Gjermanët diskriminohen për shkak të moshës

0
38

Një e pesta e gjermanëve thonë se e kanë ndierë veten të paktën njëherë në jetë të diskriminuar për shkak të moshës së tyre. Por diskriminimi për shkak të moshës nuk është vetëm problem i njerëzve të moshuar. Në fakt, në nenin 3 të Kushtetutës Gjermane është e përcaktuar qartë: “Askush nuk duhet që të diskriminohet apo favorizohet për shkak të gjinisë, origjinës, racës, gjuhës, atdheut dhe origjinës së tij, besimit të tij apo preferencave të tij fetare apo politike.” Por në të nuk përmendet mosha. Kështu deri në vitin 2006 nuk ka pasur rregulla të qarta në Gjermani të cilat kanë ndaluar diskriminimin për shkak të moshës së madhe apo të vogël. Kjo ndryshoi vetëm me ” Ligjin e përgjithshëm për trajtim të barabartë” (AGG) të miratuar në vitin 2006 i cili njihet ndryshe edhe si “Ligji kundër diskriminimit”.

“Diskriminimi është i pranishëm në fusha të ndryshme, sidomos kur kemi të bëjmë me vendet e punës”, thotë Bernhard Franke nga Qendra federale kundër diskriminimit në Berlin. “Ndodh ende që njerëzit të thërrasin dhe të raportojnë tek ne, sepse ata ndjehen të përjashtuar, sepse ata nuk kanë asnjë shans që të ftohen edhe për një intervistë për punësim.” Gjithsej 20 për qind e të anketuarve në mbarë Gjermaninë në një sondazh të kryer në vjeshtën e vitit 2011 nga Instituti FORSA, pranojnë se kanë qenë të paktën njëherë në jetë të diskriminuar për shkak të moshës së tyre.

 

Shpesh nuk është mirë të jesh as “shumë i ri”

Shumica e njerëzve besojnë se përfundimsht e gjitha është problemi i moshës. Në anketën e përmendur më shumë se gjysma e të anketuarve pajtohen me konkludimin se: “Nga mosha 45 vjeçare praktikisht më njeriu sot nuk mund të gjejë një punë”. E megjithatë nuk janë vetëm seniorët ata që e ndjejnë veten të diskrimunuar për shkak të moshës. Po ashtu, gati një e treta e 18 deri 29 vjeçarët e pyetur flasin për përvoja të këqija për shkak të moshës së tyre të re. “Ky rezultat na ka habitur që pikërisht në këtë grup kaq shumë veta ndijehen të diskriminuar për shkak të moshës së tyre të re”, thotë Franke. Ai megjithatë sqaron se fillimisht me ligjin kundër diskriminimit në vitin 2006 shumë njerëz e kuptuan se ekziston një problem i tillë: ” Mund të thuhet se ndalimi i diskriminimit për shkak të moshës ka senzibilizuar njerëzitë.”

Konkretisht ky ligji i jep palës së prekur një mundësi për t’u ankuar sipas të drejtës së punës apo të drejtës civile. Një shembull: Gjykata Federale e Punës vendosi në mars të vitit 2012 se kategorizimi i ditëve të pushimit vjetor në bazë të moshës së punëtorëve në sektorin publik është i papranueshëm. Punonjësit nën moshën 30 vjeçare kishin deri atëherë të drejtë vetëm për 26 ditë pushim në vit, ata nga mosha 30 deri në 40 vjeçare për 29 ditë ndërsa të punësuarit mbi moshën 40 vjeçare kishin të drejtë për 30 ditë pushim. Gjykata Federale e Punës vendosi se bëhet fjalë për shkelje të ligjit kundër diskriminimit. Sektori publik u detyrua në këtë mënyrë që të shtojë ditët e pushimit për të gjithë në 30 ditë./DW