Pyetja:
A është sipas sunetit profetik t’i shtojmë lutjet në ditën e xhuma?
***
Përgjigjja:
Ebu Musa el-Esh’ari (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thoshte lidhur me çastin e xhumasë: “Ky është mes kohës kur imami ulet deri në kohën kur përfundon namazi (i xhumasë).” [1]
Hadithi na tregon se ka një çast në ditën e xhumasë, në të cilin duatë tona marrin përgjigje. Këtë çast hadithi e vendos brenda kornizës kohore të namazit të xhumasë. Ka dhe të tjera hadithe të cilat e vendosin këtë çast në të tjera kohë në xhuma. Më e sigurta nga këto është ajo, që Xhabir përcjell nga Pejgamberi ﷺ: “E xhumaja përbëhet nga dymbëdhjetë orë. Në mesin e tyre gjendet një çast në të cilin, ai që e lut Allahun për diçka, do të marrë përgjigje. Kërkojeni këtë çast në orën e fundit (të xhumasë) pas ikindisë.” [2]
Një hadith i ngjashëm u përcoll nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku Pejgamberi ﷺ thotë: “Kërkoni çastin e xhumasë pas ikindisë deri në perëndim të diellit.” [3]
Imam Tirmidhiu teksa e komenton thotë: “Ky hadith, me këtë transmetim, është i çuditshëm, ndonëse transmetohet nga Enesi edhe me rrugë të tjera. Një nga transmetuesit është Muhamed bin ebi Humejd, i cili është i dobët. Thuhet se ai është Ebu Ibrahim el-Ensari, hadithet e të cilit janë të pavërteta. Disa njerëz të dijes ndër sahabët dhe të tjerët konsiderojnë se ky çast gjendet mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Ky, po ashtu, është mendimi i imam Ahmedit dhe Is’hak Ibn Rahojes. Imam Ahmedi ka thënë: ‘Shumica e haditheve lidhur me çastin e përgjigjes në duatë tona e vendosin këtë çast pas ikindisë…”
Ky është mendimi që parapëlqehet nga imam Ahmedi dhe nga shumë të tjerë. Ata konsideruan se koha mes ikindisë dhe akshamit është një periudhë më e gjerë kohore, në të cilën ne duhet ta kërkojmë çastin e veçantë duke iu lutur Allahut.
Neveviu, në komentin që i bën Sahih Muslim-it (6/140-141), mbështet mendimin e shprehur nga hadithi i parë, që përcillet nga Ebu Musa el-Esh’ari, ku thuhet se ky çast ndodh gjatë namazit të xhumasë. Ai e bën këtë për faktin se, hadithi i cili vërteton këtë, e ka zinxhirin më të fortë të transmetimit. Ai citon Muslimin të thotë për këtë hadith: “Ky është më i miri dhe më i sakti
nga të gjitha hadithet që diskutojnë çastin e parapëlqyer në ditën e xhumasë”.
Të tjerë dijetarë konsiderojnë se s’ka kundërshtime mes këtyre dy haditheve. Ata mendojnë se ky çast i duave në ditën e xhumasë gjendet në të dyja këto periudha kohore.
Ibn Kajjim në Zad el-Mead (1/394) shkruan: “Të gjitha hadithet pajtohen rreth kësaj dhe Pejgamberi ﷺ inkurajonte njerëzit të bënin dua dhe t’i kërkonin Allahut brenda këtyre dy çasteve.”
Ky, po ashtu, është mendimi i AbdulAziz Ibn Baz, siç qëndron në librin e tij Mexhmu el-Fetawa wel-Resail (12/401-402).
Vlen të përmendet se koha në të cilën pritet të pranohen duatë nuk është i tërë intervali i përmendur në këto hadithe, por një periudhë më e shkurtër kohore brenda kësaj periudhe më të madhe kohore. Kjo pikë është shqyrtuar nga el-Kadi Ijad dhe u theksua nga Neveviu në Sherh Sahih Muslim (6/140). Kjo mbështetet nga hadithi në të cilin Pejgamberi ﷺ bën gjest me dorën e vet për të treguar një periudhë më të shkurtër kohore për këtë çast. [5]
Prandaj, ky çast s’mund të përcaktohet me pesëdhjetë minuta apo me ndonjë periudhë më të shkurtër; ky çast duhet të kërkohet brenda tërë intervalit kohor të përmendur nga Pejgamberi ﷺ. Kjo është njësoj siç jemi këshilluar lidhur me kërkimin e Lejletul-Kadrit në ramazan, që kërkohet brenda dhjetë ditëve të fundit të ramazanit. Personi duhet të këmbëngulë dhe të shpresojë që duaja e tij do të përputhet me këtë çast të veçantë në të cilin Allahu u përgjigjet të gjitha duave.
Neveviu teksa i referohet kësaj, thotë: “Çasti mund të mbartet. Në disa xhuma mund të jetë në një kohë, në Xhuma të tjera në kohë tjetër. Kjo është pikërisht si mendimi më i fortë lidhur me Lejletul-Kadrin.” [6]
Allahu e di më së miri.
islamqa.info
——————————-
[1] Muslimi 853
[2] Ebu Davudi 1048, Nesaiu 1389 dhe Hakimi në Mustedrek 1032
[3] Tirmidhiu 489
[4] Tirmidhiu 2/260
[5] Sahih el-Buhari 893 dhe Sahih Muslim 852
[6] Mexhmu 4/471