18.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

ANA E ERRËT E TEKNOLOGJISË – Klementin Mile

Më të lexuarat

ANA E ERRËT E TEKNOLOGJISË
Klementin Mile

Telefoni zhvendosës

Unë nuk e di cili është modeli më i avancuar për celularët që ka dalë së fundmi. Natyrisht, shumëkush mund të më quajë të prapambetur ose, së paku, të painformuar. Në fakt rasti im është minoritar: sot janë të paktë njerëzit që nuk dinë thuajse gjithçka në lidhje me avancimet në fushën e teknologjisë së telefonisë celulare. Por sidoqoftë, ajo që më bën përshtypje është se celulari përdoret shumë më tepër për t’u lidhur me rrjetet sociale dhe për të bërë foto, sesa për të komunikuar me tjetrin përmes zërit. Në këtë mënyrë, celulari tashmë është vetëm porta kryesore nga ku duhet kaluar për të hyrë në porta dhe portale të tjera. Dhe në fakt, në pamje të parë, kështu mund të shpjegohet prirja e habitshme e njerëzve për t’iu përkushtuar kaq shumë celularit saqë thuajse i harrojnë fare njerëzit më të cilët janë ulur në tavolinën e një lokali – një tavolinë ku pastaj mbretëron heshtja dhe dëgjohen vetëm klikimet në ekranet ‘smart’ të celularëve.
Por çfarë tregon ky fenomen për gjendjen historike të njeriut dhe më tej, për vetë natyrën njerëzore? Së pari, është e qartë që celulari na mundëson të zhvendosemi në hapësirë. Por fakti që e përdorim celularin më së shumti për aksesuar rrjetet sociale dhe jo aq shumë për të komunikuar me persona të tjerë për të kryer punë të ndryshme, dëshmon se është më shumë dëshira që na shtyn të zhvendosemi dhe jo detyra. Veçse pyetja mbetet: Ku është vendi i natyrshëm i njeriut në hapësirën e botës, përderisa njeriu vetëm zhvendoset? Cili është, në fakt, kuptimi i zhvendosjes?

Esenca e celularit (telefonit zhvendosës) i përket esencës së zhvendosjes dhe mund të qartësohet vetëm prej saj. Por cila është esenca e zhvendosjes, çfarë do të thotë të zhvendosesh? A nuk do të thotë të lësh pas një vend për të shkuar te një tjetër, por edhe këtë të dytin ta lësh pas për një të tretë? Pra, të zhvendosesh do të thotë të mos kesh interesa, por vetëm të kesh gjëra interesante në jetë. Siç shkruan filozofi gjerman Martin Heidegger, termi ‘interes’ vjen nga latinishtja (inter+esse) dhe do të thotë të jesh midis gjërave dhe të qëndrosh aty. Nga ana tjetër, ‘interesantja’ nuk nënkupton qëndrimin, por largimin nga një gjë dhe zëvendësimin e saj me një tjetër – pra zhvendosjen. Në këtë mënyrë, esenca e zhvendosjes është interesantja: mungesa totale e interesit.

Humbja e interesit, për njeriun, do të thotë humbje të vendit në botë; do të thotë që njeriu nuk e kupton më jetën dhe prandaj e zëvendëson me jetesën; do të thotë që pyetja vlerore ‘Çfarë duhet bërë?’ është e sikletshme dhe prandaj zëvendësohet nga pyetja programore ‘Si duhet bërë?’. Kushdo që merr përsipër këtë zëvendësim pyetjesh është i mirëpritur nga njerëzit dhe fiton mirënjohjen e tyre. Këtu qëndron edhe suksesi i technes, i teknologjisë dhe i atyre që paraqiten si zotërues të saj: manaxherëve, administratorëve, konsulentëve, inxhinierëve, instruktorëve, teknicienëve. Të gjithë këta na ndihmojnë të bëjmë jetë interesante, pa ngritur pyetje për kuptimin e jetës sonë. Të gjithë këta na ndihmojmë të zhvendosemi, na ndihmojnë që, ashtu sikundër përfytyrohet Zoti, të jemi gjithkund dhe të largohemi prej gjithçkaje, pa qëndruar konkretisht diku dhe në ndonjë gjë.
Pra njeriu nuk është askund “në shtëpi” në botën që jeton; nuk ka një vend të natyrshëm për të. Çdo vend ku gjendet, njeriut i shfaqet si i huaj dhe vetë njeriu e sheh veten “të hedhur në botë” nga një forcë që nuk ia di as emrin as arsyen. Prandaj njeriu, në dallim nga kafshët, bimët dhe sendet, përshkruhet që prej kohës së filozofisë dhe poezisë së lashtë greke si “i pastrehë.” Një celular teknologjikisht i avancuar, qoftë ky Iphone apo Samsung, nuk i jep strehë njeriut në botë, por i jep mundësinë ta kalojë jetën si i pastrehë.

Teknologjia si zbulesë

Kjo analizë i korrespondon shkrimeve të Heideggerit për teknologjinë. Te vepra e tij madhore Qenia dhe Koha ai zhvillon argumentin që veprimtaritë teorike siç janë shkencat natyrore varen nga këndvështrime të kohës dhe hapësirës që e ngushtojnë të kuptuarit implicit të mënyrës se si ne përballemi me botën e zakonshme të veprimit dhe shqetësimit. Ne nuk mund të ndërtojmë distancë dhe drejtim të kuptimtë dhe nuk mund të kuptojmë mundësitë për veprim, nisur nga të kuptuarit matematik dhe neutral që ka shkenca për hapësirën dhe kohën. Në fakt, ky këndvështrim shkencor “objektiv” dhe i veçuar i botës e kufizon të kuptuarit e përditshëm. Por e vërteta është se përvoja jonë e botës është më themelore se të kuptuarit shkencor i kohës, hapësirës dhe natyrës.
Këtë të kuptuar të përvojës Heidegger e fokuson më vonë te çështja e teknologjisë. Te Leksionet e Bremenit (1949) Heidegger shkruan se për shkak të teknologjisë të gjitha distancat në kohë dhe hapësirë po zvogëlohen, e megjithatë ky zvogëlim i ngutshëm distancash nuk po sjell afërsi; sepse afërsia nuk ka të bëjë me sasinë e vogël të distancës. Ne jemi bërë thuajse të paaftë për ta përjetuar këtë afërsi, e jo më për ta kuptuar atë, pasi të gjitha gjërat na paraqiten gjithnjë e më shumë si teknologjike. Gjithçka na paraqitet thjesht si burim energjie ose si diçka që duhet ta organizojmë. Madje edhe kapacitetet njerëzore ne i trajtojmë sikur të ishin vetëm mjete për procedurat teknologjike, si atëherë kur një punëtor bëhet veçse instrument prodhimi. Çdo gjë që na paraqitet teknologjikisht e humbet pavarësinë dhe formën e saj dalluese. Ne i mënjanojmë, ose thjesht nuk arrijmë t’i shohim mundësitë e tjera.

Përpjekjet e zakonshme për ta rregulluar situatën nuk e zgjidhin problemin dhe janë, në fakt, pjesë e problemit. Ne priremi të besojmë se teknologjia është një mjet për qëllimet tona dhe një veprimtari njerëzore që e kemi në kontroll. Por e vërteta është se kontrolli dhe drejtimi janë veçse kontroll dhe drejtim teknologjik. Teknologjia nuk mund të kontrollohet, është ajo që na kontrollon. Përpjekjet tona për ta zotëruar teknologjinë mbesin brenda mureve të saj, duke i bërë ato edhe më të forta. Këndvështrimi “instrumental” i teknologjisë, sipas të cilit ajo është vetëm një mjet për të realizuar qëllimin, është patjetër korrekt, por ama nuk na tregon esencën e teknologjisë. Ai është korrekt pasi thotë diçka me vend për teknologjinë, por nga ana tjetër ky këndvështrim është esencialisht i pavërtetë sepse nuk arrin të shohë se si teknologjia është një mënyrë e paraqitjes së të gjitha entiteve, jo vetëm e makinerive dhe e proceseve teknike. Sipas Heideggerit rreziku i teknologjisë qëndron te fakti se ajo i zhvendos entitetet nga çka ishin origjinalisht, duke na bërë të paaftë për t’i përjetuar ato vërtetësisht.

Esenca e teknologjisë

Esenca e teknologjisë është se ajo nuk mund të kontrollohet. Heidegger zbuloi katër tipare të kësaj esence. Së pari, esenca e teknologjisë nuk është diçka e bërë prej nesh; ajo është një mënyrë të qenuri, ose zbulese. Kjo do të thotë që gjërat teknologjike kanë llojin e tyre të ri të pranisë, rezistencës dhe lidhjeve ndërmjet pjesëve dhe tërësive. Ato kanë mënyrën e tyre të paraqitjes së vetes dhe të botës ku operojnë. Për Heideggerin esenca e teknologjisë nuk është instanca më e mirë apo më karakteristike e teknologjisë, as nuk është një përgjithësim i mjegullt, dhe nuk është as formë as ide. Përkundër këtyre alternativave, ta konsiderosh teknologjinë esencialisht do të thotë ta shohësh si një ngjarje së cilës ne i përkasim: strukturimit dhe renditjes së gjithçkaje rreth nesh dhe të neve vetë.

Teknologjia e zëvendëson lidhjen familjare të pjesëve me tërësitë; gjithçka është vetëm një pjesë e këmbyeshme. Për shembull, ndërsa një ari apo pemë mund të qëndrojë më vete dhe të ketë praninë e vet, një celular nuk mundet: celulari sfidohet të prodhojë një pasojë, e cila gjithashtu pritet të sjellë pasoja të tjera në rrjetin e teknologjisë. Ky zinxhir nuk lëviz drejt ndonjë gjëje që ka praninë e vet, por vetëm hyn në rrjet duke rregulluar dhe siguruar burimet natyrore dhe energjitë pambarimisht. Makineritë dhe pjesët e tjera të inventarit teknologjik nuk janë pjesë të tërësive që rrinë më vete, por vijnë vetëm pjesë-pjesë. Këto pjesë janë të ilozuara, uniforme dhe të këmbyeshme. Ne mund ta zëvendësojmë një pjesë teknologjike me një tjetër. Përkundër kësaj, dora ime nuk është pjesë e imja. Unë jam tërësisht vetja në secilin gjest të dorës çdo herë.

Së dyti, teknologjia sundon edhe mbi entitete që normalisht nuk i mendojmë si teknologjike, bie fjala perënditë dhe historia. Esenca e teknologjisë sulmon gjithçka që është: natyrën dhe historinë, njerëzit dhe perënditë. Kur teologët ndodh të përmendin bukurinë e fizikës atomike ose hollësitë e mekanikës kuantike si evidencë për ekzistencën e Zotit, Heidegger thotë se ata e kanë vendosur Zotin në domenin e së renditshmes. Në këtë mënyrë Zoti teknologjizohet.

Së treti, esenca e teknologjisë është parësisht një çështje e teknologjisë moderne dhe industriale. Esenca e teknologjisë shfaqet në fabrika dhe procese industriale, jo në parmenda e çekiçë. Gjithçka që na paraqitet teknologjikisht shfrytëzohet për ndonjë përdorim teknik. Nocioni i ‘sfidimit’ është i rëndësishëm për të kuptuar pse Heidegger e sheh esencën e teknologjisë te teknologjia moderne dhe industriale. Kështu, edhe pse njerëzit që ecin mbi lumin Rin në Gjermani duke përdorur një urë të thjeshtë duket sikur po e përdorin urën për ta sfiduar lumin e për ta reduktuar atë në një pjesë të një zinxhiri të pafund përdorimi, ky argument nuk qëndron. Heidegger thotë se ura, në fakt, e lejon lumin të jetë vetvetja, të qëndrojë brenda rrjedhës dhe shtratit të vet. Përkundër kësaj, një hidrocentral e transformon lumin në thjesht dhe vetëm një element të një sekuence për prodhimin e energjisë.

Së katërti, për Heideggerin teknologjia nuk është thjesht aplikimi praktik i shkencës natyrore. Përkundrazi, shkenca natyrore moderne mund ta kuptojë natyrën në mënyrë tipikisht shkencore vetëm ngaqë natyra, paraprakisht, është shfaqur si një koleksion forcash të llogaritshme dhe të renditshme – pra, teknologjikisht. Në fakt esenca e teknologjisë nuk e ka origjinën te Revolucioni Industrial i shekullit XVIII; ajo ishte aty para rritjes së mekanizimit. Gjithashtu esenca e teknologjisë nuk e fillon mbretërimin e saj as në shekullin XVII kur lindi shkenca natyrore moderne. Marrëdhënia e shkencës me teknologjinë është e kundërta e asaj që mendojmë. Forcat natyrore dhe materialet i përkasin teknologjisë dhe jo e anasjella. Ishte mendimi teknologjik që e kuptoi fillimisht natyrën në atë mënyrë që ajo mund të sfidohej të çlironte forcat dhe energjinë e saj. Sfidimi i parapriu çlirimit; andaj esenca e teknologjisë është para shkencës natyrore. Teknologjia moderne nuk është shkencë natyrore e aplikuar, shumë më tepër është shkenca natyrore moderne aplikimi i esencës së teknologjisë.

Çfarë rrezikojmë?

Nisur nga ky këndvështrim i teknologjisë rrjedh që çdo shpjegim shkencor e errëson qenien esenciale të gjërave, përfshirë këtu edhe afërsinë e tyre. Pra kur Heidegger diskuton teknologjinë dhe afërsinë, ai na siguron se nuk është duke përsëritur klishenë që teknologjia e bën botën më të vogël. Ajo që është vendimtare, shkruan ai, nuk është që distancat po shkurtohen me ndihmën e teknologjisë, por që afërsia mbetet e jashtëzakonshme. Për ta përjetuar afërsinë ne duhet t’i ndeshim gjërat në vërtetësinë e tyre. Dhe pavarësisht sa shumë besojmë se shkenca do të na mundësojë të ndeshim aktualen në aktualitetin e vet, ajo në fakt na ofron vetëm përfaqësime të gjërave. Gjërat në vërtetësinë e tyre nuk mund të ndeshen kurrë prej shkencës. Shkenca ndesh vetëm atë, mënyra e përfaqësimit e së cilës e ka pranuar paraprakisht si objekt të mundshëm për vetveten.

Te Leksionet e Bremenit Heidegger jep një shembull për të ilustruar këtë ide. Po të flasim shkencërisht, distanca ndërmjet një shtëpie dhe një peme para saj mund të matet në mënyrë neutrale: ajo është 10 metra. Por në jetët tona të përditshme ajo distancë nuk është aq neutrale dhe as aq abstrakte. Përkundrazi, distanca është një aspekt i kujdesit tonë për pemën dhe shtëpinë: përvoja e ecjes, e të parit të trajtës së pemës të rritet ndërsa i afrohemi, dhe i ndarjes së rritur prej shtëpisë ndërsa i largohemi kësaj të fundit. Në shpjegimin shkencor distanca shfaqet sikur realizohet së pari nga kundërtia midis shikuesit dhe objektit. Duke u bërë indiferentë ndaj kujdesit (apo shqetësimit) tonë për gjërat, duke e përfaqësuar edhe distancën edhe objektin si entitete matematike të thjeshta por të dobishme, ose si ide filozofike – ne e humbasim përvojën e vërtetë të afërsisë dhe distancës. Esenca e teknologjisë nuk na pengon vetëm të ndeshim realitetin e botës, por teknologjia tashmë është bërë bota. Teknologjia mbretëron dhe ne e harrojmë tërësisht qenien dhe lirinë tonë esenciale – ne as që e kuptojmë më botën që kemi humbur.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit