5.5 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Unë vë shami, nuk jam engjëll as më e ndershme sesa ti, por e bëj për një arsye që ti që më gjykon nuk e kupton… Email-i një tjetër gruaje myslimane

Më të lexuarat

Nga Klodiana Smajlaj/

Teksa po flisja me një mikeshën time mbi temën e përfolur kohëve të fundit në rrjetet sociale, atë të mbulesës së grave muslimane, më preku pa masë komenti në të cilin thuhej:

“Ju të mbuluarat luani me kartën morale, sikur të kishit ekskluzivitetin e moralit dhe ndershmërisë, ndërkohë që rroba nuk të bën të tillë nëse nuk je. Ju i imponoheni botës me arrogancën se posedoni të vërtetën absolute.”
Nuk ia kam idenë se kush mund t’i ketë thënë këto fjalë, por kuptohet qartë se është deformuar imazhi mbi vajzat me mbulesë. Në vijim dua t’i rrëfej asaj e çdokujt tjetër që mendon ngjashëm me të, me fjalë zemre e përjetim shpirti atë që unë ndjej.

E kam vënë shaminë fiks para 16 vjetësh. Asokohe një vajzë e re, studente, nuk mund ta dija se një copë pëlhure mbi kokë do të ndillte aq shumë reagime, përçmime, provokime e agresivitet verbal ndaj mbajtëses së saj. Unë bëra zgjedhjen time, e cila nuk kishte pse t’i bënte njerëzit përreth të reagonin në forma nga më të çuditshmet. Nëse ndonjëra nga mikeshat e mia shihte si liri minifundin, unë shihja si të tillë shaminë. Ishte moshë kur unë nuk e kuptoja se ç’nënkuptonte dekani i asaj kohe kur na thoshte ne të mbuluarave: “Vetëm ecja juaj në korridoret e Fakultetit, është propagandë më vete!” Me naivitetin e atëhershëm, mendoja me vete: “Ç’kanë vallë me mua?! Unë as flas për fe e as jam shqetësim për kënd.” Me të vërtetë që s’flisja. Kujtoj se isha një studente e mirë, me ato ambiciet e mia në jetë, por që kisha këtë aksesorin shtesë, që më bënte të ndjehesha si e huaj në ato ambjente të cilave u përkisja.

Se ç’mbartte me vete copa e pëlhurës që kisha vënë mbi kokë, se ç’pengesa do të më sillte në vazhdimësi, nisa ta kuptoja vetëm kur si e sapodiplomuar, me një mesatare të mirë, njëri nga pedagogët m’u shpreh me një ton të keqardhur se nëse s’do të kisha qenë me shami, do të kisha pasur shumë shanse që në një të ardhme të bëhesha pjesë e stafit mësimdhënës. Aty kuptova se ajo copë pëlhure s’ishte thjesht një copë, por ishte shndërruar në etalon të vlerësimit tim si qenie.

Vitet kaluan dhe unë ndonëse kisha një profilizim social e gjuhë të huaja në zotërim, – elementë me të cilët mund të gjeja punë në shumë vende të favorshme, në organizma kombëtarë e ndërkombëtarë, – isha e detyruar, që pikërisht për shkak të shamisë, të punoja sa në një shoqatë në tjetrën, të gjitha ato me profil fetar. Mos më thoni se nuk e kam provuar tjetërkund! E kam provuar, e kam riprovuar, por kam gjetur fytyra e reagime aspak mikpritëse. Për pasojë, m’u prenë krahët e fillova ta bind veten se do të isha më e qetë e më e patrazuar në besimin tim larg atyre ambjenteve, ku më së paku vëreja picërrim sysh e vërenjtje fytyre, sa herë që u dilja përpara.

I tillë ishte realiteti para shumë vitesh. Sot nuk është më i tillë. Sot shoh se ka shumë njerëz që e pranojnë të ndryshmen, që e duan të bukurën, që e vlerësojnë zgjuarsinë, edhe kur ajo vjen nga një kokë e mbuluar. Për këtë lumturohem. Lumturohem për aftësinë që kanë fituar përgjatë viteve bashkëkombasit e mi për ta dashur e për ta pranuar tjetrin. Lumturohem për vajzat e reja që janë më të lira e më të pa paragjykuara për të bërë zgjedhjet e tyre sesa ç’ishim ne dikur.

Kur unë vë shaminë, s’e bëj kurrsesi për të treguar se jam më e mirë, më e ndershme e më pa vese sesa ti. Shamia ime nuk ka lidhje me ty. Shamia ime, në thelb, pavarësisht vlerave sociale që mbart, ka lidhje me Zotin. Vënia e shamisë ngjan me një akt dashurie që njeriu bën për të shtrenjtin e zemrës. Këtë akt e bën jo nga frika, jo për t’u dukur, por nga dashuria e madhe që ke për të. Kur e kryen atë veprim, nuk të intereson se mund të bëhesh qesharake në sytë e të tjerëve, nuk të intereson nëse të tjerët të thonë: “Sa e marrë është kjo!” Nuk të intereson asgjë. Të intereson vetëm vetja, i shtrenjti yt dhe marrëdhënia që ti ke me të. E tillë është edhe vënia e shamisë për mua. Është një veprim dashurie që unë bëj për të Shtrenjtin tim, që në këtë rast nuk është krijesë, por Krijues.

Kur unë e pata vënë shaminë atëherë, nuk më interesonte asgjë që më thonin të tjerët. Asnjë përqeshje, asnjë veprim, asgjë. Njësoj e ndjej edhe sot. Njësoj e besoj edhe sot. E besoj se Zoti më ka zbritur një urdhër dhe unë e ndjej se duhet të vazhdoj ta zbatoj. Fakti që unë e besoj këtë si të vërtetë, s’është as krim, as mendjengushtësi, as privim i lirisë. Të kishte qenë i tillë, unë tashmë pas 16 vjetësh, do të isha tunduar të zbulohesha. Po, po, besomë që s’do ta kisha më këtë copë pëlhure, sepse nga jeta kam marrë shumë goditje, pikërisht për shkak të saj. E nëse s’do të kishte qenë dashuria që vlon thellë brenda meje për Zotin tim, unë do të kisha hequr dorë tashmë, do të isha lodhur, do të isha dorëzuar.

Pra, ta rithem sërish nga zemra. Nuk jam një engjëll në trajtë njeriu që ecën rrugëve. Jo, jam një mëkatare si ti, një njeri që orvatet çdo ditë të mbijetojë në dallgët e jetës. Jam një njeri që bën beteja të përditshme me veten e në fund të ditës kontrollon zemrën se sa i është ndotur. Besomë, përpiqem në vazhdimësi të përmirësohem, dhe këtë s’e bëj për të të treguar se jam më superiore sesa ti. E bëj për t’u afruar më shumë me Zotin. Është po Ai Zot që më mëson të të dua ty, të të respektoj e të mos të të gjykoj për zgjedhjet e tua.

Nëse copa e pëlhurës që mbaj mbi kokë do të shihej po aq e natyrshme sa ç’shihet çdo prurje e modës në veshje, ndoshta ne të dyja do ta pranonim njëra-tjetrën natyrshëm.

Unë nuk kërkoj asgjë nga askush, asgjë përtej asaj që kam dhënë e që jap çdo ditë. E vetmja gjë që dua është që ne si qenie të gjalla me ndërgjegje, të mbuluara apo të pambuluara, të mos e humbasim dëlirësinë me të cilën kemi lindur./ Copyright Tiranapost.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit