15.5 C
Pristina
Friday, May 24, 2024

Alternativa joshëse e predikimit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Një nga sfidat e mëdha me të cilat përballet predikimi fetar e moral sot është të qenit një alternativë joshëse për njerëzit, sidomos për brezin e ri. Thuhet se metodat e vjetra dhe klasike apo edhe ato moderne të vjetruara nuk funksionojnë më ose nuk kanë efektin e dëshiruar, sepse nuk janë më tërheqëse dhe janë të konsumuara. Ligjërimi fetar klasik nuk i përshtatet më prirjeve dhe gjuhës së sotme dhe është monoton dhe i mërzitshëm për brezin e ri dhe jo vetëm, kështu që ka nevojë për një rigjallërim më bashkëkohor, si në mjetet e përdorura apo edhe në përmbajtje…

Kjo është me pak fjalë rezymeja e asaj që dëgjojmë të thuhet shpesh, si nga ata që nuk janë praktikantë të besimit, por jo rrallë herë edhe nga besimtarët, e shprehur pikërisht kështu ose e nënkuptuar.

Mirëpo cili është qëndrimi i vetë parimeve dhe mësimeve të Islamit për këtë gjë?

S’ka dyshim se Islami ka nxitur në lehtësimin e predikimit dhe në mos paraqitjen e fesë si gogol për njerëzit, sepse vetë Islami është fe e natyrshmërisë njerëzore dhe për rrjedhojë i lehtë për t’u përthithur. Ky është një parim që pakkush e kundërshton në thelb atë, por ajo për të cilën ka mosmarrëveshje të forta është pikërisht masa, koha dhe mënyra e zbatimit të këtij parimi?

A ka kufij toleranca dhe lehtësimi?

A përfshin ky lehtësim çështje të besimeve të gabuara që përmbajnë idhujtari apo veprime haram të ndaluara nga sheriati islam?

A përfshin ky lehtësim shfuqizimin praktik të obligimeve fetare, qofshin këto që kanë të bëjnë me adhurimet, marrëdhënieve ndër njerëzore apo me sjelljen dhe praktikën individuale të gjithsecilit?

Këto dhe një sërë pyetjesh të tjera, janë ato që përfshijnë debatin në detaje, se ku janë limitet dhe kufijtë e lehtësimit dhe tolerimit.

Sigurisht të gjitha palët e përfshira në debat do të japin shembuj pozitivë dhe negativë, sesi lehtësimi dhe tolerimi ka sjellë pasoja pozitive dhe ndryshim madhor tek njerëzit, apo sesi lehtësimi dhe tolerimi i tepruar ka sjellë pasoja negativë në fetarinë e dobët të njerëzve dhe përhapjen e së keqes, indiferencën ndaj fesë dhe rënien në haram me lehtësi.

Natyrisht që është e pamundur që në një debat kaq të madh të mund të japësh zgjidhje përfundimtare dhe ta trajtosh me shkrim me pak fjalë.

Gjithsesi mbarë besimtarët bien dakord, në parim, se modeli dhe shembulli referencë për t’u udhëzuar në çështjet e lehtësimit dhe tolerimit është jeta dhe praktika e Profetin tonë (alejhi salatu ue selam), edhe pse kur vjen puna për tek zbatimi edhe ky model përfshihet nga interpretimet dhe këndvështrimet e ndryshme kuptimore, ku futen në mes rrethanat dhe kohët e ndryshme për të cilat flitet. Megjithatë për të mos u hapërdarë më tej në dilema pafund dhe për të mos krijuar përshtypjen se kjo çështje është tërësisht e pazgjidhshme, është e mundur të thuhet se disa piketa parimore janë tepër të qarta nga jeta profetike dhe ato mund të shërbejnë si busull minimale për orientimin në këtë drejtim.

Së pari, përshkallëzimi i predikimit të fesë, nisur nga gjërat më madhore dhe më të rëndësishme, siç janë njësimi i Zotit dhe adhurimi i vetëm i Tij, besimi në botën tjetër e duke kaluar më pas tek adhurimet kryesore dhe më pas tek ndalimet e mëdha morale dhe më pas tek obligimet e tjera fetare shoqërore dhe individuale, duket se është përgjithësisht rruga nëpër të cilën ka kaluar thirrja islame në fillimet e saj derisa u përmbush dhe u plotësua shpallja e Islamit si fe përfundimtare e njerëzimit. Pra predikimi hap pas hapi dhe nivel pas niveli, qoftë për individët apo shoqërinë, ka qenë metoda e përgjithshme e lehtësimit në predikimin Islam. Sigurisht që do të ishte absurde të mendohet se ky përshkallëzim ka ndodhur njëlloj me të gjithë besimtarët e parë dhe se nuk ka pasur raste të cilat rrethanat dhe kushtet kanë imponuar kapërcime të mundshme.

Së dyti, në parim ajo që është më e lehtë për njerëzit duhet t’i jepet përparësi ndaj asaj që është më e vështirë, me kusht që më e lehta të mos jetë haram apo e ndaluar nga feja, por të përfshihet tek të lejuarat.

Së treti, qëllimi nuk justifikon mjetin në Islam, që do të thotë se qëllimet madhore siç është udhëzimi njerëzve dhe shpëtimi i tyre nga ndëshkimi i Allahut në botën tjetër, nuk lejohet të përmbushen duke përdorur mjete dhe rrugë të cilat konsiderohen të ndaluara apo haram nga Kurani dhe Suneti.

Së katërti, dëmi dhe dobia, janë pjesë e vlerësimit të çdo mjeti dhe mënyre përmes së cilave kërkojmë t’ua lehtësojmë njerëzve parimet dhe praktikat e besimit.

Së pesti, përmbajtja dhe thelbi i parimeve islame, besimeve, praktikave dhe sjelljeve që kërkohen nga njerëzit nuk ndryshojnë, sepse ato janë vetë Islami për tek i cili ftohen njerëzit. Pra idhujtaria, kufri, shirku, harami mbeten gjithmonë të ndaluara; teuhidi, adhurimi, namazi, zekati, agjërimi etj. mbeten gjithmonë të obliguara, pavarësisht sesa është mundur të përcillen dhe zbatohen këto nga ata që ftohen në Islam. P.sh. bie fjala namazi ditor nuk mund të shkurtohet nga pesë në dy, dhe as agjërimi nga një muaj në një ditë dhe as kamata dhe kontakti jashtëmartesor të bëhen hallall, edhe pse në obligimin e këtyre detyrimeve apo largimin nga këto ndalesa, me njerëzit mund të përshkallëzohet predikimi dhe të mos kërkohen të gjitha menjëherë, por hap pas hapi.

Së gjashti, është në natyrën e dobësisë njerëzore në përgjithësi që ta pëlqejë dhe tërhiqet nga ajo që është joshëse edhe kur ajo është e keqe dhe e ndaluar fetarisht, dhe të mos e pëlqej të mirën e urdhëruar, kur ajo nuk është joshëse dhe sheh kufizim të epshit në të, siç sqarohet kjo në Kuran dhe Sunet. Kështu që refuzimi i njerëzve apo antipatia e tyre ndaj fesë nuk vjen domosdoshmërish nga predikimi i gabuar dhe i nxituar, por më së shumti nga deformimi i fitres dhe joshja më madhe pas së keqes.

Së shtati, urtësia e vendosjes së gjësë së duhur në kohën, vendin dhe masën e duhur, duke lehtësuar aty ku dhe kur duhet, duke mos e tepruar dhe as shtrënguar më shumë seç duhet, është një dhuratë e Zotit që ia jep kujt të dojë, por që sinqeriteti, devotshmëria, dija dhe njohuritë e gjera, mprehtësia e lindur ose e fituar dhe përvoja e gjatë, ndikojnë pozitivisht në afrimin drejt saj. Ndërkohë edhe nëse këto kritere plotësohen në mënyrë të kushtëzuar, përsëri askush nuk mund të pretendojë se zotëron të vërtetën absolute që ixhtihadi apo përpjekja e tij është e vetmja e vërtetë dhe rruga e duhur për ta paraqitur fenë tek njerëzit.

Sigurisht mund të shtohen edhe pika të tjera të rëndësishme në këtë drejtim, por për të mos u tejzgjatur, mund të thuhet me siguri se predikimi fetar dhe moral ka limitet e tij të kufizuara të joshjes, të cilat nuk guxojnë të shkelin mbi parimet dhe praktikat madhore të fesë. Askush dhe asnjë njeri, kushdo qoftë ai, nuk mund të jetë më i mirë, më lehtësues dhe tolerant në predikimin e së vërtetës dhe fesë tek njerëzit sesa i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam), që ngelet referenca jonë unike e pakundërshtueshme në kohë dhe hapësirë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit