7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Situatë problemore

Më të lexuarat

Nga: Elton Hatibi

Situatë problemore

Edukata shoqërore e klasës së dytë fillore përmban një kapitull që prezanton nxënësin e vogël me konceptin e komunitetit. Titulli i kreut është vetafirmues: “Jam pjesë e një komuniteti”, dhe kështu fton vogëlushët për të mësuar rrathët komunitarë.
Sipas tekstit komunitetet janë grupe të caktuara njerëzish të cilët ndajnë shumë gjëra të përbashkëta, duke filluar nga një vend/shtet, qytet, fshat dhe lagje. Ndërsa ndeshja e futbollit Shqipëri-Greqi dhe veshja e tifozëve me ngjyrat kuqezi, ngrënja e ballokumeve nga elbasanllinjtë ditën e festës së Verës, këndimi me çifteli në fshatin e gjyshes së Lindës dhe fitimi i Mis-lagjes nga motra e Altinit merren si shembuj për të shpjeguar situatat e ndërveprimit komunitar, fesë i është rezervuar një ekuacion që zor se do t’i jepte përgjigjje ndonjë prind e jo më nxënësit e fillores. Pavarsisht se shembujt ilustrues janë mjaftueshmërisht të thatë për të mësuar diçka mbi fjalët kyç të lartpërmendura, befasia shfaqet kur nën tabelën “situatë problemore” kemi një narrativë që implikon banalisht besimin fetar, dhe që i serviret nxënësve si më poshtë:“Më 23 prill ishin dy festa fetare në një ditë: Pashkët dhe Bajrami. Altini e di që gjyshërit nga babi do të shkojnë në kishë, kurse gjyshërit nga mami do të shkojnë në xhami. Po Altini?”Pra për ne të rriturit, ftohtësisht tre janë mundësitë e Altinit në hallin që e ka zënë: të shkoje me një palë gjyshër; të zgjedhë të shkojë me të tjerët; ose në ditën e gërshetuar fetarisht të mos lëvizë këmbë nga shtëpia. Mundësia e katërt, e promovuar kryesisht nga politika, që i qaset pa emocion cilitdo tempull në qokat e radhës, zor se do ta joshte Altinin tonë, vetëm nëse djali do të ushtrohej atje si një antar pragmatist forumesh politike rinore.
Për të fekonduar një lloj ekumenizmi artificial, me individë të barazlarguar nga fetë tradicionale në vend, autorët e teksteve na shfaqin cinizmin, si një nga karakteristikat etike të laicizmit përjashtues.“Ku do të shkojë Altini?” është dilema që mbjell në mendjet e vogëlushëve llogjika cinike e promovimit të laicizmit militant, e gjitha kjo kundrejt shtysës identifikuese me simbolikat e përzgjedhura si destinacione të natyrshme komunitare. Përmes kësaj loje fati pa fantazi, shpalosen fragmente nga kredoja e barazimit kulturor, si etapa e fundit drejt zhvleftësimit të fesë në një shoqëri sekulare.
Përtej qëllimit të saj praktik pyetja vjen dhe në planin kozmologjik: “ku do të vejë shpirti i Altinit të vogël?”, “përmes cilës portë do ta gjejë paqen Ai?”.  Sigurisht që Altini dhe bashkëmoshatarët e tij të vegjël, të lënë pa mëshirë në mes të udhëkryqit, të gjendur pa vetëdije aty, e kanë të pamundur të orientohen pa ndihmën e shenjave përkatëse, sidomos kur të mëdhenjtë e heshtur dhe në sinkron u kthejnë krahët. Pa një ndriçim, sado minimal, Altini do të qëndrojë në vendnumëro, në dilemën e dhembshur që të mpin aq fort shpirtërisht sa për të mos vajtur asgjëkundi.
Por ta lemë dimensonin shpirtëror të çështjes, për t’iu qasur atij social kulturor, aty ku është dhe fushbeteja e vërtetë, brumi i bashkëjetesës. Me mbjelljen e dyshimit, në këtë rast, dashje padashje rrëzohet “jam pjesë e një komuniteti”, si një paaftësi, rrjedhimisht pamundësi përzgjedhjeje që paradoksalisht merr në konsideratë si instrumente zemrën dhe ndjeshmërinë njerzore. Ky dimension identitar tradicional që përcaktohet me tempujt, përjashtohet si i papërshtatshëm me mjedisin social të formatuar ftohtë nga institucionet shtetërore. Nga ky këndvështim, askujt nga politikëbërësit e kurrikulave shkollore nuk i intereson literalisht se në cilin tempull do të shkojë fëmija shqiptar, përderisa në to nuk përfshihet seriozisht një vështrim universal i vlerave të feve tradicionale në vend. E rëndësishme këtu është shenja e barazisë që vendoset mes simboleve të besimeve fetare për t’i diferencuar si fenomene të çuditshme dhe të pakuptueshme, mbështjellë me mjegull, përtej së cilës thërrasin dëshpërimisht në llogoren e tyre gjyshërit respektivë.
Por përderisa gjyshërit respektivë i kanë kthyer kurrizin nipit të tyre për t’u kyçur brenda mureve të misterit, hartuesit e tekstit, përsëri përmes një tjetre “situatë problemore”, larg ngurtësisë strukturore të tempujve, i ofrojnë vogëlushëve një alternativë festive që realizohet në shesh të hapur, ku më së miri ndërthuren drejt shkrirjes dy identitete, ai fetar dhe ai kombëtar.
“Kur u vendos monumenti i Nënë Terezës, populli organizoi një festë të madhe”. Nisur nga llogjika e paralizuar e Altinit, duket si paradoks kjo qasje e faqes tjetër të librit, aty ku flitet për festat. Por për tekstbërësit nuk është kështu. Qëllimisht një paragraf më sipër, përbri fotos së Nënë Terëzës, lexojmë: “Më 28 Nëntor shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit kudo që ata ndodhen. Madje edhe jashtë vendit tonë”. Për ta qartësuar disi situatën po i hedhim sytë edhe tek pyetjet në fund të mësimit që, si gjithnjë, ndihmojnë nxënësin të kuptojnë realitetet e ofruara në tekst: Cilat festa i feston gjithë populli?  A ke marrë pjesë ti në një festë kombëtare? Nëse po, në cilën? Këtu lind një problem. Teksti ofron vetëm një festë kombëtare, atë të Flamurit, ndërkohë që nxënësit i kërkohet të identifikojë më shumë se një! Dy “festat”, duke pasur të njëjtin ilustrim, atë të monumentit të Nënë Terezës, i sugjerojnë vogëlushëve se cila mund të jetë “festa” tjetër kombëtare përveç asaj të mirënjohurës me flamur.
Fjalët kyç në këto dy paragrafë dhe pyetje janë: festë, flamur, Nënë Terezë, popull, shqiptarë, kombëtare. Mund ta imagjinojmë me një skemë të thjesht se si bashkëveprojnë me njëri-tjetrin këto terma. Në pikën festë puqen dy brinjë, ajo që niset nga populli përmes Nënë Terezës, dhe ajo që niset nga shqiptarët përmes flamurit, dhe baza, e cila vjen dhe përmbyll trekëndëshin, mbetet të jetëkombëtarja. Lehtësisht flamuri mund të këmbejë vend me Nënë Terezën dhe anasjellatas, por e rëndësishme është që populli ose shqiptarët të nisen nga baza, kombëtarja, për të kulmuar me hare nëfestë. Personazhi njerëzor, duke kaluar përmes një alkimie të thjeshtëzuar, serviret me sforco në nivelin e një simboli bashkues, i barasvlefshëm me flamurin dhe simbole të ngjashme, dhe, si legjitimues i parapëlqyer e njëkohësisht amorf në këtë operacion, thirret si gjithnjë populli turmë.
Qartësisht në të dy manifestimet kemi mbivendosje termash që mundësojnë perceptime të deformuara në mendjen e njomë të një fëmije. Kombëtarja, që këtu e ilustruam me bazën e një trekëndëshi të formatuar tashmë, pamundëson përfshirjen e manifestimeve të tjera identitare. Populli e ka bërë zgjedhjen duke rrokur dy simbolet e licensuara festive. Sidoqoftë, për çdo dilemë të mundshme infantile ndaj kësaj qasjeje identitare, garancia për vlefshmërinë e tij është autoriteti më i lartë, vetë kombi.
Pas dekadash ateizmi zyrtar, brezi më indiferent ndaj fesë potencialisht është ai i dyzetvjeçarëve të sotëm, të cilët në tekst nuk ndodhen në rolin e prindit pranë Altinit, kësisoj ata ua kanë besuar misionin shpirtëror dy kategorive: gjyshërve shpesh të shpartalluar nga ateizmi ose modelit tjetër tashmë të katapultuar dukshëm. Autorët duke braktisur një palë prindër, tutorë natyralë të fëmijës së tyre, i ofrojnë Altinit një tjetër “nënë” me veshje fetare, që për ta familjarizuar më tej me të, ia kanë ngjeshur pranë flamurin kombëtar. Sakaq, kur populli i padiferencuar del dhe organizon festë për një veprimtare fetare katolike, gjyshërit e tjerë të Altinit nuk duken gjëkundi për të thirrur nipin e tyre në ndonjë përurim të ngjashëm popullor. Këta palë gjyshër, për të joshur nipin e dashur në fenë e tyre kanë dështuar me metodat tradicionale. Ata nuk meritojnë të përmenden më nga historia. Ndërkohë, gjyshërit e tjerë ecin të shkujdesur, por të qetë drejt tempullit të tyre, sepse për orientimin shpirtëror të nipit vocërrak, tashmë mendojnë pehlivanë të shkathët dhe efikasë veshur me kostume shtetërore.
 
Marre nga e-zani.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit