10.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Politico: Ndihma e sapomiratuar amerikane për Ukrainën, mos është pak vonë?!

Më të lexuarat

Udhëheqësit në Kiev, në dilemë nëse ndihma do të shmangë disfatën përballë Rusisë

Nga Jamie Dettmer

Udhëheqësit e Ukrainës morën frymë të lehtësuar kur u publikua lajmi se Kongresi në SHBA miratoi më në fund, pas gjashtë muajsh ngërç dhe grindje ndërpartiake, paketën e re të ndihmës prej 60.8 miliardë dollarësh, për t’i dhënë mundësi këtij vendi të mbrohet nga agresioni i presidentit rus Vladimir Putin.

Mirënjohja ishte e madhe. Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në profilin e tij

në Twitter: “Faleminderit, Amerikë!”.

Megjithatë në Kiev ka edhe jo pak shqetësim dhe pakënaqësi. Duke bërë falënderimet e saj, ligjvënësja e opozitës ukrainase Inna Sovsun nuk mundi të shmangte një kritikë të fortë ndaj SHBA-së, duke pyetur: “A ishte e nevojshme të shtyhej gjysmë viti ky votim? Sa jetë njerëzish mund të ishin shpëtuar?”.

Megjithatë, Adrian Karatnycky, anëtar i i institutit Atlantic Council, thotë se ky votim tregon se izolacionizmi është një qasje e pakicës në politikën amerikane, dhe gati treçereku i Kongresit e mbështet mbrojtjen e demokracive kryesore në botë.

Tani komandantët ushtarakë të Ukrainës – që për gjashtë muajt e fundit e panë të ardhmen e vendit të varur nga një votim pritej të ndodhte 8000 km larg – presin që ligji të marrë firmën edhe të presidentit Joe Biden, pasi paketa u miratua menjëherë pas Kongresit edhe nga Senati i SHBA-së.

Por pyetja më urgjente është se sa shpejt do të mbërrijnë materialet, armët dhe municionet, sidomos predhat për artilerinë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore? A do të vijë gjithçka në kohën e duhur, përpara një ofensive të pritshme ruse, në qershor apo korrik, për të cilën komandantët ukrainas druhen se mund të krijojë të çara në vijën e frontit të Ukrainës?  Dhe nëse po, çfarë mund të ndodhë më pas?

E vërteta është se mbetet e paqartë nëse do të duhen ditë, javë apo muaj që ndihmat ushtarake të mbërrijnë deri në vijën e parë të frontit. Dhe gjithçka varet pjesërisht nga sa e para-përgatitur është Evropa për këtë operacion logjistik.

“Ne presim që prioritet të jetë artileria, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat për të rimbushur rezervat e pakësuara nga sulmet ajrore të fundit ruse, veçanërisht në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, thotë Matthew Savill i Institutit të Shërbimeve Mbretërore të Bashkuara (RUSI) me qendër në Londër.

Ai paralajmëron se edhe dërgimi i shpejtë i predhave të artilerisë – të cilat ushtarët ukrainas në front janë detyruar t’i racionojnë – nuk do të krijojë barazi të menjëhershme me vëllimin e zjarrit që zotëron ushtria ruse “por do të ndihmojë në mbylljen e hendekut”.

Megjithatë, rimbushja e rezervave do të shërbejë si një “nxitje morali” shumë e nevojshme, dhe do të sigurojë “parakushtet e nevojshme për punën e vështirë të rindërtimit të forcave ushtarake ukrainase, për të pasur shansin e një përparimi vitin e ardhshëm”, thekson eksperti.

E megjithatë këto furnizime nuk do të jenë ende të mjaftueshme, për të bërë shumë më tepër sesa ndihma ndaj Ukrainës për të forcuar mbrojtjen e saj përballë sulmi të ri të mundshëm të rusëve. Dhe sigurisht që nuk do të mjaftojë që vetë Ukrainë të rihidhet në kundërsulm.

Vetëm 28 miliardë dollarë nga paketa e miratuar janë ndihmë direkte në armatime. 13.9 miliardë dollarë do ta ndihmojnë Ukrainën të blejë pajisje në treg, dhe 13.7 miliardë dollarë janë për të blerë sisteme amerikane nga sektori priva. Dhe e gjitha kjo do të marrë kohë. Atëherë çfarë ndodh pasi kjo paketë të jetë përdorur për të shmangur një sulm të ri masiv të rusëve?

Dhe çfarë mund të presë Ukraina nga një kundërsulm, të cilin mund të nisë pranverën e vitit që vjen?

Paqartësia mbi këtë furnizim, ka qenë një dhimbje koke për Ukrainën që nga fillimi, pasi ndihma ushtarake ka qenë peng i politikës së brendshme të aleatëve të ndryshëm të Ukrainës por edhe i mungesës së koherencës së tyre në lidhje me synimet mbi këtë luftë.

“Në vitin 2022, ishte absolutisht e kuptueshme që qeveritë perëndimore të ngurronin të ofronin ndihmë ushtarake”, më tha Oleksii Reznikov, ish-ministri i mbrojtjes i Ukrainës, në një intervistë ekskluzive. “Ata prisnin që Kievi të kapitullonte brenda 72 orëve. Kur i treguam botës se mund të luftonim ndaj rusëve me shumë sukses dhe t’i ndalnim, kjo ua ndryshoi mendjen. Dhe më vonë, ata u bënë më të vendosur për shkak të masakrave të ushtrisë ruse në Bucha”, shtoi ai.

Por Reznikov thekson se edhe kur vendosmëria perëndimore ishte e lartë, ka pasur gjithmonë vonesa në dërgimin e mjeteve që i nevojiteshin Ukrainës. Për shembull në muajt para pushtimit, kur SHBA-ja ishte e bindur se Rusia do të fillonte një sulm në shkallë të plotë, Reznikov u përball me rezistencën e homologëve në lidhje me ndihmën.

“Reagimet në nëntor dhe dhjetor 2021 në Uashington për ndihmën, përfshirë raketat Stingers, ishin negative. Është e pamundur, më thanë si në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit”, kujton ai. Pas pushtimit kjo u bë më e lehtë, megjithatë ka pasur debate mbi çdo lloj rakete, çdo sistem të mbrojtjes ajrore apo kërkese për më shumë predha artilerie të kalibrit 155 mm.

Reznikov, beson se një nga arsyet ishte frika e aleatëve për pakësimin e rezervave të nevojshme për mbrojtjen e tyre. “Dhe në mesin e verës së vitit 2023, unë e kuptova se kishte një lodhje të publikut dhe politikës në Perëndim, dhe se ndihma do të ngadalësohej edhe më shumë për shkak të politikës së brendshme në vendet aleate”, shton ai.

Për më tepër, qeveritë perëndimore donin që të shihnin më parë se çfarë do të ndodhte me kundërsulmin e Ukrainës verën e vitit të kaluar. “Të gjithë duan të mbështesin një fitues. Kjo  është pjesë e natyrës njerëzore”, e pranon Reznikov. Por ashtu si liderët e tjerë ukrainas -ushtarakë dhe civilë – ai thotë se kundërofensiva është një histori e mbyllur dhe se pritshmëritë e aleatëve ishin më të mëdha sesa duhej.

“Ne u pajisëm me shumë automjete të reja të blinduara, tanke dhe sisteme të artilerisë si dhe municionet përkatëse. Megjithatë, nuk na dërguan mjaftueshëm pajisje speciale për çminimin. Rusët kishin krijuar fusha të mëdha të minuara dhe përdorën lartësitë për të përgatitur prita me tanke, duke kopjuar taktikat që përdorëm ne më herët për të mbrojtur Kievin”, shtoi ai.

Mjerisht, pasiguria e furnizimeve në të ardhmen nuk ka gjasa që të zbutet për shkak të zgjedhjeve të ardhshme si në SHBA ashtu edhe në Evropë. Madje paqartësia mund të shtohet. Por në Kiev shpresojnë që edhe nëse rizgjidhet për një mandat të dytë ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Evropa ka tani mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur, dhe mund të ndërhyjë vitin e ardhshëm për të plotësuar nevojat e Ukrainës. Por pyetja është: A do ta bëjë vërtet këtë? /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit