Kjo është pyetja më e rëndësishme që çdo prind, mësues/e, përgjegjës/e dhe kujdestar/e duhet ta vë para syve të tij.
Nga detyrimet më të rëndësishme dhe imediate të kohës sonë është të formojmë një brez me besim të mbrojtur. Pra, të kenë imunitet përballë sëmundjeve të dyshimeve e luhatjeve, në mënyrë që të kenë një fetari të shëndoshë të ndërtuar me argumente të qarta, e të shpëtojnë nga shigjetat helmuese të të devijuarve të përhumbur.
S’ka dyshim se ne po jetojmë në një kohë tejet të vështirë. Kohë kjo, në të cilën rreziku për devijimin e të mëdhenjve është i lartë. E çfarë të themi për të vegjlit tanë?
Së këndejmi, ndjenja e përgjegjësisë është fillimi dhe baza. Për këtë, të kujtojmë se do ketë një pyetje që na pret në Ditën e Gjykimit. Profeti, s.a.w.s. ka thënë: “Secili prej jush është bari (përgjegjës), andaj secili do të japë përgjegjësi për kopenë e vet.”(1) Po ashtu ka thënë: “Çdo rob i Allahut, të cilit Allahu ia ka besuar udhëheqjen e një kopeje (turme), e nuk tregohet besnik ndaj tyre, nuk do ta ndiejë aromën e Xhenetit.”(2)
Kjo temë është shumë më e gjerë sa të përmblidhet në këto pak rreshta, mirëpo para jush po nënvizoj shtatë porosi të shkurtra:
Së pari: Lute Allahun për udhëzimin dhe përqendrimin e tyre:
Kjo çështje s’është diçka e dorës së dytë, e rëndomtë, që mund të shpërfillet. Jo për Zotin, assesi! Është thelbësore, shumë e rëndësishme, madje është vetë boshti. Prandaj duhet të ndash një pjesë të mirë të kohës tënde që të lutesh për fëmijët e tu dhe fëmijët e muslimanëve gjithashtu. Duhet t’i përkushtohesh kësaj çështjeje me vendosmëri dhe seriozitet, përndryshe fatkeqësia është shumë e madhe!
E, nëse në të kaluarën je treguar i pavëmendshëm në lutjet për fëmijët e tu, në të ardhmen mos u trego i tillë. Ndërsa nëse ke qenë i zellshëm në lutje, atëherë shtoji përpjekjet edhe më shumë!
Së dyti: Të fillojmë nga vetvetja:
Kjo se, kurdo që fillojmë me mbrojtjen e veteve tona dhe formimit tonë të mirëfilltë nga aspekti i besimit dhe diturisë, kjo do të reflektojë medoemos edhe në rrethin tonë. Përndryshe, kush s’posedon gjë, s’jep gjë dot.
Së treti: Mbaji para syve bazat thelbësore në hartën e edukimit të fëmijëve, të cilat janë si në vijim:
– Mbjellja e dashurisë për Allahun e Lartësuar, ‘teuhidit’ (njëjësimit) dhe mbikëqyrjes së Tij.
– Nënshtrimi dhe bindja e plotë ndaj Profetit, s.a.w.s..
– Madhërimi i shpalljes, respektimi dhe nderimi i Kuranit dhe Hadithit.
– Dobësia jonë karshi Allahut, dhe Mëvetësia e Pavarësia e Tij ndaj nesh.
Këto baza janë epiqendrat që duhet qëndruar rreth tyre vazhdimisht.
Së katërti: Fokusimi në qëllimin e jetës:
Është për keqardhje mungesa e qëllimit të jetës në mesin e disa të rinjve, ndaj s’duhet shpërfillur si fakt.
Pse kam ardhur në këtë jetë? Pse më ka krijuar Allahu? Cili është roli im kryesor në jetën time?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve thelbësore mbjelli dhe gdhendi mirë në loçkën e zemrës së fëmijës tënd. Madje, nëse ke mundësi, bëje këtë në çdo orë e çast.
Mëso se adhurimi i Allahut është më i rëndësishmi dhe para çdo gjëje tjetër. Se, e ardhmja e vërtetë, për të cilën duhet përpjekur dhe të cilën duhet ndërtuar është e ardhmja e ahiretit, teksa e ardhmja në këtë botë është vetëm mjet për fitimin e ahiretit.
Skalit te fëmija yt, duke i thënë bie fjala: “Mëso në shkollë e tregohu i zellshëm që të marrësh notat më të larta, për arsye se ‘besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu’; Bëhu i dobishëm për vetveten, familjen, rrethin dhe muslimanët në përgjithësi, e kështu do arrish shpërblime të mëdha…”, dhe fjalë të ngjashme me këto.
Së pesti: Mbjell në fëmijën tënd fetarinë nga bindja:
Kur ta urdhërosh fëmijën tënd thuaj: “Fale namazin se Allahu i Lartësuar, Ai i Cili të ka krijuar të ka urdhëruar për të.”; “Tregohu i sinqertë dhe gjithnjë thuaje të vërtetën, se Allahu e do të sinqertin dhe të vërtetën.”; “Mos gënje, se Allahu e urren gënjeshtrën.”; “Gjithnjë bëj vepra të duhura dhe të mira, se Allahu i Lartësuar të sheh.”; “Ha me të dorën e djathtë, se ky është Suneti (praktika) e Profetit dhe më të Dashurit tonë, Muhamedit s.a.w.s…”
Orë e çast sqaroja dobitë e nënshtrimit dhe bindjes ndaj Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij s.a.w.s.. Pra, ngulite tek ai/ajo fetarinë nga bindja e jo nga zakoni!
Së gjashti: Përpjekja për ofrimin e një ambienti virtual të shëndetshëm fetarisht – apo së paku jo të dëmshëm! -, aq sa fëmija yt të mos i kalojë kufijtë e tij:
S’është e nevojshme të përmend faktin se rrjetet sociale janë bërë një ambient i detyrueshëm, madje lirisht mund t’i konsiderojmë si pjesë e jetës sonë. E si të tilla, janë joshëse për të vegjlit, andaj duhet t’i drejtojmë drejt asaj që iu bën dobi.
Falënderimi i takon Allahut që është e mundshme të kontrollohet dhe orientohet shfletimi i fëmijëve tanë në këto rrjete sociale apo aplikacione. Ndërkohë që gjenden edhe disa aplikacione të dobishme dhe kanale të shëndosha nga të cilat fëmijët mund të përfitojnë, të cilat mund të shërbejnë si alternativa të përshtatshme kundrejt kotësive të pavlera e të padobishme.
Së shtati: Mjete të dobishme për mësime të vyeshme:
Tashmë ka metoda dhe mjete të vyeshme për mësimin e besimit për fëmijën tuaj, si p.sh. libra tërheqës, libra për të ngjyrosur që flasin për besimin e fëmijës musliman, libra për tregimet e profetëve, aplikacione të dobishme e të ngjashme. Sikur këto dhe të ngjashme të tjera duhet shfrytëzuar në edukimin e brezit të ri.
Si përfundim:
Mbaj para syve ndërtimin dhe edukimin e fëmijës tënd nga aspekti i besimit. Tregohu i sinqertë dhe kthehu tek Allahu përnjëmend që të te jep sukses për këtë çështje, dhe Allahu do të t’i hap dyert dhe do të të furnizojë me atë çfarë e dëshiron: “Ata që luftojnë (përpiqen) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona.” (Ankebut, 69).
_________________
1. E shënon Buhariu (numër 893).
2. E shënojnë Buhariu (numër 7150) dhe Muslimi (numër 142).
Meraki el-va’j fusulun te’silije, ve tenbihatun ala mezalik fikrije, f. 474.
Prof. Dr. Salih Sindi
Përktheu nga arabishtja: Blerim O. Rexha
Imam në Xhaminë e Fetah Agës, Gjakovë