3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bashkëshorti i merr paratë pa pajtimin e saj?

Më të lexuarat

Pyetja:
Selam alejkum!
Ju lutem për mendimin tuaj, këshillë, sugjerim në lidhje me një çështje mjaft diskutabile, njëkohësisht subtile.
Të dy bashkëshortet janë të shkolluar dhe duke punuar, mirëpo gruaja nuk posedon kartelën e saj të rrogës. Këtu duhet cekur se i është marrë në mënyrë indirekte nga ana e burrit dhe ajo përfundon në dorën e tij, d.m.th. pa pajtimin, pa pëlqimin paraprak të gruas dhe në fakt ai i posedon të hollat.
Gruaja është e vetëdijshme se duhet të investohen në shtëpi, mirëpo siç e dimë ajo duhet të bëhet me planifikim mes të dyve, për shkak se gruaja i di më së miri nevojat e saj personale, po ashtu edhe të foshnjës. Nga ana tjetër, bashkëshorti konsultimet rreth gjërave materiale i bën me nënën e tij, gruan as që e përfshin.
Si mendoni, si të veprohet në këtë rast, bashkëjetesa i është shumë e rëndë duke pasur parasysh këto gjëra?!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ndër objektivat më kryesorë të martesës është bashkëjetesa, shoqëria e miqësia e ngushtë mes bashkëshortëve. Dëgjo çfarë thotë Allahu i Plotfuqishëm rreth raportit mes burrit e gruas. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ato (gratë) janë petku i juaj, e ju (burrat) jeni petku i tyre.” (Bekare, 187)

“Ai (Allahu) është Ai që ju krijoi prej një njeriu, e prej tij krijoi palën e tij (femrën) për t’u qetësuar pranë saj.“ (Araf, 189)

“Dhe njëri prej argumenteve të Tij, është që prej jush janë krijuar femrat, që të qetësoheni pranë tyre dhe që në mes jush të lindë (vendoset) dashuria dhe mëshira.” (Rum, 21)

Këto ajete mjaft qartë vënë në pah se si duhet të vështrohet martesa nga ana e partnerëve, prandaj, motër e nderuar, fillimisht ju këshillojmë që disa sjellje jo të matura, kalimtare dhe të padrejta nga ana e burrit tuaj, mos të shkaktojnë rrënimin e synimit esencial të martesës dhe bashkimin tuaj.

Në Islam janë të detajuara mjaft qartë obligimet dhe të drejtat ligjore të burrit, respektivisht të gruas, prandaj për çdo paqartësi apo edhe mospajtim duhet t’i kthehemi këtyre obligimeve dhe të drejtave. Ne mendojmë, edhe pse nuk mund ta kuptojmë qartë nga letra, se burri juaj nuk është shpërfillës i dispozitave islame, prandaj mundohuni me anë të dialogut që t’i sqaroni këto gjëra dhe ai të kuptojë të drejtat dhe obligimet e tij.

Përkujdesja dhe blerja e nevojave esenciale për shtëpi është obligim i burrit dhe nga ju, absolutisht nuk është e kërkuar të punoni, por nëse dëshironi t’i ndihmoni burrit dhe ai pajtohet me këtë, atëherë kjo duhet të ndodhë me marrëveshje dhe mirëkuptim të ndërsjellë e jo që ai të mbizotërojë plotësisht në të gjitha të ardhurat e tua.

Sido që të jetë, nuk do ta zgjasim më tepër, por ju këshillojmë të komunikoni me burrin tuaj dhe t`ia sqaroni kërkesat dhe nevojat tuaja dhe mendojmë se nëse ju e kërkoni kohën e përshtatshme dhe mundoheni të zgjidhni metodën e qëlluar, do të hasni në mirëkuptim dhe ai do të kthehet nga hapi që ka ndërmarrë, mbase ndoshta mund të jetë edhe ndonjë sjellje e juaja që e bëri atë të sillet padrejtësisht me ju. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sukses të gjeni mirëkuptim nga burri juaj dhe t’ju japë jetë të lumtur se bashku në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

 

Alaudin Abazi

The post Bashkëshorti i merr paratë pa pajtimin e saj? appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit