Në çdo kohë gjenden njerëz të cilët nuk i binden urdhëresave të Zotit dhe kryejnë atë që Ai ka ndaluar. Një nga këto ndalesa, që shpesh nuk respektohet, është edhe sigurimi i pasurisë me anë të mjeteve të ndaluara, siç është vjedhja, grabitja, mashtrimi, kamata, bixhozi, ryshfeti, korrupsioni, shfrytëzimi i padrejtë, shitja e mallrave të ndaluar… etj. Pasuria e fituar haram në këtë mënyrë përbën rrezik si për vetë personin ashtu edhe për shoqërinë njerëzore, ajo mbi gjithçka rrezikon të tërheq ndëshkimin e Zotit në këtë botë dhe në tjetrën. Ndodh që kjo pasuri të bjerë në duart e shtetit apo vetë personi të pendohet dhe kërkon të shpëtojë prej saj. Si veprohet në këtë rast sipas ligjeve islame? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje kemi zgjedhur një studim akademik, autori i të cilit ka mbrojtur me të gradën shkecore të doktoratës në një nga universitetet e botës islame. Më poshtë do të paraqesim përfundimet në të cilat ai ka arritur nga ky studim, duke iu referuar për këtë librit të tij me titull: “Dispozitat e pasurisë haram”.
Rregullat sesi përfitohet dhe veprohet me të sipas të drejtës islame; Punuar nga: Dr. Abas Ahmed Muhamed el-Baz, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e Prof. Dr. Omer Sulejman el-Eshkar
Bot. Dar en-Nefais 1418 h/ 1998 e.s. Aman Jordani.
Autori i veprës në faqen 439 të librit të tij paraqet këto rezultate të studimit të tij duke thënë: Nga studimi i temës kam arritur në këto përfundime:
· Pasuri haram quhet çdo objekt me vlerë të cilën Islami ia ka ndaluar muslimanit ta posedojë atë. Kjo pasuri mund të jetë haram në vetvete (si pijet alkoolike, mishi i derrit etj. sh.p.) ose haram për shkaqe të jashtme. (si kamata, ryshfeti, etj. sh.p.)
· Pasuria haram në përgjithësi nuk quhet pronë (e ligjshme fetarisht, sh.p.) për muslimanin, sado qoftë sasia e saj pak apo shumë.
· Pasuria haram (që i përket dikujt tjetër, sh.p) nuk trashëgohet, sepse ajo vazhdon të konsiderohet në pronësi të pronarit të parë. (p.sh. një mall apo objekt i vjedhur: tokë, makinë etj. sh.p.)
· Pasuria e fituar me një kontratë të pavlefshme fetarisht (batil/fasid) nuk lejohet të merret, ajo duhet të largohet nga zotërimi.
· Pasuria e fituar nga një kontratë për të cilën nuk bihet dakord mes dijetarëve, nëse është e lejuar ose jo, nuk gjykohet si haram, nëse mospajtimi për të është i konsiderueshëm. Jo çdo gjë që beson një dijetar se ajo është haram ajo është e tillë.
· Pasuria haram, e fituar në kohën para se dikush të bëhej musliman, është hallall për të edhe pasi ai të jetë bërë musliman, ai nuk është i detyruar ta heq atë nga zotërimi i tij.
· Pasuria e humbur e dikujt është haram për atë që e gjen para se ai ta publikojë atë për të gjetur pronarin e saj, por është hallall për të pas publikimit, për aq kohë sa nuk gjendet pronari i saj.
· Pasuria e fituar haram nga padija është hallall, nëse gjatë kohës kur ajo është fituar përfituesi i saj nuk e dinte se ajo është haram.
· Çdo pasuri që gjykohet nga feja si haram në vendet muslimane si p.sh: kamata, bixhozi… etj e tillë ajo konsiderohet edhe në çdo vend tjetër. Ky është opinioni i saktë për këtë çështje.
· Fitimi që një musliman nxjerr, duke investuar pasurinë e tij në kamatë, në vendet jomuslimane, është i papastër dhe është haram të merret. (p.sh. interesi bankar, sh.p.)
· Nuk lejohen transaksionet me poseduesin e një malli haram ku si objekt i transaksionit është vetë malli haram.
· Lejohet transaksioni me poseduesin e pasurisë haram kur e ka atë të përzier me hallall, por kjo në vetvete është e papëlqyeshme.
· Lejohet pa asnjë problem transaksioni me muslimanin që nuk i dihet gjendja e pasurisë, nëse thjesht dyshohet se në pasurinë e tij ka haram.
· Lejohet transaksioni me një jomusliman për mallin që ai ka, sido që ai ta ketë fituar atë, hallall ose haram, nëse kjo marrëdhënie kryhet në përputhje me rregullat e fesë dhe dispozitat e sheriatit.
· Qenia haram e pasurisë është një emërtim që bie si gjykim mbi atë që e merr atë dhe jo mbi vetë objektin. (p.sh. jo paraja në vetvete si para, por për shkak të mënyrës së fitimit të saj, sh.p.)
· Malli haram nuk lejohet që të eliminohet duke u djegur, prishur ose hedhur në det.
· Pasuria haram nuk është objekt përfitimi për asnjë, përveç se të shpenzohet në drejtimet e lejuara nga sheriati.
· Pasuria haram që nuk i dihet pronari shpenzohet për të mjerët, të varfrit, njerëzit në nevojë si dhe për objekte në interes publik të muslimanëve.
· Dhënia e pasurisë haram për shpenzime të përcaktuara fetarisht si bamirësia për të varfrit, nevojtarët dhe për objekte me përfitim publik për muslimanët, nuk quhet sadaka nga e cila fitohet shpërblim. Ky veprim është thjesht heqje e përgjegjësisë së gjynahut dhe pastrim i pasurisë së përzier me haram.
· Kthimi i pasurisë pronarit të ligjshëm, nëse ai njihet, apo shpërndarja e saj të varfërve dhe nevojtarëve, kur ai nuk njihet, është kusht për pranimin e pendimit për atë që është duke larguar prej tij pasurinë haram.
· Fakti që shteti ka në thesarin e tij pasuri haram nuk përbën pengesë për të punuar në të, sepse së pari kjo pasuri nuk është e përcaktuar se cila është dhe së dyti sepse njerëzit kanë nevojë për punë.
· Pasuria hallall, e shpenzuar për gjëra që janë gjynah, konsiderohet e dalë nga pronësia e pronarit e të saj të parë. Nëse ajo kthehet duhet të shkoj për bamirësi për të varfrit, nevojtarët dhe në objekte në interes të muslimanëve. (p.sh. paratë që humben në baste apo bixhoz, nëse ato rimerren, sh.p.)
· Disa nga hapësirat ku shpenzohet pasuria haram janë: ndërtimi i shkollave, hapja e rrugëve, ndërtimi i spitaleve ose klinikave mjekësore, dhënia studentëve të dijes… etj.
· Nuk lejohet që të ndërtohen xhami apo vende adhurimi me pasuri haram, sepse Allahu i Madhëruar është i Mirë dhe pranon vetëm të mirën.
· Lejohet për muslimanin të shpenzojë për vete dhe familjen e tij nga pasuria haram për aq kohë sa e ka të pamundur të sigurojë pasuri hallall.
· Lejohet marrja e borxhit nga borxhliu që konsumon pasuri haram, nëse kjo pasuri nuk i përket një pronari tjetër të caktuar. (p.sh. para të vjedhura, sh.p.)
· Haxhi i kryer me pasuri haram është i saktë dhe largon barrën e këtij detyrimi fetar, por si veprim është i shëmtuar dhe nuk ka shpërblim për të.
· Shlyerja e taksave me pasuri haram nuk lejohet, sepse kjo shpie në konsumimin e pasurisë haram që është e ndaluar. (për më shumë shiko fetvanë Nr. 48 sh.p.)
· Fitimi i nxjerrë nga investimi i pasurisë haram është haram, sepse ai është degëzim i kapitalit fillestar ndaj dhe nuk lejohet të përfitohet prej tij, djersa e të padrejtit në këtë rast nuk meriton të shpërblehet.
· Pastrimi i parave haram dhe parave të pista është i ndaluar nga ligjet fetare dhe ato shtetërore, sepse kjo pasuri është fituar me mjete të ndaluara dhe se i hap rrugën grupeve kriminale për të vënë nën kontroll pushtetin dhe organet e vendimmarrjes.
· Paratë haram që i nënshtrohen pastrimit duhet tu shkojnë të varfëve, nevojtarëve dhe për objekte me interes publik, pasi të jenë ngrirë dhe sekuestruar më parë nga shteti.
/lidhjaehoxhallareve.com/