2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A mund t’i jepet shpagimi atyre që nuk agjërojnë?

Më të lexuarat

Përgjigje: Fillimisht duhet të kuptojmë se fukahatë (juristët islamë) nuk janë të një mendimi për kategoritë e dhënies së kefares (shpagimit) në duhet të jetë musliman apo edhe ithtar i Librit (i krishterë ose jehud).

Imam Ibn Kudama në librin e tij të njohur el-Mugni (9/539) përmend se shumica e dijetarëve, prej tyre medh’hebi Maliki, Shafi dhe Hanbeli, thonë se kefaretet (shpagimet) u jepen vetëm muslimanëve. Imam Maliku, siç përcillet prej tij se ka thënë: “Nuk lejohet të ushqehet nga shpagimi vetëm se ai që është musliman, i lirë (jo skllav) dhe i varfër.” (et-Taxhu uel-Iklil 5/450). Kurse imam Shafiu në librin e tij el-Umm (7/68) ka thënë: “Nuk lejohet të ushqehet nga shpagimi vetëm se ai që është musliman dhe nevojtar.”

Ndërsa dijetarët e medh’hebit Hanefi mendojnë se kefaretet (shpagimet) mund t’ju jepen edhe fukarenjve jomuslimanë që jetojnë nën juridiksionin e shtetit Islam. Dhe kjo vlen edhe për shpagimet e ndryshme si për zotimet, betimet etj., por jo për zekatin. (el-Mebsut 7/18. Tuhfetul-Fukaha 1/303).

Shumica e dijetarëve marrin si argument analogjinë (kijasin) me zekatin, që u jepet vetëm muslimanëve (siç mendojnë dhe hanefitë), dhe nuk mund të jetë ndryshe edhe për llojet e tjera të lëmoshave si shpagimet për betimet dhe zotimet…etj.

Pra ka prej dijetarëve që mendojnë se mund t’ju jepet shpagimi edhe jomyslimanëve, të cilët dihet se nuk agjërojnë.

Ndërkohë edhe dijetarët që mendojnë se shpagimet u jepen vetëm muslimanëve kanë kushtëzuar që ata të jenë muslimanë dhe nevojtarë, pa kushtëzuar që të jenë vetëm agjëruesit. Nevojtarët mund të jenë fëmijë, femrat me menstruacione, lehoni, apo shtatzëna, gjidhënëse dhe njerëz të sëmurë ose pleq. Ose mund të jenë muslimanë të rinj që besojnë, por akoma nuk kanë nisur të agjërojnë rregullisht, ose janë të paditur që duhen mësuar apo të shkujdesur që duhen kthjelluar, e rëndësishme është që ai duhet të jetë musliman. Gjithsesi nuk bën t’i jepet shpagimi atij personi që e di mirë çfarë është agjërimi dhe nuk ka arsye për të mos agjëruar dhe me ushqimet që i jepen ai do t’i përdorë për të prishur atë ditë agjërimi. Pra shpagimi duhet t’ju jepet kryesisht nevojtarëve myslimanë, siç e përmendëm më lart.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit