11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë pabesimtarëve?!

Më të lexuarat

Pyetje: Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë pabesimtarëve?!

Përgjigje: Njohja e disa ligjeve të Allahut na e sqaron këtë çështje. Një nga ligjet e Allahut është ajo që thotë Allahu në suren (Isra: 18): “Kush do të shpejtën (dynjanë, që është më afër dhe është shpërblim më i shpejtë për njeriun se bota tjetër dhe që mbaron shpejt) ja përshpejtojmë në të aq sa duam Ne, dhe atij që duam, pastaj e hedhim në Xhehennem të poshtëruar e të dëbuar nga mëshira e Allahut.”
Kurani na tregon se pasuria nuk është kriteri vlerësues që Allahu përdor me njerëzit. Dmth, kur Allahu i jep shumë dikujt nuk do të thotë se e vlerëson atë. A nuk e shikon se si i dha Karunit gjithë atë pasuri çelësat e së cilës mezi i mbanin burrat e fuqishëm? E cili ishte përfundimi i tij? E përpiu toka, si dënim nga Allahu për shkak të mosbesimit të tij.
A nuk mburrej Faraoni: “O populli im, a nuk është e imja mbretëria e Egjiptit, dhe këta lumenj rrjedhin poshtë meje, a nuk shikoni?” (Zukhruf: 51)
Si përfundoi ai? U mbyt në det, e s’i bëri dobi aspak mbretëria e tij e madhe.
Madje Allahu i Madhëruar i dha shejtanit diçka edhe më të vyer se pasuria, i dha kohë, jashtë mase shumë kohë. E la të jetonte deri në Kijamet. A tregon kjo se Allahu e do atë?! I lartësuar është Allahu nga kjo.
Po ashtu i Dërguari i Allahut – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – na tregon: “Sikur dynjaja të kishte vlerë tek Allahu sa krahu i një mushkonje, nuk do t’i jepte prej saj pabesimtarit as një gllënjkë ujë.” (Sahihut Tirmidhij: 2320)
Pra e shikon se sa pak vlerë ka kjo botë tek Allahu? Nuk ka peshë as sa krahu i një mushkonje, prandaj fakti që i dhuron prej saj pabesimtarëve nuk tregon se është i kënaqur me ta, përkundrazi, fakti që u jep prej saj është sprovë e rëndë për ta, sepse ashtu mendojnë se janë në rrugë të drejtë, dhe nuk kthehen kurrë në rrugën e Zotit. Allahu na ruajtë.
Ejani të shikojmë dy njerëz të dynjasë, siç na tregon i Dërguari i Allahut – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – : “Sillet njeriu më i begatuar i dynjasë prej banorëve të Zjarrit dhe zhytet vetëm një zhytje në Zjarr. Pastaj i thuhet: O biri i Ademit! A ke parë ndonjëherë mirësi më parë? A ke përjetuar ndonjëherë lumturi në jetën tënde?!– dhe ai thotë: Jo pasha Allahun o Zot! – Dhe sillet njeriu më i munduar në dynja prej banorëve të Xhennetit dhe zhytet në Xhennet një herë të vetme. Pastaj i thuhet: O biri i Ademit. A ka kaluar ndonjëherë ndonjë fatkeqësi A ke patur ndonjëherë në jetën tënde vështirësi? – e ai thotë: Jo pasha Allahun o Zot! Nuk më ka prekur kurrë asnjë e keqe! Nuk kam patur asnjëherë ndonjë fatkeqësi!” (Sahih Muslim: 2807)).
Dmth i harroi të gjitha secili prej tyre. E çfarë vlere ka një jetë, qoftë edhe e gjatë, kur çdo gjë e mirë që ke përjetuar në të ikën dhe harrohet, po ashtu edhe vështirësitë?! Ja më thuaj, çfarë mban mend ti prej gëzimeve, apo çasteve të bukura që ke kaluar në gjithë jetën tënde?! Ku janë ato tani?! E njëjta pyetje edhe për vështirësitë dhe problemet që ke kaluar në jetën tënde, çfarë mban mend prej tyre? Ku janë ato tani? Kanë ikur e kanë shkuar. Të gjitha shkojnë dhe harrohen, dhe mbeten vetëm shpërblimet e veprave të mira dhe të durimit ndaj fatkeqësive, dhe ndaj gjynaheve, ose gjynahet e harameve dhe mosdurimit ndaj caktimeve të Allahut. E rëndësishme është përjetësia. Të tjerat ikin dhe harrohen. E ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Madhëruar: “E jeta e kësaj bote nuk është tjetër veçse një përjetim mashtrues”
Po o Zoti ynë, sa njerëz janë mashtruar pas saj! Na ruaj nga sprova e saj. E në ajet tjetër thotë: “U është zbukuruar atyre që mohuan jeta e kësaj bote dhe tallen me ata që besuan, por ata që ishin të devotshëm janë mbi ta Ditën e Kijametit, e Allahu furnizon kë të dëshirojë pa e llogaritur. (Pa e numëruar atë që jep). (Bekarah)
Në një hadith madhështor Profeti i Allahut – paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Dynjaja është e ëmbël dhe joshëse (tërheqëse), dhe Allahu do tju bëjë trashëgimtarë të saj (sh.p.: do tju vijë edhe juve rradha të zotëroni prej dynjasë ashtu siç zotëruan edhe të tjerët para jush), dhe do të shikojë se çfarë bëni. Prandaj ruhuni nga dynjaja dhe ruhuni nga gratë” (Muslimi: 2742)

 

 

Emin Bilali / https://udhaebesimtareve.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit