15.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Institucionalizimi i dhunës: Nga rrahjet e fëmijërisë, te llahtari i zyrave moderne – Ervin Qafmolla

Më të lexuarat

Institucionalizimi i dhunës: Nga rrahjet e fëmijërisë, te llahtari i zyrave moderne

Ervin Qafmolla

Ulërimat nga zyra ngjitur vijonin të pandërprera prej një çerek ore dhe përfundimi i materialit që kisha në dorë zgjatej proporcionalisht me vibrimet akustike. “Në fakt janë bërë 18 minuta”, më korrigjoi kolegu përballë, me një ton aq të shkujdesur dhe normal sa ishte e pamundur të mos e pikasje një ironi të hollë. “Është një rekord i ri”, vijoi ai me të njëjtin ton shpërfillës, duke rregulluar gjyzlykët mbi hundë dhe duke shpjeguar se e dinte kohën me saktësi për shkak të përfundimit të një telefonate.
Dera u hap dhe kolegia jonë me fytyrë të skuqur dhe flokët e shpupuritur doli prej zyrës së kryeredaktorit duke turfulluar. Ai e ndoqi nga pas me një çehre të ngjashme, por dukshëm më i lodhur se vartësja. Na pa ne, ngriti supet dhe psherëtiu duke rrotulluar sytë. Hyri sërish në zyrë dhe përplasi derën pas krahëve.

Ky spektakël, jo krejt i pazakontë për një gazetë në Shqipëri, pavarësisht dukjes së jashtme, përbënte në fakt një prej përballjeve të shëndetshme në një redaksi mesdhetare. Ulërimat e ndërsjella, sado të pakëndshme, vërejta unë, dëshmonin për një farë barazie në shpërndarjen reciproke të agresionit verbal – krahas një mungese thelbësore edukate, do të plotësonte kolegu, duke u pajtuar megjithatë me vrojtimin tim paraprak.

Megjithatë, të dy ne, si veteranë të redaksive të papërshtatshme kishim dëshmuar raste të tjera të agresionit të pabarabartë, të dhunës së institucionalizuar, hierarkike dhe piramidale. E paharrueshme, për shembull, ishte sjellja e drejtores së një prej grupeve mediatike më të fuqishme në Tiranë të mesviteve 2000, ku bënin pjesë një gazetë e përgjithshme, një gazetë ekonomie-biznesi, një gazetë sportive si dhe një revistë. Krahas një paaftësie organike në menaxhim, ajo kultivonte me pasion edhe një sadizëm të përgjithshëm ndaj punonjësve, duke shënjestruar veçanërisht gratë.

Një ndër argëtimet e saj ishte t’i shkarkonte punonjëset pas fjalimeve të gjata dhe brutale, ku kombinoheshin mjeshtërisht ligjërata e ftohtë me ton linçues dhe ulërimat konvencionale. Zonja nuk mjaftohej me një shpërthim të përqendruar zemërate për ta kryer ekzekutimin shpejt e shpejt. Diçka e tillë shkonte kundër qëllimit madhor të sfilitjes, torturës dhe përdhosjes përfundimtare të dinjitetit njerëzor.
Në pjesën më të madhe të rasteve, viktimat dilnin duke dënesur dhe duke vrapuar korridoreve, si në skena turbulluese të një filmi që përsëritej çdo dy muaj. Vetëm se filmi ishte i vërtetë, ndërsa heroinat tragjike të tij ishin koleget tona. Nganjëherë, ato shkonin të kërkonin drejtësi te bashkëshorti i drejtores, njëherësh pronari i grupit mediatik dhe disa bizneseve të tjera, i njohur si Botuesi.

Ky i fundit ishte një babaxhan që, përveçse kishte qejf t’ua vononte pagat punonjësve (vonesat filluan të shënojnë muaj të tërë në vitet që pasuan) vuante edhe nga mania për të shkatërruar bizneset e tij duke i lënë së shoqes dorë të lirë në keqmenaxhimin e burimeve njerëzore. Më duhet të pohoj që personalisht jam trajtuar mjaft mirë nga Botuesi, duke gëzuar një diskriminim të hatashëm pozitiv, një mburojë ndaj sadizmave të bashkëshortes.

Megjithatë, dashamirësia e tij e vërtetë ndaj meje dhe një pakice të tjerësh, pavarësisht mirënjohjes personale që ende ruaj, nuk e bëri kurrë më pak fajtor në lejimin e brutalitetit sistemik të së shoqes ndaj kujtdo tjetër. Gjithashtu, ende sot pyes veten nëse dhuna institucionale e ushtruar nga ajo ishte e ndikuar nga rrethana të ngjashme me ato të cilat i përdorte kundër të tjerëve apo ishte një prirje e natyrshme.

Agresioni i institucionalizuar

Në një reportazh retrospektiv për dhunën dhe torturat që brezi i fëmijëve të viteve ‘80-‘90 përjetuan në shkolla dhe familje, psikologë me përvojë nga Shqipëria dhe Kosova, treguan se pasojat e dhunës fizike mund ta ndjekin dikë përgjatë gjithë jetës, duke u manifestuar edhe në forma të tjera të keqfunksionimit.

Ndaj, pavarësisht dhunës institucionale që shumë kanë përjetuar, nuk duhen shpërfillur rastet kur në pamundësi të ushtrimit të dhunës fizike, dikush i rrahur në fëmijëri, si i rritur të ushtrojë dhunë jofizike. Studimet ndërkombëtare mbi ndikimet e dhunës në fëmijëri, në jetën e personave kur rriten, flasin kryesisht për normë më të lartë kriminaliteti, përdorim të dhunës nga ana e tyre, si dhe probleme në rritje të shëndetit mendor dhe fizik.

Megjithatë, transformimi i dhunës fizike gjatë fëmijërisë në një terror të institucionalizuar ndaj të tretëve kur ish-viktima rritet, mbetet gjerësisht një supozim. Nga ana tjetër, ekzistojnë vrojtime alternative që flasin për qeverisje apo menaxhim autoritar si përmbushje e nevojës për t’u ndjerë superiorë.

Arsye më pragmatike, siç është ajo e mbajtjes së situatës nën kontroll dhe garantimit të një rregulli përmes një sistemi informal të dhunës, janë gjithashtu reale. Ngjashmërisht me sistemet e qeverisjes së shteteve, ku dhuna e institucionalizuar është një domosdoshmëri e vendosjes së rendit, ashtu edhe korporatat e organizatat e ndryshme kanë sistemet e tyre të ligjshme.

Një shtet normal do të ketë polici, gjykata e burgje. Do të ketë edhe shërbime të inteligjencës dhe ushtri. Ai do të përdorë paralajmërime, informim dhe gjoba, si mënyra parandaluese dhe vetëdijësuese që qytetarët t’u shmangen shkeljeve më të rënda dhe ndëshkimeve me burg. Por nuk do t’i përdorë agjencitë e inteligjencës dhe ushtrinë për të qeverisur me kërbaç popullin e tij. Vetëm shtete diktatoriale apo autoritare përdorin polici sekrete, grupe paraushtarake dhe forma të tjera të shtypjes dhe dhunës për të vendosur rend.

Ngjashmërisht, një organizatë normale, biznesi apo diçka tjetër, do të ketë rregulloret dhe mekanizmat e organet e saj të brendshme, masa të qarta disiplinore në përputhje me ligjet për shkelje të posaçme, si dhe sisteme informuese dhe motivuese për punonjësit. Organizatat e drejtuara nga persona me prirje despotike do të kenë policinë e tyre sekrete (të besuarit e shefit që spiunojnë të tjerët), si dhe hetuesit dhe prokurorët e regjimit (zakonisht të besuar të tjerë me poste të ndërlidhura menaxheriale që fillojnë t’ua nxijnë jetën të pabindurve).

Vetë shefi, si lider suprem, duhet të jetë i tillë që të arrijë të nxjerrë më të keqen nga pjesa tjetër e menaxhmentit dhe e stafit. Duke krijuar një mjedis të tillë toksik, ku njerëzit shohin një rrezik apo armik të mundshëm te shoku-shoku, paranoja i hap rrugën përçarjes, bjerrjes së disa standardeve profesionale, si dhe çarmatosjes thuajse tërësore të siguresave etike. Kjo i jep kryeshefit kontroll të pakufizuar dhe mbi standardet e rregullat konvencionale, duke qenë se të tillat i ka asgjësuar brishtësia dhe faji i përbashkët njerëzor.

Kështu, organizata të tilla funksionojnë sipas modelit dystopik oruellian të “1984”-s, ku departamenti i financës shndërrohet në Ministrinë e Bollëkut, administrata në Ministrinë e Dashurisë (ku ndodhin torturat dhe ekzekutimet) e kështu me radhë. Shefi suprem është Vëllai i Madh. Ai di sheh gjithçka, di gjithçka, është i pagabueshëm dhe korr vetëm suksese.

“Terror i zbehtë”

Përdorimi i dhunës psikologjike në mjedisin e zyrave moderne mund të mos jetë dukuri edhe aq bashkëkohore. Në poemën e tij “Klithmë Romës” (Gritohacia Roma), pjesë e përmbledhjes së poezive “Poeti në Nju Jork”, të cilat Federico Garcia Lorca i ka shkruar gjatë viteve 1929-1930, brenda ekosistemit shfrytëzues dhe brutal që ai përshkruan, poeti gjen vend edhe për këtë rrethanë.

“Djemtë që shtangen para terrorit të zbehtë të drejtorëve”, shkruan ai. Shpjegimi përse ky varg i referohet ekskluzivisht një gjinie, lidhet me kohën kur është shkruar poezia. Gratë filluan të punojnë masivisht në zyra vetëm dekada më vonë. “Terrori i zbehtë” i klasave drejtuese, në trajtën e një agresioni pa përplasje të egra dhe të dukshme, e një dhune të sofistikuar e të përdorur si mekanizëm kontrolli, është një institucion më vete, i pranishëm gjerësisht në sektorin korporativ, në atë jofitimprurës, në media, sektorin e shitjes, sektor publik, shëndetësi, arsim, kudo.

Arta, e cila tani jeton dhe punon në Kanada pas një përvoje disavjeçare në një studio të njohur ligjore në Tiranë, kujton pa dëshirë përvojën njerëzore të punës së dikurshme në atdhe. “Puna më pëlqente vërtet, por sjellja e drejtuesve ishte tepër e keqe. Kishte një ndjesi të fortë frikësuese dhe brutale nën mirësjelljen e tyre sipërfaqësore”, thotë ajo.
Arta tregon se edhe pse punonjësit shpesh punonin me orar të zgjatur, në disa raste edhe 12 orë në ditë, përfshi edhe punën gjatë fundjavës, nuk paguheshin shtesë e as u kompensohej koha me pushim.

“Madje, ndodhte që vetëm nja dy ditë pas një jave me punë të stërzgjatur, bëhej ndonjë mbledhje për të na kritikuar për ndonjë vogëlsi, në mënyrë që të mos gjenim kurajë për të kërkuar çfarë na përkiste”, kujton ajo. Arta thekson se në një situatë të tillë ndodhen veçanërisht punonjësit e rinj, pa përvojë të gjatë profesionale, të cilët përveç humbjes së një vendi pune, rrezikojnë edhe karrierën e tyre. Edhe pse e merr malli të jetojë në Shqipëri, thotë se e ka të pamundur mjedisin toksik profesional në atdhe.

Genti, i cili sot ka një biznes të tijin, tregon se kur punonte në një kompani shitjesh, vëllai i pronarit, njëkohësisht drejtor i një sektori, e kishte zakon të përplaste dorën mbi tavolinë dhe të ngrinte zërin: “Për çfarë ju paguaj? Ju hani bukën time kot”. “Ishte një frazë tipike që e përdorte sa herë nuk i pëlqente një rezultat apo nuk binte dakord me ndonjë zhvillim. E bënte për të na kujtuar që na kishte shpirtin në dorë”, tregon Genti duke u ngërdheshur.
Ai kujton se në muajin e tetë të punës, drejtori e kishte përplasur sërish dorën mbi tavolinë dhe diskutimin e bukës ia kishte drejtuar Gentit personalisht. Ky i fundit e kishte fluturuar tavolinën në ajër me shqelm pa thënë asnjë fjalë. “Ajo ishte dorëheqja ime… sigurisht që dërgova edhe një formale me shkrim sepse në fund të fundit dikush duhet të tregohej sadopak profesionist”, vërejti ai pa e fshehur një ton përtallës. “Megjithatë aty kishte hallexhinj që mbanin familjen, ushqenin fëmijët me një rrogë të vetme, dhe ata vështirë se mund ta ngrenë kokën. Është për gjynah”, tha ai.

Shefat e tmerrshëm nuk janë vetëm shqiptarë – ata vijnë nga çdo vend dhe i përkasin çdo kombësie. Mimoza nga Prishtina, tregon se e la punën edhe pse i pëlqente shumë, sepse nuk duronte dot situatën e krijuar në zyrë. Edhe pse punonte në një organizatë ndërkombëtare, ku supozohej të zbatoheshin standarde universale profesionale dhe etike, sipas saj, realiteti qëndronte ndryshe.

“Shefja italiane e kishte mision që qysh herët në mëngjes të bënte dikë të qante. Do gjente një problem çfarëdo për të fajësuar dikë, duke shkaktuar një dramë pa bazë. Nëse nuk gjente diçka konkrete, do ta krijonte një problem nga hiçi dhe do të fajësonte dikë për diçka që nuk ekzistonte”, thotë Mimoza. Sipas saj, nuk kishte orë që drejtorja nuk do të gjente diçka negative për ta ndarë publikisht me dikë në zyrë, si një mënyrë për t’i mbajtur të gjithë të tensionuar, dhe për të rritur në këtë mënyrë kontrollin.
Ajo tregon se kur kishte dhënë dorëheqjen, kishte duruar rreth 20 minuta fjalim moralist, ku spikatën fjalët “mosmirënjohje”, “mungesë vizioni për veten”, “dëmtim i karrierës” etj. “E kishte fjalim standard sa herë që dikush jepte dorëheqjen”, kujton ajo.
Rrëfime të tjera për përvoja me dhunën e institucionalizuar, përfshijnë drejtues gjermanë, britanikë, amerikanë dhe danezë. Nga ana tjetër, drejtuesit e mirë përfshijnë gjithashtu, persona nga të dyja gjinitë dhe çdo kombësi të mundshme. Por ky tregim nuk është për ta.

Dhuna, strehë e të paaftit?

Në Goodreads, një faqe online e përkushtuar letërsisë së mirë dhe si rrjedhojë citateve me vlerë, ka mbi 1200 të tilla për dhunën. Citati i dytë për nga renditja, i takon shkrimtarit dhe profesorit amerikan të biokimisë, Isaac Asimov: “Dhuna është streha e fundit e të paaftit”. Pavarësisht shtrirjes shumëdimensionale të këtyre fjalëve, ato kanë një kuptim të drejtpërdrejtë në aspektin menaxherial.
“Më kujtohet një drejtor që kisha kur punoja në shtet. Ishte aq i paaftë, sa puna e parë që bëri ishte të shkarkonte apo ta transferonte diku tjetër këdo që dinte ta bënte punën e tij mirë”, thotë Gëzimi. Ai tregon sesi shefi ruajti vetëm disa persona kyç si staf teknik, ndërsa vetë Gëzimi, duke qenë se ishte i ri, e kuptoi “filmin” nga të tjerët dhe punonte më pak dhe me raste edhe me një shkujdesje të qëllimshme.“Duhet të ishte edhe budalla, edhe ta bëje disi punën, edhe të ishe i parrezikshëm që t’i mbijetoje paranojës së shefit. Krahas kësaj, vetë stafi rrinin e ruanin njëri-tjetrin. Spiunonin kot se në fakt nuk kishe çfarë të spiunoje dhe kështu u krijua një garë se kush ishte më i besuari i shefit”, kujton ai. Gëzimi thotë se për t’u argëtuar spiunonte në mënyrë të tërthortë “kryespiunine shefit”. Isha i ri atëherë dhe më dukej argëtuese. Pastaj humbëm zgjedhjet dhe pas një viti na fluturuan të tërëve nga puna”.

Anisa, e cila ka një përvojë të gjatë menaxhimi në sektorin fitimprurës, pohon se çështja e paaftësisë luan një rol vendimtar në instalimin e mekanizmave të dhunës dhe të mediokritetit. “Por jo gjithmonë është paaftësi e vërtetë; shpesh kemi të bëjmë me një pakt të heshtur të atyre që janë në pozita drejtuese që si garanci për të mbajtur pushtetin dhe për të mos u lodhur duke punuar shumë, do t’u duhet të vendosin mekanizma kontrolli dhe linçimi”, vëren ajo.

“Për shembull, shefja ime do më kërkojë vazhdimisht që unë t’i dorëzoj ndonjë projekt novator, me impakt të lartë dhe kosto të ulëta. Unë do t’i dërgoj gjithmonë diçka që e kalon klasën, dhe shumë rrallë ndonjë projekt vërtet të mirë”, shpjegon Anisa. Sipas saj, në këtë mënyrë shefja ndihet mirë dhe e sigurt, por edhe punonjësja ndihet mirë kur qortohet butë se edhe pse performon mirë, sërish nuk shkëlqen.

Të dyja palët janë të lumtura në këtë kompromis, ku asnjëra nuk rrezikon tjetrën. “Nëse unë do dërgoja shpesh projekte shumë cilësore, shefen do ta kapte paranoja dhe do të armiqësohej me mua. Në këtë mënyrë, asnjëra nuk rrezikon tjetrën dhe ky rrjet mosperformance shtrihet në mënyrë piramidale në shumë biznese e kompani”, thotë ajo.
Në fakt, rastet e punonjësve të rinj që bien shpejt në sy për shkak të arritjeve të tyre, janë shpesh edhe raste të gremisjes po aq të shpejtë dhe tragjike, për ndonjë vogëlsi që shkakton një katastrofë imagjinare, apo për shkak të ndonjë kurthi të ngritur me mjeshtëri. Arta pohon se ka dëshmuar disa raste të tilla, dhe dukuria në fjalë është më mbizotëruese nga sa mund të mendohet.

“Paaftësia, apo më saktë, aftësia e kufizuar, është virtyt në shumë prej zyrave tona. Nëse dikush punon diku ku, përkundrazi, ka një klimë sfiduese dhe të bazuar mbi arritje dhe merita, i them ta mbyllë gojën dhe të mos ankohet për asgjë. Këta janë njerëz me fat dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për fatin e mirë”.

Ndërkaq, Arta dhe shumë të tjerë nuk renditen ndër punonjësit më fatlumë. Njëkohësisht viktima dhe pjesa përbërëse të makinerive gjigante të mediokritetit dhe brutalitetit të institucionalizuar – diçka që jehon edhe “Banalitetin e së Keqes” së Hannah Arendt – mijëra shqiptarë sot shijojnë një dhunë jofizike, e cila nuk lë asnjë gjurmë mbi lëkurë, por që instalon frikë dhe terror në qelizat e trurit.

Shënim. Emrat e personave të cituar në këtë artikull janë pseudonime për t’ua ruajtur anonimatin dhe për t’i mbrojtur, duke qenë se atyre u është kërkuar të tregojnë situata reale në punë reale.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit