufijsh kthehet në temën kryesore të publikes, aq më tepër në eksperiment social, atëherë, si produkt të vetëm të saj i ngelet të promovojë thashethemnajën, lakuriqësinë, konfliktin, intrigën, tradhtinë, në një premisë të fortë për t’u shndërruar në standarde të jetës publike, një karnaval psikotik dhe neurotik.

Edhe pse në intimitetin tonë publik i ngjajmë më shumë sendeve dhe objekteve, përsëri njerëzorja, e cila na dallon me çdo qenie apo ekzistencë tjetër, duam apo nuk duam ne, ka në bazë intelektin dhe aftësinë tonë për të bërë përzgjedhje morale. Pikërisht, sepse janë ligjet morale, ato absolute, të cilat mund të maksimalizojnë lumturinë tek njerëzit. Çdo qasje relative mbi moralin mund të jetë e rehatshme për egon tonë, por nuk garanton stabilitet. Mundet të na gënjejë mendja se ndjenjat tona janë standarde nga të cilat ne mund të arsyetojmë mbi moralin, por ama në të vërtetë, gjatë gjithë historisë njerëzore e deri me sot, në fund të fundit, ka qenë morali universal ai që ka arsyetuar dhe gjykuar mbi ndjenjat. Sado që të kemi rrëshqitur, ne përsëri kemi një konsensus universal mbi të keqen, krimin, fajin, gabimin, të mirën, virtytin dhe të gjitha nëndegët e saj. Edhe pse sulmet relativiste morale janë përpjekur t’i shembin këto kuptime globalisht të përbashkëta mbi të mirën dhe të keqen, përsëri ato janë dhe do të jenë dëshmi e ekzistencës së moralit universal i cili gjallon brenda nesh si një software i lindur bashkë me ne.

Shoqërisë së sotme të tiranisë së intimitetit publik nuk ka se çfarë i duhet morali universal, sepse ai të çon te turpi dhe faji. Nëse ka një armë me të cilën intimiteti i qenies njerëzore mbijeton, është ndjenja e fajit për veprime të turpshme. Atëherë ta sulmojmë me çdo mjet, me çdo medie, sepse nuk ka se ç’na duhet individi i cili nuk pranon të kthehet në skllav të kapriçove të tij. Atij i duhet tjetërsuar kuptimi që ka mbi të moralshmen, mbi kufijtë, mbi atë se nuk duhet të ketë vetëm një të vërtetë të vetme etike dhe estetike për shoqërinë ku jeton, ai duhet mbajtur i ngecur brenda një rrjete plurale të vërtetash të pafundme të cilat lejojnë që intimiteti i tij personal të triumfojë ndaj çdo gjëje tjetër. Ky tjetërsim kthehet në manifestin me të cilin tirania moderne e intimitetit, kërkon ta legjitimojë veten.

Reality-show si adhurim i tjetërsimit

Mekanizmi më intensiv i intimitetit publik, si dhe shndërrimit të tij në tirani, janë reality-show-t që shfaqen në pothuajse të gjitha ekranet e globit. Një globalizim i humbjes së ndjenjës së turpit, i tjetërsimit dhe pastaj i shndërrimit të këtij tjetërsimi në një proces adhurimi nga miliona “skllevër” të pandemisë triumfuese të kapriçove individuale. Reality-show dhe show-bize të tjerë vijnë si mekanizma që rrafshojnë të vërtetën universale të shoqërisë dhe që ndërtojnë të vërtetat e individëve të caktuar, të cilët thjesht sakrifikojnë kohën dhe energjinë e shikuesve në funksion të egove personale të tyre. Jo vetëm kaq, por ato në thelb janë edhe produkte të pandershme, sepse pretendojnë të transmetojnë realitetin, kur në fakt çdo gjë aty, që nga personazhet e deri tek skenarët më periferikë, gjithçka është e parafabrikuar në funksion të mirëmbajtjes së tiranisë së intimitetit publik.
Gazeta britanike “Daily Mail” i është qasur problemeve sociale që ka shkaktuar “Big Brother” në Britani, në një mënyrë interesante. Ajo dërgon një gazetare të sajën në formë investigative, fshehtas e pa deklaruar, që të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për t’u bërë pjesëtarë të këtij reality-show në Britani. Qëllimi ishte, ashtu siç gazetarja britanike shprehej, “të shikonim qartësisht se si njerëz disfunksionalë zgjidheshin për argëtim të publikut”. Pra, tipa gladiatorësh modernë të cilët nuk luanin me forcën dhe teknikën luftarake, por me organizmin e luftimeve neurotike mes garuesve, me audienca në Colosseum-e elektronike të cilat do të duhej të poziciononin gishtin e madh sipër apo poshtë, në varësi të ekzekutimit mediatik të humbësit. Gazetarja britanike tregon se i është dashur të hiqej si beqare, e papunë, me neuroza dhe si e paaftë të krijonte marrëdhënie të shëndetshme me një burrë, tip snobeje e paedukatë.

Më tej, ajo vazhdon, “na grumbulluan në grupe prej 10 kandidatësh të cilët merreshin në pyetje nga “ekspertë” të Big Brother, të cilët na renditën bazuar nga shkalla e joshjes që ne rrezatonim, dhe unë u rendita e fundit si më pak tërheqëse”. Pastaj atyre, sipas gazetares, u ishte thënë që të ulërinin dhe shanin fraza apo shprehje, për këtë arsye asaj i ishte dashur të paraqitej si një grua nevrike. Gazetarja pohon se për t’u bërë pjesë e “Big Brother” në Britani, kandidati/ja duhej të plotësonte një formular në të cilin ishin rreshtuar pyetjet të cilat grisnin përfundimisht perden e privatësisë së kandidatit. Pyetjet ishin të tipit :”Sa vjeçe keni humbur virgjërinë tuaj? Cila ka qenë eksperienca më e paharruar seksuale e juaja? Sa partnerë keni ndërruar ? A do të flije me dikë për para? A keni pozuar ndonjëherë nudo? Kështu gazetares iu desh të përdorte një kombinacion mes të vërtetash dhe gënjeshtrash për ta plotësuar atë. Në fund, pasi firmosej formulari, shkruhej se kandidatja i jepte “Big Brother” të drejtat për të përdorur të gjitha informacionet private për qëllimet e programit. Producentët e reality-show-t mund t’i përdornin këto informacione në website, për qëllime promocionale etj. Pra, me pak fjalë, donin të dinin sa i gatshëm ishte kandidati për të qenë mjaftueshmërisht i çmendur.

Ka një lidhje krejt të ngushtë sot mes intimitetit dhe spektaklit. Të dy janë faktorë kryesorë të cilët mbajnë në këmbë tiraninë moderne të intimitetit publik. Ata janë të ndërvarur me njëri-tjetrin, intimitetit i duhet spektakli për t’u ekspozuar në formën e argëtimit dhe spektaklit i duhet intimiteti për të joshur vëmendje. E gjitha kjo në një kohë sot kur ekonomia nuk është asgjë para ekonomisë së vëmendjes globale. Prandaj, duhet diktatura e spektaklit sepse ajo të furnizon me mekanizma të paimagjinueshëm në thithjen e vëmendjeve të hallakatura të audiencave.

Ndërsa intimiteti publik e tjetërson moralin, spektakli me të gjithë aureolën e tij mashtruese, vezulluese, qëllim të vetin ka ta kthejë këtë tjetërsim në një procesion adhurues “debordian”, për t’u ndjekur nga miliona “skllevër”, në mënyrë që këta të fundit me ndërgjegje të tjetërsuar të mund të kthehen në përhapësit më të mëdhenj të këtij transformimi. Problemi i tjetërsimit moral, si shkallë e parë, është shqetësues në vetvete, por nuk është asgjë në raport me kthimin e këtij tjetërsimi në qëllim që duhet ndjekur me çdo kusht. Për çfarë? Për t’u tjetërsuar në një gjendje të pashpjegueshme e cila, në fund të fundit, mund të prodhojë famë dhe para, por që nuk i shpëton boshllëkut dhe pakuptimësisë së saj. Teksa në fund të spektaklit njerëzit kthehen më konfuzë dhe më të destabilizuar së brendshmi, të gatshëm për të bërë ekzaktësisht të njëjtin gabim.

Si çdo tirani, e cila mbyt lirinë e të kuptuarit të përbashkët dhe forcërisht orienton drejt një mënyre të vetme të të bërit të gjërave, edhe tirania e intimitetit publik forcërisht e orienton individin drejt transformimit të tij nga qenie me ndjenja dhe turp në objekt pa privatësi dhe intimitet. Si çdo tirani e cila ka nevojë për rezistencë, edhe tirania e intimitetit publik ka nevojë për rezistencën e moralit tonë të përbashkët, të atij universalit, i cili na dallon nga qeniet e tjera inferiore dhe e rehaton njeriun drejt natyrshmërisë së vet. Vrasja e kësaj natyrshmërie, nga kjo tirani, na ka zhvendosur të gjithëve nga normaliteti, na ka destabilizuar së brendshmi dhe na ka sforcuar drejt së panatyrshmes tonë. Rezistenca jonë nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht një akt abstenimi. Ajo duhet të jetë një qasje aktive ndaj kthimit tonë në të natyrshmen, e cila përmblidhet në restaurimin e vlerave dhe moraleve të përbashkëta.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit