22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Mediat sociale, rruga për te tjetri apo vetë tjetri? – Silvana Loka

Më të lexuarat

Mediat sociale, rruga për te tjetri apo vetë tjetri?

Silvana Loka

A është teknologjia e informacionit kërcënimi më i madh i kohës dhe marrëdhënieve njerëzore? A janë rrjetet sociale kurthi më i madh i iluzionit për jetë dhe përkatësi sociale? A është revolucioni kibernetik një revolucion antihuman/antisocial?
Si e mendoj unë personalisht? Unë them se në këtë formë, këto çështje janë shtruar gabim.

Teknologjia e informacionit nuk mund të kërcënojë as kohën dhe as marrëdhëniet njerëzore, për aq kohë sa të dyja këto (koha dhe marrëdhëniet) janë të ndërtuara në kokën e njeriut dhe janë në përgjegjësinë e tij për t’i menaxhuar (Të paktën teorikisht kështu duhet të ndodhë!). Koha nuk do të kishte pikën e kuptimit në rast se ne, unë edhe ti, nuk do të dinim çfarë të bënim me të. E vërtetë që askush nuk na pyeti për ndarjen e kohës në minuta, orë, ditë apo vite. Ama, nga ana tjetër, askush nuk na detyron që kohën ta përdorim (në fakt ne përdorim shumë gjëra të tjera, por kohën më së shumti e shpërdorojmë) duke e vënë veten në funksion të teknologjisë së informacionit.

Sipas studimeve të ndryshme, në ditët e sotme njerëzit e kontrollojnë telefonin e tyre celular nga 80 deri në 150 herë brenda ditës. Në total kjo shkon në rreth 90 minuta në ditë, rreth 23 ditë në vit dhe rreth 4 vjet nga jeta e një njeriu me jetëgjatësi mesatare (nëse ndërkohë nuk është përplasur nga ndonjë makinë ndërkohë që kontrollon celularin pa parë as semafor, as vija të bardha!). Këto shifra i japin të drejtë kujtdo që vlerëson se njeriu i ditëve të sotme harxhon gjithnjë e më shumë kohë i lidhur pas teknologjisë sesa pas vetes apo frymorëve të tjerë. Nëse skulpturat e Mikelanxhelos do të datonin në ditët e sotme, pa asnjë dyshim në dorën e skulpturave (sidomos të adoleshentëve, VIP-ave, blogerëve, politikanëve, fashionistëve, etj, etj, etj) do të kishte pesë gishta dhe një celular si zgjatim i tyre.

E vërtetë pra, ne kalojmë shumë kohë, çdo ditë e më shumë, duke përdorur Teknologjinë e Informacionit. Pyetja ime është: Çfarë do të mund të bënim tjetër ndërkohë? Se koha është një koncept që merr kuptim vetëm kur konsumohet.Dhe ndërkohë që ne të kemi një përgjigje për këtë pyetje, celulari, kompiuteri, tableti, etj, do të na ofrojnë një terren pjellor dhe të larmishëm për të mbushur kohën, për të shtyrë kohën, për të vrarë kohën.

Sa herë që ne bëjmë një aktivitet që na pëlqen, truri ynë siguron që trupi të pompohet nga dopamina, një hormon i cili na jep ndjenjën e vet-kënaqësisë dhe vet-përmbushjes. Tani më thoni ju lutem, cili nuk do të rikthehej vazhdimisht e vazhdimisht tek celulari, rrjetet sociale, interneti, nëse aty do të zhvillohej një aktivitet që na ofron kënaqësi? Dhe në këtë pikë, ne do të ishim të gatshëm të harxhonim maksimumin e kohës në dispozicion (njoh njerëz që do të ishin të gatshëm të merrnin edhe kohë borxh, me qera, me kredi) për t’u ndjerë mirë edhe një herë, edhe një herë, edhe nje herë.

Ashtu sikurse thashë në fillim, unë besoj se të fajësosh teknologjinë e Informacionit, rrjetet sociale dhe zhvillimin kibernetik për konsumimin pa kriter të kohës përballë tyre, është një çështje e shtruar gabim. Mos ndoshta do të duhet më mirë të pyesim veten përse njerëzit janë gjithnjë e më shumë ta gatshëm të kalojnë kohë pa kriter në këto kanale komunikimi?

Çfarë i bën njerëzit të ndjehen të kënaqur dhe të vet-realizuar në këto komunikime kibernetike? A është koha e shpenzuar në këto rrjete një kohë e shpenzuar për të krijuar marrëdhënie sociale (ashtu sikurse evokon edhe vetë emërtesa “rrjet social”), me tjetrin, i cili në jetën reale ka një emër, fytyrë dhe domethënie për ne? Cili është tjetri që na bën të lumtur dhe na tërheq vazhdimisht të vendosemi përballë ekranit? Apo është kjo një kohë ku tjetri me të cilin pretendohet të komunikohet është zëvendësuar me dhe të përkthyera keq), me pëlqimet dhe komentet (edhe për njerëz dhe çështje për të cilat nuk kemi aspak interes në vetvete), me fluturimin nga një informacion tek tjetri?

Një studim i disa viteve më parë, arriti në përfundimin se njeriu është në gjendje (në fakt është I përcaktuar) të krijojë marrëdhënie sociale sipas një rregulli të caktuar. Ne arrijmë të kemi maksimumi 150 njohje relativisht sipërfaqësore, 50 marrëdhënie më të thelluara (por pa ndarë shumë nga vetja), 15 marrëdhënie në të cilat ne investohemi më shumë dhe ndajmë më shumë detaje dhe vetëm 5 marrëdhënie të ngushta miqësore. Këto numra (sigurisht që do të duhet të merren me tolerancë) tentojnë të qëndrojnë në këto kuota. Nëse bëjmë miq të rinj, nëpër rradhë të ndryshëm, disa prej miqve të vjetër harrohen ose spostohen. Ndërkohë, në rrjetet sociale, ne konsumojmë kohë duke komunikuar me shumë më shumë se kaq njerëz dhe, mbi të gjitha, në nivele të përzjera marrëdhëniesh. Mos vallë komunikimi online po i bjerr apo po i transformon marrëdheniet sociale, të paktën për mënyrën sesi i njohim ne?

A mund të jetë Teknologjia e Informacionit përgjegjëse për çfarë po ndodh me marrëdhëniet njërëzore? A mund të jetë përgjegjës një send për një krijesë me natyrë njerëzore sikurse janë marrëdhëniet midis nesh?Nuk ka asnjë dyshim që aftësia për të krijuar raporte sociale është ndër treguesit më të rëndësishëm tëshkallës sëzhvillimit të njeriut. Rëndësia e dimensionit ‘social’ është kaq e madhe saqë, bazuar mbi aftësinë apo paaftësinë e krijimit të raporteve sociale, janë formuluar diagnoza të caktuara për shëndetin mendor. Me fjalë të tjera, sa më i aftë të jetë dikush në krijimin, shfrytëzimin dhe ruajtjen e raporteve sociale aq më i shëndetshëmështë ai.

Dhe në këtë kontekst, komunikimi ndërnjerëzor është një ndër mënyrat më të sigurta për të na çuar tek tjetri dhe për ta lejuar tjetrin të vijë drejt nesh. Për më tepër, mjetet dhe kanalet e komunikimit që ne përdorim përcaktojnë (në një masë të konsiderueshme) rëndësinë dhe cilësinë e marrëdhënies si dhe pritshmëritë që kemi prej saj. Fjala vjen, nëse e fillojmë ditën me një “Mirëmëngjes! Si u gdhive?”, shoqërimi i kësaj përshëndetjeje me (maksimumi) një buzëqeshje, do të tregonte se po përshëndesim për mirësjellje dhe se jemi me edukatë. Por nga ana tjetër, nëse vazhdojmë rrugën ndërkohë që përshëndesim, i themi tjetrit (pa ia thënë!) se nuk jemi të interesuar të dimë realisht nëse ai/ajo është gdhirë apo jo nga ana e duhur e shtratit. Aaaa! Nëse përshëndesim dhe i afrohemi tjetrit, e përqafojmë pastaj e puthim dhe e shikojmë me intensitet, këto po që janë sinjale shumë të forta që na intereson realisht që tjetri të ketë një mëngjes të mirë. Biles po t’i shkelim syrin përgjatë përshëndetjes, ne ndoshta dimë (ose duam të dimë)edhe nëse ka patur një natë të mirë apo jo.

Komunikimi ndërnjerëzor është kompleks. Ne komunikojmë përmes fjalës dhe trupit, përmes tingujve dhe shenjave, përmes atyre që themi dhe atyre që bëjmë. Dhe, në çdo rast, sigurohemi (të paktën këtë do të duhet të bëjmë teorikisht) që ne dhe tjetri të kemi të njëjtjën mënyrë të kuptuari të sinjaleve që marrim përmes këtyre kanaleve të komunikimit. Sot, kur mjetet dhe kanalet e komunikimit me natyrë teknologjike, jo vetëm që janë sofistikuar ndjeshëm, por edhe ndryshojnë vazhdimisht, ne duhet të ripërcaktojmë vazhdimisht ndikimin e tyre në marrëdhëniet sociale.

A i shërbejnë realisht marrëdhënieve njerëzor mjetet teknologjike të komunikimit? A ndihmon telefonia celulare në forcimin e lidhjeve sociale? A ndihmon Facebook, Tëitter, Skype apo gjithëfarë rrjeti tjetër social qërealisht të krijohen rrjete sociale?
Studime të shumta tregojnë se njerëzit që janë social, të prirur për të bashkëbiseduar dhe bashkëndarë me të tjerët, energjikë dhe të dhënë pas aktiviteteve me natyrë ndërvepruese, janë gjithashtu të prirur që të konsumojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale.

Dhe çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se komunikimi kibernetik është plotësisht i sinkronizuar me cilësitë e tyre personale komunikuese dhe marrëdhënore dhe, mbi të gjitha, që këta ndjehen shumë rehat me raportin (edhe intensiv po të doni!) që kalojnë nëpër rrjete sociale. Nga ana tjetër, rrjetet sociale kanë një ndikim shumë pozitiv tek njerëzit me natyrë të ndrojtur, të cilët e kanë të vështirë të komunikojnë ballë për ballë dhe, ca më të vështirë akoma, të krijojnë marrëdhënie që do të varen pikërisht nga suksesi i komunikimit. I kini parasysh njerëzit e ndrojtur? Ata që skuqen kur duan të flasin? Ata që kanë vështirësi për të gjetur fjalën e duhur dhe iu merret goja? Ata që e kanë të vështirë të shihen sy më sy me të tjerët? E pra, njerëzit që e kanë të vështirë komunikimin ballë për ballë nuk janë as një, as dy. Ka të ngjarë që edhe ti që lexon këtë artikull të jesh njëri prej tyre. Komunikimi kibernetik ua lehtëson ndjeshëm jetën (edhe sociale po të doni) këtyre individëve.Komunikimi përmes rrjeteve sociale mban në këmbë lidhjet familjare të vëna në provë dhe vështirësi nga largësitë prej emigrimit, nga lëvizjet në distancë për punë më të mira apo shkollim më të mirë, etj. Në një botë në të cilën prosperiteti përgjithësisht nënkupton largësinë, komunikimi teknologjik është ura që lehtëson vazhdimësinë e lidhjeve.

E megjithatë do të duhet të pranojmë se, përgjithësisht, jo të gjitha marrëdhëniet online arrijnë të jenë edhe marrëdhënie sociale në botën reale. Dhe kjo për disa arsye.
Së pari sepse numri i ‘miqve’ online e kapërcen shumëfish kapacitetin tonë për t’u investuar në këto raporte në botën reale. Dhe ka një presion në rritje për ta bërë gjithnjë edhe më të madhe ‘turmën e miqve’ online, a thua se jemi në një garë të fshehtë. Në rrjetin social Facebook, psh, ka një rregull sipas të cilit mund të pranohen të bëhen ‘miq’ deri në 5000 persona. Në fakt, Facebook qartëson se këta nuk janë ‘miq’, por janë ‘lidhje’.

Pasi plotësohet ky numër, në atë profil nuk mund të ketë më hyrje të reja, por vetëm aktivitete të tilla si ‘pëlqime’, ‘komente’, etj. Tani, a mund të përpiqemi t’i gjejmë një përgjigje pyetjes: Si mund të mbahen ‘lidhje’ me 5000 njerëz? Imagjinoni kohën që do të nevojitet për të shkruajtur një fjali për secilin prej tyre. Lëre pastaj të mendosh që dikush edhe mund të të kthejë përgjigje. Dhe kulmi është kur pas përgjigjes, të bën një pyetje të cilës ti duhet t’i përgjigjesh patjetër. Sa orë nga 24 orëshi i përditshëm do të merrte ky komunikim? Nuk ia vlen të lodhemi për ta llogaritur pasi askush nuk komunikon me të gjithë ‘miqtë’ që ka në profil dhe, ca më pak me 5000 të tillë. Atëherë përse i kemi kaq shumë ‘miq kibernetikë’ kur nuk komunikojmë me ta për të mbajtur marrëdhënien? Sipas vetë Facebook, ne shpenzojmë rreth 50minuta çdo ditë në FB, nga të cilat vetëm ½ e kohës është komunikim ndërpersonal. Koha tjetër është një kërcim nga informacionet e shkurtra, tek lojërat dhe mundësitë e blerjeve online. Në këtë kushte, me të drejtë pyesim nëse komunikojmë me tjetrin, apo rrjeti social është bërë vetë Tjetri?

Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e marrëdhënieve online nuk arrijnë dot asnjëherë të kthehen në marrëdhënie sociale në botën reale për shkak të faktit se komunikimi kibernetik ka të tjera cilësi nga komunikimi njerëzor. Fjala vjen, në botën reale nuk mund të ecim me filtra në dorë për të nxjerrë më shumë në pah tiparet që na bëjnë të ndjehemi mirë dhe të sfumojmë deri në inekzistencë tiparet që nuk na pëlqejnë. Imagjinoni, a mund të ecim nëpër rrugë duke zvogëluar hundën ose veshët, duke ‘zhdukur’ si me magji kokën qerose dhe duke i falur vetes edhe nja 20 cm gjatësi si pa të keq. E pra, online ne mund të shfaqemi si modelet e kopertinave të modës së fundit në Paris apo Milano, kur në fakt jemi thjesht një grua rreth të dyzetave, me rrudha rreth syve dhe kile të tepërta në bark dhe jo vetëm. Dhe kjo panoramë është vetëm gjysma e pikturës. Sepse të njëjtën gjë mund ta bëjë secili prej ‘miqve tanë kibernetikë’. Dhe komunikimi online midis dy modelëve hollivudianë, kur shikon dritën e botës reale, i largon këta dy njerëz (në mos nuk iu jep asnjëherë mundësinë të takohen përballë). Dhe sërish mua më lind pyetjanëse komunikojmë me tjetrin, apo rrjeti social është bërë vetë Tjetri?

Tek e fundit, Teknologjia e Informacionit është një tregues zhvillimi. Do të ishim të padrejtë ta akuzonim zhvillimin e teknologjisë së informacionit për panoramën e sotme të marrëdhënieve sociale. Në ditët e sotme dëgjojmë për gjithëfarëlloj marrëdhëniesh humano-kibernetike; terapist kibernetik (terapist i cili e ofron shërimin online dhe me të cilin paciantinuk takohet asnjeherë ballë për ballë); bebisiter teknologjik (celulari dhe çdo mjet tjetër i komunikimit teknologjik që prindërit iu lënë në dorë fëmijëve për t’i mbajtur të zënë ndërkohë që ata vetë bëjnë diçka tjetër, ose nuk janë fare në shtëpi), mësues kibernetik (mësues i cili e ofron mësimdhënien përmes programeve kompiuterike). A janë këto lloje të reja marrëdhëniesh më të mira se ato që njohim ne? Personalisht nuk di ta them. Ama, me siguri unë nuk mund të them se teknologjia e informacionit kërcënimi më i madh i kohës dhe marrëdhënieve njerëzore. Nuk mund të them se rrjetet sociale janë kurthi më i madh i iluzionit për jetë dhe përkatësi sociale. Nuk mund të them se revolucioni kibernetik është një revolucion antihuman/antisocial.

Ajo që mund të them me shumë siguri është që kemi nevojë të ndalemi dhe të kuptojmë nëse rrjetet sociale, komunikimi online dhe të tjera modalitete të teknologjisë së informacionit janë realisht rruga jonë për të Tjetri, apo janë kthyer në vetë tjetrin. Unë besoj se nuk ka një përgjigje të duhur për këtë dilemë. Mund të jetë edhe njëra edhe tjetra. Vetëm se na takon përgjegjësia ta dimë se cila prej tyre është. Kështu do të dimë se si të raportohemi me veten dhe marrëdhëniet njërezore në botën reale në të ardhmen. Në të kundërt, nëse dështojmë ta zgjidhim këtë dilemë, do të vazhdojmë t’i biem në hak pa të drejtë zhvillimit të teknologjisë, që mund të bëjë mjaft zarare të tjera, por nuk mund të jetë kurrësesi përgjegjës për marrëdhëniet njerëzore, që janë tërësisht (na pëlqen apo jo) përgjegjësi e njerëzve, përgjegjësi imja dhe jotja.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit