15 C
Pristina
Thursday, May 23, 2024

Turqia përgatitet për referendumin e saj të shtatë

Më të lexuarat

Në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill, Turqia do të shkojë në referendumin e saj të shtatë për votimin e ndryshimeve të reja kushtetuese prej 18 nenesh të cilat në opinonin publik njihen si “Sistemi presidencial”

ANKARA (AA) – Në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill, Turqia do të shkojë në referendumin e saj të shtatë për votimin e ndryshimeve të reja kushtetuese prej 18 nenesh të cilat në opinonin publik njihen si “Sistemi presidencial”, raporton Anadolu Agency (AA).

Me fjalën referendum, që ka origjinë franceze dhe që do të thotë “votim nga populli”, Turqia për herë të parë u njoh pas grushtit të shtetit më 27 maj të vitit 1960. Kushtetuta e vitit 1961 e përgatitur nga Komitetit i Unionit Kombëtar, u votua në referendum më 9 korrik të vitit 1961. Kushtetuta e vitit 1961 u pranua me 61.7 përqind të votave pro dhe 38.3 përqind të votave kundër.

Edhe referendumi i dytë erdhi pas një grushti të shtetit. Kushtetuta e pëgatitur nga “Kuvendi Këshillues” i caktuar nga qeveria ushtarake pas grushtit të shtetit të datës 12 shtator 1980, u votua në referendum më 7 nëntor të vitit 1982. Kjo kushtetutë arriti të marrë 91.4 përqind të pëlqimit popullor, ndërkohë që 8.8 përqind të pjesëmarrësve votuan kundër.

Populli hoqi ndalesat politike të liderëve

Kur Turqia dalëngadalë filloi t’i tejkalojë efektet e grushtit të shtetit të 12 shtatorit të vitit 1980, në rend dite hyri edhe heqja e ndalesave për veprimtari politike. Më 6 shtator të vitit 1987, Turqia shkoi në referendum për herë të tretë për të votuar për heqjen e ndalesave politike që përfshiheshin në nenin 4 të kushtëtutës së vitit 1982. Në referendum, 50.2 përqind e qytetarëve votuan pro, ndërsa 49.8 përqind kundër. Në këtë mënyrë u tërhoqën edhe ndalesat politike për disa ish-politikanë, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe Süleyman Demirel, Bülent Ecevit dhe Necmettin Erbakan.

68.9 përqind e popullit “pro” zgjedhjes së presidentit nga populli 

Heqja e ndalesave politike për Demirelin, Ecevitin dhe Erbakanin, nga ana tjetër, gjallëroi politikën turke. Atëbotë, filloi debati nëse zgjedhjet lokale duhet të organizoheshin një vit më herët. Në referendumin e katërt më 25 shtator të vitit 1988, 66 përqind e pjesëmarrësve i thanë “jo”, kurse 35 përqind “po”. Si rrjedhojë, populli nuk dëshiroi organizimin e hershëm të zgjedhjeve lokale.

Ndërkaq, referendumi i pestë u fut në rend dite me propozimin për ndryshime kushtetuese që në veçanti parashihnin zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të popullit. Në këtë referendum, i cili u mbajt më 21 shtator të vitit 2007, 68.9 përqind e qytetarëve votuan pro, ndërsa 31.1 përqind e tyre kundër këtij ndryshimi kushtetues. Me këtë rezultat u miratua që presidenti i shtetit të zgjidhet nga populli.

Referendumin e fundit Turqia e mbajti më 12 shtator të vitit 2010. Në këtë referendum, qytetarët e Turqisë votuan për një pako ndryshimesh kushtetuese prej 26 nenesh. 57.9 përqind e votuesve votuan “pro”, ndërsa 42.1 përqind votuan kundër.

Në këtë mënyrë, u miratuan një sërë ndryshimesh, siç ishin ristrukturimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Gjykatësve dhe Prokurorëve (HSYK), e drejta për marrëveshje kolektive për nëpunësit shtetëror, inicimi i gjykatës civile për ushtarët, mbrojtja e të dhënave personale dhe hapja para gjyqësorit e vendimeve të marra nga Këshilli i Lartë Ushtarak (YAŞ).

Procesi do të fillojë kur të parashtrohet para presidentit 

Debati për ndryshimet e reja kushtetuese filloi pas deklaratës së kryetarit të përgjithshëm të Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij më 11 shtator të vitit 2016, i cili tha se “Nëse AK Partia vazhdon këmbënguljen me sistemin presidencial, atëherë ajo duhet ta parashtrojë draftin kushtetues para parlamentit”.

Pas kësaj deklaratë, AK Partia filloi punimet për pakon e ndryshimeve kushtetuese. Në periudhën që pasoi, pakoja e ndryshimeve u mori formën e saj pas takimeve midis udhëheqësve të AK Partisë dhe MHP-së.

Propozim Ligji për ndryshime kushtetuese në Republikën e Turqisë, i nënshkruar nga 316 deputetë të AK Partisë, përfshirë edhe kryeministrin Binali Yıldırım, u parashtrua në Parlamentin e Turqisë më 10 dhjetor të vitit 2016. Në Komisionin Kushtetues Parlamentar, bisedimet për propozimin ligjin për ndryshimet kushtetuese që zgjatën dhjetë ditë, përfunduan më 30 dhjetor të vitit 2016.

Ndërkaq, debati në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare u zhvillua në dy raunde. Propozimi për ndryshimet kushtetuese i parashtruar para kyesisë së parlamentit më 10 dhjetor të vitit 2016 nga AK Partia, u ligjësua duke u miratuar pas 42 ditëve me 339 vota pro.

Pasi Ligji për ndryshime kushtetuese të parashtrohet para presidentit të shtetit, do të fillojë procesi drejt referendumit. Në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill, Turqia do të shkojë në referendumin e saj të shtatë për votimin e ndryshimeve të reja kushtetuese prej 18 nenesh.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit