Dijetari i njohur Ibn Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, është pyetur për agjërimin në ditën e shtunë dhe kjo është përgjigja e tij:
Dije se agjërimi i ditës së shtunë mund të ndodh në më shumë se një situatë
Situata e parë: Kur dikush agjëron agjërim që është farz sikur, agjërimi i Ramazanit. Në këtë rast agjërimi të shtunën është i lejuar pa asnjë mospajtim. Nëse agjëron për të kompensuar ditë që nuk i ka agjëruar (kada), ose për tu shpaguar për ndonjë kundërvajtje (kefaret), ose për të zëvendësuar therjen e kurbanit për ata që bëjnë Haxhxh Temettu’ nuk ka gjë nëse agjëron të shtunën nëse nuk e bën atë duke besuar se ajo ditë ka ndonjë vlerë të veçantë.
Situata e dytë: Nëse agjëron të premten agjërimi të shtunën nuk është i ndaluar. I dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, e ka pyetur Xhuvejrijën, radijallahu anha, e cila agjëronte të premten, a ke agjëruar dje tha: Jo, a do të agjërosh nesër (d.m.th. të shtunën)? Tha: Jo. Atëherë ndërprite agjërimin.” (Buhariu) Pyetja a do të agjërosh nesër është argument se lejohet të agjërohet të shtunën nëse agjërohet të premten.
Situata e tretë: nëse në ditën e shtunë bie ndonjë ditë, agjërimi i të cilës është i ligjësuar, i lavdëruar dhe preferuar, si për shembull ditët e bardha, dita e Arefatit (dita e nëntë e muajit Dhul Hixhxhe), gjashtë ditët e Shevalit, atëherë agjërimi lejohet sepse është agjërim i preferuar fetarisht e jo agjërim vetëm sepse është dita e shtunë.
Situata e katërt: Kur në ditën e shtunë bie dita të cilën si zakonisht e ka agjëruar dikush, sikur ai që e agjëron agjërimin e Davudit, alejhi selam. Në këtë rast agjërimi lejohet sepse i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, në një hadith ndalon të agjërohet një ose dy ditë para Ramazanit, përveç nëse rastis ndonjë agjërim që si zakonisht e ka agjëruar. (Buhariu dhe Muslimi)
Situata e pestë: Që qëllimisht të vendos të agjërojë agjërim vullnetar ditën e shtunë dhe e veçon atë ditë me agjërim. Në këtë rast agjërimi nuk lejohet dhe duhet të ndërpritet.