0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Vlera e mbajtjes së lidhjeve familjare

Më të lexuarat


Allahu i Madhëruar ka urdhëruar në librin e Tij famëmadh për mbajtjen e lidhjeve familjare.

Allahu thotë: “Jepuni të afërmve, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën e tyre, por mos bëni shpenzim të tepruar.” [Kurani: El-Isra: 26]

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit…” [Kurani:23 En-Nisa: 36]

Profeti Muhamed [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] po ashtu ka porositur për mbajtjen e lidhjeve familjare. “Frikësojuni Allahut dhe mbani lidhjet familjare mes jush!”(1) –, thoshte ai.

Pra si shtytës të lidhjeve familjare e bëri takvanë (devotshmërinë). Askush përveç të devotshmëve nuk i mban lidhjet familjare. Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] nxiti për mbajtjen e lidhjeve familjare qoftë edhe me gjërat më të vogla e më të thjeshta. Me një rast ka thënë: “Tregohuni bamirës ndaj të afërmve tuaj, qoftë edhe me dhënien e selamit-përshëndetjes.”(2)

Mbajtja e lidhjeve familjare është prej gjërave më të dashura tek Allahu

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] na mëson se, pas besimit, mbajtja e lidhjeve familjare është prej veprave më të pëlqyera dhe më të dashura tek Allahu. Në një hadith thotë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë: besimi në Allahun, mbajtja e lidhjeve familjare dhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Ndërsa veprat më të urryera tek Allahu janë: shirku (idhujtaria) dhe shkëputja e lidhjeve familjare.”(3)

Mbajtja e lidhjeve familjare është slogani i besimit në Allahun dhe në Ditën e Fundit

Ebu Hurejra tregon se Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin! Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le t’i mbajë lidhjet familjare! Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”(4)

Mbajtja e lidhjeve familjare ruan njeriun nga vdekja e keqe

Enesi tregon se ka dëgjuar Profetin [sal-lAllahu alejhi ue sellem] duke thënë: “Lëmosha dhe mbajtja e lidhjeve familjare janë gjëra me të cilat Allahu zgjat jetën dhe largon vdekjen e urryer dhe të frikshme.”(5)

Mbajtja e lidhjeve familjare fal dhe shlyen mëkatet

Ibn Omeri rrëfen se te Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] erdhi një njeri, i cili tha: “Unë kam bërë një mëkat të madh (andaj më thuaj se) a ka pendim për mua?” A e ke nënën (gjallë)?- e pyeti. Jo!–, u përgjigj. Po teze a ke? –, e pyeti. Ai tha: Po. I Dërguari tha: Sillu mire me të (sepse ky është pendimi yt).”(6)

Mbajtja e lidhjeve familjare lehtëson llogarinë para Allahut dhe mundëson hyrjen në Xhenet

Ebu Hurejra tregon se Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Kush i ka tri gjëra Allahu do ta llogarisë me llogari të lehtë dhe do ta fusë në Xhenet me mëshirën e Tij. Shokët e Profetit thanë: “Na thuaj cilat janë ato gjëra, o i Dërguari i Allahut, u flijofshin prindërit tanë për ty!”

Ai tha: T’i japësh atij që nuk të ka dhënë, t’i shkosh atij që nuk të vjen dhe ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi. Nëse i bën këto (tri gjëra) Allahu do të të fusë në Xhenet.”(7) Në një transmetim tjetër thuhet: “Zbukuroje të folurit, përhape selamin, mbaji lidhjet familjare dhe falu ndërsa njerëzit janë fjetur do të hysh në Xhenet.”(8)

Mbajtja e lidhjeve familjare njeriut i dhuron pozitat më të larta në Ditën e Gjykimit

Ubade ibn Samiti rrëfen se Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sellem] ka thënë: “A t’ju tregoj për atë me të cilën Allahu i ngrit gradat!” Shokët e Profetit thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Të jesh i butë me atë që të injoron (sillet keq me ty), ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi dhe t’i shkosh atij që nuk të vjen.”(9)

Kush dëshiron furnizim me bollëk dhe jetë të gjatë le t’i mbajë lidhjet familjare

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Kush ka dëshirë që të ketë furnizim të begattë dhe jetë të gjatë, le t’i mbajë lidhjet familjare.”(10)

Ai po kështu ka thënë: “Mbajtja e lidhjeve familjare, edukata e mirë dhe fqinjësia e mirë gjallërojnë shtëpitë dhe e zgjasin jetën.”(11)

Ai që mban lidhjet familjare nuk kërkon kompensim

Shumë njerëz kanë perceptime të gabuara përkitazi me mbajtjen e lidhjeve familjare. Mendojnë se duhet t’i bësh mirë vetëm atij që të ka bërë mirë, ta vizitosh vetëm atë që të ka ardhur. Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] na tërheq vërejtjen se koncepte si këto janë të gabuara. Duke na nxitur për mbajtjen dhe kultivimin e lidhjeve familjare, thotë: “Nuk llogaritet mbajtës i lidhjeve familjare ai që kërkon kompensim; mbajtës i lidhjeve familjare është ai që kur të tjerët i shkëpusin lidhjet, ai i mban.”(12)

Një njeri erdhi tek Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] t’i ankohej se ndonëse ai mbante lidhjet, ata i shkëputnin lidhjet me të, iu bënte mirë ndërsa ata i bënin keq, sillej mirë me ta, kurse ata e injoronin. Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sellem] i tha: “Nëse je siç po pretendon, atëherë ti me këtë sikur po iu hedh hi në gojë, dhe për aq kohë sa ti vazhdon kështu, do të kesh një ndihmëtar prej Allahut kundër tyre.”(13)

Lëmosha për të afërmin me shpërblim të dyfishuar: lëmoshë dhe mbajtje e lidhjeve

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] nxit për të ngjallur shpirtin unifikues dhe dashamirës ndërmjet të afërmve. Ndërkohë që nxit për të dhënë lëmoshë për të varfërit, na tregon se dhënia e saj të afërmve nevojtarë është puna më e qëlluar në këtë drejtim. Ai thotë: “Lëmosha për një të varfër është (ka shpërblimin) vetëm lëmoshë, ndërsa për të afërmin (e varfër) është lëmoshë dhe mbajtje e lidhjeve.”(14)

Shkëputja e lidhjeve familjare si një prej shenjave të vogla të Kiametit

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] thotë: “Nuk do të ndodhë Kiameti përderisa të mos shfaqen fjalët dhe veprat e këqija (në njërën anë dhe), shkëputjet e lidhjeve familjare dhe fqinjësia e keqe (në anën tjetër).”(15)

Ajo nga e cila na tërhoqi vërejtjen Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem], veç ka ndodhur. Fatkeqësisht, fjalët dhe punët e këqija janë pjesë e shumë njerëzve. Po kështu dhe shkëputja e lidhjeve familjare dhe farefisnore. Kalojnë muaj të tërë, e madje edhe vite, ndërsa ata, edhe pse gjenden në të njëjtin qytet, nuk vizitohen dhe nuk mbajnë lidhjet me njëri tjetrin. Kjo padyshim se është imazh i dobësisë së besimit.

Pasojat e shkëputjes së lidhjeve familjare

Koston e shkëputjes së lidhjeve familjare nuk mund ta përballojë njeriu as në këtë dhe as në botën tjetër. Na mjafton si njohuri se shkëputësi i lidhjeve familjare llogaritet në mesin e atyre që konsiderohen si shkatarraqë në tokë, ndaj të cilëve është mallkimi i Allahut dhe të cilët, si pasojë e veprave të tyre, janë të humbur. Allahu i Madhëruar thotë:

“Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e, që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq.” [Kurani: ErrRra’du: 25]

Mëshira nuk i zbret një populli në mesin e të cilëve ka edhe shkëputës të lidhjeve familjare

Transmetohet se derisa Ebu Hurejra ishte duke transmetuar (cituar) hadithe nga Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem], tha: Ia ndaloj të dëgjon hadithet (të qëndrojë me ne) atij që është shkëputës i lidhjeve familjare! Një djalë i ri u ngrit dhe shkoi te halla, me të cilën kishte vite që ishte në hasmëri dhe u pajtua. Çfarë ndodhi, çfarë të shtyu të vish të pajtohesh me mua?- e pyeti. I tregoi se çfarë kishte dëgjuar. Kthehu dhe pyete Ebu Hurejran përse (duhej ta braktiste takimin me ta shkëputësi i lidhjeve familjare)? U kthye dhe e pyeti. Ebu Hurejra tha: Për shkak se unë kam dëgjuar Profetin [sallAllahu alejhi ue sel-lem] duke thënë: “Mëshira nuk zbret mbi një popull (grup njerëzish), në mesin e të cilëve është edhe shkëputësi i lidhjeve familjare.”(16)

Shkëputja e lidhjeve familjare si shkak i fundosjes në tokë, transformimit dhe gjuajtjes nga qielli

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Një grup i këtij ummeti do të kalojnë natën duke ngrënë, pirë, dëfryer e lozur, ndërsa kur të gdhijnë do të jenë shndërruar në majmunë dhe derra. Ata do të goditën me fundosje në tokë dhe do të gjuhen (me gurë) nga qielli. Kur të zgjohen njerëzit do të thonë: Mbrëmë është fundosur filani, mbrëmë është fundosur shtëpia e filanit… Atyre, (gjegjësisht) disa fiseve dhe familjeve (prej tyre), do t’u hedhen gurë nga qielli mu ashtu sikur që iu hodhën popullit të Lutit…

Disa fiseve dhe familjeve, për shkak të konsumimit të alkoolit, veshjes së mëndafshit, marrjes së këngëtareve (angazhimit të tyre), ngrënies së kamatës dhe shkëputjes së lidhjeve familjare, do t’u dërgohet erë e thatë e cila (do t’i shkatërrojë ata siç) e shkatërroi popullin e Adit.”(17)

Shkëputja e lidhjeve familjare shkak për refuzimin e veprave

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Veprat e njerëzve ekspozohen çdo të enjte dhe çdo natë të xhumasë (dhe vlerësohen), kështu që vepra e atij që ka shkëputur lidhjet familjare nuk pranohet.”(18)

Allahu i shkëput lidhjet me atë që i shkëput lidhjet familjare

Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] ka thënë: “Kur Allahu i Madhëruar krijoi krijesat dhe mbaroi me to, u ngrit farefisnia(19) dhe tha: Ngritja (ime në këtë kohë dhe në këtë vend) është ngritja e atij që kërkon mbrojtjen Tënde nga shkëputja (e lidhjeve). Allahu tha: Po, a nuk je i kënaqur që të mbaj lidhjet me atë që mban dhe t’i shkëpus lidhjet me atë që i shkëput lidhjet familjare? Gjithsesi- u përgjigj. Atëherë kjo qoftë për ty- i tha Allahu.

Pastaj Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] tha: Lexoni (nga Kurani) po deshët (të bindeni):

“Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.” [Kurani: Muhamed: 22-23]”(20)

Shkëputësi i lidhjeve familjare nuk e ndien aromën e Xhenetit

Xhabiri tregon e thotë: Derisa ishim duke qëndruar bashkë një ditë, erdhi Profeti [sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] i cili tha: “O ju besimtarë! Keni frikë Allahun dhe mbani lidhjet tuaja familjare sepse nuk ka (vepër me) shpërblim më të shpejtë sesa mbajtja e lidhjeve familjare Keni në konsideratë veten dhe largohuni nga padrejtësia sepse nuk ka (vepër me) dënim më të shpejtë se dënimi për padrejtësinë. Ruhuni nga arroganca ndaj prindërve sepse, pasha Allahun, erën e Xhenetit që ndihet në distancë njëmijë vjeçare, nuk do ta ndiejnë (nuhasin) ai që është arrogant ndaj prindërve, ai shkëput lidhjet familjare, laviri i moshuar, ai që tërheq rrobën (poshtë zogut të këmbës) nga mendjemadhësia sepse lartësimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.”(21)

____________________________

1. Hadithin e transmeton Taberaniu në El-Mu’xhem el-eusat ndërsa

Albani në Daifu-t-Tergib, 1501, e vlerëson si të dobët.

2. Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 2838, e vlerëson si hasen.

3. Albani në Sahihu-l-xhamii, nr.166, e vlerëson si hasen.

4. Hadithin e transmeton Buhariu.

5. Hadithin e transmeton Mundhiriu në Et-Tergib ndërsa Albani në Daifu-t-Tergib, nr. 1490, e vlerëson të dobët.

6. Hadithin e transmeton Mundhiriu në Et-Tergib ndërsa Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 2504, e vlerëson si autentik.

7. Hadithin e transmeton Mundhiriu në Et-Tergib, ndërsa Albani në Daifu-t-Tergib, nr. 1495, e vlerëson si të dobët.

8. Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 1019, e konsideron si autentik.

9. Albani në Daifu-t-tergib, nr. 1465, e vlerëson si shumë të dobët.

10. Hadithin e transmeton Buhariu në Edebu-l-mufred, ndërsa Albani në Sahihu-l-edebi-l-mufred, nr. 41, e vlerëson si autentik.

11. Albani në Es-silsiletu-s-sahihah, nr. 519, thotë se ka varg autentik të transmetuesve.

12. Hadithin e transmeton Buhariu.

13. Hadithin e transmeton Muslimi.

14. Albani në Sahihu-l-xhamii, 3858, e vlerëson si autentik.

15. Albani në Es-silsiletu-s-sahihah, 3211, e vlerëson si autentik.

16. Albani në Daifu-l-xhamii, nr. 1463, e vlerëson të dobët.

17. Albani në Daifu-t-Tergib, nr. 1406, e konsideron të dobët.

18. Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 2538, e vlerëson si hasen.

19. Në hadith farefisnia ka ardhur me shprehjen ‘err-rrahim’ -mitër, duke aluduar në gjënë e cila sipas gjakut i mban njerëzit afër.

Përkthyesi.

20. Hadithin e transmeton Muslimi.

21. Albani në Daifu-t-Tergib, nr. 1485, e konsideron shumë të dobët.

Mahmud El-Misri

Përktheu: Dr. Sedat Islami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit