Kompjuterët e ardhshëm Mac do të mund ta monitorojnë shëndetin e përdoruesve

0
18

Aktualisht, Apple Watch është pajisja e vetme e kompanisë nga Cupertino e cila mund t’i lexojë parametrat e shëndetit të përdoruesit, si rrahjet e zemrës etj. Ka theshetheme se Apple do të mund të aplikojë funksione të ngjashme në AirPods, ndërsa tani si duket kompania është e interesuar në aplikimin e funksionit të monitorimit të shëndetit edhe në Macët e ardhshëm, përcjell UberGizmo.

Kjo bazohet në patentën e zbuluar kohët e fundit, e cila quhet “pajisje elektronike portative me biosensor”. Tani për tani nuk dihet se si mund të punojë funksioni në kuadër të kompjuterit Mac. Ndoshta Apple do të mund të përfshijë sensorë në tastierë ose trackpad. Gjithashtu, funksionet shëndetësore mund të integrohen në seksionin Touch ID të kompjuterit, ku përdoruesit mund t’i skanojnë shenjat e gishtërinjve dhe të marrin një lloj leximi të parametrave të shëndetit.

Duke pasur parasysh se bëhet fjalë vetëm për patentë, nuk ka asnjë garanci se parametrat e përshkruara do të zbatohen në një produkt konkret. Megjithatë, duke pasur parasysh se funksionet e ngjashme tashmë janë implementuar në Apple Watch, nuk ka pengesa se ato do ta gjejnë rrugën e tyre për tek kompjuterët Mac.